Seminari
Veprat e Apostujve 12:1–19


Veprat e Apostujve 12:1–19

Pamja
Një engjëll duke e ndihmuar Pjetrin gjatë lirimit të tij nga burgu. Rojat e burgut janë pa ndjenja përtokë.

Apostujt u përballën me kundërshtim teksa u përpoqën të çonin përpara punën e Shpëtimtarit. Jakobi u martirizua me urdhër të Herodit, ndërsa Pjetri u burgos, por më pas u lirua nga një engjëll në përgjigje të lutjeve të anëtarëve të Kishës. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të zhvillosh mirëbesim më të madh tek Ati Qiellor dhe te përgjigjet e Tij ndaj lutjes.

Rezultatet e ndryshme

Mendo për mënyra të ndryshme se si njerëzit mund të përgjigjen në situatat vijuese:

Një i ri lutet me zell për shumë vjet që babai i tij të shërohet nga kanceri, por babai i tij nuk shërohet.

Një e re lutet me zjarr që nëna e saj të shërohet nga kanceri dhe pas shumë vitesh vështirësish, nëna e saj shërohet në mënyrë të mrekullueshme.

  • Kur ke pasur ti ose të tjerët lutje që nuk morën përgjigje në mënyrën që shpresohej?

  • Si u përgjigje?

  • Si ndikoi shkalla jote e mirëbesimit tek Ati Qiellor në përgjigjen tënde?

Në ditarin tënd të studimit përcaktoji mrekullitë ose bekimet që po kërkon. Mendo se si vendosja e mirëbesimit më të madh në Perëndi mund të ndikojë në jetën tënde për më mirë. Teksa studion, kërko të vërteta dhe shembuj që mund të të ndihmojnë të zhvillosh mirëbesim më të madh tek Ati Qiellor dhe në përgjigjet e Tij ndaj lutjeve.

Përndjekja e anëtarëve të Kishës

Ndërsa ungjilli vazhdoi të përhapej, anëtarët dhe udhëheqësit e Kishës u përndoqën nga udhëheqësit romakë dhe judenj. Disa udhëheqës të Kishës, si Pjetri dhe Gjoni, u çliruan në mënyrë të mrekullueshme nga Perëndia (shih te Veprat e Apostujve 5:17–21), ndërkohë që të tjerët, si Stefani, nuk u çliruan (shih te Veprat e Apostujve 7:54–60).

Përfytyroje veten si një anëtar të Kishës gjatë këtyre ngjarjeve ndërsa lexon vargjet te Veprat e Apostujve 12:1–4. Fjala përndjek do të thotë të shtypësh ose të lëndosh. Vargu 4 do të thotë se Herodi vendosi 16 ushtarë që ta ruanin Pjetrin ndërkohë që planifikonte ta ekzekutonte atë publikisht më vonë.

  • Çfarë ndjenjash dhe pyetjesh mund të kishe pasur nëse do të kishe qenë anëtar i Kishës në atë kohë?

Lexo te Veprat e Apostujve 12:5 dhe kërko mënyrën se si u përgjigjën anëtarët e Kishës.

  • Përse mund të ketë qenë sfiduese të ushtrosh besimin duke u lutur për Pjetrin?

  • Si mendon, çfarë kuptuan anëtarët e Kishës rreth Atit Qiellor që u dha shtysë atyre ta bënin këtë gjë?

Lexo te Veprat e Apostujve 12:6–11 dhe kërko mënyrën se si morën përgjigje lutjet e anëtarëve të Kishës.

1. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Çfarë ndjenjash ose mendimesh mund të kishe përjetuar nëse do të kishe dëshmuar këtë përgjigje për lutjen?

  • Si mund të ndikojë një ngjarje si kjo në mirëbesimin tënd tek Ati Qiellor?

  • Çfarë të vërtetash rreth lutjes mund të mësojmë nga ky rrëfim?

Lutja e sinqertë dhe e zjarrtë

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga ky rrëfim, është që lutjet tona të sinqerta dhe të zjarrta ftojnë mrekullitë dhe bekimet e Perëndisë në jetën tonë dhe në jetën e të tjerëve.

Mrekullitë që rezultojnë nga lutja besnike, janë shpesh të vogla e të thjeshta dhe jo të mëdha e dramatike.

Nëse dëshiron, mund të shohësh “Prandaj Rrini Zgjuar dhe Lutuni Kurdoherë” nga kodi kohor 12:17 deri në 13:07, që mund të gjendet në ChurchofJesusChrist.org, ose të lexosh thënien vijuese për të parë një mrekulli nga lutja në jetën e Presidentit M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

Pamja
Portreti zyrtar i Presidentit M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i vitit 2004.

“E njoh fuqinë e lutjes nga vetë përvoja ime. Kohët e fundit isha vetëm në zyrën time. Sapo kisha bërë një procedurë mjekësore për dorën. Ajo ishte e mavijosur, e ënjtur dhe më dhembte. Kur u ula në tryezën time, nuk mund të përqendrohesha në çështje të rëndësishme dhe vendimtare sepse isha i shpërqendruar nga kjo dhembje.

U gjunjëzova në lutje dhe i kërkova Zotit të më ndihmonte të përqendrohesha që të mund të përmbushja punën time. U ngrita në këmbë dhe iu ktheva pirgut të letrave mbi tryezën time. Pothuajse menjëherë, qartësia dhe përqendrimi erdhën në mendjen time dhe isha në gjendje t’i mbyllja çështjet e ngutshme përpara meje.”

(M. Rasëll Ballard, “Prandaj Rrini Zgjuar dhe Lutuni Kurdoherë”, Liahona, nëntor 2020, f. 79)

2. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Çfarë përvojash ke pasur ti ose të tjerët ku Perëndia iu është përgjigjur lutjeve?

  • Çfarë të mësuan këto përvoja rreth dëshirave dhe ndjenjave të Atit Qiellor për ty dhe të tjerët?

  • Si kanë ndikuar këto përvoja në dëshirën dhe aftësinë tënde për të pasur mirëbesim tek Ati Qiellor?

Mirëbesimi te Perëndia

Lexo te Veprat e Apostujve 12:12–17 për të parë se si përmbyllet ky rrëfim. Ki parasysh që Jakobi i përmendur te vargu 17 nuk është i njëjti Jakob i përmendur te vargu 2.

Ndonjëherë lutjet nuk marrin përgjigje në mënyrën që ne shpresojmë. Martirizimi i Jakobit mund të jetë një shembull për këtë. Me siguri shenjtorët në këtë kohë ishin lutur edhe për Jakobin, por ai u vra gjithsesi nga Herodi (shih te Veprat e Apostujve 12:2).

Reflekto për situatat në fillim të mësimit dhe rastet në jetën tënde kur Perëndia nuk iu përgjigj lutjeve të tua në mënyrën që shpresove.

  • Çfarë di ti rreth Atit Qiellor që mund të të ndihmojë të kesh mirëbesim tek Ai në këto situata?

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha mësim diçka që mund të jetë e dobishme kur lutjet tona mund të mos marrin përgjigje në mënyrën që shpresojmë. Nëse dëshiron, mund të shohësh materialin filmik “Healing the Sick” [“Shërimi i të Sëmurëve”] nga kodi kohor 15:19 deri në 16:55 ose lexo thënien më poshtë.

Pamja
Portreti Zyrtar i Presidentit Dallin H. Ouks, i bërë në mars 2018.

“Si fëmijë të Perëndisë, që njohim dashurinë e Tij të madhe dhe diturinë maksimale se çfarë është më e mira për mirëqenien tonë të përjetshme, ne i mirëbesojmë Atij. Parimi i parë i ungjillit është besimi te Zoti Jezu Krisht dhe besim do të thotë mirëbesim. E ndjeva atë mirëbesim në bisedën që një kushëriri im dha në varrimin e një vajze adoleshente e cila kishte vdekur nga një sëmundje e rëndë. Ai tha këto fjalë, të cilat në fillim më tronditën e më pas më ngritën në shpirt: ʻUnë e di se ishte vullneti i Zotit që ajo të vdiste. Asaj iu dha një trajtim i mirë mjekësor. Iu dhanë bekime të priftërisë. Emri i saj qe në listën e lutjeve në tempull. Ajo u bë tema e qindra lutjeve për rikthimin e shëndetit të saj. Dhe unë e di se ka mjaft besim në këtë familje saqë ajo do të ishte shëruar, po të mos ishte vullneti i Zotit që ta merrte në shtëpi në këtë kohë.ʼ Po atë mirëbesim e ndjeva në fjalët e babait të një tjetre vajze të zgjedhur, jeta e së cilës u mor nga kanceri në moshën e saj të adoleshencës. Ai shprehu: ʻBesimi i familjes sonë është tek Jezu Krishti dhe nuk varet nga rezultatetʼ. Ato mësime mua më tingëllojnë të vërteta. Bëjmë gjithçka që mundim për shërimin e një njeriu të dashur dhe pastaj ia besojmë rezultatin Zotit.”

(Dallin H. Ouks, “Shërimi i të Sëmurëve”, Liahona, maj 2010, f. 50)

  • Çfarë të mësoi Presidenti Ouks që ti e ndien se do të ishte e rëndësishme të mbahet mend? Përse?

3. Bëj sa vijon.

Nisur nga ajo që mësove sot, shkruaj një shënim në ditar ku trajtohet një ose disa nga nxitjet në vijim:

  1. Ajo çfarë mësove rreth Atit Qiellor që e rrit mirëbesimin tënd tek Ai

  2. Ajo çfarë mësove rreth lutjes që dëshiron ta mbash mend

  3. Përshtypjet që more nga Fryma e Shenjtë mbi mënyrën e përmirësimit të lutjeve të tua dhe mbi mënyrën se si mund të kërkosh të mirëbesosh më shumë tek Ati Qiellor

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë? 

Çfarë duhet të kuptojmë kur përgjigjet për lutjen duket se nuk po vijnë?

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

Pamja
Portreti i fundit zyrtar i Plakut Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i vitit 2004. Ndërroi jetë më 22 shtator 2015.

“Kur përgjigjet për lutjen urgjente duket se nuk po vijnë, mund të ndodhë ngaqë ne nuk i kuptojmë disa të vërteta rreth lutjes, ose ngaqë nuk i dallojmë përgjigjet kur ato vijnë. …

… Ai e dëgjon çdo lutje dhe përgjigjet në mënyrën e Tij.”

(Richard G. Scott, “Learning to Recognize Answers to Prayer”, Ensign, nëntor 1989, f. 30–31)

Si mund t’i bekojnë lutjet e mia udhëheqësit e Kishës sot?

Në shkrimin e shenjtë ne mësojmë që Presidenca e Parë mbështetet nga “mirëbesimi, besimi dhe lutja e kishës” (shih te Doktrina e Besëlidhje 107:22). Ndërkohë që shërbente si President i Kishës, Tomas S. Monsoni (1927–2018) tregoi: “Siç e kam përmendur në konferencat e mëparshme, ju falënderoj për lutjet tuaja në emrin tim. Unë kam nevojë për to; unë i ndiej ato” (“Perëndia me Ju Qoftë kur Prapë të Takohemi”, Liahona, nëntor 2012, f. 111).