2021
U Desh një Djalosh që të Shpëtohej i Gjithë Fshati
Prill 2021


“U Desh një Djalosh që të Shpëtohej i Gjithë Fshati”, Për Forcën e Rinisë, Prill 2021, f. 10–11.

Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Për Forcën e Rinisë, Prill 2021

U Desh një Djalosh që të Shpëtohej i Gjithë Fshati

Tom Fenini ishte vetëm 12 vjeç, por, kur një sëmundje shkatërruese goditi fshatin e tij në Samoa, ai u thirr për të bërë gjëra të mëdha.

Pamja
ishulli i Samoas me djaloshin që ndihmon një fshatar të sëmurë

Ilustrimi nga James Madsen; fotografia nga Getty Images

Siç thotë edhe tema e të rinjve e këtij viti, ju po “ngrini themelin e një vepre të madhe” (Doktrina e Besëlidhje 64:33). Gjatë gjithë historisë së Kishës, njerëzit e rinj në moshë shpesh kanë luajtur një rol thelbësor në kohë kritike për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë. Ja një shembull.

Epidemia në Ishull

Mbi 100 vjet më parë, në ishujt e Samoas të Oqeanit Paqësor, një djalosh i quajtur Tom Fenini u bë një ndihmë e rëndësishme gjatë një situate për jetë a vdekje për anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Tomi jetonte në një fshat që quhej Sauniatu, i cili ishte themeluar nga shenjtorët e ditëve të mëvonshme të zonës si një vend ku ata të mblidheshin dhe të krijonin një komunitet. Ashtu si shenjtorët e Perëndisë në kohë dhe vende të tjera, ata përjetuan sprova si dhe mrekulli ndërsa punuan për të ndërtuar së bashku mbretërinë e Perëndisë. Njëra sprovë erdhi në vitin 1918, kur një pandemi gripi arriti deri në fshat.

Sapo sëmundja mbërriti, ishte shkatërruese dhe u përhap me të shpejtë. Thuajse të gjithë nga afërsisht 400 fshatarë dergjeshin në shtrat për shkak të saj. Vetëm dy prej tyre ishin në gjendje të mirë sa të vinin vërdallë: një burrë i moshuar dhe Tomi 12-vjeçar.

Besim dhe Punë e Palodhur

Familja e Tomit kishte ushtruar besim kur ishte përballur me sëmundje më parë dhe si rrjedhojë kishte parë mrekulli. Vëllai më i vogël i Tomit, Ailama, ishte sëmurur disa vite më parë. Babai i tyre, Elisala, pa një ëndërr në të cilën iu dhanë udhëzime specifike mbi atë se çfarë të bënte për t’u kujdesur për Ailamën: gjej një pemë koralore [wili-wili], hiqja pak lëvoren dhe nxirri lëngun. Elisala e bëri këtë dhe ia solli lëngun Ailamës, i cili e piu dhe shpejt e mori veten. Ndaj Tomi kishte parë se si të vepruarit me besim mund të ndihmojë për ta mposhtur sëmundjen.

Gjatë pandemisë së gripit të vitit 1918, Tomi ushtroi besim ndërsa punoi fort për t’u kujdesur për njerëzit e fshatit. “Çdo mëngjes shkoja shtëpi më shtëpi për t’i ushqyer dhe pastruar njerëzit dhe për të zbuluar se kush kishte vdekur”, tha ai.

Ai merrte kova me ujë nga një burim dhe çonte ujë në çdo shtëpi. Ngjitej në pemët e arrave të kokosit, mblidhte arra kokosi, iua hiqte lëvoren dhe i hapte për të mbledhur lëngun që t’ua çonte të sëmurëve. Ai gjithashtu i theri të gjitha pulat në fshat për të bërë supë për çdo familje.

Sjellja e një Ndryshimi

Gjatë kësaj pandemie, rreth një e katërta e të gjithë njerëzve në Samoa vdiqën nga gripi. Disa nga njerëzit në fshatin e Tomit gjithashtu vdiqën. Tomi ndihmoi për të gërmuar varre dhe varrosi më shumë se 20 prej tyre, përfshirë edhe të atin e vet, Elisalën.

Por falë punës së palodhur dhe përkujdesjes së dashur të Tomit, shumë njerëz në fshatin e tij mbijetuan. Ai solli një ndryshim të madh për ata njerëz dhe për ndërtimin e mbretërisë së Zotit në Samoa. Ai po “ngrin[te] themelin e një vepre të madhe”.

Dhe në mënyrën tuaj, të njëjtën gjë po bëni edhe ju.

Ju mund të mos thirreni për të bërë llojet e gjërave që bëri Tomi, por ju, në fakt, po ushtroni besim në mënyra të ndryshme që do të sjellin një ndryshim të madh tek ju, tek të tjerët dhe te vepra e ndërtimit të mbretërisë së Perëndisë.

Ju po jepni një shembull për familjen, miqtë tuaj dhe të tjerët duke treguar virtyt, durim, mirësi dhe dashuri. Ju po u shërbeni të tjerëve. Ju po përfshiheni në studimin e shkrimeve të shenjta dhe lutje. Ju po përhapni të vërtetat e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit.

Gjatë këtij viti të kaluar, shumë prej jush madje i kanë bërë këto gjëra ndërsa kanë duruar pasojat e një pandemie. Ndoshta ju nuk keni marrë ujë dhe arra kokosi dhe nuk jeni kujdesur për të kthyer në gjendjen e mëparshme shëndetësore 400 njerëz, por ju u keni sjellë njerëzve ngushëllim, shpresë, gëzim dhe paqe në shumë mënyra të tjera.

Mosha juaj ka më pak rëndësi sesa besimi juaj dhe gatishmëria juaj për të punuar dhe për t’u shërbyer të tjerëve. Shembujt nga e kaluara, të tilla si shembulli i Tom Feninit, mund t’ju ndihmojnë ta shihni se ju nevojiteni për të ngritur themelin e veprës së madhe të Perëndisë.