Eja, Më Ndiq 2024
6–12 Maj: “Në Fuqinë e Zotit”. Mosia 7–10


“6–12 Maj: ‘Në Fuqinë e Zotit’. Mosia 7–10”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2024)

“6–12 Maj. Mosia 7–10”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2024)

Pamja
Amoni duke i dhënë mësim mbretit Limhi

Minerva Teichert (1888–1976), Ammon before King Limhi [Amoni përpara Mbretit Limhi], 1949–1951, vaj në dru të presuar, 40 x 122 centimetra. Muzeu i Artit i Universitetit “Brigam Jang”, 1969.

6–12 Maj: “Në Fuqinë e Zotit”

Mosia 7–10

Ndërsa populli i mbretit Mosia po gëzonte “paqe të vazhdueshme” (Mosia 7:1), mendimet e tyre shkuan te një grup tjetër nefitësh, të cilët shumë vite më parë ishin larguar për të banuar në tokën e Lehi‑Nefit. Kishin kaluar breza dhe populli i Mosias nuk kishte marrë asnjë lajm prej tyre. Ndaj, Mosia i kërkoi Amonit të udhëhiqte një grup kërkimi për t’i gjetur nefitët që ishin larguar. Grupi i kërkimit zbuloi që këta nefitë, “për shkak të paudhësisë” (Mosia 7:24), ishin nën robërinë e lamanitëve. Por me mbërritjen e Amonit dhe të vëllezërve të tij, papritmas pati shpresë për çlirim.

Ndonjëherë ne jemi sikurse këta nefitë të robëruar, duke vuajtur për shkak të mëkateve tona, duke pyetur veten se si do ta gjejmë ndonjëherë sërish paqen. Ndonjëherë ne jemi sikurse Amoni, duke ndier nxitjen që t’i ndihmojmë të tjerët dhe duke zbuluar përfundimisht se përpjekjet tona i kanë frymëzuar ata që t’i “ngr[enë] kokat [e tyre], dhe [të] gëzoh[en] dhe [ta] v[ënë] besimin [e tyre] te Perëndia” (Mosia 7:19). Pavarësisht nga rrethanat tona, ne të gjithë kemi nevojë të pendohemi dhe të “kthehe[m]i te Zoti me qëllim të plotë të zemrës”, me besimin se “ai do t[ë na] nxjerrë nga robëria” (Mosia 7:33).

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Mosia 7:14–33

Jezu Krishti ka fuqinë për të më çliruar.

Takimi me Amonin i dha shpresë mbretit Limhi dhe ai donte që t’ia kalonte atë shpresë popullit të tij. Ndoshta fjalët e tij mund t’ju japin shpresë edhe juve. Për të kuptuar kontekstin, merreni parasysh ta shqyrtoni situatën e popullit të Limhit te Mosia 7:20–25. Më pas përsiatini këto pyetje ndërsa lexoni te Mosia 7:14–33:

  • Çfarë tha Limhi për ta forcuar besimin dhe shpresën e popullit të tij te Krishti?

  • Cilat fraza ju ndihmojnë të ndieni shpresë? (Shihni vargjet 19, 33.)

  • Cilat përvoja ju kanë ndihmuar të mirëbesoni se Perëndia mund t’ju çlirojë dhe do ta bëjë këtë?

Shihni edhe “Shëlbues i Izraelit”, Himne, nr. 6.

Mosia 7:26–27

Unë u krijova “sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë”.

Te Mosia 7:26–27, Limhi shpjegoi disa prej të vërtetave të dhëna mësim nga Abinadi. Çfarë të vërtetash mund të përcaktoni nga këto vargje? Si ndikojnë këto të vërteta në mënyrën se si e shihni Perëndinë dhe veten tuaj?

Shihni edhe te Russell M. Nelson, “Your Body: A Magnificent Gift to Cherish”, Liahona, gusht 2019, f. 50–55.

Mosia 8:13–19

Pamja
ikona e seminarit
Zoti jep profetë, shikues dhe zbulues në dobi të njerëzimit.

Kur Limhi dëgjoi dëshminë e Amonit se Zoti kishte ngritur një shikues, Limhi “u gëzua jashtëzakonisht dhe i dha falënderime Perëndisë” (Mosia 8:19). Si mendoni, përse u ndje ai ashtu? Çfarë mësoni rreth shikuesve nga fjalët e Amonit te Mosia 8:13–19?

Sot ne i mbështetim Presidencën e Parë dhe Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve si profetë, shikues dhe zbulues. Si kanë qenë ata “një e mirë e madhe” për ju? (Mosia 8:18.) Çfarë ju kanë mësuar ata rreth Jezu Krishtit?

Si mund të flisni me guxim, sikurse Amoni, rreth nevojës për profetë, shikues dhe zbulues? (Shihni te Mosia 8:13–18.) Për shembull, çfarë mund t’i tregoni familjes suaj ose të shpërndani në mediat shoqërore rreth:

  • Të vërtetave që janë rivendosur në kohën tonë nga Jozef Smithi dhe profetët e tjerë të Zotit (të tilla si natyra e Perëndisë, identiteti ynë hyjnor ose natyra e përjetshme e familjes). Një rishikim i materialit “Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit” ose dokumentit “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit] mund t’ju ndihmojë të mendoni për disa nga këto të vërteta.

  • Bekimeve prej urdhërimeve ose ordinancave (të tilla si Fjala e Urtësisë, ligji i dëlirësisë ose vulosja e familjeve).

Muajin e kaluar, dëgjuam profetë, shikues dhe zbulues në konferencën e përgjithshme. Cilat mesazhe ju frymëzuan? Çfarë do të bëni ndryshe në bazë të asaj që mësuat? Çfarë thanë shikuesit e Zotit për “gjërat që do të ndodhin?” (Mosia 8:17.)

Shihni edhe Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Prophets” [“Profetët”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Mosia 9–10

Unë mund t’i përballoj sfidat e mia “në fuqinë e Zotit”.

Zenifi e pranoi se gabimet e tij e kishin vendosur popullin në një situatë të vështirë. Por më vonë, gjatë betejave kundër lamanitëve, ai e ndihmoi popullin e tij që të përballej me sfidat e veta me besim te Zoti. Ndërsa lexoni te Mosia 9–10, kërkoni atë që bëri populli i Zenifit për të treguar besimin e vet. Si i forcoi Perëndia ata? Si ju ka forcuar Ai ju? Çfarë do të thotë për ju të ecni përpara “në fuqinë e Zotit”? (Mosia 9:17; 10:10–11.)

Mosia 10:11–17

Zgjedhjet e mia mund të ndikojnë në shumë breza.

Teksa lexoni te Mosia 10:11–17, përcaktoni se si ndikuan veprimet dhe qëndrimet e brezave të mëparshëm të lamanitëve te brezat që vijuan. Çfarë sugjeron kjo rreth mënyrës se si zgjedhjet tuaja mund të ndikojnë tek të tjerët, për mirë ose për keq, përfshirë njerëzit që nuk kanë lindur ende?

Përdorni mësime me sende. Mësimet me sende e bëjnë të mësuarit zbavitës dhe të paharrueshëm. Mbase një rresht me domino mund të tregojë se si zgjedhjet e njerëzve mund të ndikojnë tek pasardhësit e tyre (shihni te Mosia 10:11–17).

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Mosia 7:19

Perëndia i ndihmoi njerëzit në shkrimet e shenjta dhe Ai mund të më ndihmojë mua.

  • Kur populli i mbretit Limhi ishte në vështirësi, ai u tregoi njerëzve shkrime të shenjta për të ndërtuar besimin e tyre. Pyetini fëmijët tuaj rreth tregimeve ose personazheve nga shkrimet e shenjta që i ndihmojnë të kenë besim. Më pas mund t’u lexoni vargun Mosia 7:19 dhe të rishikoni tregimet që përmenden në këtë varg (shihni kapitujt “Pashka” dhe “Izraelitët në Shkretëtirë” tek Tregime nga Dhiata e Vjetër, f. 70–76). Ndoshta fëmijëve tuaj do t’u pëlqejë t’i luajnë ato me role. Si i ndihmoi Zoti njerëzit në këto tregime? Si mund të na ndihmojë Ai ne?

  • Për më shumë shembuj të mënyrës se si Zoti na ndihmon, përzgjidhni disa strofa nga këngët “Ngjarjet e Librit të Mormonit” ose “Guximi i Nefit” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 62, 64–65) për t’i kënduar me fëmijët tuaj. Ndihmojini të përcaktojnë mënyrat se si Zoti i ndihmoi njerëzit në Librin e Mormonit dhe se si Ai mund të na ndihmojë ne.

Mosia 8:16–18

Perëndia na ka dhënë profetë, shikues dhe zbulues.

  • Një mënyrë për të dhënë mësim rreth shikuesve është t’i krahasoni ata me gjëra që na ndihmojnë të shohim më mirë, si syze, dylbi ose një mikroskop. Më pas, ndërsa u lexoni fëmijëve tuaj vargun Mosia 8:17, ata mund t’i vënë duart para syve sikur po shikojnë me dylbi sa herë që të dëgjojnë fjalën “shikues” (shihni edhe te Moisiu 6:35–36). Bisedoni me ta për gjërat që Zoti i ndihmon profetët të “shoh[in]”, që ne nuk mundemi. Çfarë na kanë zbuluar profetët ose shikuesit tanë, të tillë si Jozef Smithi?

  • Pas leximit të vargjeve Mosia 8:16–18 me fëmijët tuaj, mund t’i ndihmoni ata të mendojnë për mënyra se si ta plotësojnë një fjali si Një shikues është si një … që na ndihmon … . Për shembull, një shikues është si një shenjë e qarkullimit rrugor që na drejton te Jezusi.

  • Mund të bëni edhe letra në formën e gjurmëve të këmbëve dhe t’i ftoni fëmijët tuaj të bëjnë mbi to vizatime të gjërave që profetët, shikuesit dhe zbuluesit na kanë këshilluar t’i bëjmë. Vendosini gjurmët e këmbëve në formën e një shtegu përqark dhomës dhe lërini fëmijët tuaj të ecin mbi këto gjurmë këmbësh. Si mund të jetë një shikues “një e mirë e madhe” për ne? (Shihni te Mosia 8:17–18.)

Mosia 9:14–18; 10:10–11

Kur jam i/e dobët, Zoti mund të më forcojë.

  • Kur fëmijët përballen me sfida, ata ndonjëherë ndihen të dobët dhe të pazotë. Si do t’i ndihmoni fëmijët tuaj të mbështeten në forcën e Zotit? Mund t’i pyetni ata se çfarë bëjmë për t’u bërë fizikisht të fortë. Çfarë do të thotë të kesh “fuqi[në e] njerëzve”? (Shihni te Mosia 10:11.) Çfarë do të thotë të kesh “fuqinë e Zotit”? (Shihni te Mosia 9:17–18; 10:10.) Si e marrim ne forcën e Zotit? Fëmijët tuaj mund të bëjnë një vizatim të gjërave që i ndihmojnë të marrin forcën e Zotit.

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Pamja
Jozef Smithi me Moronin

Vision to Joseph Smith [Vegimi për Jozef Smithin], nga Clark Kelley Price