2022
Besëlidhja e Përjetshme
Tetor 2022


“Besëlidhja e Përjetshme”, Liahona, Tetor 2022.

Mesazhi i Përmuajshëm për Revistën Liahona, Tetor 2022

Besëlidhja e Përjetshme

Të gjithë njerëzit që kanë bërë besëlidhje me Perëndinë, marrin një lloj të veçantë dashurie e mëshire.

Pamja
portreti i Jezu Krishtit

The Lord Jesus Christ [Zoti Jezu Krisht], nga Del Parson

Në këtë botë të copëtuar nga luftëra dhe zhurma luftërash, nevoja për të vërtetën, dritën dhe dashurinë e kulluar të Jezu Krishtit është më e madhe se kurrë. Ungjilli i Krishtit është i lavdishëm dhe ne jemi të bekuar që e studiojmë atë dhe që jetojmë sipas parimeve të tij. Ne gëzohemi me mundësitë tona për ta përhapur atë, për të dëshmuar për të vërtetat e tij kudo që jemi.

Kam folur shpesh për rëndësinë e besëlidhjes së Abrahamit dhe të mbledhjes së Izraelit. Kur e pranojmë ungjillin dhe pagëzohemi, ne marrim mbi vete emrin e shenjtë të Jezu Krishtit. Pagëzimi është porta që na çon drejt bërjes bashkëtrashëgimtarë të të gjitha premtimeve që iu dhanë nga Zoti Abrahamit, Isakut, Jakobit dhe pasardhësve të tyre në lashtësi.1

“Besëlidhj[a] e re dhe [e] përjetshme”2 (Doktrina e Besëlidhje 132:6) dhe besëlidhja e Abrahamit janë në thelb të njëjta – dy mënyra për ta quajtur besëlidhjen që Perëndia bëri me burra dhe gra të vdekshme në kohë të ndryshme.

Mbiemri e përjetshme do të thotë se kjo besëlidhje ekzistonte edhe përpara themelimit të botës. Plani që u shtrua në Këshillin e Madh në Qiell, përfshiu ndërgjegjësimin plot kthjelltësi se ne të gjithë do të largoheshim nga prania e Perëndisë. Gjithsesi, Perëndia premtoi se Ai do të siguronte një Shpëtimtar, i cili do të mposhtte pasojat e Rënies. Perëndia i tha Adamit pas pagëzimit të tij:

“Ti je sipas urdhërit të atij që ishte pa fillim të ditëve ose fund të viteve; nga gjithë përjetësia në gjithë përjetësi.

Vër re, ti je një me mua, një bir i Perëndisë; dhe kështu të gjithë mund të bëhen bijtë e mi” (Moisiu 6:67–68).

Adami dhe Eva e pranuan ordinancën e pagëzimit dhe filluan procesin e të qenit në unitet me Perëndinë. Ata kishin hyrë në shtegun e besëlidhjeve.

Kur ju dhe unë gjithashtu hyjmë në atë shteg, ne kemi një mënyrë të re jetese. Si rrjedhojë krijojmë një marrëdhënie me Perëndinë që e lejon Atë të na bekojë dhe të na ndryshojë. Shtegu i besëlidhjeve na udhëheq që të kthehemi tek Ai. Nëse e lejojmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë, ajo besëlidhje do të na çojë gjithnjë e më pranë Tij. Të gjitha besëlidhjet kanë si qëllim që të jenë lidhëse. Ato krijojnë një marrëdhënie me lidhje të përjetshme.

Një Dashuri dhe Mëshirë e Veçantë

Kur bëjmë një besëlidhje me Perëndinë, ne largohemi përgjithmonë nga qëndrimi asnjanës. Perëndia nuk do ta braktisë marrëdhënien e Tij me ata që kanë farkëtuar një lidhje të tillë me Të. Në fakt, të gjithë ata që kanë bërë besëlidhje me Perëndinë, marrin një lloj të veçantë dashurie e mëshire. Në hebraisht ajo dashuri besëlidhëse quhet hesed (חֶסֶד).3

Në anglisht nuk ka asnjë fjalë që përputhet plotësisht me fjalën hesed. Përkthyesit e Variantit të Mbretit Xhejms të Biblës mund të kenë hasur vështirësi se si ta përkthenin fjalën hesed në anglisht. Ata shpesh zgjodhën fjalën “dashamirësi”. Kjo nënkupton shumë, por nuk e nxjerr të gjithë kuptimin e fjalës hesed. U dhanë edhe variante të tjera përkthimesh, të tilla si “mëshirë” dhe “shpirtmirësi”. Fjala hesed është një term i pashoq që përshkruan një marrëdhënie besëlidhëse në të cilën të dyja palët kanë detyrimin të jenë besnikë dhe të besuar ndaj njëri‑tjetrit.

Një martesë çelestiale është një marrëdhënie e tillë besëlidhëse. Një bashkëshort e bashkëshorte bëjnë një besëlidhje me Perëndinë dhe me njëri‑tjetrin që të jenë besnikë dhe të besuar ndaj njëri‑tjetrit.

Fjala hesed shpreh një lloj të veçantë dashurie e mëshire që Perëndia e ndien për ata që kanë bërë besëlidhje me Të, dhe ua ofron atyre. Dhe ne ia kthejmë atë hesed Atij.

Pamja
çift i sapomartuar jashtë një tempulli

Kur ju dhe unë kemi bërë besëlidhje me Perëndinë, marrëdhënia jonë me Të bëhet shumë më e ngushtë sesa përpara besëlidhjes sonë. Tani ne jemi të lidhur së bashku.

Fotografia nga Jerry L. Garns

Ngaqë Perëndia ka hesed për ata që kanë bërë besëlidhje me Të, Ai do t’i dojë ata. Ai do të vazhdojë të punojë me ta dhe t’u ofrojë mundësi për të ndryshuar. Ai do t’i falë ata kur pendohen. Dhe nëse e humbasin udhën, Ai do t’i ndihmojë ta gjejnë udhën e tyre të kthimit tek Ai.

Kur ju dhe unë kemi bërë besëlidhje me Perëndinë, marrëdhënia jonë me Të bëhet shumë më e ngushtë sesa përpara besëlidhjes sonë. Tani ne jemi të lidhur së bashku. Për shkak të besëlidhjes sonë me Perëndinë, Ai nuk do të lodhet kurrë në përpjekjet e Tij për të na ndihmuar dhe ne kurrë nuk do ta shterim durimin e Tij të mëshirshëm për ne. Secili prej nesh ka një vend të veçantë në zemrën e Perëndisë. Ai ka shpresa të mëdha për ne.

Ju e dini shpalljen historike që Zoti i bëri Profetit Jozef Smith. Ajo erdhi nëpërmjet zbulesës. Zoti i tha Jozefit: “Ky premtim është i juaji gjithashtu, pasi ju jeni të Abrahamit dhe premtimi iu bë Abrahamit” (Doktrina e Besëlidhje 132:31).

Si rrjedhim, kjo besëlidhje e përjetshme u rivendos si pjesë e Rivendosjes së madhe të ungjillit në plotësinë e tij. Mendoni për këtë! Një besëlidhje martesore, e bërë në tempull, lidhet drejtpërsëdrejti me atë besëlidhje të Abrahamit. Në tempull një çifti i paraqiten të gjitha bekimet e ruajtura për pasardhësit besnikë të Abrahamit, Isakut dhe Jakobit.

Siç bëri Adami, ju dhe unë personalisht hymë në shtegun e besëlidhjeve në pagëzim. Më pas ne hyjmë më plotësisht në atë shteg në tempull. Bekimet e besëlidhjes së Abrahamit jepen në tempujt e shenjtë. Këto bekime na lejojnë, kur të ringjallemi, që të “trashëgo[jmë] frone, mbretëri, fuqi, principata dhe sundime deri në ‘ekzaltimin dhe lavdinë [tonë] në të gjitha gjërat’ [Doktrina e Besëlidhje 132:19]”4.

Në tekstin përmbyllës të Dhiatës së Vjetër, ne lexojmë për premtimin e Malakias se Elia do të “bëjë që zemra e etërve t’u kthehet bijve dhe zemra e bijve etërve” (Malakia 4:6). Në Izraelin e lashtë një referencë e tillë ndaj etërve do të ketë përfshirë etërit Abraham, Isak dhe Jakob. Ky premtim sqarohet kur lexojmë variantin e ndryshëm të këtij vargu që Moroni ia citoi Profetit Jozef Smith: “Ai [Elia] do të mbjellë në zemrat e fëmijëve premtimet e bëra etërve dhe zemrat e fëmijëve do të kthehen tek etërit e tyre” (Joseph Smith – Historia 1:39). Ata etër sigurisht përfshijnë Abrahamin, Isakun dhe Jakobin. (Shih Doktrina e Besëlidhje 27:9–10.)

Pamja
figurë e Jezu Krishtit

Njerëzve që bëjnë besëlidhje të shenjta dhe i mbajnë ato, u premtohen jetë e përjetshme dhe ekzaltim. Jezu Krishti është garantuesi i atyre besëlidhjeve.

Detaj nga Christ and the Rich Young Ruler [Krishti dhe i Riu Pasanik], nga Heinrich Hofmann

Jezu Krishti: Qendra e Besëlidhjes

Flijimi shlyes i Shpëtimtarit bëri të mundur që Ati t’i përmbushte premtimet e Tij të bëra fëmijëve të Tij. Ngaqë Jezu Krishti është “udha, e vërteta dhe jeta”, si rrjedhim “askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet [Tij]” (Gjoni 14:6). Përmbushja e besëlidhjes së Abrahamit bëhet e realizueshme për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit tonë, Zotit Jezu Krisht. Jezu Krishti është në qendër të besëlidhjes së Abrahamit.

Dhiata e Vjetër nuk është vetëm një libër i shkrimit të shenjtë; ai është edhe një libër historie. Ju kujtohet që lexuat për martesën e Sarait dhe Abramit. Ngaqë ishin pa fëmijë, Sarai ia dha shërbëtoren e vet, Agarin, për grua gjithashtu Abramit, në përputhje me udhëzimin e Zotit. Agarit i lindi Ishmaeli.5 Abrami e donte Ishmaelin, por ai nuk do të ishte fëmija nëpërmjet të cilit do të kalonte besëlidhja. (Shih Zanafilla 11:29–30; 16:1, 3, 11; Doktrina e Besëlidhje 132:34.)

Si bekim nga Perëndia dhe në përgjigje të besimit të Sarait6, ajo ngeli shtatzënë në moshë të thyer me qëllim që besëlidhja të kalonte përmes birit të saj, Isakut (shih Zanafilla 17:19). Ai u lind në besëlidhje.

Perëndia u dha Sarait dhe Abramit emra të rinj – Sara dhe Abraham (shih Zanafilla 17:5, 15). Dhënia e atyre emrave të rinj shënoi fillimin e një jete të re dhe një fat të ri për këtë familje.

Abrahami i donte edhe Ishmaelin edhe Isakun. Perëndia i tha Abrahamit se Ishmaeli do të shumohej dhe do të bëhej një komb i madh (shih Zanafilla 17:20). Në të njëjtën kohë Perëndia e bëri të qartë se besëlidhja e përjetshme do të vendosej nëpërmjet Isakut (shih Zanafilla 17:19).

Të gjithë ata që e pranojnë ungjillin, bëhen pjesë e linjës së prejardhjes së Abrahamit. Te Galatasve lexojmë:

“Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, Krishtin keni veshur.

… Të gjithë jeni një në Jezu Krishtin.

Dhe, në qoftë se jeni të Krishtit, jeni pra pasardhja e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit” (Galatasve 3:27–29).

Prandaj ne mund të bëhemi trashëgimtarë të besëlidhjes qoftë nëpërmjet lindjes ose nëpërmjet birësimit.

Pamja
njerëz të mbledhur për shërbesën e pagëzimit

Kur bëjmë besëlidhje me Perëndinë, ne largohemi përgjithmonë nga qëndrimi asnjanës. Perëndia nuk do ta braktisë marrëdhënien e Tij me njerëzit që e kanë farkëtuar një lidhje të tillë me Të.

Jakobi, biri i Isakut dhe Rebekës, u lind në besëlidhje. Përveç kësaj, ai zgjodhi që të hynte me dëshirën e vet. Siç e dini, emri i Jakobit u ndryshua në Izrael (shih Zanafilla 32:28), që do të thotë “lejoje Perëndinë të triumfojë” ose “dikush që triumfon me Perëndinë”7.

Tek Eksodi lexojmë se “Perëndisë iu kujtua besëlidhja që kishte përfunduar me Abrahamin, me Isakun dhe me Jakobin” (Eksodi 2:24). Perëndia u tha fëmijëve të Izraelit: “Në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin tim dhe zbatoni besëlidhjen time, do të jeni thesari im i veçantë” (Eksodi 19:5).

Fraza “thesari … i veçantë” u përkthye nga fjala hebraike segullah, që do të thotë një zotërim me shumë vlerë – një “thesar”8.

Libri Ligji i Përtërirë tregon për rëndësinë e besëlidhjes. Apostujt e Dhiatës së Re kishin dijeni për këtë besëlidhje. Pasi Pjetri kishte shëruar një të çalë te shkallët e tempullit, ai u dha mësim rreth Jezusit atyre që e panë. Pjetri tha: “Perëndia e Abrahamit, e Isakut dhe e Jakobit, Perëndia e etërve tanë e ka përlëvduar Birin e tij Jezusin” (Veprat e Apostujve 3:13).

Pjetri e përfundoi mesazhin e tij duke i thënë publikut të vet: “Ju jeni bij të profetëve dhe të besëlidhjes që bëri Perëndia me etërit tanë, duke i thënë Abrahamit: ‘Dhe në pasardhësit e tu do të bekohen të gjitha kombet e dheut’” (Veprat e Apostujve 3:25). Pjetri ua bëri të qartë se pjesë e misionit të Krishtit ishte që të përmbushte besëlidhjen e Perëndisë.

Zoti u dha një predikim të ngjashëm njerëzve në kontinentin e lashtë amerikan. Atje, Krishti i ringjallur u tregoi njerëzve se cilët ishin në të vërtetë. Ai tha:

“Jeni fëmijët e profetëve; dhe jeni nga shtëpia e Izraelit dhe jeni nga besëlidhja që Ati bëri me etërit tuaj, duke i thënë Abrahamit: Dhe në farën tënde do të bekohen të gjitha fiset e tokës.

Së pari, Ati, më ngriti për ju dhe më dërgoi që t’ju bekoj, kështu që secili prej jush të largohet nga paudhësitë e [veta]; dhe kjo, sepse ju jeni fëmijët e besëlidhjes” (3 Nefi 20:25–26).

A e kuptoni rëndësinë e kësaj gjëje? Ata që i mbajnë besëlidhjet e tyre me Perëndinë, do të bëhen një forcë njerëzish që i bën ballë mëkatit. Ata që i mbajnë besëlidhjet e tyre, do të kenë forcën për t’i bërë ballë ndikimit të vazhdueshëm të botës.

Pamja
burrë duke marrë sakramentin

Ata që i mbajnë besëlidhjet e tyre me Perëndinë, do të bëhen një forcë njerëzish që i bën ballë mëkatit. Ata që i mbajnë besëlidhjet e tyre, do të kenë forcën për t’i bërë ballë ndikimit të vazhdueshëm të botës.

Puna Misionare: Përhapja e Besëlidhjes

Zoti na ka urdhëruar që ta përhapim ungjillin dhe të flasim për besëlidhjen. Kjo është arsyeja pse kemi misionarë. Ai dëshiron që çdonjëri prej fëmijëve të Tij të ketë mundësinë për të zgjedhur ungjillin e Shpëtimtarit dhe për të nisur udhëtimin në shtegun e besëlidhjeve. Perëndia dëshiron që t’i lidhë të gjithë njerëzit në besëlidhjen që Ai bëri në lashtësi me Abrahamin.

Prandaj puna misionare është një pjesë thelbësore e mbledhjes së madhërishme të Izraelit. Ajo mbledhje është puna më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot. Asgjë tjetër nuk krahasohet në madhështi. Asgjë tjetër nuk krahasohet në rëndësi. Misionarët e Zotit – dishepujt e Tij – përfshihen në sfidën më të madhe, kauzën më të madhe, veprën më të madhe në tokë sot.

Por ka dhe më tepër, shumë më tepër. Ka një nevojë të stërmadhe për ta përhapur ungjillin te njerëzit në anën tjetër të velit. Perëndia dëshiron që çdo njeri, në të dyja anët e velit, të gëzojë bekimet e besëlidhjes së Tij. Shtegu i besëlidhjeve është i hapur për të gjithë. I përgjërohemi çdo njeriu që të ecë në atë shteg me ne. Asnjë lloj vepre tjetër nuk është kaq përfshirëse në mënyrë universale. Sepse “Zoti është i mëshirshëm ndaj të gjithë atyre që do të thërrasin në sinqeritetin e zemrave të tyre, emrin e tij të shenjtë” (Helamani 3:27).

Ngaqë është rivendosur Priftëria Melkizedeke, gratë dhe burrat që i mbajnë besëlidhjet, kanë të drejtën të marrin “të gjitha bekime[t] shpirtërore” të ungjillit (Doktrina e Besëlidhje 107:18; theksimi i shtuar).

Nën drejtimin e Zotit, Elija u shfaq në përkushtimin e Tempullit të Kirtlandit në vitin 1836. Qëllimi i tij? “Për t’i kthyer … fëmijë[t] tek etërit” (Doktrina e Besëlidhje 110:15). U shfaq edhe Eliasi. Qëllimi i tij? Për t’iu dorëzuar Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit “periudhën e kujdestarisë së ungjillit të Abrahamit, duke thënë se në ne dhe në farën tonë gjithë brezat pas nesh do të bekoheshin” (Doktrina e Besëlidhje 110:12). Pra, Mësuesi u dha Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit autoritetin e priftërisë dhe të drejtën për t’u përçuar të tjerëve bekimet e pashoqe të besëlidhjes së Abrahamit.9

Në Kishë ne udhëtojmë përgjatë shtegut të besëlidhjeve si individualisht ashtu edhe kolektivisht. Ashtu si martesat dhe familjet kanë të përbashkët një lidhje të pashoqe barazie që krijon një dashuri të veçantë, po kështu ka edhe marrëdhënia e re, e formuar kur lidhemi nëpërmjet besëlidhjes vertikalisht me Perëndinë tonë.

Kjo mund të jetë ajo çfarë donte të thoshte Nefi kur tha se Perëndia “i do ata që duan ta kenë atë të jetë Perëndia i tyre” (1 Nefi 17:40). Kjo është pikërisht arsyeja pse, si pjesë e besëlidhjes, një mëshirë dhe dashuri e veçantë – ose hesed – është në dispozicion të të gjithë atyre që hyjnë në këtë marrëdhënie lidhëse dhe intime me Perëndinë, madje deri “në brezin e njëmijtë” (Ligji i Përtërirë 7:9).

Bërja e një besëlidhjeje me Perëndinë e ndryshon përgjithmonë marrëdhënien tonë me Të. Ajo na bekon me një masë të shtuar dashurie dhe mëshire.10 Ajo ndikon te njeriu që jemi dhe te mënyra se si Perëndia do të na ndihmojë të bëhemi njeriu që mund të bëhemi. Na premtohet që edhe ne mund të jemi një “thesar … [i] veçantë” për Të (Psalmeve 135:4).

Premtimet dhe Privilegjet

Njerëzve që bëjnë besëlidhje të shenjta dhe i mbajnë ato, u premtohen jetë e përjetshme dhe ekzaltim, “më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 14:7). Jezu Krishti është garantuesi i atyre besëlidhjeve (shih Hebrenjve 7:22; 8:6). Njerëzit që i mbajnë besëlidhjet, të cilët e duan Perëndinë dhe e lejojnë Atë të triumfojë mbi të gjitha gjërat e tjera në jetën e tyre, e bëjnë Atë ndikimin më të fuqishëm në jetën e tyre.

Në kohën tonë ne kemi privilegjin që të marrim bekime patriarkale dhe të mësojmë për lidhjen tonë me patriarkët e lashtë. Ato bekime japin edhe një vështrim të shpejtë të asaj që shtrihet në të ardhmen.

Pamja
Jezusi duke folur me Pjetrin

Për shkak të besëlidhjes sonë me Perëndinë, Ai nuk do të lodhet kurrë në përpjekjet e Tij për të na ndihmuar dhe ne nuk do ta shterim kurrë durimin e Tij të mëshirshëm për ne.

Lovest Thou Me More Than These? [A më Do ti Mua më Shumë se Këta?], nga David Lindsley

Thirrja jonë si Izraeli besëlidhës është të sigurohemi që çdo anëtar i Kishës i kupton gëzimin dhe privilegjet që lidhen me bërjen e besëlidhjeve me Perëndinë. Ajo është një thirrje për të nxitur çdo burrë, grua, djalë dhe vajzë që i mban besëlidhjet, që ta përhapë ungjillin tek ata që hyjnë brenda sferës së tyre të ndikimit. Gjithashtu është një thirrje për të përkrahur dhe për t’u dhënë kurajë misionarëve tanë, të cilët dërgohen me udhëzime për të pagëzuar dhe për të ndihmuar që të mblidhet Izraeli, kështu që ne së bashku të mund të jemi populli i Perëndisë dhe Ai të jetë Perëndia ynë (shih Doktrina e Besëlidhje 42:9).

Çdo burrë dhe çdo grua që merr pjesë në ordinancat e priftërisë dhe që bën e i mban besëlidhjet me Perëndinë, mund të marrë drejtpërsëdrejti nga fuqia e Perëndisë. Ne e marrim emrin e Zotit mbi vete si individë. Ne gjithashtu marrim emrin e Tij mbi vete si popull. Apasionimi për përdorimin e emrit të saktë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është një mënyrë jetike që ne si popull të marrim mbi vete emrin e Tij. Vërtet, çdo veprim mirëdashës i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe i anëtarëve të saj është shprehje e hesed-it të Perëndisë.

Pse u shpërnda Izraeli? Sepse njerëzit i shkelën urdhërimet dhe i vranë me gurë profetët. Një Atë i dashur, por i pikëlluar, u përgjigj duke e shpërndarë Izraelin sa andej‑këtej.11

Sidoqoftë, Ai e shpërndau me një premtim se një ditë Izraeli do të mblidhej përsëri në tufën e Tij.

Fisit të Judës iu dha përgjegjësia për ta përgatitur botën për ardhjen e parë të Zotit. Nga ai fis u thirr Maria që të ishte nëna e Birit të Perëndisë.

Fisit të Jozefit, nëpërmjet bijve të tij me Asenathin, Efraimit dhe Manasit (shih Zanafilla 41:50–52; 46:20), iu dha përgjegjësia për të udhëhequr në mbledhjen e Izraelit, për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Zotit.

Në një marrëdhënie të tillë të përhershme hesed-i, është krejt e natyrshme që Perëndia të dëshirojë ta mbledhë Izraelin. Ai është Ati ynë Qiellor! Ai dëshiron që secili prej fëmijëve të Tij – në të dyja anët e velit – ta dëgjojë mesazhin e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit.

Një Shteg Dashurie

Shtegu i besëlidhjeve është një shteg dashurie – të atij hesed-i të jashtëzakonshëm, të atij interesimi dhe asaj ndihmese të dhembshur për njëri‑tjetrin. Të ndjerit e asaj dashurie është çliruese dhe lartësuese moralisht. Gëzimi më i madh që do të përjetoni ndonjëherë, është kur ju mbusheni plotësisht me dashuri për Perëndinë dhe për të gjithë fëmijët e Tij.

Ta doni Perëndinë më shumë se këdo ose gjithçka tjetër është kushti që sjell paqe, ngushëllim, siguri dhe gëzim të vërtetë.

Shtegu i besëlidhjeve është tërësisht rreth marrëdhënies sonë me Perëndinë – marrëdhënies sonë të hesed‑it me Të. Kur hyjmë në besëlidhje me Perëndinë, ne kemi bërë besëlidhje me Atë i cili do ta mbajë gjithmonë fjalën e Tij. Ai do të bëjë gjithçka mundet, pa e cenuar lirinë tonë të zgjedhjes, për të na ndihmuar që ta mbajmë fjalën tonë.

Libri i Mormonit fillon dhe mbaron me përmendjen e kësaj besëlidhjeje të përjetshme. Nga faqja e titullit të librit deri te dëshmitë përmbyllëse të Mormonit dhe Moronit, Libri i Mormonit përmban përmendje të besëlidhjes (shih Mormoni 5:20; 9:37). “Dalja në dritë e Librit të Mormonit është një shenjë për të gjithë botën që Zoti ka filluar ta mbledhë Izraelin dhe t’i përmbushë besëlidhjet që Ai … bëri me Abrahamin, Isakun dhe Jakobin.”12

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ne jemi thirrur në këtë kohë shumë të rëndësishme në historinë e tokës për t’i mësuar botës rreth bukurisë dhe fuqisë së besëlidhjes së përjetshme. Ati ynë Qiellor ka mirëbesim në mënyrë absolute tek ne për ta bërë këtë vepër të madhërishme.

Ky mesazh u dha gjithashtu në një mbledhje të udhëheqjes në konferencën e përgjithshme më 31 mars 2022.

Shënime

  1. Shih Russell M. Nelson, “Children of the Covenant”, Ensign, maj 1995, f. 34.

  2. Besëlidhja e re dhe e përjetshme është plotësia e ungjillit të Jezu Krishtit. Ajo përfshin të gjitha ordinancat dhe besëlidhjet e domosdoshme për shpëtimin tonë (shih Doktrina e Besëlidhje 66:2). Është “e re” kurdoherë që Zoti e përtërin ose rivendos atë dhe është “e përjetshme” ngaqë nuk ndryshon.

  3. Një diskutim gjithëpërfshirës lidhur me fjalën hesed dhe besëlidhjen e përjetshme gjendet te Kerry Muhlestein, God Will Prevail: Ancient Covenants, Modern Blessings, and the Gathering of Israel (2021).

  4. Russell M. Nelson, në “Special Witnesses of Christ”, Liahona, prill 2001, f. 7.

  5. Fjala hebraike Ishmael do të thotë “Perëndia dëgjon” (Bible Dictionary, “Ishmael”).

  6. “Me anë të besimit edhe vetë Sara, ndonëse e kishte kaluar moshën, mori fuqi të bëhet me barrë dhe të lindë, sepse e konsideroi besnik atë që i kishte bërë premtimin” (Hebrenjve 11:11).

  7. Bible Dictionary, “Israel”.

  8. Shih Bible Dictionary, “Peculiar”; “Hebrew and Chaldee Dictionary”, Strong’s Exhaustive Concordance of the Bible (1984), f. 82, fjala 5459.

  9. Shih Russell M. Nelson, “Thanks for the Covenant” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 22 nëntor 1988), f. 4, speeches.byu.edu.

  10. “Çdo besëlidhje me Perëndinë është një mundësi që t’i afroheni më shumë Atij. Për çdo njeri që reflekton për një çast lidhur me atë që ka ndier tashmë për dashurinë e Perëndisë, që ta bëjë atë lidhje më të fortë dhe atë marrëdhënie më të ngushtë, është një ofertë që nuk mund t’i rezistosh” (Henry B. Eyring, “Making Covenants with God” [mbrëmje rreth vatrës në Universitetin “Brigam Jang”, 8 shtator 1996], f. 3, speeches.byu.edu).

  11. “Zoti gjithashtu e përdori këtë shpërndarje të popullit të Tij të zgjedhur mes kombeve të botës për t’i bekuar ato kombe” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Izrael”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org; shih edhe Jakobi [LiM] 5:1–8, 20).

  12. Rasëll M. Nelson, “E Ardhmja e Kishës: Përgatitja e Botës për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit”, Liahona, prill 2020, f. 9.