Eja, Më Ndiq
9–15 Nëntor. Ethëri 1–5: “Griseni Atë Vel të Mosbesimit”


“9–15 Nëntor. Ethëri 1–5: ‘Griseni Atë Vel të Mosbesimit’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“9–15 Nëntor. Ethëri 1–5”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020

Pamja
jareditët duke udhëtuar nëpër vendin e shkretë

Jareditët Largohen nga Babeli, nga Albin Veselka

9–15 Nëntor

Ethëri 1–5

“Griseni Atë Vel të Mosbesimit”

Çfarë të vërtetash mësuat gjatë studimit tuaj vetjak nga Ethëri 1–5 që mund t’ua tregoni atyre të cilëve u jepni mësim? Çfarë mundësish mund t’u jepni atyre për të treguar atë që mësuan?

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Merreni parasysh këtë mënyrë krijuese për të ftuar të treguarit: Kalojuni anëtarëve të klasës 16 gurë dhe ftojini disa prej tyre të tregojnë një të vërtetë që ata kujtojnë prej studimit të tyre vetjak ose familjar nga Ethëri 1–5. Çfarë do të bëjnë për shkak të asaj që mësuan?

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Ethëri 1–3; 4:8–19

Ndërsa i thërrasim vazhdimisht Zotit, Ai do ta zbulojë vullnetin e Tij.

  • Secili prej nesh ka hasur vështirësi për të gjetur përgjigje për një problem apo pyetje. Si mund t’i ndihmojë përvoja e vëllait të Jaredit ata të cilëve u jepni mësim, që të mësojnë se si të kërkojnë ndihmë nga Zoti? Ndoshta ju mund të vizatoni në dërrasë një tabelë me kolona të emërtuara Pyetja e vëllait të Jaredit, Veprimi i vëllait të Jaredit dhe Përgjigjja e Zotit. Më pas ju mund ta ndani klasën në tri grupe dhe t’i caktoni secilit grup njërën kolonë. Secili grup mund të punojë së bashku për t’i hedhur një sy të shpejtë vargjeve tek Ethëri 1:33–43 dhe 2:16–3:6, dhe ta shkruajnë atë që gjejnë në kolonën që u është caktuar. Më pas klasa mund të diskutojë pyetje si këto: Çfarë mësojmë rreth mënyrave të ndryshme që Zoti mund të zgjedhë për të na ndihmuar? Çfarë mësojmë për rolin tonë në procesin e marrjes së zbulesës? Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë shembuj të tjerë nga shkrimet e shenjta që na mësojnë parime të ngjashme. Thënia nga Plaku Riçard G. Skot te “Burimet Shtesë” jep ide të mëtejshme rreth mënyrës se si Zoti u përgjigjet lutjeve.

  • Lutja e vëllait të Jaredit tek Ethëri 3:1–5 mund t’i frymëzojë anëtarët e klasës që të bëjnë një vlerësim të lutjeve të tyre vetjake. Ndoshta anëtarët e klasës mund të përfytyrojnë sikur po i japin këshilla dikujt që sapo po mëson se si të lutet. Çfarë këshille do të jepnin? Më pas, ata mund ta shqyrtojnë vargjet tek Ethëri 3:1–5 dhe ta përmbledhin secilin varg me një ose dy këshilla apo parime rreth mënyrës se si të luten me efektshmëri. Merreni parasysh që t’u jepni anëtarëve të klasës pak minuta kohë për t’u menduar rreth lutjeve të tyre vetjake dhe si mund ta ndjekin shembullin e vëllait të Jaredit për t’i bërë lutjet e tyre më kuptimplote.

  • Pasi tregoi përvojën zbuluese të vëllait të Jaredit tek Ethëri 3, Moroni dha këshilla tek Ethëri 4 për mënyrën se si mund të marrim zbulesë nga Zoti. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të mësojnë nga kjo këshillë, ju mund të paraqitni një figurë të Jezu Krishtit dhe t’i ftoni anëtarët e klasës të kërkojnë tek Ethëri 4:8–10 gjërat që mund të na pengojnë në marrjen e një zbulese apo të vërtete nga Zoti. Ndërsa pjesëtarët e klasës tregojnë atë që gjejnë, ju mund ta mbuloni ngadalë figurën e Krishtit me një cohë ose fletë letre. Si mund t’i shmangim këto pengesa shpirtërore në jetën tonë? Më pas anëtarët e klasës mund të shqyrtojnë vargjet tek Ethëri 4:7, 11–15, duke kërkuar se si mund të kualifikohemi për ta marrë të vërtetën nga Zoti. Teksa anëtarët e klasës tregojnë atë që gjejnë, hiqeni cohën ose fletën e letrës. Çfarë do të thotë të “ushtrosh besim [te] … Zoti, madje si bëri vëllai i Jaredit”? (Ethëri 4:7; shih edhe Ethëri 3:1–9). Çfarë mendoni se do të thotë të “grisni … vel[in e] mosbesimit”? (Ethëri 4:15). Si mund t’i ndihmojmë të tjerët që të bëjnë të njëjtën gjë? Anëtarët e klasës mund të kërkojnë të vërteta rreth zbulesës vetjake edhe në mesazhin e Presidentit Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë” (Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 93–96).

Ethëri 2:14–15

Nëpërmjet ndëshkimit të Tij, Zoti na fton që të pendohemi dhe të vijmë tek Ai.

  • Edhe një profet, aq i madh sa vëllai i Jaredit, mori ndëshkim nga Zoti. Në fakt, pjesë e asaj që e bëri atë të madh, ishte mënyra se si reagoi ndaj ndëshkimit. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të mësojnë nga shembulli i vëllait të Jaredit, ju mund t’i ftoni ata që të lexojnë së bashku në dyshe nga Ethëri 2:14–15. Më pas kërkojuni atyre që të hiqen sikur njëri prej tyre është vëllai i Jaredit dhe tjetri është dikush që sapo ka marrë ndëshkim nga një udhëheqës i kishës apo një prind. Vërini të diskutojnë ose të interpretojnë me role atë që vëllai i Jaredit mund të thotë rreth përvojës së tij vetjake për ta ndihmuar këtë person. Çfarë këshille mund të japë ai? Çfarë mësimesh mësojmë të cilat do të na ndihmojnë të afrohemi më pranë Atit Qiellor? Ju gjithashtu mund të diskutoni se si ndëshkimi nga Zoti dhe përgjigjja e vëllait të Jaredit mund të kenë ndihmuar për ta përgatitur atë për përvojën që pati tek Ethëri 3:1–20. Ja disa burime të tjera që mund të ndihmojnë: mesazhi i Plakut D. Tod Kristoferson “Unë të Gjithë Ata që i Dua, i Qortoj dhe i Ndëshkoj” (Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 97–100) ose pjesa e titulluar “Disiplina” te mesazhi i Plakut Lin G. Robins “Gjykatësi i Drejtë” (Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 97).

Ethëri 5

Tre dëshmitarë dëshmojnë për vërtetësinë e Librit të Mormonit.

  • Të mësuarit më tepër mbi profecinë e Moronit për Tre Dëshmitarët mund të ndihmojë në forcimin e dëshmive të anëtarëve të klasës për Librin e Mormonit. Ndoshta gjysma e klasës mund të lexojë Ethërin 5 dhe gjysma tjetër mund të lexojë “Dëshmia e Tre Dëshmitarëve” (në fillim të Librit të Mormonit) dhe t’i tregojnë njëri‑tjetrit atë që mendojnë se ishte qëllimi i Zotit kur i lejoi Tre Dëshmitarët të shihnin një engjëll dhe fletët. Ata mund të diskutojnë gjithashtu për shembuj të tjerë në të cilët dëshmi të shumta e provojnë të vërtetën (shih, për shembull, Mateu 3:13–17; 18:15–16; Gjoni 5:31–47; DeB 128:3). Cilët dëshmitarë në jetën tonë na kanë frymëzuar të besojmë? Si na është “treg[uar] fuqia e Perëndisë dhe gjithashtu fjala e tij” në Librin e Mormonit? (Ethëri 5:4.)

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini anëtarët e klasës të përfytyrojnë sikur udhëheqësit e tyre politikë po e kapnin dhe vrisnin vazhdimisht njëri‑tjetrin. Tek Ethëri 6–11, ata do të lexojnë rreth mënyrës se si ndodhi kjo me pasardhësit e Jaredit dhe vëllait të tij. Ata gjithashtu do të gjejnë disa paralajmërime që do t’i ndihmojnë ata të shmangin problemet me të cilat u përballën jareditët.

Pamja
ikona e burimeve

Burimet Shtesë

Dallimi i marrjes së përgjigjeve për lutjen.

Plaku Riçard G. Skot dha mësim:

“Kur shpjegojmë një problem dhe një zgjidhje të propozuar, ndonjëherë Ai përgjigjet po, ndonjëherë jo. Shpesh Ai nuk e jep një përgjigje, jo për mungesë shqetësimi, por sepse Ai na do – në mënyrë të përkryer. Ai dëshiron që ne t’i zbatojmë të vërtetat që na ka dhënë. Që të rritemi, na nevojitet të besojmë në aftësinë tonë për të marrë vendime të drejta. Neve na nevojitet të bëjmë atë që ndiejmë se është e drejtë. Me kohë, Ai do të na përgjigjet. Ai nuk do të na lërë të dështojmë. …

… Ai do që ne të veprojmë për të fituar përvojën e nevojshme:

Kur Ai përgjigjet po, është për të na dhënë vetëbesim.

Kur Ai përgjigjet jo, është për të parandaluar gabimin.

Kur Ai nuk jep një përgjigje, është që ne të rritemi nëpërmjet besimit tek Ai, bindjes ndaj urdhërimeve të Tij dhe një gatishmërie për të vepruar sipas të vërtetës. Nga ne pritet të pranojmë përgjegjësi duke vepruar sipas një vendimi që është në përputhje me mësimet e Tij pa miratim paraprak. Ne nuk duhet të ulemi duke pritur në mënyrë pasive dhe as të ankohemi sepse Zoti nuk ka folur. Ne duhet të veprojmë” (“Learning to Recognize Answers to Prayer”, Ensign, nëntor 1989, f. 31–32).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Shkoni fillimisht te shkrimet e shenjta. Shkrimet e shenjta duhet të jenë burimi kryesor për studimin dhe përgatitjen tuaj. Mos harroni se fjalët e profetëve të sotëm plotësojnë veprat standarde dhe janë gjithashtu shkrim i shenjtë (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 17–18).