Eja, Më Ndiq
28 Shtator – 11 Tetor. 3 Nefi 17–19: “Vini Re, Gëzimi Im Është i Plotë”


“28 Shtator – 11 Tetor. 3 Nefi 17–19: ‘Vini Re, Gëzimi Im Është i Plotë’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“28 Shtator – 11 Tetor. 3 Nefi 17–19”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020

Pamja
Jezusi u shfaqet nefitëve

Drita e Fytyrës së Tij Shkëlqeu mbi Ta, nga Gary L. Kapp

28 Shtator – 11 Tetor

3 Nefi 17–19

“Vini Re, Gëzimi Im Është i Plotë”

Teksa i lexoni kapitujt tek 3 Nefi 17–19, merrni parasysh se cilat shkrime të shenjta, përvoja, veprimtari dhe histori do t’i ndihmonin fëmijët t’i kuptonin të vërtetat në këta kapituj.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Paraqitni një figurë të Shpëtimtarit dhe ftojini fëmijët të shprehen se si do të ndiheshin nëse Ai do t’i vizitonte ata ashtu si bëri me nefitët.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

3 Nefi 17:7, 20–25

Shpëtimtari e do secilin prej fëmijëve të Atit Qiellor.

Jezusi e shfaqi dashurinë e Tij për fëmijët kur i bekoi dhe u lut për ta. Në ç’mënyrë mund t’i ndihmoni fëmijët, të cilëve u jepni mësim, që ta ndiejnë dashurinë e Tij për ta?

Veprimtari të Mundshme

  • Përmblidheni rrëfimin tek 3 Nefi 17 ndërkohë që paraqitni një figurë si ajo në përvijimin e kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Ose ju mund të përdorni “Kapitullin 44: Jezu Krishti Bekon Fëmijët” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 124–125). Lexoni fraza ose vargje nga 3 Nefi 17 që e vënë theksin te dashuria e Shpëtimtarit për njerëzit (të tilla si vargjet 7 dhe 20–25). Lërini fëmijët që me radhë ta mbajnë figurën dhe të tregojnë se çfarë bëri Jezusi ngaqë Ai i donte njerëzit.

  • Përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’i ndihmuar fëmijët që të vizatojnë një figurë të vetes së tyre me Jezusin. Ndërsa e bëjnë atë, ndihmojini të mendojnë për mënyrat se si Jezusi e ka treguar dashurinë e Tij për ta.

    Pamja
    Jezusi duke bekuar fëmijët nefitë

    Vini Re të Vegjlit Tuaj, nga Gary L. Kapp

3 Nefi 18:1–12

Unë mund të mendoj për Jezusin kur marr sakramentin.

Ka shumë gjëra që mund ta shpërqendrojnë një fëmijë gjatë sakramentit. Si mund t’i ndihmoni fëmijët në klasën tuaj ta kuptojnë rëndësinë e të menduarit rreth Shpëtimtarit dhe dashurisë së Tij për ta gjatë kësaj ordinance të shenjtë?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët t’ju tregojnë se çfarë ndodh gjatë sakramentit. Lexoni vargje nga rrëfimi për Jezusin tek u administron sakramentin nefitëve (shih 3 Nefi 18:1–12) dhe kërkojuni fëmijëve të ngrihen në këmbë kur dëgjojnë diçka që është e ngjashme me atë që bëjmë ne gjatë sakramentit. Çfarë do Jezu Krishti që ne të “kujto[jmë]” ose të mendojmë gjatë sakramentit? (Shih 3 Nefi 18:7, 11.)

  • Këndojeni nën zë, me zë ose luajeni me vegla një himn ose këngë të Fillores ndërkohë që fëmijët ngjyrosin figura që mund t’i ndihmojnë ata ta kujtojnë Shpëtimtarin gjatë sakramentit (shih faqen e veprimtarisë së kësaj jave). Nxitini që t’i shikojnë këto figura për t’i ndihmuar që ta kujtojnë Jezusin kur e marrin sakramentin.

3 Nefi 18:15, 20–21, 24; 19:16–17, 30

Jezusi më mëson se si të lutem.

Çfarë mësoni rreth lutjes ndërsa studioni vargjet tek 3 Nefi 17–19? Si mund ta përdorni atë që mësoni për t’u mësuar fëmijëve mënyrën se si të luten?

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqitni figura të njerëzve duke u lutur (të tilla si ato në “Kapitullin 46: Jezu Krishti Mëson dhe Lutet me Nefitët” te Tregime të Librit të Mormonit, f. 128–130). Ftojini fëmijët të nxjerrin në pah hollësi te figurat që tregojnë se këta njerëz po luten. Lexoni vargjet tek 3 Nefi 19:16–17 për të shpjeguar se Jezusi na mësoi se si të lutemi. Lërini fëmijët t’ju tregojnë se si ndihen kur luten.

  • Lexoni nga 3 Nefi 18:21 dhe ftojini fëmijët të vizatojnë një figurë të vetes ose të familjeve të tyre duke u lutur. Nxitini fëmijët t’i ftojnë familjet e tyre që të luten me ta.

  • Këndoni së bashku një këngë për lutjen, të tillë si “A Child’s Prayer” [“Lutja e Një Fëmije”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 6). Kërkojuni fëmijëve të tregojnë atë që mësojnë rreth lutjes nga kënga. Jepni dëshminë tuaj për lutjen.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

3 Nefi 17

Shpëtimtari i do fëmijët e Atit Qiellor.

Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim: “Ju premtoj, të dashur fëmijë, se engjëj do t’ju japin shërbesë juve gjithashtu. Ju mund të mos i shihni, por ata do të jenë pranë për t’ju ndihmuar dhe ju do ta ndieni praninë e tyre” (“To the Children of the Church”, Ensign, maj 1989, f. 83).

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni së bashku disa vargje nga 3 Nefi 17 që e ndieni se do të jenë domethënëse për fëmijët të cilëve u jepni mësim. Teksa e lexoni secilin varg, kërkojuni fëmijëve të zgjedhin një fjalë ose frazë që ata mendojnë se është e rëndësishme dhe pastaj të tregojnë arsyen përse ato fjalë ishin domethënëse për ta. Dëshmoni se Jezusi i do shumë fëmijët dhe kjo është arsyeja përse Ai i bekoi ata dhe u lut për ta.

  • Ftojini fëmijët të tregojnë se si mund të ishin ndier nëse do të ishin mes fëmijëve të cilët Shpëtimtari i bekoi. Çfarë bëri Shpëtimtari për ta shfaqur dashurinë e Tij? Çfarë mund të bëjmë për ta përgatitur veten që të jemi me Të kur Ai të vijë përsëri?

3 Nefi 18:1–12

Kur e marr sakramentin, unë mund të mbushem me Frymën e Shenjtë.

Ne mund të mësojmë nga 3 Nefi 18 se sa i rëndësishëm është sakramenti për Shpëtimtarin. Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta ndiejnë që ai është i rëndësishëm për ta?

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të lexojnë tek 3 Nefi 18:1–12. Çfarë mësojnë ata rreth sakramentit nga këto vargje? Ndihmojini që t’i lexojnë lutjet e sakramentit te Doktrina e Besëlidhje 20:77 dhe 79, dhe të gjejnë fjalë e fraza te lutjet që gjenden gjithashtu tek 3 Nefi 18:1–12. Çfarë domethënie kanë këto fjalë e fraza? Si mund të përgatitemi për ta marrë sakramentin? Çfarë premtojmë ose besëlidhim që të bëjmë ne kur e marrin sakramentin?

  • Këndoni së bashku një këngë rreth nderimit, të tillë si “Reverently, Quietly” [“Me Nderim, Qetësi”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 11). Si mund të na ndihmojë marrja e sakramentit me nderim që ta ndiejmë Shpirtin? Si na ndihmon të bëjmë zgjedhje të drejta?

3 Nefi 18:15–24; 19:6–9, 15–36

Lutja do të më ndihmojë të jem pranë Atit Qiellor.

Ne mund ta ndiejmë Atin Qiellor pranë vetes nëpërmjet lutjes. Cilat mesazhe rreth lutjes tek 3 Nefi 18–19 do t’i ndihmojnë fëmijët të cilëve u jepni mësim, t’i përmirësojnë lutjet e tyre?

Veprimtari të Mundshme

  • Shkruajini referencat vijuese të shkrimit të shenjtë në copa letre dhe jepuani ato secilit fëmijë ose grupeve të vogla të fëmijëve: 3 Nefi 18:15; 3 Nefi 18:20; 3 Nefi 18:21; 3 Nefi 19:19 dhe 3 Nefi 19:24. Ftojini fëmijët t’i lexojnë shkrimet e shenjta, duke kërkuar gjëra që Jezu Krishti ose dishepujt e Tij i dhanë mësim rreth lutjes. Kërkojuni atyre t’i raportojnë klasës për atë që mësojnë.

  • Në tabelë, shkruani Unë të falënderoj për . Jepuni fëmijëve një minutë kohë që të mendojnë sa më shumë gjëra që munden për ta plotësuar vendin bosh. Përse është e rëndësishme që ne t’i shprehim mirënjohje Atit Qiellor? Pastaj shkruani në tabelë Unë të kërkoj ty për dhe lexojini së bashku vargjet tek 3 Nefi 18:18–21 e 19:9, 23, duke kërkuar ide rreth asaj se për çfarë duhet të lutemi.

  • Jepni dëshminë tuaj ose një përvojë vetjake rreth fuqisë së lutjes dhe nxitini fëmijët të japin dëshmitë ose përvojat e tyre.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Nxitini fëmijët t’u flasin prindërve të tyre ose pjesëtarëve të tjerë të familjes rreth mënyrës se si mund të kenë një përvojë më kuptimplote me sakramentin të dielën tjetër.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndihmojini fëmijët e vegjël të mësojnë nga shkrimet e shenjta. Për t’i ndihmuar fëmijët e vegjël të mësojnë nga shkrimet e shenjta, përqendrohuni te një varg i vetëm i shkrimit të shenjtë apo thjesht edhe te një frazë kyç. Ju mund t’i ftoni fëmijët të ngrihen në këmbë kur dëgjojnë një fjalë ose frazë të caktuar.