Biblioteka
Dëgjoni me Përulësi


“Dëgjoni me Përulësi”, Tema dhe Pyetje (2023)

Pamja
një djalë dhe një vajzë të ulur në një stol në park ndërkohë që vajza flet dhe djali dëgjon

Ndihma ndaj Njerëzve të Tjerë për Pyetjet e Tyre

Dëgjoni me Përulësi

Plaku Xhefri R. Holland kujtoi: “[Presidenti Rasëll M. Nelson] më tha njëherë se një nga rregullat e para të kërkimit mjekësor është: ‘Pyeteni pacientin se ku i dhemb. Pacienti’, – tha ai, – ‘do të jetë udhërrëfyesi juaj më i mirë drejt një diagnoze të saktë dhe mjekimi të mundshëm.’”1 Kur një mik ose pjesëtar i familjes kërkon ndihmë nga ju për pyetje të vështira ose shqetësime rreth Kishës, shpenzoni kohë që të dëgjoni. Ai apo ajo po ju kërkon ndihmë sepse ka mirëbesim tek ju. Shpërblejeni atë mirëbesim duke kërkuar së pari që t’i kuptoni nevojat e tij apo të saj.

Të dëgjuarit me përulësi është gjë e vështirë për t’u bërë. Kërkon përqendrim dhe durim. Por është një zotësi që mund ta mësojmë. Të dëgjuarit me vëmendje dhe të krijuarit e një lidhjeje të çiltër mund të jenë shërim për dikë që po flet për një dobësi ose pyetje. Provoni disa nga praktikat vijuese të dëgjimit për të mbajtur vesh dhe për t’i kuptuar më mirë njerëzit tuaj të dashur:

  • Fillimisht kërkoni që t’i kuptoni. Shpesh mendojmë se ne e dimë se si t’i zgjidhim shqetësimet e të tjerëve. Thjesht dëshirojmë t’u japim përgjigje pyetjeve të tyre dhe t’u themi që të mos shqetësohen më. Ky impuls përqendrohet shpesh tek ne në vend që të përqendrohet tek nevojat e tyre. Shpenzoni kohë që të dëgjoni historinë se si arritën atje ku janë sot. Sigurohuni që i kuptoni pyetjet e tyre. Tregoni respekt nëse mësoni se pikëpamjet e tyre janë në kundërshtim me pikëpamjet tuaja. Shmangeni kritikën ndaj tyre ose bërjen e akuzave. Kur me të shpejtë ofrojmë një përgjigje të thjeshtëzuar, ata mund të ndiejnë se po e nënvlerësojmë përvojën e tyre. Mënyra më e mirë për ta filluar, është duke kërkuar që ta kuptojmë pikëpamjen e tyre në vend që të përpiqemi ta ndryshojmë atë.

  • Pranojeni përvojën e tyre. Edhe pse mund të mos i kuptojmë ose mund të mos jemi dakord me shqetësimet e dikujt tjetër, ne mund ta pranojmë sinqeritetin e tyre dhe dhembjen që mund të ndiejnë ata. Në përpjekje për të treguar ndjeshmëri, ne nganjëherë bëjmë krahasime midis përvojave të tyre dhe përvojave tona vetjake. Është e rëndësishme të kujtojmë se përvoja e çdo njeriu është e ndryshme. Mund të jetë më mirë të themi diçka si: “Nuk mund ta përfytyroj se çfarë po ndien” ose “Më ndihmo që të të kuptoj”.

  • Shmangeni të qenit shpërfillës ose gjykues. Në kohën kur një mik ose një njeri i dashur ka vendosur të flasë me ju rreth pyetjeve të veta, ka shumë të ngjarë që të ketë shpenzuar kohë më vete duke kërkuar e menduar. Bëni kujdes që të mos e mbyllni bashkëbisedimin duke i mënjanuar pyetjet e tij ose të saj ose duke bërë gjykime. Kjo mund ta lëndojë atë dhe aftësinë tuaj për të ndihmuar. Pyetjet e tij ose të saj të sinqerta meritojnë përpjekjen tuaj të sinqertë për ta dëgjuar.

  • Mbajini nën kontroll emocionet tuaja. Është normale të ndiheni në ankth ose të shqetësuar kur një njeri i dashur ju afrohet me pyetje rreth besimit të vet. Përpiquni të mos i lejoni këto emocione që t’ju zënë udhën e një bashkëbisedimi frytdhënës. Nëse ndiheni të zemëruar, ndoshta është më mirë që të pyetni a mund të bëni një pushim dhe ta vazhdoni bashkëbisedimin pak më vonë. Shpëtimtari na këshilloi që t’i shmangim grindjen dhe zemërimin.2 Ne mund të mësojmë që të mos biem dakord pa qenë të pakëndshëm.3

  • Bëni pyetje që nuk marrin si përgjigje ‘po’ ose ‘jo’. Pyetjet që nuk marrin si përgjigje ‘po’ ose ‘jo’, i nxitin të tjerët që të shprehin mendimet, ndjenjat dhe përvojat e tyre. Ato nuk kanë me domosdo një përgjigje të drejtë ose të gabuar. Për shembull: “A mund të më tregosh më tepër?” “Si ndihesh për këtë?” “A mund të më ndihmosh që të të kuptoj?” “Çfarë mund të bëj për të të ndihmuar?” Bërja e pyetjeve të mira tregon se jeni të interesuar dhe do t’ju ndihmojë ta shmangni keqkuptimin.

  • Pranojini kufizimet tuaja. Ka shumë gjasë që miqtë dhe njerëzit e dashur që vijnë tek ju, do t’i kenë studiuar më gjerësisht pyetjet e tyre sesa i keni studiuar ju. Nuk ka problem nëse nuk u përgjigjeni menjëherë apo nëse kjo është hera e parë që keni mësuar për diçka. Mos kini frikë që të bëni pyetje të cilat e qartësojnë diçka që nuk e kuptuat. Ju mund të mos bini dakord me të gjitha konkluzionet e tyre, por përpiquni të bini dakord me atë që mundeni, pa i shtrembëruar ndjenjat tuaja. Gjithashtu mund të kërkoni kohë për ta studiuar temën vetë dhe më pas ta vazhdoni diskutimin kur të keni më shumë informacion.

Shkrime të shenjta kyç: Efesianëve 4:29; Mosia 18:21; 3 Nefi 11:29

Shënime

  1. Jeffrey R. Holland, “Witnesses unto Me”, Ensign, maj 2001, f. 15.

  2. Shihni tek 3 Nefi 11:29.

  3. Shihni te “Microtraining 1: How to Disagree without Becoming Disagreeable”, në Answering My Gospel Questions (2022), f. 36–37.