Eja, Më Ndiq
6–12 Janar. 1 Nefi 1–7: “Unë Do Të Shkoj dhe Do Të Bëj”


“6–12 Janar. 1 Nefi 1–7: ‘Unë Do Të Shkoj dhe Do Të Bëj’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“6–12 Janar. 1 Nefi 1–7”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020

Pamja
Familja e Lehit duke udhëtuar në vendin e shkretë

Lehi Duke Udhëtuar Pranë Detit të Kuq, nga Gary Smith

6–12 Janar

1 Nefi 1–7

“Unë Do Të Shkoj dhe Do Të Bëj”

Ndërsa lexoni nga 1 Nefi 1–7, mendoni për vargjet, përvojat, pyetjet dhe burime të tjera që ju ndiheni i frymëzuar t’i përdorni për t’u dhënë mësim fëmijëve. Veprimtaritë në këtë përvijim mund të përshtaten për fëmijët më të mëdhenj apo më të vegjël.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Disa prej fëmijëve në klasën tuaj mund të kenë dëgjuar apo lexuar tashmë rreth përvojave të familjes së Nefit te 1 Nefi 1–7. Ftojini ata që ta thonë atë që dinë. Nëse fëmijët nuk dinë shumë rreth përvojave të Nefit, në fund të mësimit jepuni atyre mundësi që të thonë atë që mësuan.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

1 Nefi 2:16

Unë kam nevojë për vetë dëshminë time.

Nefi arriti t’i besonte fjalët e atit të tij sepse kishte dëshirë që ta dinte vetë, dhe ai iu lut Zotit. Ndihmojini fëmijët të mësojnë nga shembulli i tij.

Veprimtari të Mundshme

  • Sillni një kuti të mbyllur me një figurë të Shpëtimtarit brenda saj dhe jepini secilit fëmijë radhën për ta zbuluar vetë se çfarë ka brenda në kuti. Dëftojuni fëmijëve se Nefi donte të kishte vetë dëshminë e tij që Zoti e kishte urdhëruar familjen e tij të largohej nga Jerusalemi. Ndërsa lexoni te 1 Nefi 2:16, kërkojuni fëmijëve të mbajnë vesh se çfarë bëri Nefi që të fitonte dëshminë e vet. Dëshmoni që, ashtu sikurse secilit prej nesh iu desh ta hapte kutinë për të zbuluar se çfarë kishte brenda saj, të gjithë ne kemi nevojë ta pyesim Perëndinë që të fitojmë vetë dëshminë tonë.

  • Sillni figura ose sende që simbolizojnë gjëra për të cilat fëmijët mund të kërkojnë një dëshmi, të tilla si një figurë të Jezu Krishtit, Librin e Mormonit ose një figurë të profetit të gjallë. Ftojini fëmijët të zgjedhin një figurë apo send dhe t’i thonë klasës dëshminë e tyre për atë gjë.

1 Nefi 2:2–4; 3–4

Perëndia do të më ndihmojë që t’i zbatoj urdhërimet e Tij.

Si mund t’i përdorni këto rrëfime për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë se Perëndia na ndihmon që t’i zbatojmë urdhërimet e Tij edhe kur duket e vështirë për t’iu bindur atyre?

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve nga 1 Nefi 2:2–4 dhe paraqitni disa figura të gjërave që familja e Lehit mund të ketë marrë me vete në vendin e shkretë, të tilla si një tendë, batanije dhe harqe e shigjeta. Kërkojuni atyre të përfytyrojnë se si do të ndiheshin nëse do t’u duhej të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe të shkonin në vendin e shkretë. Çfarë na kërkon Zoti të bëjmë që t’i bindemi Atij sot?

  • Ndihmojini fëmijët t’i ngjyrosin dhe presin figurat prej letre në faqen e veprimtarisë së kësaj jave; pastaj kërkojuni atyre që t’i përdorin figurat prej letre për të përmbledhur rrëfimin e marrjes së fletëve prej tunxhi nga Nefi dhe vëllezërit e tij (shih 1 Nefi 3–4). Kënga “Nephi’s Courage [Guximi i Nefit]” (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 64) dhe “Kapitulli 4: Fletët prej Tunxhi” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 8–12) mund t’ju ndihmojnë për ta dëftuar këtë histori.

  • Përdorini figurat 103–115Librin e Figurave Artistike të Ungjillit për t’i ndihmuar fëmijët që të mendojnë rreth gjërave që Zoti na ka urdhëruar të bëjmë. Si bekohemi kur i bindemi Atij? Ndihmojini ata të zbukurojnë [e] të vënë distinktivë që thonë: Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar (1 Nefi 3:7). Përsëriteni frazën disa herë së bashku.

1 Nefi 3:19–21; 5:19–22

Shkrimet e shenjta janë një thesar i madh.

Si mund të ndihmoni për t’i frymëzuar fëmijët që t’i ruajnë si thesar shkrimet e shenjta ose fjalën e Perëndisë?

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqituni fëmijëve diçka (ose një fotografi të diçkaje) që ka shumë vlerë për ju. Flisni mbi mënyrën se si e trajtoni atë dhe kujdeseni për të. Shpjegoni se për familjen e Lehit, shkrimet e shenjta ishin shumë të çmuara, si një thesar.

  • Ftojini fëmijët që t’ju ndihmojnë ta dëftoni ose ta aktroni atë që bënë Nefi dhe vëllezërit e tij për t’i marrë fletët prej tunxhi: ata udhëtuan në një largësi të madhe, hoqën dorë nga ari e argjendi i tyre dhe u fshehën në një shpellë për të shpëtuar jetën e tyre. Lexoni te 1 Nefi 5:21. Përse ishin shkrimet e shenjta kaq të çmuara për familjen e Lehit? Si mund t’i trajtojmë shkrimet e shenjta si një thesar?

Pamja
Lehi duke studiuar fletët prej tunxhi

Lehi Duke Marrë Fletët prej Tunxhi, nga Clark Kelley Price

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

1 Nefi 2:16, 19–20

Unë mund të kem vetë dëshminë time.

Çfarë mësoni nga shembulli i Nefi rreth fitimit të vetë dëshmisë suaj? Si mund t’i ndihmoni fëmijët që të mësojnë nga shembulli i tij?

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve të kontrollojnë te 1 Nefi 2:16, 19 për të zbuluar se si e fitoi Nefi një dëshmi për fjalët e atit të tij. Ftojini ata që t’i shkruajnë veprimet e Nefit në kuba apo sende të tjera dhe pastaj të ndërtojnë diçka me sendet, për të simbolizuar se si na ndihmojnë ato gjëra që të zhvillojmë një dëshmi.

  • Dëftojuni fëmijëve se si e fituat dëshminë tuaj për ungjillin. Ftojini ata të tregojnë përvoja të ngjashme që kanë pasur, dhe nxitini të ndjekin shembullin e Nefit, që të vazhdojnë t’i zhvillojnë dëshmitë e tyre. Si mund të na ndihmojë pasja e vetë dëshmisë sonë?

1 Nefi 3:1–8

Unë mund t’i përgjigjem me besim urdhrave të Zotit.

Zhvillimi i një qëndrimi si të Nefit, do t’i ndihmojë fëmijët kur Zoti t’u kërkojë atyre të bëjnë diçka që duket e vështirë.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndajeni klasën në dy grupe. Ftojeni një grup të lexojë reagimin e Lamanit dhe të Lemuelit ndaj Lehit (shih 1 Nefi 3:2–5) dhe grupin tjetër që të lexojë reagimin e Nefit (shih 1 Nefi 3:2–4, 7). Ftojeni një fëmijë të hiqet sikur është Lehi dhe t’u kërkojë fëmijëve të tjerë që të hiqen sikur po kthehen në Jerusalem për të marrë fletët prej tunxhi. Ftojeni secilin grup që të përgjigjet me fjalët e veta, sikur të ishin njerëzit për të cilët lexuan. Cilat janë disa gjëra që Perëndia na ka urdhëruar të bëjmë? Si mund të jemi si Nefi?

  • Këndoni së bashku një këngë për bindjen, të tillë si “Nephi’s Courage [Guximi i Nefit]” ose “Mbaj Urdhërimet” (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 62; Himne, nr. 198), dhe kërkojuni fëmijëve të mbajnë vesh për fraza që na mësojnë se si duhet t’i përgjigjemi Zotit.

1 Nefi 3–4

Fryma e Shenjtë do të më udhëheqë kur përpiqem ta bëj vullnetin e Zotit.

Nefi e ndoqi Shpirtin, “duke mos ditur më parë gjërat që [ai] duhe[j] të bë[nte]”(1 Nefi 4:6). Si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që ta kërkojnë udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët që ta aktrojnë historinë e Nefit dhe të vëllezërve të tij duke u përpjekur të marrin fletët prej tunxhi (shih 1 Nefi 3–4). Ftojeni një fëmijë të lexojë te 1 Nefi 4:6 dhe kërkojini klasës të mbajë vesh se çfarë bëri Nefi që u dha mundësinë atyre t’ia dilnin mbanë.

  • Tregojuni fëmijëve disa shembuj të gjërave që Perëndia do të donte që ata të bënin, të tilla si të miqësoheshin me dikë në shkollë që duket i vetmuar, ta falnin një vëlla apo një motër ose të thoshin të vërtetën pasi kanë bërë një gabim. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë se si mund t’i ndihmojë Fryma e Shenjtë në ato situata. Si mund ta ftojmë Frymën e Shenjtë që të na ndihmojë t’i bindemi Perëndisë?

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët t’u tregojnë familjeve të tyre përvoja kur ata u bekuan ngaqë i zbatuan urdhërimet. Nxitini ata që t’u kërkojnë pjesëtarëve të familjes së tyre të tregojnë përvoja të ngjashme.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndihmojini fëmijët e vegjël të mësojnë nga shkrimet e shenjta. Për t’i ndihmuar fëmijët e vegjël të mësojnë nga shkrimet e shenjta, përqendrohuni te një varg i vetëm i shkrimit të shenjtë apo thjesht edhe te një frazë kyç. Ju mund t’i ftoni fëmijët të ngrihen në këmbë ose të ngrenë dorën kur e dëgjojnë atë fjalë ose frazë. (Shih edhe Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 21.)