Rinia
E vërteta do t’ju bëjë të lirë


“E vërteta do t’ju bëjë të lirë”, Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve (2022)

“E vërteta do t’ju bëjë të lirë”, Për Forcën e Rinisë

Pamja
Pikturë e një të reje duke mbajtur një qiri dhe duke parë drejt qiellit.

E vërteta do t’ju bëjë të lirë

Gjoni 8:32

Ati ynë Qiellor është një Perëndi i së vërtetës. Ai është i gjithëditur. E gjithë e vërteta vjen prej Tij dhe të çon drejt Tij. Ju tregoni se e vlerësoni të vërtetën ndërsa përpiqeni të mësoni, të jetoni me integritet moral dhe ta mbroni me guxim atë që e dini se është e drejtë, edhe nëse duhet të qëndroni të vetëm.

Pamja
I ri duke buzëqeshur.

Të vërtetat e përjetshme

Ati Qiellor dëshiron që bijat dhe bijtë e Tij të jenë gjithmonë duke mësuar. Ju keni arsye materiale dhe shpirtërore për të kërkuar dhe për ta dashur të mësuarit. Arsimimi nuk ka të bëjë vetëm me fitimin e parave. Është pjesë e synimit tuaj të përjetshëm që të bëheni më shumë si Ati Qiellor.

Të jetuarit me integritet do të thotë se ju e doni të vërtetën me gjithë zemrën tuaj, më shumë sesa e doni rehatinë, famën ose volinë vetjake. Do të thotë se bëni atë që është e drejtë thjesht sepse është e drejtë.

Ju keni diçka të çmuar për të treguar. Ungjilli i Jezu Krishtit përmban përgjigjet për pyetjet e jetës. Është udha drejt paqes e lumturisë. Ju mund të mos dini çdo gjë, por dini mjaftueshëm për t’i ndihmuar të tjerët që të kuptojnë dhe vlerësojnë parimet e vërteta dhe të përjetshme.

Ftesat

Jini gjithnjë duke mësuar. Kërkoni mundësi për të zgjeruar mendjen dhe aftësitë tuaja. Këto mundësi mund të përfshijnë arsimin formal në shkollë ose trajnimin profesional, si dhe të mësuarit joformal nga burime që ju i mirëbesoni. Përfshijeni Zotin në përpjekjet tuaja dhe Ai do t’ju udhërrëfejë. Ndërsa mësoni për botën përreth jush, mësoni edhe për Shpëtimtarin, i cili e krijoi botën. Studiojini jetën dhe mësimet e Tij. Bëjeni seminarin, institutin dhe studimin vetjak të ungjillit pjesë të të mësuarit tuaj gjatë gjithë jetës.

Duajeni të vërtetën aq shumë sa nuk do të dëshironit kurrë të vidhni, të gënjeni, të kopjoni ose të mashtroni në ndonjë mënyrë – në shkollë, në punë, në internet, kudo. Jini i njëjti pasues besnik i Jezu Krishtit në publik dhe më vete.

Jini një dritë për të tjerët. Lërini fjalët tuaja dhe veprimet tuaja të pasqyrojnë besimin tuaj te Jezu Krishti. Përgatituni tani për mundësitë e ardhshme për të përhapur ungjillin e Tij të lavdishëm, si një misionar ose misionare dhe gjatë gjithë jetës suaj. Dhe jini gati t’i tregoni kujtdo që ju pyet për shpresën dhe lumturinë që ndieni.

Bekimet e premtuara

Arsimimi e rrit aftësinë tuaj për t’i shërbyer Zotit. Ju fuqizon që t’i bekoni të tjerët, veçanërisht familjen tuaj. Sa më shumë të mësoni, aq më shumë mund të ndihmoni për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë dhe për të ndikuar në botë për mirë.

Ndershmëria sjell paqe dhe respekt për veten. Kur fjalët dhe veprimet tuaja përputhen me të vërtetën, ju tregoni se mund të mirëbesoheni nga njerëzit e tjerë dhe nga Zoti.

Kur i mbroni mësimet e Jezu Krishtit, Ai qëndron me ju. Të tjerët mund të mos jenë dakord me ju, por guximi dhe çiltërsia juaj do të vihen re. Pavarësisht nëse të tjerët e ndjekin apo jo shembullin tuaj, dëshmia, vetëbesimi dhe besimi juaj te Krishti do të rriten.

Pamja
ikona pyetje dhe përgjigje

Pyetje dhe përgjigje

A është gabim të kesh pyetje rreth Kishës? Si mund të gjej përgjigje? Pasja e pyetjeve nuk është shenjë dobësie apo mungesë besimi. Në fakt, bërja e pyetjeve mund të ndihmojë për ta ndërtuar besimin. Rivendosja e ungjillit nisi kur Jozef Smithi 14-vjeçar bëri pyetje me besim. Kërkoni përgjigje në shkrimet e shenjta, në fjalët e profetëve të Perëndisë, nga udhëheqësit e prindërit tuaj besnikë dhe nga Vetë Perëndia. Nëse përgjigjet nuk vijnë menjëherë, mirëbesoni se do të mësoni rresht pas rreshti. Vazhdoni të jetoni sipas asaj që tashmë e dini, dhe vazhdoni ta kërkoni të vërtetën.

Pamja
Pikturë e Jozef Smithit duke u gjunjëzuar para Perëndisë, Atit, dhe Jezu Krishtit në Korijen e Shenjtë.

Si mund ta mbroj atë që është e drejtë, pa i fyer ata që kanë bindje të ndryshme? Fillojeni duke u siguruar që fjalët dhe veprimet tuaja të jenë të frymëzuara nga dashuria për Perëndinë dhe fëmijët e Tij. Përhapja e ungjillit nuk duhet të bëhet me një frymë grindjeje, por përkundrazi me qartësi, butësi dhe mirësi. Ju mund të jeni të dashur ndaj të tjerëve edhe nëse nuk jeni dakord me pikëpamjet e tyre.

Shihni te Mateu 5:14–16 (lëreni dritën tuaj të shndritë); Gjoni 14:6 (Jezusi është e vërteta); 1 Pjetër 3:15 (jini përherë gati për ta treguar shpresën tuaj te Krishti); Doktrina e Besëlidhje 88:77–80 (gjërat që Zoti dëshiron që ne të mësojmë); 93:36 (lavdia e Perëndisë është inteligjencë); 124:15 (integritet moral do të thotë të duash atë që është e drejtë); 130:18 (inteligjenca jonë do të ngrihet me ne kur të ringjallemi).

Pamja
ikonë e tempullit

Pyetjet për rekomandimin e tempullit

A përpiqeni fort të jeni i/e ndershëm/e në gjithçka bëni?