Eja, Më Ndiq
1–14 Prill. Mateu 16–17; Marku 9; Lluka 9: ‘Ti Je Krishti’


“1–14 Prill. Mateu 16–17; Marku 9; Lluka 9: ‘Ti Je Krishti’” Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)

“1–14 Prill. Mateu 16–17; Marku 9; Lluka 9”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019

Pamja
Shpërfytyrimi i Krishtit

Shpërfytyrimi, nga Carl Heinrich Bloch

1–14 Prill

Mateu 16–17; Marku 9; Lluka 9

“Ti Je Krishti”

Çfarë mesazhesh dëgjuat apo lexuat nga konferenca më e fundit e përgjithshme që mund ta mbështetin doktrinën në këta kapituj? Ndërsa studioni, përsiatni mbi nevojat e anëtarëve të klasës suaj dhe mbajini shënim çfarëdo mbresash që merrni.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Një mënyrë se si mund t’i nxitni anëtarët e klasës që t’i studiojnë shkrimet e shenjta vetë dhe me familjet e tyre është duke i ftuar ata që të tregojnë çdo javë mënyrën se si është duke e bekuar jetën e tyre studimi i shkrimeve të shenjta. Për shembull, si ndikoi studimi i këtyre kapitujve në përvojën e tyre me konferencën e përgjithshme?

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Mateu 16:13–17

Një dëshmi për Jezu Krishtin vjen me anë të zbulesës.

  • A i është dashur ndonjërit prej anëtarëve të klasës që t’i shpjegojë dikujt se si e dinte se ungjilli është i vërtetë? Te Mateu 16:13–17, çfarë dha mësim Shpëtimtari rreth mënyrës se si e marrim një dëshmi? Ju mund të tregoni mënyrën se si e fitoi Alma dëshminë e tij (shih Alma 5:45–46) ose atë që Zoti i mësoi Oliver Kaudërit rreth zbulesës (shih DeB 6:14–15, 22–23; 8:2–3). Çfarë mendoni se do të kishin thënë Pjetri apo Alma ose Oliveri nëse dikush do t’i kishte pyetur ata se si e dinin që ungjilli është i vërtetë?

  • Mund të ketë njerëz në klasën tuaj që janë duke u lutur për zbulesë vetjake, por nuk dinë se si ta dallojnë kur ajo vjen. Plaku Dejvid A. Bednar përdori dy përvoja të zakonshme me dritën për të dhënë mësim rreth mënyrës se si marrim zbulesë; ju mund të doni t’ia tregoni anëtarëve të klasës idetë e Plakut Bednar (shih “Shpirti i Zbulesës”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 87–90; shih edhe materialin filmik “Patterns of Light: Spirit of Revelation” [“Modelet e Dritës: Shpirti i Zbulesës”] në LDS.org). Cilat mësime apo tregime të tjera në shkrimin e shenjtë i vijnë ndër mend klasës suaj, që do ta ndihmonin dikë ta dallonte zbulesën vetjake? (Për shembull, shih 1 Mbretërve 19:11–12; Galatasve 5:22–23; Enosi 1:1–8; DeB 8:2–3.)

Mateu 16:13–19; 17:1–9

Çelësat e priftërisë janë thelbësorë për shpëtimin tonë.

  • Për të filluar një diskutim rreth çelësave të priftërisë, ju mund të shkruani në tabelë pyetje si ato që vijojnë: Çfarë janë çelësat e priftërisë? Kush i mban çelësat? Si jepen çelësat e priftërisë? Ju gjithashtu mund të doni të tregoni disa referenca të shkrimit të shenjtë që ndihmojnë për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, të tilla si Mateu 16:19; Doktrina e Besëlidhje 107:18–19; 128:8–11; 132:18–19, 59 dhe Joseph Smith – Historia 1:72. Anëtarët e klasës mund të gjejnë ndihmë shtesë duke iu drejtuar Manualit 2: Administrimi i Kishës (2010), 2.1.1; mesazhit të Plakut Nil L. Andersen “Fuqi në Priftëri” (Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 92–95); ose Të Vërtetë ndaj Besimit, f. 126–127. Jepini anëtarëve të klasës kohë që të bëjnë kërkime për një pyetje që e zgjedhin vetë. Më pas ata mund t’i mësojnë njëri-tjetrit atë që mësuan.

  • Një diskutim rreth Pjetrit dhe Apostujve të tjerë, të cilët i morën çelësat e priftërisë në malin e Shpërfytyrimit, mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës që t’i forcojnë dëshmitë e tyre për rivendosjen e çelësave të priftërisë në ditët e mëvonshme. Për ta frymëzuar një diskutim të tillë, ju mund t’i kërkoni gjysmës së klasës që të studiojë Mateun 17:1–9 (shih edhe përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet) dhe gjysmës tjetër që të studiojë Doktrinën e Besëlidhje 110. Më pas ata mund t’i tregojnë njëri-tjetrit atë që mësuan dhe t’i dallojnë ngjashmëritë midis dy tregimeve. Materiali filmik “Priesthood Keys: The Restoration of Priesthood Keys” [“Çelësat e Priftërisë: Rivendosja e Çelësave të Priftërisë”] (LDS.org) mund të jetë gjithashtu i dobishëm.

  • A e kuptojnë anëtarët e klasës suaj mënyrën se si çelësat e priftërisë e bekojnë jetën e tyre? Për t’i ndihmuar, ju mund t’i ftoni ata që të kërkojnë te Manuali 2, 2.1.1, për një listë njerëzish që mbajnë çelësa. Kush janë këta njerëz në lagjen dhe kunjin tuaj? Ndoshta ju mund t’i renditni emrat e tyre në tabelë ose t’i ftoni disa prej tyre që t’i flasin klasës. Si i ushtrojnë ata çelësat e priftërisë që u janë dhënë për të drejtuar punën e priftërisë brenda thirrjeve të tyre? Si bekohemi nga shërbimi i këtyre udhëheqësve të priftërisë?

Pamja
statuja e Pjetrit duke mbajtur çelësa

Çelësat e priftërisë janë autoriteti për të drejtuar përdorimin e priftërisë.

Marku 9:14–30

Kur kërkojmë besim më të madh, ne duhet të mbahemi së pari te besimi që tashmë e kemi.

  • Plaku Xhefri R. Holland përdori tregimin e një babai që po kërkonte shërim për të birin, për të na mësuar se si duhet t’i qasemi Zotit kur ndjejmë se besimi ynë është i pamjaftueshëm (shih “Unë Besoj, o Zot”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 93–95). Tri pikat kryesore nga fjalimi i tij përfshihen te “Burimet Shtesë”. Ndoshta ju mund ta ndani klasën në katër grupe dhe t’i caktoni njërit grup që të diskutojë Markun 9:14–30 dhe secilit prej grupeve të tjera që të diskutojë një prej tre vëzhgimeve të Plakut Holland. Ata mund të kërkojnë mesazhe në këtë tregim të shkrimit të shenjtë, të cilat mund të na ndihmojnë ta shtojmë besimin tonë. Secili grup mund t’i tregojë pjesës tjetër të klasës disa prej ideve që dolën nga diskutimi i tyre.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Për t’i nxitur anëtarët e klasës që të studiojnë në shtëpi këtë javë, thuajuni atyre se përvijimi i mësimit të ardhshëm tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund t’i ndihmojë ata dhe familjet e tyre që të kenë një Pashkë më kuptimplotë. Përveç kësaj, ju mund të sugjeroni se e diela e Pashkës mund të jetë një kohë e mirë që ata të ftojnë anëtarë më pak aktivë apo miq të besimeve të tjera të vijnë në kishë.

Pamja
ikona e burimeve

Burime Shtesë

Mateu 16–17; Marku 9; Lluka 9

Presidencat e organizatave ndihmëse kanë autoritet të deleguar.

“Të gjitha organizatat ndihmëse të lagjes e të kunjit veprojnë nën drejtimin e peshkopit ose të presidentit të kunjit, i cili mban çelësat për të kryesuar. Presidentët e organizatave ndihmëse dhe këshilltarët e tyre nuk marrin çelësa. Ata marrin autoritet të deleguar për të funksionuar në thirrjet e tyre” (Manuali 2, 2.1.1).

Tri vëzhgime që na ndihmojnë të fitojmë më shumë besim.

Pasi e ritregoi tregimin që gjendet te Marku 9:14–29, Plaku Xhefri R. Holland dha mësim:

“Gjëja e parë për t’u vënë në dukje lidhur me këtë tregim është se, kur ndodhet përballë sfidës së besimit, babai fillimisht vë në pah forcën e tij dhe vetëm më pas e pranon kufizimin e tij. Deklarimi i tij fillestar është pohues dhe pa ngurrim: ‘Unë besoj, o Zot’. Do t’iu thoja të gjithë atyre që dëshirojnë më shumë besim, kujtojeni këtë burrë! Në çaste frike ose dyshimi, apo në kohë shqetësimi, mos u largoni nga besimi që keni fituar tashmë, edhe pse ai mund të jetë i kufizuar. … Mbahuni fort tek ajo që tashmë e dini dhe qëndroni të paepur derisa vjen dija e mëtejshme. … Problemi nuk është përmasa e besimit tuaj apo shkalla e njohurisë suaj – ai është integriteti që tregoni ndaj besimit që keni vërtet dhe ndaj së vërtetës që tashmë e dini.

Gjëja e dytë për t’u vënë në dukje është një variant i së parës. Kur problemet vijnë dhe pyetjet ngrihen, mos e filloni kërkimin tuaj për besim duke thënë sa shumë nuk keni, duke u udhëhequr sikur të ishte nga ‘mosbesimi’ juaj. … Nuk po ju kërkoj të shtireni për besimin që nuk e keni. Unë jam duke ju kërkuar të jeni të vërtetë ndaj besimit që vërtet e keni. … Jini aq i sinqertë me pyetjet tuaja sa është e nevojshme të jini; jeta është plot me pyetje për një temë apo një tjetër. Por nëse ju dhe familja juaj dëshironi të shëroheni, mos i lejoni ato pyetje t’i zënë udhën besimit për të mos e kryer mrekullinë e tij. …

Gjëja e fundit për të vënë në dukje: kur afrohet dyshimi ose vështirësia, mos kini frikë të kërkoni ndihmë. Nëse e dëshirojmë ndihmën me po aq përulësi e ndershmëri, sa e deshi ky baba, ne mund ta gjejmë atë. Shkrimet e shenjta e quajnë një dëshirë të tillë të zellshme si të qenit me ‘bindje të vërtetë’, e ndjekur ‘me qëllim të plotë të zemrës, pa bërë hipokrizi dhe mashtrim para Perëndisë’ [2 Nefi 31:13]. Unë dëshmoj se në përgjigje të atij lloj kërkimi të ngutshëm, Perëndia do të dërgojë gjithmonë ndihmë nga të dy anët e velit për ta forcuar besimin tonë” (“Unë Besoj, o Zot”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 93).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Bëni pyetje që ftojnë dëshmi. Bërja e pyetjeve që i nxitin anëtarët e klasës të japin dëshmitë e tyre mund të jetë një mënyrë e efektshme për ta ftuar Shpirtin. Për shembull, kur diskutoni mbi Mateun 16:13–17, ju mund të bëni pyetjen: “Çfarë keni mësuar rreth Shpëtimtarit që e ka forcuar dëshminë tuaj për Të si Shpëtimtar?” (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit,  f. 32.)