Eja, Më Ndiq
2–8 Shtator. 1 Korintasve 14–16: ‘Perëndia Nuk Është Perëndi Trazimi, por Paqtimi’


“2–8 Shtator. 1 Korintasve 14–16: ‘Perëndia Nuk Është Perëndi Trazimi, por Paqtimi’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)

“2–8 Shtator. 1 Korintasve 14–16”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019

Pamja
vaskë pagëzimi në tempull

2–8 Shtator

1 Korintasve 14–16

“Perëndia Nuk Është Perëndi Trazimi, por Paqtimi”

Ndërsa i lexoni 1 Korintasve 14–16, Fryma e Shenjtë do t’ju ndihmojë të dini se çfarë t’u mësoni fëmijëve në klasën tuaj. Shqyrtojeni këtë përvijim të mësimit për ide të mëtejshme.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ju mund ta filloni mësimin e kësaj jave duke lexuar me zë të lartë 1 Korintasve 14:26. Vini në dukje se kur ne bashkohemi së bashku në kishë, ne mund t’i lartësojmë shpirtërisht (ose ngremë e ndihmojmë) të tjerët kur flasim [për përvojat tona]. Për çfarë mund të flasin fëmijët që ta lartësojnë shpirtërisht dikë në klasë sot?

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Fëmijët Më të Vegjël

1 Korintasve 15:12–22

Unë mund të jetoj me Atin Qiellor pasi të vdes, ngaqë Jezu Krishti u ringjall.

Si mund t’u mësoni fëmijëve në klasën tuaj se ngaqë Jezu Krishti u ringjall, ne mund të jetojmë përsëri?

Veprimtari të Mundshme

  • Përsëriteni disa herë me fëmijët frazën vijuese: “Të gjithë do të ngjallën në Krishtin” (1 Korintasve 15:22). Paraqitni një figurë të Shpëtimtarit të ringjallur (shih përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Shpjegoni që një ditë ne do të vdesim, por ngaqë Jezusi u ringjall, ne të gjithë do të kthehemi në jetë pasi të vdesim.

  • Përdorni një mësim me sende si ky për të dhënë mësim rreth Ringjalljes: Paraqituni fëmijëve një xhaketë, që përfaqëson trupat tanë fizikë. Kur jemi gjallë, shpirtrat tanë janë në trupat tanë dhe trupat tanë mund të lëvizin (visheni xhaketën). Kur vdesim, shpirtrat tanë i lënë trupat tanë fizikë dhe trupat tanë nuk mund të lëvizin (hiqeni xhaketën dhe vendoseni në një tavolinë ose karrige për të përfaqësuar një trup pa shpirtin e tij). Kur ringjallemi, shpirtrat tanë iu kthehen trupave tanë (visheni përsëri xhaketën) dhe ata nuk ndahen më kurrë. Lërini fëmijët që me radhë ta veshin dhe ta heqin xhaketën ndërsa një fëmijë tjetër shpjegon atë çfarë ndodh kur ringjallemi.

1 Korintasve 15:29

Unë mund të pagëzohem për njerëzit që vdiqën.

Fëmijët të cilëve u jepni mësim, mund të përgatiten tani për të shkuar në tempull dhe për t’u pagëzuar për të vdekurit kur të bëhen 12 vjeç. Pali e përmendi këtë doktrinë të rëndësishme në letrën e tij drejtuar Korintasve.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të mendojnë për gjëra që nuk mund t’i bëjnë dot vetë (të tilla si të mbajnë diçka të rëndë ose të zgjaten për të kapur diçka në një raft të lartë). Kush i ndihmon ata që t’i bëjnë këto gjëra? Paraqitni një figurë të një prej paraardhësve tuaj që vdiq pa u pagëzuar. Flituni fëmijëve për këtë person, dhe shpjegoni se ky person nuk mund të pagëzohet pa ndihmë nga një person në tokë.

  • Pyetini fëmijët nëse kanë ndonjë pjesëtar të familjes që ka qenë në tempull për të kryer pagëzime për të vdekurit. Paraqitni figura të një vaske pagëzimi në tempull. A e dinë fëmijët se çfarë ndodh këtu? Shpjegoni se në tempull ne mund të pagëzohemi për njerëzit që kanë vdekur pa u pagëzuar. Atëherë ata njerëz mund të zgjedhin që ta pranojnë apo jo pagëzimin.

1 Korintasve 15:40–41

Ati Qiellor do që unë të jetoj me Të në mbretërinë çelestiale.

Si mund t’u jepni mësim fëmijëve rreth mbretërisë çelestiale, terrestriale dhe telestiale? Këto veprimtari mund të ndihmojnë.

Veprimtari të Mundshme

  • Shkruani në tabelë çelestiale, terrestriale dhe telestiale. Ndihmojini fëmijët të mësojnë që t’i thonë këto terma.

  • Paraqitni figura të diellit, hënës dhe yjeve. Cili ndriçon më shndritshëm? Lexojuni fëmijëve 1 Korintasve 15:40–41 (shih edhe Përkthimi prej Joseph Smith-it, 1 Korintasve 15:40, Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, [f. 236]). Shpjegoni se dielli, hëna dhe yjet përfaqësojnë mbretëritë në të cilat ne mund të jetojmë pasi të ringjallemi. Në mbretërinë çelestiale, ne mund të jetojmë me Atin Qiellor.

  • Vizatojeni diellin në tabelë dhe vendosni në dysheme copa të vogla letre, të cilat përfaqësojnë hapa, që çojnë drejt diellit. Secila letër mund të përfaqësojë diçka që kemi nevojë të bëjmë për të hyrë në mbretërinë çelestiale (shih DeB 76:50–53). Lejojini fëmijët të tregojnë ide dhe të ndërmarrin hapa drejt mbretërisë çelestiale.

Pamja
agim

Pali e krahasoi lavdinë çelestiale me diellin.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Fëmijët Më të Mëdhenj

1 Korintasve 15:12–22

Në saje të Jezu Krishtit dhe Ringjalljes së Tij, unë do të ringjallem.

A e kuptojnë fëmijët që mësoni, rëndësinë e Ringjalljes së Jezu Krishtit? Këto ide mund të jenë të dobishme.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët që me radhë t’i lexojnë vargjet te 1 Korintasve 15:12–22, duke kërkuar përgjigje për pyetjen: “Çfarë do të ndodhte nëse nuk do të kishte ringjallje?”

  • Ftojini fëmijët ta interpretojnë me role mënyrën se si t’ia shpjegojnë ringjalljen një personi. Për ide, shih mesazhin e Tomas S. Monsonit “Zonja Pejtën – Historia Vazhdon” (Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 21–24). Shih edhe materialin filmik “Until We Meet Again” [“Kur Prap’ t’Takohemi”] (LDS.org). Jepni dëshminë tuaj për Ringjalljen e Jezu Krishtit.

1 Korintasve 15:12–13, 20–22, 29

Unë mund të përgatitem që të shkoj në tempull për t’u pagëzuar për të vdekurit.

Kur fëmijët të bëhen 12 vjeç, ata mund të marrin një rekomandim tempulli dhe të kryejnë pagëzime për të vdekurit në tempull. Si mund t’i ndihmoni që të përgatiten?

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojini 1 Korintasve 15:29. Çfarë po bënin shenjtorët në kohën e Palit që e bëjmë edhe ne sot?

  • Pyetini fëmijët për arsyen përse pagëzohemi për të vdekurit. Nëse është e nevojshme, shpjegoni se shumë prej paraardhësve tanë nuk e patën mundësinë që të pagëzoheshin dhe konfirmoheshin gjatë kësaj jete. Në tempull, ne mund të pagëzohemi dhe konfirmohemi për ta.

  • Disa ditë përpara orës mësimore, kërkojini një prindi të njërit prej fëmijëve që të vijë i përgatitur për të folur për pemën e tij apo të saj familjare, ose të tregojë një histori rreth një paraardhësi. Ju gjithashtu mund të flisni për vetë paraardhësit tuaj.

  • Ftojeni një anëtar të peshkopatës të tregojë disa gjëra që mund t’i bëjnë fëmijët, për të qenë të denjë për të hyrë në tempull. Pyetini fëmijët se çfarë mund të bëjnë ata për t’u kujtuar që t’i bëjnë këto gjëra. Shkruajini në tabelë idetë e tyre. Ftojini që të vendosin një qëllim për të shkuar në tempull një ditë.

1 Korintasve 15:40–41

Pasi të ringjallem, unë mund të jetoj në mbretërinë çelestiale.

Për t’u mësuar korintasve rreth trupit që do të marrim në ringjallje, Pali përmendi tri shkallë lavdie: çelestiale, terrestriale dhe telestiale.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojini 1 Korintasve 15:40–41 dhe ftojeni një fëmijë ta vizatojë diellin, hënën dhe një yll në tabelë. Kërkojuni anëtarëve të klasës të përcaktojnë se cili lloj trupi i ringjallur simbolizohet nga secili vizatim.

  • Këndoni së bashku një kënge rreth tempujve, të tillë si “The Lord Gave Me a Temple” [“Zoti Më Dha një Tempull”], (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 153). Çfarë na mëson kjo këngë rreth përgatitjes për të jetuar në lavdinë çelestiale?

  • Shpjegoni se Jozef Smithi pati një vegim në të cilin ai pa tri mbretëritë të cilat përputheshin me llojin e trupave qiellorë që përshkroi Pali. Ndihmojini fëmijët të gjejnë fraza nga Doktrina e Besëlidhje 76:50–53, 70; 76:71–79; 76:81–82, të cilat i përshkruajnë këto tri mbretëri.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Ftojini fëmijët t’u kërkojnë prindërve që t’u tregojnë një histori rreth njërit prej paraardhësve të tyre. Ata mund t’ia tregojnë historinë klasës javën tjetër.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Nxitini fëmijët të bëjnë pyetje. “Përpiquni t’i shihni pyetjet e [fëmijëve] si mundësi, jo si shpërqendrime ose pengesa në mësimin tuaj. … Pyetje të tilla ju japin ide të vlefshme për atë që fëmijët po mendojnë, çfarë shqetësimesh kanë dhe se si po reagojnë ndaj gjërave që po mësojnë. Ndihmojini të kuptojnë se përgjigjet e pyetjeve të tyre mund të gjenden në shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 25–26).