Eja, Më Ndiq
8–14 Korrik. Veprat e Apostujve 6–9: ‘Ç’Don Ti të Bëj Unë?’


“8–14 Korrik. Veprat e Apostujve 6–9: ‘Ç’Don Ti të Bëj Unë?’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“8–14 Korrik. Veprat e Apostujve 6–9”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Pamja
Pali rrugës për në Damask

Le të Jetojmë në Këtë Mënyrë, nga Sam Lawlor

8–14 Korrik

Veprat e Apostujve 6–9

“Ç’Don Ti të Bëj Unë?”

Filloni duke lexuar Veprat e Apostujve 6–9. Sugjerimet në këtë përvijim të mësimit mund t’ju ndihmojnë të përcaktoni disa prej parimeve të rëndësishme në këta kapituj, ndonëse ju mund të gjeni të tjerë gjatë studimit tuaj vetjak.

Shënojini Mbresat Tuaja

Nëse kishte ndonjë njeri që dukej si një kandidat më i pamundshëm për t’u kthyer në besim, ai ndoshta ishte Sauli – një farise, i cili njihej për përndjekjen e të krishterëve. Kështu që kur Zoti i tha një dishepulli të quajtur Anania ta kërkonte Saulin dhe t’i jepte një bekim, Anania kuptohet që ishte ngurrues. “O Zot”, tha ai, “nga shumë veta kam dëgjuar për këtë njeri se sa të këqija u ka bërë shenjtorëve të tu” (Veprat e Apostujve 9:13). Por Zoti e njihte zemrën e Saulit dhe potencialin e tij, dhe Ai kishte një mision në mendje për Saulin: “Ai është vegla që unë kam zgjedhur për ta sjellë emrin tim përpara johebrenjve, mbretërve dhe bijve të Izraelit” (Veprat e Apostujve 9:15). Kështu që Anania u bind dhe kur e gjeti këtë përndjekës të mëparshëm, ai e thirri: “Vëlla Saul” (Veprat e Apostujve 9:17). Nëse Sauli mund të ndryshonte kaq tërësisht dhe Anania mund ta mirëpriste kaq lirisht, vallë a duhet ta quajmë ne ndonjëherë ndonjë njeri si një kandidat të pamundshëm për të ndryshuar – përfshirë veten tonë?

Pamja
ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Veprat e Apostujve 6–8

Zemra ime ka nevojë të jetë “e drejtë përpara Perëndisë”.

Një kishë në rritje do të thoshte një nevojë në rritje për dishepuj që të shërbenin në mbretëri. Sipas Veprave të Apostujve 6:1–15, cilat cilësi po kërkonin Dymbëdhjetë Apostujt tek ata që do të shërbenin me ta? Ndërsa i lexoni Veprat e Apostujve 6–8, vini re se si këto cilësi, dhe të tjera si ato, u shfaqën nga njerëz si Stefani dhe Filipi. Çfarë i mungonte Simonit dhe çfarë mund të mësojmë prej tij rreth të qenit të gatshëm për të ndryshuar?

A ndiheni i frymëzuar të ndryshoni diçka, për të siguruar që zemra juaj është “e drejtë përpara Perëndisë”? (Veprat e Apostujve 8:21–22). Si mund t’ju bekojë realizimi i këtij ndryshimi ndërsa i shërbeni Perëndisë?

Veprat e Apostujve 6–7

Të kundërshtuarit e Frymës së Shenjtë mund të çojë në mospranimin e Shpëtimtarit dhe të profetëve të Tij.

Udhëheqësit judeas, ndonëse të ngarkuar me detyrën për t’i përgatitur njerëzit për ardhjen e Mesias, nuk e pranuan Jezu Krishtin dhe kërkuan Kryqëzimin e Tij për shkak të krenarisë dhe dëshirës së tyre për pushtet. Si ndodhi kjo? Stefani u shpalli atyre: “Ju gjithnjë e kundërshtoni Frymën e Shenjtë” (Veprat e Apostujve 7:51). Si mendoni ju, çfarë do të thotë ta kundërshtosh Frymën e Shenjtë? Përse të kundërshtuarit e Frymës së Shenjtë çon në mospranimin e Shpëtimtarit dhe të profetëve të Tij?

Kur t’i lexoni Veprat e Apostujve 6–7, kërkoni mesazhe të tjera që Stefani ua mësoi judenjve. Kundër çfarë qëndrimesh po paralajmëronte ai? A dalloni ndonjë qëndrim të ngjashëm te vetja juaj? Çfarë ju mësojnë fjalët e Stefanit rreth pasojave të kundërshtimit të Frymës së Shenjtë? Si mund të jeni më të ndjeshëm dhe veprues ndaj nxitjeve të Frymës së Shenjtë në jetën tuaj?

 

Veprat e Apostujve 7:54–60

Përveç Stefanit, kush tjetër u martirizua për shkak të dëshmisë së tyre për Jezu Krishtin?

Stefani është njohur si martiri i parë i krishterë (një person që është vrarë për shkak të bindjeve të veta fetare) pas Ringjalljes së Jezusit. Shumë shenjtorë të tjerë, gjatë gjithë historisë, janë vrarë gjithashtu për shkak se nuk do ta mohonin besimin e tyre te Jezu Krishti. Disa prej tyre janë përmendur te 2 Kronikave 24:20–21; Marku 6:17–29; Veprat e Apostujve 12:1–2; Zbulesa 6:9–11; Mosia 17:20; Alma 14:8–11; Helamani 13:24–26; Doktrina e Besëlidhje 109:47–49; 135:1–7; dhe Abrahami 1:11. Ka të ngjarë që pas Ringjalljes së Shpëtimtarit, të gjithë Apostujt, me përjashtim të Gjonit, vdiqën si martirë.

Veprat e Apostujve 8:26–39

Fryma e Shenjtë do të më ndihmojë që t’i udhërrëfej të tjerët për te Jezu Krishti.

Çfarë mësoni në lidhje me shpërndarjen e ungjillit nga rrëfimi te Veprat e Apostujve 8:26–39? Si e ndihmoi Fryma e Shenjtë Filipin? Si ngjason ndarja e ungjillit me të tjerët me të qenit një udhërrëfyes? (shih Veprat e Apostujve 8:31).

Veprat e Apostujve 9:1–31

Kur i nënshtrohem vullnetit të Zotit, unë mund të bëhem mjet në duart e Tij.

Kthimi në besim i Saulit duket mjaft i vrullshëm; ai kaloi “menjëherë” nga burgosja e të krishterëve te predikimi për Krishtin në sinagogat (Veprat e Apostujve 9:20). Kur ta lexoni historinë e tij, përsiatni arsyen përse ai ishte kaq i gatshëm që të ndryshonte. (Që të lexoni përshkrimin e vetë Saulit për kthimin e tij në besim, shih Veprat e Apostujve 22:1–16 dhe 26:9–18. Vini re që [tanimë] në kohën e këtyre ngjarjeve, emri i Saulit qe ndryshuar në Pal.)

Ndërkohë që është e vërtetë se përvoja e Saulit është e pazakontë – për shumicën e njerëzve, kthimi në besim është një proces shumë më i gjatë – a ka ndonjë gjë që mund të mësoni nga Sauli rreth kthimit në besim? Çfarë mësoni nga mënyra si reaguan Anania dhe dishepujt e tjerë ndaj kthimit në besim të Saulit? Çfarë do të bëni për t’i zbatuar këto mësime në jetën tuaj? Ju mund të filloni duke pyetur në lutje, ashtu siç bëri Sauli: “Ç’don ti të bëj unë?” Ose ju mund ta shkruani këtë pyetje si titull në ditarin tuaj dhe t’i shënoni mbresat që ju vijnë me kalimin e kohës.

Shih edhe Diter F. Uhtdorf, “Duke Pritur në Rrugën për Damask”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 70–77; “The Road to Damascus” [“Rruga për në Damask”] (material filmik, LDS.org).

Pamja
ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

Veprat e Apostujve 6:8–7:60

Krahasojini rrëfimet për Stefanin te Veprat e Apostujve 6:8 dhe Veprat e Apostujve 7:51–60 me rrëfimet për Shpëtimtarin te Lluka 23:1–46. Si e ndoqi Stefani shembullin e Shpëtimtarit?

Veprat e Apostujve 7:51–60

Si e bekoi Fryma e Shenjtë Stefanin kur atë po e përndiqnin? Kur kemi marrë forcë nga Fryma e Shenjtë gjatë periudhave të vështira?

Veprat e Apostujve 9:5

A e di familja juaj se çfarë do të thotë të “godasësh me shkelm kundër gjembave”? Një gjemb ishte një shtizë e mprehtë që përdorej për t’i drejtuar kafshët. Shpesh kafshët kur shpoheshin, do të godisnin me shkelm mbrapsht, gjë që do të bënte që shtiza të zhytej edhe më thellë në mishin e kafshës. Në çfarë mënyrash mund të zbatohet për ne kjo analogji?

Pamja
Pjetri ngre Tabithën nga vdekja

Tabitha Çohu, nga Sandy Freckleton Gagon

Veprat e Apostujve 9:32–43

Merrni parasysh t’i ftoni pjesëtarët e familjes suaj që të vizatojnë figura të historive te Veprat e Apostujve 9:32–43. Çfarë mësojnë rreth dishepullimit të vërtetë nga Enea, Tabitha dhe të vejat nga Jopa? Si mund t’i ndihmojë një person që bën “shumë vepra të mira” të tjerët, që të besojnë te Zoti? (shih Veprat e Apostujve 9:36, 42; “Kapitulli 60: Pjetri Sjell Tabitën Përsëri në Jetë”, Tregime nga Dhiata e Re, f. 156–157, ose materialin përkatës filmik në LDS.org).

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Përshtatini shkrimet e shenjta me jetën tuaj. Ndërsa lexoni, merrni parasysh se në ç’mënyrë historitë dhe mësimet në shkrimet e shenjta zbatohen në jetën tuaj. Për shembull, kur jeni ndier të “mbushur me Frymë[n e] Shenjtë” në periudha sprove apo përndjekjeje? (Veprat e Apostujve 7:55).

Pamja
Stefani vritet me gurë

Unë po Shoh Birin e Njeriut që Rri në Këmbë në të Djathtën e Perëndisë, nga Walter Rane