2018
Beki Krejvën
maj 2018


Beki Krejvën

Këshilltare e Dytë, Presidenca e Përgjithshme e Të Rejave

Pamja
Beki Krejvën

Ka një thënie që Motra Beki Krejvën e shprehu shpesh si misionare: “Kur e di se kush je, vepron ndryshe”.

“Dhe kjo është në çfarëdo aspekti – nga mënyra se si vishesh, si flet, si e paraqet vetveten dhe veprimtaritë në të cilat merr pjesë”, tha Motra Krejvën, e cila shërbeu me bashkëshortin e saj, Ronald L. Krejvënin, ndërkohë që ai kryesoi mbi Misionin e Karolinës së Veriut, Sharlotë, nga viti 2012 deri në 2015.

Motra Krejvën u mbështet si Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave më 31 mars 2018. “Kur të rejat fillojnë ta shohin veten në planin e Perëndisë, ato do të jenë në gjendje të shohin një vegim për veten e tyre”, tha ajo. “Ju duhet të keni një vegim. Nëse nuk keni një vegim, ju nuk e dini ku po shkoni dhe nuk dini se çfarë të bëni që të arrini atje.”

Rebeka Lin Krejvëni u lind më 26 tetor 1959 në Kardon të Ohajos në SHBA nga Korlis Uolltër Miçëlli dhe Linda Luiz Kasuk Miçëlli. Krenare ta quajë veten “një fëmijë ushtrie”, ajo u rrit në Teksas të SHBA‑së, ku familja e saj u bashkua me Kishën; në Gjermani, kohë gjatë së cilës familja e saj u vulos në Tempullin e Zvicrës; në Angli; në Jutë të SHBA‑së, ku ajo u pagëzua gjatë shërbimit të parë ushtarak të babait të saj në Vietnam; dhe në shtetet e Merilendit, Kentakit, Misurit dhe Kansasit në SHBA.

Të martuar më 5 gusht 1980 në Tempullin e Solt‑Lejkut, çifti Krejvën janë prindër të pesë fëmijëve.

Përpara se të mbështetej në thirrjen e saj të re, ajo po shërbente si këshilltare në presidencën e Shoqatës së Ndihmës të lagjes dhe si punonjëse ordinancash në Tempullin e Bauntifullit në Jutë. Ajo gjithashtu ka shërbyer si presidente e Të Rejave të lagjes, anëtare e kryesisë së Shoqatës së Ndihmës të kunjit, si misionare kunji dhe udhëheqëse e Uebelos [në programin e skautizmit].

Motra Krejvën ka diplomë universitare për dekorim të mjediseve të brendshme nga Universiteti “Brigam Jang”, ku ajo ka shërbyer në komitetin këshillues të atletikës. Gjithashtu ka shërbyer si anëtare e kryesisë ekzekutive të CHOICE Humanitarian, një organizatë bamirëse ndërkombëtare me bazë në Jutë.

Asaj i pëlqejnë ngjitja në mal, sportet e ujit, ecja në dëborë, udhëtimet, piktura, bërja e jorganëve dhe lojëra e veprimtari me familjen e saj.