Seminari
2 Korintasve 2


2 Korintasve 2

“Ju Duhet më Tepër të Falni”

Pamja
E re duke ngushëlluar një të re tjetër

T’i falësh të tjerët mund të jetë shumë e vështirë. Pali u shkroi shenjtorëve korintas që ta falnin shkelësin në komunitetin e tyre. Pali i ftoi ata të falnin, si për të mirën e personit që do të merrte faljen, ashtu edhe për të mirën e tyre. Ndërsa studion, mundohu ta shtosh kuptueshmërinë tënde për rëndësinë e faljes dhe dëshirën tënde për t’i falur të tjerët.

Si do të reagoje?

Përfytyro se si ti dhe të tjerët përreth teje mund të reagoni në situatat vijuese:

  • Përhapet fjala se një anëtar/e i/e lagjes ose degës sate ka kryer një mëkat të rëndë, si për shembull shkelja e ligjit të dëlirësisë.

  • Dikush në lagjen apo degën tënde i ka kundërshtuar hapur drejtuesit e Kishës.

Përgjigju për pyetjet vijuese:

  • Edhe nëse njerëzit në këta skenarë po takoheshin me udhëheqës të Kishës dhe po përpiqeshin të pendoheshin, si mund të flisnin të tjerët për ta dhe t’i trajtonin ata?

  • Përse mund të jetë e vështirë që disa njerëz t’i trajtojnë ata me dashuri dhe falje?

Te 2 Korintasve 2, Pali shkroi për një situatë të ngjashme në Korint kur dikush pati kryer shkelje dhe ishte disiplinuar nga anëtarët e Kishës.

Përsiat se si i trajton ata që ke përreth teje, të cilët mund të kenë kryer shkelje. Merri parasysh pyetjet në vijim të parashtruara nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Portreti Zyrtar i Plakut Xhefri R. Holland. Fotografuar në janar 2018.

“A ka ndonjë njeri në jetën tuaj që mbase ka nevojë për falje? A ka ndonjë njeri në shtëpinë tuaj, ndonjë njeri në familjen tuaj, ndonjë njeri në lagjen tuaj, i cili ka bërë një gjë të padrejtë ose të pahijshme apo jo të krishterë? Të gjithë ne jemi fajtorë për shkelje të tilla, prandaj, me siguri duhet të jetë ndonjë i cili ka ende nevojë për faljen tuaj.”

(Jeffrey R. Holland, “I Stand All Amazed”, Ensign, gusht 1986, f. 72)

Ndërsa e studion këtë mësim, kërko ndihmën e Frymës së Shenjtë për të rritur kuptueshmërinë tënde për rëndësinë e faljes si ajo e Krishtit dhe mënyrës se si ti mund t’i falësh të tjerët.

Pali na mësoi për faljen

1. Kopjoje tabelën e mëposhtme në ditarin tënd të studimit dhe plotësoje atë:

Lexo te 2 Korintasve 2:5–11 dhe shih se cilat të vërteta mund të përcaktosh nën kategoritë vijuese:

Si duhet ta trajtojmë një person i cili na ka shkaktuar pikëllim?

Përse duhet t’i trajtojmë njerëzit në këtë mënyrë?

  • Çfarë mësove nga studimi i këtij fragmenti?

Dy parime që mund të kesh përcaktuar, janë se nëpërmjet Shpëtimtarit Jezu Krisht, ne mund t’i falim dhe t’u afrohemi të tjerëve me dashuri dhe nëse nuk i falim të tjerët, Satani do të ketë epërsi mbi ne.

  • Cilët janë disa shembuj të mënyrës se si mund ta falësh, ngushëllosh ose t’ia vërtetosh dashurinë tënde dikujt i cili ka kryer shkelje ose është treguar i pasjellshëm?

  • Nisur nga ajo që di rreth Shpëtimtarit Jezu Krisht, përse mund të dojë Ai që të falim dhe të tregojmë dashuri për njëri-tjetrin? Si mund të na ndihmojë Ai ta bëjmë këtë?

Plaku Masimo De Feo, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim:

Pamja
Portreti Zyrtar i Plakut Masimo De Feo. Fotografuar në mars 2017.

“Dishepujt e vërtetë dëshirojnë shumë të falin. Ata e dinë se Shlyerja e Shpëtimtarit i përfshin të gjitha mëkatet dhe gabimet e çdonjërit prej nesh. Ata e dinë se çmimi që Ai pagoi, është një ‘çmim gjithëpërfshirës’. Taksat, tarifat, komisionet dhe detyrimet shpirtërore që lidhen me mëkatet, gabimet apo keqbërjet, janë të gjitha të përfshira. Dishepujt e vërtetë janë të shpejtë për të falur dhe për të kërkuar falje.

Vëllezërit e motrat e mia të dashura, nëse po hasni vështirësi që të gjeni forcën për të falur, mos mendoni për atë që të tjerët kanë bërë ndaj jush, por mendoni për atë që Zoti ka bërë për ju, dhe do të gjeni paqe nga bekimet shëlbuese të Shlyerjes së Tij.”

  • Kur ke parë shembullin e dikujt i cili e fali një tjetër dhe më pas iu afrua me dashuri atij personi?

  • Në ç’mënyrë mospranimi për të falur i jep Satanit mundësi që të “na mposhtë”? ( 2 Korintasve 2:11.)

2. Plotësoje veprimtarinë vijuese në ditarin tënd të studimit:

Përfytyro sikur, ashtu si korintasit, njerëzit në lagjen tënde duhet ta shtojnë dashurinë dhe faljen e tyre ndaj atyre që kanë mëkatuar. Për këtë arsye, peshkopi yt të fton të shprehësh një mendim të shkurtër mbi faljen në fillim të orës mësimore ose të mbledhjes së kuorumit. Gjej disa minuta dhe krijo një përvijim të asaj që mund të thuash. Përfshi sa vijon:

  1. Të paktën një varg apo frazë nga 2 Korintasve 2:7–11.

  2. Një shkrim tjetër të shenjtë ose një pohim nga një udhëheqës i Kishës. (Ti mund të përdorësh pohimin nga Plaku Kevin R. Dankan më poshtë, një nga shkrimet e shenjta që përmend ai, ose një nga fragmentet e shkrimit të shenjtë që e pasojnë pohimin e tij.)

  3. Vetë mendimet dhe dëshminë tënde për dhënien e dashurisë dhe faljes për të tjerët dhe se si kjo mund të na ndihmojë t’i afrohemi më pranë Shpëtimtarit.

Mësime rreth faljes

Plaku Kevin R. Dankan, i Të Shtatëdhjetëve, tha:

Pamja
Portreti Zyrtar i Plakut Kevin R. Dankan. Fotografuar në mars 2017.

“Unë jam i bindur se shumica prej nesh duan të falin, por ne e shohim shumë të vështirë për ta bërë. Kur kemi përjetuar një padrejtësi, ne mund të jemi të shpejtë për të thënë: ‘Ai person bëri gabim. Ai meriton dënim. Ku është drejtësia?’ Ne gabimisht mendojmë se nëse falim, në një mënyrë nuk do t’i shërbehet drejtësisë dhe dënimet do të shmangen.

Por thjesht nuk është kështu. Perëndia do të jepte për këdo një dënim që është i drejtë, sepse mëshira nuk mund ta grabitë drejtësinë (shih [tek] Alma 42:25). Perëndia na siguron me dashuri ju dhe mua: ‘Ma lini vetëm mua gjykimin, sepse ai është i imi dhe unë do të shpaguaj. [Por] paqja qoftë me ju’ [Doktrina e Besëlidhje 82:23].”

(Kevin R. Dankan, “Vajosja Shëruese e Faljes”, Liahona, maj 2016, f. 33–34)

  • Çfarë mësove që mund t’i ndihmojë anëtarët e lagjes sate ta kuptojnë më mirë faljen dhe të japin falje?

  • Si mundet falja e të tjerëve t’i sjellë ata më pranë Jezu Krishtit?

Reflekto mbi mënyrën se si ti i trajton ata që kanë kryer shkelje. Kërko frymëzim nga Ati Qiellor për atë që mund të bësh që t’i “fal[ësh] … dhe … t’i[u] shfaq[ësh] dashuri” atyre (2 Korintasve 2:7–8). Merre parasysh t’i shkruash mbresat dhe mendimet e tua në ditarin tënd të studimit, duke përfshirë çdo veprim që ndihesh i frymëzuar të ndërmarrësh.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Si mund të të bekojë falja ty personalisht?

Presidenti Xhejms E. Faust (1920–2007), i Presidencës së Parë, dha mësim:

Pamja
Portreti i fundit zyrtar i Presidentit Xhejms E. Faust, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, i vitit 2001. Ndërroi jetë më 10 gusht 2007.

“Nëse mund të gjejmë falje në zemrën tonë për ata që na kanë shkaktuar vuajtje dhe lëndim, ne do të ngrihemi në një nivel më të lartë vetëbesimi dhe mirëqenieje”.

(Xhejms E. Faust, “Fuqia Shëruese e Faljes”, Liahona, maj 2007, f. 68; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007)

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Pamja
Portreti Zyrtar i Plakut Xhefri R. Holland. Fotografuar në janar 2018.

“Me autoritetin apostullor që më është dhënë nga Shpëtimtari i botës, unë dëshmoj për qetësinë e shpirtit që do të sjellë pajtimi me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin, nëse jemi të butë dhe të guximshëm aq sa ta kërkojmë atë”.

(Xhefri R. Holland, “Shërbesa e Pajtimit”, Liahona, nëntor 2018, f. 79)

Si mund të të ndihmojë Jezu Krishti që të falësh?

Plaku Kevin R. Dankan, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim:

Pamja
Portreti Zyrtar i Plakut Kevin R. Dankan. Fotografuar në mars 2017.

“Falja është vetë shkaku pse Perëndia dërgoi Birin e Tij, që të na lejojë t’i gëzohemi ofrimit të Tij për të na shëruar të gjithë ne. Shlyerja e Shpëtimtarit nuk është vetëm për ata që duhet të pendohen; ajo është edhe për ata që duhet të falin. Nëse keni vështirësi të falni një person tjetër ose veten tuaj madje, kërkojini Perëndisë t’ju ndihmojë. Falja është një parim i lavdishëm shërues. Ne nuk ka pse të jemi dy herë viktimë. Ne mund të falim.”

(Kevin R. Dankan, “Vajosja Shëruese e Faljes”, Liahona, maj 2016, f. 35)

Shiko materialin filmik “Principles of Peace: Forgiveness” [“Parimet e Paqes: Falja”], 1:49, në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org, që tregon një shembull se si, për shkak të Jezu Krishtit, një grua mundi ta falte babanë e saj.

Si mund ta kuptoj më mirë çfarë është falja?

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Pamja
Portreti Zyrtar i Plakut Xhefri R. Holland. Fotografuar në janar 2018.

“[Jezu Krishti] nuk tha: ‘Nuk ju lejohet të ndieni dhembje të vërtetë ose brengë të vërtetë nga përvojat shkatërruese që i keni pasur për shkak të një personi tjetër’. Dhe as nuk tha: ‘Me qëllim që të falni plotësisht, ju duhet të hyni sërish në një marrëdhënie helmuese ose të ktheheni në një rrethanë keqtrajtuese dhe shkatërruese’. Por pavarësisht nga fyerjet më të tmerrshme që mund të na vijnë, ne mund të ngrihemi mbi dhembjen tonë vetëm kur i vendosim këmbët tona në shtegun e shërimit të vërtetë.”

(Xhefri R. Holland, “Shërbesa e Pajtimit”, Liahona, nëntor 2018, f. 79)