Ndihma për Studimin
Izrael


Izrael

Zoti ia vuri emrin Izrael Jakobit, birit të Isakut dhe nipit të Abrahamit në Dhjatën e Vjetër (Zan. 32:28; 35:10). Emri Izrael mund t’i referohet Jakobit vetë, pasardhësve të tij ose mbretërisë që ata pasardhës zotëronin dikur në kohët e Dhjatës së Vjetër (2 Sam. 1:24; 23:3). Pasi Moisiu i nxori fëmijët e Izraelit nga skllavëria egjiptiane (Eks. 3–14), ata u sunduan prej gjyqtarëve për më shumë se treqind vjet. Duke filluar me mbretin Saul, mbretër sunduan mbi Izraelin e bashkuar deri në vdekjen e Salomonit, kur dhjetë fise ngritën krye kundër Rehoboamit për të formuar një komb më vete. Pasi u nda mbretëria e Izraelit, fiset veriore, si pjesa më e madhe, mbajtën emrin Izrael, ndërsa mbretëria jugore u bë Judea. Toka e Kanaanit sot quhet gjithashtu Izrael. Në një kuptim tjetër, Izrael do të thotë një besimtar i vërtetë i Krishtit (Rom. 10:1; 11:7; Gal. 6:16; Ef. 2:12).

Dymbëdhjetë fiset e Izraelit

Nipi i Abrahamit, Jakobi, emri i të cilit u ndërrua në Izrael, kishte dymbëdhjetë djem. Pasardhësit e tyre janë bërë të njohur si dymbëdhjetë fiset e Izraelit ose fëmijët e Izraelit. Këta janë të dymbëdhjetë fiset: Rubeni, Simeoni, Levi, Juda, Isakari dhe Zabuloni (bijtë e Jakobit dhe Leas); Dani dhe Neftali (bijtë e Jakobit dhe Bilhalit); Gadi dhe Asheri (bijtë e Jakobit dhe Zilpahut); Jozefi dhe Beniamini (bijtë e Jakobit dhe Rakelës) (Zan. 29:32–30:24; 35:16–18).

Jakobi i dha secilit prej udhëheqësve të fiseve një bekim përpara vdekjes së tij (Zan. 49:1–28). Për më tepër informacion, shih emrin e secilit prej bijve të Jakobit.

Rubeni, djali i parëlindur i Jakobit me gruan e tij të parë, Lean, e humbi bekimin e parëbirnisë dhe pjesën e dyfishtë të trashëgimit për shkak të imoralitetit (Zan. 49:3–4). Parëbirnia i kaloi atëherë Jozefit, që ishte djali i parëlindur i Jakobit me gruan e dytë, Rakelën (1 Kro. 5:1–2). Levi, fisin e të cilit Zoti e kishte zgjedhur të shërbete si shërbestarë të priftërisë, nuk mori ndonjë trashëgim, për shkak të thirrjes së tyre të veçantë për të shërbyer në mes të gjithë fiseve. Kjo lejoi që pjesa e dyfishtë e Jozefit të ndahej nga bijtë e Jozefit, Efraimi dhe Manasi (1 Kro. 5:1; Jer. 31:9), të cilët u numëruan si fise të veçuara të Izraelit (PJS Zan. 48:5–6).

Anëtarë të fisit të Judës duhej të ishin sundimtarë derisa Mesia të vinte (Zan. 49:10; PJS, Zan. 50:24). Në ditët e fundit, fisi i Efraimit ka privilegjin e çuarjes së mesazhit të rivendosjes së ungjillit botës dhe të bashkimit të Izraelit të shpërndarë (LiP. 33:13–17). Do të vijë koha kur nëpërmjet ungjillit të Jezu Krishtit, Efraimi do të ketë rol udhëheqës në bashkimin e të gjitha fiseve të Izraelit (Isa. 11:12–13; DeB 133:26–34).

Shpërndarja e Izraelit

Zoti i shpërndau dhe goditi me fatkeqësi dymbëdhjetë fiset e Izraelit për shkak të padrejtësisë dhe rebelimit të tyre. Megjithatë, Zoti gjithashtu e përdori këtë shpërndarje të popullit të tij të zgjedhur mes kombeve të botës për t’i bekuar ato kombe.

Mbledhja e Izraelit

Shtëpia e Izraelit do të mblidhet në ditët e fundit para ardhjes së Krishtit (NeB 1:10). Zoti i mbledh njerëzit e tij, Izraelin, kur ata e pranojnë atë dhe i zbatojnë urdhërimet e tij.

Dhjetë fiset e humbura të Izraelit

Dhjetë fiset e Izraelit formuan mbretërinë veriore të Izraelit dhe u çuan robër në Asiri më 721 para K. Në atë kohë, ata shkuan në “shtetet e veriut” dhe e humbën njohjen me të tjerët. Në ditët e fundit ata do të rikthehen.