Eja, Më Ndiq
6–12 Janar. 1 Nefi 1–7: “Unë do të Shkoj dhe do të Bëj”


“6–12 Janar. 1 Nefi 1–7: ‘Unë do të Shkoj dhe do të Bëj’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“6–12 Janar. 1 Nefi 1–7”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020

Pamja
familja e Lehit duke udhëtuar në vendin e shkretë

Lehi duke Udhëtuar pranë Detit të Kuq, nga Gary Smith

6–12 Janar

1 Nefi 1–7

“Unë do të Shkoj dhe do të Bëj”

Përgatitja juaj si mësues i Shkollës të së Dielës fillon me studimin tuaj vetjak të shkrimeve të shenjta. Kushtojuni vëmendje dhe shënojini nxitjet shpirtërore që i merrni. Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund ta plotësojë studimin tuaj.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Shumë prej anëtarëve të klasës suaj ndoshta i njohin mirë kapitujt te 1 Nefi 1–7, por çdo herë që i lexojmë shkrimet e shenjta, ne mund të mësojmë të vërteta që gjejnë zbatim për rrethanat tona të tanishme. Për ta filluar diskutimin tuaj ndoshta mund t’i pyetni anëtarët e klasës se çfarë mësuan ose çfarë u erdhi ndërmend teksa studionin këtë javë.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

1 Nefi 1; 3–6

Shkrimet e shenjta kanë vlerë të madhe.

  • Një mesazh i spikatur në Librin e Mormonit është vlera e madhe e fjalës së Perëndisë. Ky mund të jetë një mesazh i mirë për ta dhënë ndërkohë që klasa juaj fillon studimin e Librit të Mormonit. Mund ta filloni duke i kërkuar secilit anëtar të klasës të përzgjedhë një kapitull nga 1 Nefi 1; 3–6 dhe t’i hedhë një sy të shpejtë atij, duke kërkuar mënyra se si fjala e Perëndisë drejtpërsëdrejti ose tërthorazi i bekoi pjesëtarët e familjes së Lehit. (Anëtarët e klasës mund të përfitojnë nga bërja e kësaj veprimtarie në grupe të vogla.) Më pas ftojini individët të tregojnë atë që gjejnë. Çfarë na mësojnë këto tregime rreth rëndësisë së shkrimeve të shenjta?

  • Njëri prej synimeve tuaja si mësues është t’i nxitni individët dhe familjet që ta studiojnë ungjillin jashtë orës mësimore. Ndoshta ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të shqyrtojnë se si i studioi Lehi fletët prej tunxhi (shih 1 Nefi 5:10–19) dhe më pas mund të bëni pyetje si ato që vijojnë: Cili ishte qëndrimi i Lehit ndaj shkrimeve të shenjta? Çfarë gjeti me vlerë në to? Anëtarët e klasës mund të hulumtojnë gjithashtu mesazhin e Plakut Riçard G. Skot “Fuqia e Shkrimeve të Shenjta” (Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 6–8) ose të lexojnë një pjesë të shkëputur nga ky mesazh te pjesa “Burime Shtesë”. Si mund t’i vëmë në jetë mësimet e Plakut Skot ndërkohë që e studiojmë Librin e Mormonit këtë vit?

  • Si klasë mund të këndoni një himn rreth shkrimeve të shenjta, të tillë si “Kur Kërkoj Shkrimet e Shenjta” (Himne, nr. 180). Më pas mund t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë se si ua ka bekuar jetën studimi i tyre vetjak i shkrimeve të shenjta. Ata gjithashtu mund të tregojnë për mënyrën se si shkrimet e shenjta i kanë frymëzuar që të “vijnë te Perëndia … dhe të shpëtohen” (1 Nefi 6:4).

1 Nefi 2:11–19; 3:28–31

Ne mund të fitojmë dëshminë tonë vetjake ndërkohë që e zbutim zemrën tonë.

  • Nefi njihet për besimin e tij të fuqishëm te Zoti, por mund të jetë e dobishme për anëtarët e klasës të kuptojnë se ai duhej të punonte për ta fituar dëshminë e vet – ashtu siç na duhet neve të gjithëve. Ndoshta anëtarët e klasës mund të përcaktojnë te 1 Nefi 2:16–19 çfarë e bëri të mundur që Nefin ta fitonte dëshminë e tij. Ata gjithashtu mund të shqyrtojnë vargjet 11–14 që të vërejnë arsyen përse Lamani dhe Lemueli nuk fituan dëshmi. Ky mund të jetë një rast i mirë për t’i ftuar anëtarët e klasës të tregojnë se si i fituan dëshmitë e tyre.

  • Nganjëherë mund të duam të kemi një përvojë mrekullibërëse me qëllim që ta fitojmë ose forcojmë dëshminë tonë. Por Lamani dhe Lemueli u takuan me një engjëll dhe prapëseprapë besimi i tyre dukej se u ndikua shumë pak. Çfarë mund të mësojnë anëtarët e klasës nga kjo përvojë, e përshkruar te 1 Nefi 3:28–31, rreth asaj që i forcon vetë dëshmitë tona? (Shih edhe 1 Nefi 2:16.) Merreni parasysh të lexoni citimin nga Presidenti Harold B. Li te pjesa “Burime Shtesë”. Çfarë mund të bëjmë për t’i mbajtur të forta dëshmitë tona?

1 Nefi 3–4

Perëndia do të përgatitë një udhë për ne që ta bëjmë vullnetin e Tij.

  • Përvoja e bijve të Lehit te 1 Nefi 3–4 mund të duket e jashtëzakonshme, por shumë prej nesh kanë pasur përvoja ku ne e ndoqëm vullnetin e Perëndisë edhe kur dukej e vështirë. Teksa anëtarët e klasës lexojnë te 1 Nefi 3–4 këtë javë, çfarë të vërtetash gjetën që iu sollën ndërmend një përvojë vetjake? Ndoshta ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës të japin vargje që ua mësuan këto të vërteta, dhe ftojini t’i tregojnë përvojat e tyre. Si na ndihmojnë këto të vërteta kur Perëndia pret nga ne që të bëjmë diçka që duket e vështirë?

  • Ju mund ta ndani klasën në tri grupe dhe caktojini secilit grup të studiojë një prej përpjekjeve për të marrë fletët prej tunxhi nga Labani (shih 1 Nefi 3:9–21; 1 Nefi 3:22–31; 4:1–4; dhe 1 Nefi 4:5–38). Më pas mund ta ftoni secilin grup të tregojë atë që na mëson secila prej këtyre përpjekjeve rreth përmbushjes së vullnetit të Zotit. Si gjejnë zbatim këta shembuj te vetë përpjekjet tona për ta bërë vullnetin e Perëndisë?

Pamja
Lehi dhe Sara duke i përshëndetur Nefin dhe vëllezërit e tij

Gëzimi i Tyre Ishte i Plotë, nga Walter Rane

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Për t’i frymëzuar anëtarët e klasës të lexojnë te 1 Nefi 8–10, ju mund të tregoni këtë thënie nga Presidenti Diter F. Uhtdorf: “Me kaq shumë forca që përpiqen të na largojnë, si ta mbajmë këndvështrimin tonë të përqendruar te lumturia e lavdishme që u premtohet besnikëve? Besoj se përgjigjja mund të gjendet në një ëndërr që e pati një profet mijëra vjet më parë. Emri i profetit është Lehi dhe ëndrra e tij shënohet në Librin e shtrenjtë dhe të mrekullueshëm të Mormonit” (“Tri Motra”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 19).

Pamja
ikona e burimeve

Burime Shtesë

Materiale filmike nga Libri i Mormonit.

Gjeni materiale filmike që përshkruajnë tregime nga 1 Nefi 1–7 në koleksionin Book of Mormon Videos [Materiale Filmike nga Libri i Mormonit] te ChurchofJesusChrist.org ose te programi kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Shkrimet e shenjta kanë fuqi të madhe.

Plaku Riçard G. Skot dëshmoi për vlerën e shkrimeve të shenjta:

“Shkrimet e shenjta janë si sasitë e vogla të dritës që ndriçojnë mendjet tona dhe na përgatisin për drejtim dhe frymëzim nga lart. Ato mund të bëhen çelësi për të hapur kanalin për te lidhja shpirtërore me Atin tonë në Qiell dhe Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin.

Shkrimet e shenjta … mund të bëhen miq besnikë që mund të gjenden kudo dhe në çdo kohë. Ato janë gjithmonë të gjendshme kur nevojiten. Përdorimi i tyre siguron një themel të vërtete që mund ta përftojmë nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Mësimi, mendimi thellë, kërkimi dhe mbajtja mend e shkrimeve të shenjta është si të mbushësh një skedar me miq, vlera dhe të vërteta që mund t’i ftosh në çdo kohë, kudo në botë. …

Meditimi mbi një varg të shkrimeve të shenjta mund të jetë kyçi për të hapur zbulesën dhe drejtimin e frymëzimin nga Fryma e Shenjtë. Shkrimet e shenjta mund të qetësojnë një shpirt të trazuar, duke i dhënë paqe, shpresë dhe rivendosje të besimit në aftësinë e njeriut për të kapërcyer sfidat e jetës. Ato kanë fuqinë e madhe të shërojnë sfidat emocionale kur ka besim te Shpëtimtari. Ato mund të përshpejtojnë shërimin fizik” (“Fuqia e Shkrimeve të Shenjta”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 6–7).

Dëshmitë tona duhet të ripërtërihen çdo ditë.

Presidenti Harold B. Li dha mësim: “Ajo që e zotëroni sot në dëshmi, nuk do të jetë e juaja nesër, në qoftë se nuk bëni diçka për të” (Teachings of Presidents of the Church: Harold B. Lee [2000], f. 43).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdorni histori dhe shembuj për të dhënë mësim parime të ungjillit. Shumë prej të vërtetave të përjetshme në shkrimet e shenjta jepen mësim nëpërmjet përvojave ose historive që ato përmbajnë. Ndërkohë që përgatiteni të jepni mësim, mendoni për përvoja që keni pasur, të cilat mund t’u shtojnë një dëshmi të dytë rrëfimeve në shkrimet e shenjta dhe parimeve që ato ilustrojnë. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 22.)