2020
Dhënia e Shërbesës nëpërmjet Mbështetjes te Vetja
Gusht 2020


“Dhënia e Shërbesës nëpërmjet Mbështetjes te Vetja”, Liahona, gusht 2020

Pamja
dhënia e shërbesës

Parimet e Dhënies së Shërbesës, Gusht 2020

Dhënia e Shërbesës nëpërmjet Mbështetjes te Vetja

Ndihma që të tjerët të bëhen të mbështetur te vetja, është të sigurosh dhe të japësh shërbesë sipas mënyrës së Zotit.

Shumë prej pjesëtarëve të familjeve tona, miqve dhe fqinjëve tanë janë të interesuar që të bëhen më të mbështetur te vetja. Duke përdorur nismën e Kishës për mbështetjen te vetja, anëtarët e Kishës po gjejnë mundësi për të shërbyer, për të treguar kujdes dhe për të dhënë shërbesë teksa i bekojnë të tjerët me parime që sjellin “shpresë, paqe dhe përparim më të madh”1.

“Isha në Shtëpi”

Nga Krisi Kepler, Arizonë, SHBA

Po hasja vështirësi financiarisht pas një shkurorëzimi, duke u përpjekur të gjeja udhën time të kthimit në fuqinë punëtore pasi kisha qenë për tetë vjet një nënë shtëpiake. Po hasja vështirësi edhe shpirtërisht, duke kërkuar të vërtetën dhe besimin, edhe pse nuk kisha shkelur brenda një godine kishtare që kur isha adoleshente.

Një të diel po i laja rrobat e mia te shtëpia e motrës sime më të madhe, Prisilës, që është një anëtare aktive e Kishës. Teksa ndodhesha atje, Prisila më ftoi të shkoja në kishë me familjen e saj – ftesa e parë për mua në më shumë se 15 vjet.

Fillimisht isha ngurruese, por pikërisht një natë më parë, i isha përgjëruar Perëndisë të më tregonte se si t’i afrohesha Atij më pranë. Pasi ndjeva një tërheqje të brendshme, arrita në përfundimin: “Përse të mos shkosh e të dëgjosh vetë, si një person në moshë madhore, me vetë zemrën tënde dhe sytë e tu?”

Ndërsa ndodheshim në mbledhjen e sakramentit, vura re një fletushkë brenda buletinit të së dielës që njoftonte për një kurs të mbështetjes te vetja mbi financat vetjake. Nuk isha gati të kthehesha në kishë, por më tërhoqi kursi prej 12‑javësh. Me nxitjen e motrës sime dhe të kunatit tim, u regjistrova, duke pritur të mësoja vetëm se si të bëja një buxhet dhe të paguaja borxhin. Sidoqoftë, orët mësimore më shndërruan shpirtërisht.

Isha befasuar nga mesazhet shpirtërore gjatë dy javëve të para të kursit, por gjatë orës së tretë mësimore, u pushtova nga një ndjenjë pohimi se isha në shtëpi dhe po dëgjoja të vërteta të reja por të njohura. U largova nga klasa dhe shkova me makinë drejt e te shtëpia e Prisilës. Me lot në sy e pyeta: “Si mund të marr më shumë nga kjo ndjenjë në jetën time?” Ajo e organizoi që misionarët të fillonin të më jepnin mësime.

Anëtarë të klasës sime të mbështetjes te vetja erdhën në mësimet e mia me misionarët dhe më përkrahën. Ata lanë një ndikim afatgjatë në shpirtshmërinë time dhe më ndihmuan të zhvilloj një dëshmi për ungjillin dhe profetët e kohëve moderne.

Në kohën që kaloi derisa të përfundoja kursin, bëra disa ndryshime materiale dhe shpirtërore. Fillova një karrierë të re me një kompani të mirë dhe pagova disa nga huatë.

Por bekimet më të thella, më të ëmbla që erdhën nga kursi, përfshinë krijimin e miqësive të bukura, zhvillimin e një marrëdhënieje pozitive me një peshkop inkurajues, gjetjen e një dëshmie për të dhjetën, marrjen e rekomandimi tim të tempullit, marrjen e dhurimit në tempull dhe të shihja dy djemtë e mi më të mëdhenj të pagëzoheshin.

Shtegu im drejt mbështetjes te vetja ende po shpaloset, por për pjesën e mbetur të udhëtimit tim unë do t’i çmoj mësimet që kam mësuar dhe miqësitë që kam krijuar.

“U Largova nga Çdo Orë Mësimore duke e Ndier se më Donin”

Kur vizitoi Sheshin e Tempullit në Solt‑Lejk-Siti të Jutës me birin e saj 10‑vjeçar, Vinsentin, në dhjetor 2016, Kejti Fanku e konsideronte veten si “rehatisht agnostike”. Ajo e la Kishën në moshën 16‑vjeçare, u bë një nënë e pamartuar në moshën 17‑vjeçare, filloi të bënte tatuazhe në trup dhe ta pëlqente kafenë. Por gjatë asaj vizite te Sheshi i Tempullit, Vinsenti e ndjeu Frymën e Shenjtë dhe i kërkoni nënës nëse ai mund të merrte mësimet nga misionarët.

Pavarësisht nga dy punët e saj, javët e punës me 80 orë, Kejti e studioi ungjillin me Vinsentin, i hulumtoi përgjigjet për pyetjet e të birit midis vizitave të misionarëve. Që nga vera e 2017‑s, ajo filloi të merrte pjesë në mbledhjet e Kishës, ku ajo mësoi rreth kurseve të Kishës për mbështetjen te vetja.

“E kuptova se ato ishin diçka që mund të më ndihmonte” – tha ajo. “Ndoshta nuk do të kisha nevojë të punoja në dy punë apo të mbështetesha te prindërit e mi për gjithë pjesën tjetër të jetës.”

Kejti e quajti kursin e vet “jashtëzakonisht forcues nga ana materiale dhe shpirtërore”, jo thjesht për shkak të asaj që mësoi, por edhe për shkak të mënyrës se si grupi i saj i mbështetjes te vetja e pranoi atë dhe i dha shërbesë asaj.

Shënim

  1. “Mesazh nga Presidenca e Parë”, te Financat Vetjake për Mbështetjen te Vetja (2016), f. i.