2021
Puna në Tempull
Tetor 2021


“Puna në Tempull”, Liahona, Tetor 2021

Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, Tetor 2021

Puna në Tempull

Tempujt janë shtëpia e Zotit. Ne mund të marrim ordinanca dhe të bëjmë besëlidhje me Të në tempuj. Ne gjithashtu mund të kryejmë ordinanca në tempull për paraardhësit tanë.

Pamja
tempulli

Fotografi e Tempullit të Barankijës në Kolumbi nga Bruno Lima

Gjatë gjithë historisë Zoti e ka urdhëruar popullin e Tij që të ndërtojë tempuj. Tempujt janë vende të shenjta ku ne mund të ndiejmë dashurinë e Perëndisë, të marrim ordinanca dhe të bëjmë premtime me Të. Kisha po ndërton tempuj nëpër botë që gjithnjë e më shumë njerëz të mund t’i kenë këto bekime.

Pamja
grua përpara tempullit

Fotografi e një gruaje përpara Tempullit të Okër–Mauntinit në Juta, nga Nexeo dhe Matthew Reier

Dhurimi

Anëtarët e Kishës që jetojnë me drejtësi, shkojnë në tempull që të marrin ordinanca dhe të bëjnë besëlidhje, ose premtime, me Perëndinë. Një ordinancë që marrim në tempull është dhurimi. Fjala dhurim do të thotë të marrësh “një dhuratë”. Dhurimi në tempull është një dhuratë nga Perëndia. Në këtë ordinancë ne mësojmë rreth planit të Atit Qiellor për shpëtimin tonë dhe bëjmë besëlidhje për t’i zbatuar urdhërimet e Perëndisë. Nëse jemi besnikë ndaj besëlidhjeve që bëjmë, Perëndia do të na bekojë.

Pamja
çift përpara tempullit

Fotografi e çiftit duke ecur pranë Tempullit të Manilës në Filipine nga Christina Smith

Vulosja e Familjeve së Bashku

Një martesë në tempull gjithashtu quhet vulosje. Kur një çift vuloset në tempull dhe i mban besëlidhjet e veta, ata do të jenë të martuar përgjithmonë. Nëse lindin fëmijë, ata fëmijë gjithashtu do të jenë të vulosur me ta. Prindërit që vulosen pasi kanë lindur fëmijë, mund të bëjnë që fëmijët e tyre të vulosen me ta. Nëse jetojnë me drejtësi, ata do të jenë një familje gjatë gjithë përjetësisë.

Pamja
pagëzimore në Tempullin e Lisbonës në Portugali

Fotografi e pagëzimores së Tempullit të Lisbonës në Portugali nga Leslie Nilsson

Punë në Tempull për të Gjithë Fëmijët e Perëndisë

Ne bëjmë punë për historinë familjare që të mësojmë për paraardhësit tanë. Më pas bëjmë punë në tempull në emër të tyre. Ne kryejmë për ta të gjitha ordinancat që iu nevojiten njerëzve të gjallë: pagëzimin, konfirmimin, marrjen e priftërisë (për burrat), dhurimin dhe vulosjen. Pastaj ata mund të zgjedhin nëse dëshirojnë t’i pranojnë këto ordinanca. Në këtë mënyrë, të gjithë fëmijët e Perëndisë mund të gëzojnë bekimet e ungjillit.

Pamja
familje përpara tempullit

Fotografi e një familjeje përpara Tempullit të Filadelfias në Pensilvani nga Cody Bell

Bekimet e Punës në Tempull

Nëse i mbajmë besëlidhjet që bëjmë në tempull, ne do të jemi të bekuar, të mbrojtur dhe të forcuar. Ne do të kemi fuqinë e priftërisë me vete. Familjet tona do të jenë së bashku përgjithmonë.

Tempulli është gjithashtu një vend i paqes dhe zbulesës. Kur bëjmë punë në tempull, ne mund të marrim udhërrëfim shpirtëror dhe të ndiejmë dashurinë e Perëndisë.