Eja, Më Ndiq
9–15 Dhjetor. Zbulesa 1–11: ‘Qengjit i Qofshin … Lavdia dhe Forca në Shekuj të Shekujve’


“9–15 Dhjetor. Zbulesa 1–11: ‘Qengjit i Qofshin … Lavdia dhe Forca në Shekuj të Shekujve’, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)

“9–15 Dhjetor. Zbulesa 1–11”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019

Pamja
Krishti duke vëzhguar një tufë delesh

Bariu i Mirë, nga Del Parson

9–15 Dhjetor

Zbulesa 1–11

“Qengjit i Qofshin … Lavdia dhe Forca në Shekuj të Shekujve”

Marrja e mbresave shpirtërore ju ndihmon të dalloni që Fryma e Shenjtë dëshiron t’ju mësojë. Shënimi dhe ndjekja e atyre mbresave tregon se ju i vlerësoni ato dhe dëshironi të merrni më shumë.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Teksa filloni një diskutim rreth Zbulesës, mund të jetë e dobishme t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë ndonjë informacion sfondi, që e mësuan për librin e Zbulesës gjatë studimit të tyre vetjak ose familjar. Ju mund të rishikoni së bashku një pjesë të informacionit të dhënë tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet ose të lexoni së bashku nga pjesët “Gjon, Bir i Zebedeut” dhe “Zbulesë e Gjonit” në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Zbulesa 1

Jezu Krishti është Biri i Gjallë i Perëndisë së Gjallë.

  • Përderisa Gjoni përdori figura dhe simbole te Zbulesa 1 që të përshkruante Shpëtimtarin e ringjallur dhe veprimet e Tij, studimi i këtij kapitulli është një mënyrë e shkëlqyer për ta forcuar besimin se Ai jeton dhe se Ai e drejton Kishën e Tij. Ndoshta anëtarët e klasës mund të shkruajnë në tabelë disa fraza nga Zbulesa 1 që përfshijnë figura ose simbole dhe të tregojnë se çfarë u mësojnë ato një nga një për Jezu Krishtin. Për shembull, çfarë mësojmë nga këto simbole rreth mënyrës se si Krishti e udhëheq Kishën e Tij sot? Si krahasohet përshkrimi i Gjonit për Shpëtimtarin me atë te Doktrina e Besëlidhje 110:1–4?

Zbulesa 2–3; 7:13–17

Ne mund t’i mposhtim sfidat nëpërmjet Jezu Krishtit.

  • Ne jemi të ngjashëm me shenjtorët të cilëve u shkroi Gjoni, në të paktën një mënyrë: ne përballemi me fatkeqësi. Ftojini anëtarët e klasës të shqyrtojnë Zbulesën 2–3 e të përcaktojnë sprovat që hasnin shenjtorët në kohën e Gjonit, dhe ndihmojini të kuptojnë se Jezu Krishti i njihte sprovat dhe anët e forta të secilës degë. Ndoshta ata mund të tregojnë përvoja në të cilat e ndien se Shpëtimtari ishte i vetëdijshëm për rrethanat e tyre të veçanta. Çfarë këshille u dha Zoti shenjtorëve, e cila mund të na ndihmojë edhe ne që t’i mposhtim vështirësitë tona?

  • Në po këta kapituj Zoti u bëri premtime frymëzuese atyre që i mposhtin vështirësitë. Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të punojnë në dyshe që të shqyrtojnë Zbulesën 2–3; 7:13–17 për të gjetur premtimet e Zotit. Ndoshta ata mund të vizatojnë edhe figura që paraqesin disa prej këtyre premtimeve, mandej t’ia tregojnë klasës atë që gjejnë. Si i frymëzojnë këto premtime që të vazhdojnë të përpiqen për t’i mposhtur sprovat dhe dobësitë e veta?

Zbulesa 5

Jezu Krishti ishte i vetmi që mund ta bënte të mundur planin e Atit Qiellor.

  • A do ta ndihmonte klasën tuaj një mësim me sende për ta kuptuar simbolikën te Zbulesa 5 rreth Shpëtimtarit që hap librin e vulosur? Ju mund të sillni diçka për ta ngrënë në një kuti të mbyllur që t’ia jepni klasës. Përpara orës mësimore, fshehurazi jepjani një personi çelësin e kutisë. Përshkruajini klasës atë që është brenda kutisë, dhe lejojini disa anëtarë të klasës të përpiqen ta hapin kutinë përpara se ta hapë personi që ka çelësin. Më pas klasa mund ta krahasojë mësimin me send me Zbulesën 5. Pyetje si këto mund të ndihmojnë: Si ngjan shpëtimi i fëmijëve të Atit Qiellor me kutinë e kyçur apo librin e vulosur? Përse ishte Jezu Krishti i Vetmi që mund t’i hapte vulat? (Shih citimin te “Burime Shtesë”.) Cilat bekime ishin të varura nga denjësia e Shpëtimtarit për t’i hapur vulat? (Shih Zbulesa 7:14–17.)

  • Si njerëzit ngadhënjyes, të përmendur te Zbulesa 5, sot edhe ne mund t’i ngremë zërat tanë për ta përlëvduar Shpëtimtarin si të Vetmin që është i denjë të na ofrojë shpëtim. Ndoshta anëtarët e klasës mund të këndojnë së bashku disa prej himneve të parapëlqyera të përlëvdimit për Shpëtimtarin. Për shembull, ju mund të këndoni “Perëndis’ Lart Lavdi” (Himne, nr. 34; ) dhe përcaktoni të vërteta që na i mëson ky himn rreth Jezu Krishtit. Cilat përvoja na kanë ndihmuar të marrim dëshmi të këtyre të vërtetave? Çfarë ngjashmërish shohim midis mesazheve të himneve tona të përlëvdimit dhe shpalljeve te Zbulesa 5:9–14? Si mund t’i përdorim më mirë himnet në shtëpi dhe kishë që ta adhurojmë e përlëvdojmë Zotin?

Zbulesa 7

Para Ardhjes së Dytë, Zoti do t’i mbledhë të drejtët dhe do t’i përgatitë që të banojnë me Të.

  • Zbulesa 7 përshkruan ngjarje të “vulë[s së] gjashtë”, një pjesë e së cilës paraqet kohën tonë. Ajo gjithashtu i jep përgjigje pyetjes në fund të kapitullit 6: “Erdhi dita e madhe e zemërimit së tij; dhe kush mund të qëndrojë?” (Vargu 17.) Ndoshta anëtarët e klasës mund të kërkojnë përgjigje për këtë pyetje te kapitulli 7. Këtu janë disa pyetje të tjera që mund t’i diskutoni: Përse Zoti e vonoi shkatërrimin e tokës për njëfarë kohe? Si ordinancat dhe besëlidhjet “[na] vulosin deri në ditën kur zemërimi i Perëndisë do të derdhet mbi të ligjtë pa masë”? (DeB 1:9.) Cila është puna jonë në përgatitjen e botës për Ardhjen e Dytë? Doktrina e Besëlidhje 1:4–23; 77:8–11 mund të japë ide shtesë.

Zbulesa 1–11

Vegimi i Gjonit na mëson se si Ati Qiellor i shpëton fëmijët e Tij.

  • Disa anëtarë të klasës mund ta kenë të vështirë që ta kuptojnë librin e Zbulesës. Mund të jetë e dobishme nëse ata i marrin parasysh shkrimet e Gjonit në kontekstin e planit të Atit Qiellor për t’i ekzaltuar fëmijët e Tij. Ndërkohë që anëtarët e klasës lexojnë në shtëpi Zbulesën 1–11, ata mund të kenë gjetur të vërteta që i ndihmuan ta kuptojnë planin e Atit Qiellor për fëmijët e Tij (shih përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Ftojini të tregojnë atë që gjetën. Ju gjithashtu mund ta gjeni të dobishme të rishikoni te “Burime Shtesë” pjesën e titulluar “Shkrime të shenjta rreth planit të shpëtimit”). Nxitini anëtarët e klasës të vazhdojnë të kërkojnë shkrime të shenjta që japin mësim të vërteta rreth planit të shpëtimit, teksa lexojnë pjesën e mbetur të Zbulesës dhe jepuni atyre mundësi gjatë mësimeve të ardhshme për të treguar atë që gjejnë.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Kërkojuni anëtarëve të klasës të mendojnë për traditën e tyre të parapëlqyer të Krishtlindjes. Ftojini ta shqyrtojnë përvijimin e javës së ardhshme për ide lidhur me mënyrën se si mund ta përqendrojnë festimin e tyre tek Jezu Krishti.

Pamja
ikona e burimeve

Burime Shtesë

Zbulesa 1–11

Shkrime të shenjta rreth planit të shpëtimit.

Shlyerja e Jezu Krishtit

Jeta para lindjes

Jeta në vdekshmëri

Jeta pas vdekshmërisë

Vetëm Jezu Krishti mund të shlyejë për ne.

Duke përshkruar ngjarjet në jetën para lindjes, Plaku Xhefri R. Holland dha mësim:

“Krishti doli vullnetar që ta nderonte lirinë morale të zgjedhjes për gjithë njerëzimin, madje kur Ai shleu për mëkatet e tyre. Në atë proces, Ai do t’ia kthente Atit gjithë lavdinë për një dashuri të tillë shëlbuese.

Kjo Shlyerje e pafundme e Krishtit ishte e mundur ngaqë: 1) Ai ishte i vetmi njeri pa mëkat që jetoi ndonjëherë në këtë tokë dhe si rrjedhojë nuk ishte i nënshtruar ndaj vdekjes shpirtërore që rrodhi prej mëkatit, 2) Ai ishte Biri i Vetëmlindur i Atit dhe si rrjedhojë zotëroi tiparet e perëndishmërisë që i dhanë Atij fuqi mbi vdekjen fizike dhe 3) Ai dukshëm ishte i vetmi në këshillin para lindjes mjaft i përulur dhe i gatshëm që të parashugurohej në atë shërbim” (“The Atonement of Jesus Christ”, Ensign ose Liahona, mars 2008, f. 35).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdorini shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme. “Zoti na ka urdhëruar që t’ia ‘mëso[jmë] njëri-tjetrit doktrinën e mbretërisë’ (DeB 88:77) dhe t’i përdorim shkrimet e shenjta për t’i dhënë ‘mës[im] parimet e ungjillit [të Tij]’ (DeB 42:12). Shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve dhe të apostujve të ditëve të mëvonshme janë burimi për të vërtetat që i japim mësim” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 21).