Liahona
Të japësh shërbim, një përvojë lartësuese!
Prill 2024


Faqet lokale

Të japësh shërbim, një përvojë lartësuese!

Shërbimi në një mision me kohë të plotë më dha mundësinë të kuptoja dhe t’i zbatoja më thellë parimet e ungjillit në jetën time dhe të të tjerëve përreth meje.

Gjithmonë e kisha ëndërr të shërbeja në një mision, duke qenë se për një mbajtës priftërie është një detyrë e rëndësishme të shpëtojë shpirtra dhe t’i ftojë ata te Krishti.

Rrugëtimi im filloi disa vjet më parë, plot katër vjet përpara ditës kur do të nisesha për të shërbyer në mision. Një kohë relativisht e gjatë për t’u përgatitur, me gjithë pengesat gjatë rrugës. Shërbimi për mua gjithnjë ka qënë një përparësi dhe në çdo rast që kam gjetur mundësi u kam shërbyer të tjerëve përreth meje. Vlerësimi dhe bekimet që merr, janë madhështore!

Pas një sërë përgatitjesh si dokumentet, marrja e vizës apo të dhëna të tjera, erdhi dita që unë të lija familjen, punën dhe Shqipërinë për të shërbyer në një mision me kohë të plotë. U thirra në misionin e Mançesterit në Mbretërinë e Bashkuar. Entuziazmi ishte i madh dhe të qenit i gatshëm ndihmoi për të përparuar në kohë.

Në fillim të misionit më caktuan të shërbej me shokun tim në qytetin e Midëlltonit, një vend i bukur dhe me shumë anëtarë besnikë ndaj ungjillit. Pata mundësinë të trajnohesha dhe të kuptoja më shumë se si funksiononte të qenit një misionar me kohë plotë në fushën e misionit.

Një entuziazëm më kaploi për të njohur më mirë ungjillin në mënyrë që ta transmetoja atë më lehtë dhe të ftonim të tjerët për të ardhur tek Krishtit duke marrë emrin e Tij mbi vete. Ishte një gëzim i madh sa herë mundeshim të komunikonim me të tjerët, qoftë edhe për pak sekonda duke u përshëndetur ose duke iu treguar më shumë rreth besimit tonë. Nuk mungonin edhe ata që dinin pothuajse gjithçka, por përsëri na pyesnin për të marrë ndonjë variant të ri.

Çdo individ që kam takuar në mision ka pasur pyetjet, perspektivën dhe idetë e veta, por diçka e përbashkët që vura re tek shumica prej tyre ishte frika për të zbatuar në jetën e tyre lutjet dhe parimet e ungjillit. Shumë individë besonin në Zot, por nuk shkonin më tej. Kishte edhe nga ata që e kishin më të lehtë ta kuptonin planin që Ati ynë qiellor ka, në sajë të formimit të krishterë që ata kishin, shpeshherë qysh në fëmijëri.

Gjithsej shërbeva me 16 shokë misioni, disa prej tyre nga Amerika, Europa, Australia dhe Egjipti. Pata bekimin dhe mundësinë të jepja qindra orë shërbimi anëtarëve, joanëtarëve dhe në komunitet. Isha i bekuar të shërbeja dhe të merrja këshilla nga tre presidentë misioni të ndryshëm, udhëheqës dhe shembuj sublim të Shpëtimtarit. Madje njëri prej tyre në të njëjtën kohë ishte edhe autoritet i përgjithshëm i shtatëdhjetëve.

Vizitova qindra anëtarë dhe joanëtarë në 72 zona të ndryshme, pra në të gjithë zonën e misionit që përfshihet Anglia Veri-Perëndimore, Uellsi dhe Ishulli i Njeriut. Pa harruar të përmend që periudha që unë shërbeva, ishte periudha më e çuditshme në të gjithë historinë e shërbimit misionar. Vetëm pak javë pasi nisa të shërbej, ajo që quhet sot pandemia nga Covid-19 kishte goditur dhe për plot 6-7 muajt e parë nuk mund të bënim shumë gjëra fizikisht, të takoheshim apo t’u jepnim mësim të tjerëve. E vetmja gjë që mund të bënim ishte të bënim blerje një herë në javë. Ishim me të vërtetë të fortë dhe ia dolëm, por sigurisht me bekimin e Perëndisë.

Përsëri puna e Perëndisë eci përpara ndonëse në kohë shumë të vështirë dhe paqartësie. Plani i Perëndisë gjithmonë do të zbatohej. Mundësitë e ndryshme që na japin kohët moderne janë të shumta. Një prej tyre është teknologjia e cila na mundësoi që puna të ecte përpara me po të njëjtat ritme njësoj si më parë ose edhe më shpejt. Eshtë e mahnitshme sesi puna e Perëndisë ecte përpara, dëshmoj se ne vetëm e shtymë ‘’shkëmbin’’ dhe Ai bëri gjithçka tjetër.

Teksa shërbeva në aspekte të ndryshme në mision, si udhëheqës i distriktit, trajnues, këshillues për teknologjinë dhe bashkërendues i shtëpive të misionit, mësova që Perëndia më kishte përgatitur që unë të isha atje në atë kohë specifike, në atë pjesë të vreshtit që të bëja punën e Tij dhe t’i ftoja të tjerët të vinin tek Ai nëpërmjet ordinancave shpëtuese të ungjillit të rivendosur. E njëjta gjë vlen edhe për gjithë të tjerët që kanë shërbyer ose që do të shërbejnë në të ardhmen në një mision kohëplotë. Një kohë lartësuese ku e harrojmë veten dhe vihemi në shërbim të Tij me gjithë forcën, mëndjen dhe fuqinë tonë.

Nëse je një i ri ose e re mos harro që ti je i/e fortë dhe je mjaftueshëm për të bërë punën e Tij. Njohuria dhe fuqia për ta bërë këtë vjen nëpërmjet fuqisë së priftërisë së rivendosur në tokë, studimit të shkrimeve të shenjta dhe zbatimit të parimeve ungjillore në jetën tënde për t’u bërë dhe për t’i ndihmuar të tjerët gjithashtu që të bëhen dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit.

Plani i Perëndisë funksionon në mënyra të mistershme ndonjëherë, por dëshmoj që ne jemi fëmijët e Tij shpirtërorë dhe Ai si një Atë i mirë na do dhe na shikon vazhdimisht dhe pret variantin më të mirë tonin. Dashuria e Perëndisë është e pastër dhe e kulluar. Ai e di se çfarë kemi në mendje dhe në zemër. E di se familjet janë një bekim i Perëndisë dhe se janë të përhershme.