Seminari
Mateu 14:13–21; Gjoni 6:5–14


Mateu 14:13–21; Gjoni 6:5–14

Jezusi Ushqen 5 000 Njerëz

Pamja
Jesús bendice los panes y los peces para dar de comer a las personas que se congregaron para oír Sus enseñanzas.

Pasi Jezu Krishti mësoi se Gjon Pagëzorit i kishin prerë kokën, Ai udhëtoi me Apostujt e Tij drejt një vendi të vetmuar. Një turmë i ndoqi pas. Ndonëse po vuante, Shpëtimtari pati dhembshuri për turmën dhe i mësoi dhe i ushqeu njerëzit – 5 000 burra plus gra dhe fëmijë. Ky mësim mund të të ndihmojë të jesh më i dhembshur dhe më vetmohues si Jezu Krishti. Mund të të ndihmojë gjithashtu të fitosh siguri më të madhe që ofertat e tua të përulura do të jenë të mjaftueshme për shkak të Jezu Krishtit.

Çfarë këshille do të jepje?

Lexoji dy situatat vijuese dhe zgjidh se te cila dëshiron të përqendrohesh ndërkohë që studion këtë mësim. Mendo se çfarë mund të thuash për të ndihmuar Gentin ose Mirën.

  1. Shoku yt, Genti, ishte shumë i lidhur me kushëririn e tij ,i cili ndërroi jetë kohët e fundit në mënyrë të papritur. Sa herë që ti je përpjekur t’i bësh vizitë, Genti të ka thënë se dëshiron që të qëndrojë vetëm. Pasi ke bërë shumë përpjekje, ai më në fund të lejon të hysh brenda. Ndërsa fillon të flasë hapur, ai thotë: “Kjo ka qenë shumë e rëndë për mua. Si mund ta kaloj?”

  2. Shoqen tënde, Mirën, sapo e kanë thirrur të bëhet presidente e klasës së Të Rejave. Ajo është tashmë shumë e zënë dhe ndien që të reja të tjera në klasën e saj janë më të shoqërueshme dhe mund të bëjnë një punë më të mirë. Mira t’i tregon ty shqetësimet e saj dhe thotë: “Nuk jam e bindur se mund ta bëj këtë”.

Gjatë gjithë këtij mësimi, kërko të vërteta që mund ta ndihmojnë dikë që ndihet si Genti ose Mira. Më e rëndësishmja, mbaj një lutje në zemër që Ati Qiellor të të zbulojë se si këto të vërteta mund të të ndihmojmë ty dhe njerëzit që do.Rrëfimi për Jezusin që ushqen 5 000 njerëz përmban parime që mund të na ndihmojnë në këto lloj situatash. Studio pjesën që i përket situatës që zgjodhe. Pasi ta kesh studiuar, do të mund të tregosh atë që ke mësuar.

Situata 1: Genti – Çfarë mund të më ndihmojë për t’i kaluar kohët e vështira? ( Mateu 14:13–23)

Te Mateu 14:1–12 , ne mësojmë se Gjon Pagëzorit iu pre koka nga Herodi. Përfytyroji emocionet që Jezusi mund të ketë ndier kur dëgjoi që miku dhe kushëriri i Tij ishte vrarë.

Studio atë që bëri Shpëtimtari te Mateu 14:13–23 , duke kërkuar dhe shenjuar prova të këtij parimi: ne mund të ndjekim shembullin e Jezu Krishtit duke treguar dhembshuri dhe duke u shërbyer të tjerëve edhe kur jemi duke përjetuar vështirësitë tona. Vër re që “vend[i i] shkretë” ( vargu 13) është një vend i vetmuar kurse te ( vargu 15) përmenden “ushqimet”.

  • Çfarë gjete në këto vargje që e mbështetin këtë parim?

  • Çfarë bëri Jezusi edhe pasi mësoi se Gjon Pagëzori ishte vrarë?

  • Si mund ta ndihmojë shembulli i shërbimit vetëmohues të Zotit dikë që është në vështirësi?

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se si mund të zhvillojmë karakter si të Krishtit:

Pamja
Elder David A. Bednar, Quorum of the Twelve Apostles official portrait. 2020.

“Karakteri zbulohet, për shembull, në fuqinë për të dalluar vuajtjen e njerëzve të tjerë kur ne vetë po vuajmë; në aftësinë për të dalluar urinë e të tjerëve kur ne jemi të uritur; dhe në fuqinë për të ndihmuar dhe dhënë dhembshuri për agoninë shpirtërore të të tjerëve kur ne jemi në mes të vetë ankthit tonë shpirtëror. Kështu, karakteri shfaqet duke kërkuar, duke u kthyer dhe duke u drejtuar jashtë vetes, kur përgjigjja instiktive e njeriut të natyrshëm te secili prej nesh është të drejtohemi brenda vetes sonë dhe të jemi egoistë dhe të përqendruar te vetja. …

… Me të vërtetë, është e mundshme për ne si njerëz të vdekshëm, që të përpiqemi me drejtësi për të marrë dhuratat shpirtërore të cilat lidhen me aftësinë për t’u drejtuar jashtë vetes dhe për t’iu përgjigjur siç duhet njerëzve të tjerë që po përjetojnë po të njëjtën sfidë apo fatkeqësi që po rëndon mbi ne, në mënyrën më të menjëhershme dhe më detyruese.

Ne nuk mund ta fitojmë një aftësi të tillë nëpërmjet vullnetit tërësor apo vendosmërisë vetjake. Përkundrazi, na nevojiten dhe jemi të varur tek ‘merita[t] dhe mëshir[a] dhe hiri [i] Mesias së Shenjtë’ ( 2 Nefi 2:8).”

(David A. Bednar, cituar te Sara Jane Weaver, “Elder Bednar Addresses ‘the Character of Christ’ during 2019 Mission Leadership Seminar”, Church News, 9 korrik 2019; “Një Karakter si i Krishtit”, Liahona, tetor 2017, f. 50, 52–53.)

Ndërsa përgatitesh të tregosh atë që ke mësuar, përsiat për përvojat që ke pasur duke u shërbyer të tjerëve.

  • Si mendon, pse shërbimi si i Krishtit mund të na ndihmojë gjatë sfidave tona?

Situata 2: Mira – A do të jenë përpjekjet e mia të mjaftueshme për të bërë atë që Zoti ka kërkuar prej meje? ( Gjoni 6:5–14)

Kur Jezusi dhe dishepujt e Tij panë një turmë që po afrohej, dishepujt u frikësuan se nuk kishin ushqim të mjaftueshëm për t’i ushqyer të gjithë.

Studio rrëfimin për Jezusin që ushqen 5 000 njerëz te Gjoni 6:5–14 , duke kërkuar dhe shënuar prova të këtij parimi: kur i ofrojmë Shpëtimtarit gjithçka që kemi, Ai mund t’i shumëfishojë përpjekjet tona për të përmbushur qëllimet e Tij.

  • Çfarë gjete në këto vargje që e mbështetin këtë parim?

  • Si mendon se u ndien dishepujt ose djali i vogël për atë që kishin për të ofruar krahasuar me atë që nevojitej?

Lexoje pohimin në vijim nga Motra Mishel D. Krejg, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave:

Pamja
Sister Michelle D. Craig, first counselor, Young Women general presidency. Official Portrait as of October 2018.

“A e keni ndier ndonjëherë se talentet dhe dhuntitë tuaja ishin tepër të vogla për detyrën që ju pret? Unë po. Por unë dhe ju mund t’ia japim atë që kemi Krishtit dhe Ai do ta shumëfishojë [efektshmërinë e] përpjekjeve tona. Ajo që keni për të dhënë, është më tepër sesa mjaftueshëm – madje edhe me dobësitë dhe të metat tuaja njerëzore – nëse mbështeteni te hiri i Perëndisë.”

(Mishel D. Krejg, “Pakënaqësia e Shenjtë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 54.)

  • Cilat janë mënyrat e ndryshme se si ne mund t’i “japim atë që kemi Krishtit”?

  • Çfarë mësove nga ky rrëfim për Jezusin që ushqen 5 000 njerëz, që mund të ndihmojë dikë që shqetësohet se ajo që mund të japë nuk do të jetë e mjaftueshme?

Ndërsa përgatitesh për të treguar atë që mësove, mendo për shembuj nga jeta jote ose jeta e të tjerëve kur e ke parë Shpëtimtarin t’i shumëfishojë përpjekjet e dikujt për të përmbushur punën e Tij.Mendo se si mund ta përdorësh shembullin e Jezusit që ushqen 5 000 njerëz për të ndihmuar shokun tënd me sfidën në situatën që zgjodhe.

1. Në ditarin tënd të studimit, shkruaji shokut tënd (Gentit) ose shoqes sate (Mirës) një letër që përfshin pjesët vijuese:

  • Tregoji atë që dëshiron që ata të dinë dhe ndiejnë për Jezu Krishtin.

  • Shpjego atë që mund të bëjnë për të ndjekur shembullin e Zotit dhe për të përdorur fuqinë e Tij.

  • Përfshi të paktën një frazë nga shkrimet e shenjta ose citim që ke studiuar.

  • Jep një dëshmi ose përvojë personale për të mbështetur atë që po jep mësim.

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Sa njerëz ushqeu Jezusi?

Teksti në greqisht i librit Marku 6:44 sqaron se fraza “pesë mijë burra” do të thoshte pesë mijë meshkuj. Mateu 14:21 e bën të qartë këtë duke shtuar “pa i numëruar gratë dhe fëmijët”.

(New Testament Student Manual [2014], f. 115)

Në një rast të veçantë, Jezusi ushqeu një turmë prej 4 000 burrash plus gra dhe fëmijë. (Shih Mateu 15:32–38 ; Marku 8:1–9 .)

Si forcohem unë duke ndihmuar të tjerët?

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, tha:

Pamja
Official Portrait of President Henry B. Eyring taken March 2018.

“Ne duhet të vëmë re mundimin e të tjerëve dhe të përpiqemi që t’i ndihmojmë. Ajo do të jetë veçanërisht e vështirë kur ne po vihemi rëndë në provë vetë. Por do të zbulojmë se kur ngremë barrën e dikujt tjetër, qoftë edhe pak, shpinat tona forcohen dhe ne ndiejmë dritë në errësirë.”

(Henri B. Ajring, “Të Vënë në Provë, Të Provuar dhe Të Lëmuar”, Ensign ose Liahona, nëntor 2020, f. 98.)

A mundet Jezusi t’i shumëfishojë vërtet përpjekjet e mia?

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Pamja
Official Portrait of Elder Jeffrey R. Holland. Photographed January 2018.

“Mos u shqetësoni se Krishti nuk ka mjaftueshëm aftësi për t’ju ndihmuar. Hiri i Tij është i mjaftueshëm. Ky është mësimi shpirtëror, i përjetshëm i të ushqyerit të 5 000 njerëzve.”

(Jeffrey R. Holland, Trusting Jesus [2003], f. 73)