2022
Përditësohet Udhëzuesi Për Forcën e Rinisë
Nëntor 2022


Lajme të Kishës

Përditësohet Udhëzuesi Për Forcën e Rinisë

Kisha e ka rishikuar udhëzuesin e saj për rininë shenjtore të ditëve të mëvonshme. Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve i fton të rinjtë e të rejat ta ushtrojnë lirinë e tyre të zgjedhjes dhe të kërkojnë frymëzim për t’i jetuar standardet e ungjillit.

“Udhërrëfyesi më i mirë i mundshëm që mund të keni për bërjen e zgjedhjeve, është Jezu Krishti. Jezu Krishti është forca e rinisë”, – dha mësim Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, në sesionin e paradites të së shtunës të konferencës së përgjithshme. “Qëllimi i broshurës Për Forcën e Rinisë është që t’ju drejtojë tek Ai. Ju mëson të vërteta të përjetshme të ungjillit të Tij të rivendosur, të vërteta rreth asaj se kush jeni, kush është Ai dhe çfarë mund të përmbushni me forcën e Tij” (“Jezu Krishti Është Forca e Rinisë”, Liahona, nëntor 2022, f. 10–11).

Të rinjtë e të rejat nxiten t’i përdorin parimet e udhëzuesit për të bërë zgjedhje të drejta në të gjitha aspektet e jetës së tyre. Prindërit, udhëheqësit dhe të rinjtë e të rejat mund të dëshirojnë ta studiojnë dhe shpërndajnë udhëzuesin në shtëpi, në mbledhjet e së dielës dhe në aktivitete, përfshirë kampet dhe konferencat e rinisë. Udhëheqësit e Të Rinjve dhe udhëheqëset e Të Rejave mund të dëshirojnë t’i theksojnë rregullisht parimet që gjenden tek udhëzuesi. Ato parime mund të jenë gjithashtu pika e përqendrimit të mbrëmjes vjetore të standardeve për të rinjtë e të rejat dhe prindërit e tyre.

Udhëzuesi i ri është në dispozicion në formatin digjital në 50 gjuhë te pjesa Youth [Rinia] e programit Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] dhe në youth.ChurchofJesusChrist.org. Kopjet e shtypura do t’u dërgohen së shpejti lagjeve dhe degëve në mbarë botën.