Seminari
Mateu 28; Lluka 24; Gjoni 20


Mateu 28; Lluka 24; Gjoni 20

Dëshmitarë të Shpëtimtarit të Ringjallur

Pamja
Maria Magdalena duke hasur Krishtin e ringjallur.

Jezu Krishti iu shfaq shumë individëve dhe grupeve pas Ringjalljes së Tij. Ky mësim mund të të ndihmojë për ta forcuar dëshminë tënde se Shpëtimtari jeton, ndërsa studion përvojat e disa prej këtyre dëshmitarëve.

Të besosh pa parë

Shiko figurën vijuese të Shpëtimtarit të ringjallur që del nga varri. Mbaj shënim në ditarin tënd të studimit atë që mund t’i tregosh dikujt i cili dyshon se kjo ngjarje shumë e rëndësishme ka ndodhur. Çfarë ndodhish nga shkrimet e shenjta për Ringjalljen e Shpëtimtarit mund t’i tregosh atij?

Pamja
Jezu Krishti i ringjallur duke dalë nga Varri i Kopshtit. Krishti portretizohet duke dalë nga varri. Ai përshkruhet i veshur me rroba të bardha. Lulet po çelin pranë hyrjes së varrit.
  • Si mendon, përse është e rëndësishme për Zotin që secili prej nesh të fitojë dëshminë e vet se Ai jeton?

Reflekto mbi dëshminë tënde që Jezu Krishti jeton dhe mbi mënyrën se si ti do të bekoheshe duke e forcuar këtë dëshmi. Studimi i fjalëve të atyre që e dinë se Shpëtimtari jeton, mund ta forcojë besimin tonë për realitetin e Tij të gjallë edhe nëse të tjerët rreth nesh dyshojnë. Ndërsa studion sot, ji i vëmendshëm ndaj nxitjeve nga Fryma e Shenjtë që pohojnë të vërtetën për këto ndodhi në zemrën dhe në mendjen tënde.

Dëshmitarë të Dhiatës së Re

1. Plotësoje sa vijon në ditarin tënd të studimit:

Studio të paktën një nga ndodhitë vijuese të Dhiatës së Re të njerëzve që e panë Shpëtimtarin e ringjallur.

  1. Gra besnike: Mateu 28:1–10

  2. Dy dishepujt rrugës për në Emaus: Lluka 24:13–35

  3. Maria Magdalena: Gjoni 20:11–18

  4. Thomai: Gjoni 20:24–29

Mbaji shënim përgjigjet e tua për dy pyetjet që vijojnë, dhe ndonjë mendim e përshtypje tjetër që mund të kesh.

  • Çfarë mësove që mund ta forcojë besimin tënd se Jezu Krishti jeton?

  • Çfarë mësove rreth Shpëtimtarit dhe ndërveprimit të Tij me këtë person ose këta njerëz?

Dëshmitarë të tjerë në shkrimet e shenjta

2. Plotësoje sa vijon në ditarin tënd të studimit:

Dëshmia jote për Shpëtimtarin mund të forcohet më tej duke studiuar dëshmi të tjera në shkrime të shenjta të tjera. Studio të paktën një nga fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta.

  1. Njerëzit në kontinentin e lashtë amerikan pak pas Ringjalljes së Shpëtimtarit: 3 Nefi 11:8–17

  2. Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni: Doktrina e Besëlidhje 76:19–24

Mbaji shënim përgjigjet e tua për dy pyetjet që vijojnë, dhe ndonjë mendim e përshtypje tjetër që mund të kesh.

  • Si mundet ajo çfarë ti lexon ta forcojë besimin tënd që Jezu Krishti jeton?

  • Çfarë pikëpamjesh të tjera fitove rreth Jezu Krishtit?

Dëshmitarët e kohëve të sotme

Një tjetër mënyrë jetike për ta forcuar dëshminë tënde se Jezu Krishti jeton, është nëpërmjet studimit të dëshmive të “dëshmitarë[ve të] veçantë [të kohëve të sotme] të emrit të Krishtit në gjithë botën” (Doktrina e Besëlidhje 107:23), Apostujve të shuguruar në ditët tona.

Nëse dëshiron, mund të shohësh materialin filmik “Come unto Me” [“Ejani tek Unë”] (nga kodi kohor 16:18 deri në 16:47) dhe materialin filmik “The Only True God and Jesus Christ Whom He Hath Sent” [“I Vetmi Perëndi i Vërtetë dhe Jezu Krishti të Cilin Ai Ka Dërguar”] (2:26), të dy në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Ose të lexosh thëniet nga Presidenti Ajring dhe Plaku Holland, dy dëshmitarë të kohëve të sotme të Jezu Krishtit.

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dëshmoi:

Pamja
Portreti Zyrtar i Presidentit Henri B. Ajring, bërë në mars 2018.

“Unë jam dëshmitar i Ringjalljes së Zotit, me po aq siguri sikur të kisha qenë atje në mbrëmjen me dy dishepujt në shtëpinë në rrugën për në Emaus. E di se Ai jeton me po aq siguri sa e dinte edhe Jozef Smithi kur pa Atin dhe Birin në dritën e një mëngjesi të shkëlqyeshëm në korijen e drurëve në Palmira.

Kjo është Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit.”

(Henri B. Ajring, “Ejani tek Unë”, Liahona, maj 2013, f. 25)

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi:

Pamja
Portreti Zyrtar i Plakut Xhefri R. Holland. Fotografuar në janar 2018.

“Unë dëshmoj se Jezu Krishti është Biri i vërtetë, i gjallë i Perëndisë tonë të vërtetë, të gjallë. … Unë dëshmoj se Ai u ringjall me të vërtetë nga varri dhe pas ngritjes tek Ati i Tij për të plotësuar procesin e asaj Ringjalljeje, Ai u shfaq, në mënyrë të përsëritur, tek qindra dishepuj në Botën e Lashtë dhe atë të Re. Unë e di se Ai është i Shenjti i Izraelit, Mesia që do të vijë një ditë përsëri në lavdinë finale, të mbretërojë në tokë si Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve.”

(Xhefri R. Holland, “I Vetmi Perëndi i Vërtetë dhe Jezu Krishti të Cilin Ai Ka Dërguar”, Liahona, nëntor 2007, f. 42)

  • Si mendon, përse Shpëtimtari na ka dhënë dëshmitarët e kohëve të sotme përveç dëshmitarëve të Tij të lashtë?

Dëshmia jote

Lexo te Gjoni 20:29 duke kërkuar të vërtetat që Jezu Krishti i mësoi Thomait rreth marrjes së një dëshmie.

  • Çfarë të mëson ky varg rreth zhvillimit të dëshmisë tënde për Jezu Krishtin?

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga mësimet e Shpëtimtarit në këtë varg, është që ne jemi të bekuar që zgjodhëm të besojmë se Jezu Krishti jeton edhe kur ne nuk e kemi parë Atë.

Shto dëshminë tënde personale për Shpëtimtarin tek ato që studiove sot. Si një mënyrë për ta bërë këtë, merre parasysh t’i mbash shënim përgjigjet për pyetje si ato në vijim në ditarin tënd të studimit.

  • Çfarë provash ke parë në jetën tënde dhe në jetën e të tjerëve që Jezu Krishti jeton?

  • Kur e ke ndier Frymën e Shenjtë të të japë dëshmi për realitetin e Jezu Krishtit?

  • Çfarë këshille do t’i jepje dikujt që nuk është ende i sigurt nëse beson se Shpëtimtari jeton?

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Përse trupi i ringjallur i Jezusit kishte plagë nga Kryqëzimi?

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shkroi:

Pamja
Portreti Zyrtar i Plakut Xhefri R. Holland. Fotografuar në janar 2018.

“Edhe pse fuqia e Ringjalljes mund t’i kishte – dhe pa dyshim një ditë do t’i ketë – ripërtërirë plotësisht dhe t’i kishte shëruar plagët e kryqëzimit, sidoqoftë, Krishti zgjodhi t’i mbante ato plagë për një qëllim, duke përfshirë për shfaqjen e Tij në ditët e fundit kur Ai do t’i tregojë ato shenja dhe do të zbulojë se Ai u plagos ‘në shtëpinë e miqve të [tij]’ [Zakaria 13:6; Doktrina e Besëlidhje 45:52].

Plagët në duart, këmbët dhe ijën e Tij janë shenja që gjëra të dhimbshme u ndodhin në vdekshmëri edhe të dëlirëve dhe të përsosurve, shenja që mundimi nuk është provë që Perëndia nuk na do. Është një fakt domethënës dhe shpresëdhënës që është Krishti i plagosur Ai që vjen për të na shpëtuar.”

(Jeffrey R. Holland, Christ and the New Covenant [1997], f. 258–259)

Gjoni 20:17. Çfarë nënkuptoi Shpëtimtari kur i kërkoi Maria Magdalenës të “mos [e] prek[te] [Atë]”?

Plaku Brus R. Mek‑Konki (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

Pamja
Portret i bustit të Plakut Brus R. Mek‑Konki.

“Varianti i Mbretit Xhejms citon Jezusin të thoshte: ‘Mos më prek’. Te Përkthimi prej Joseph Smith‑it thuhet: ‘Mos më mbaj’. Përkthime të ndryshme nga greqishtja e përkthejnë fragmentin si: ‘Mos u kap pas meje’ ose ‘Mos më mbaj’. Disa japin kuptimin si: ‘Mos u kap më pas meje’ ose ‘Mos më mbaj më gjatë’. Disa flasin për të mos e mbajtur më atë ose për të mos u kapur pas tij, duke lënë të kuptohet se Maria ishte tashmë duke e mbajtur atë. Ka arsye të vlefshme për të hamendësuar se mendimi i përçuar Marisë nga Zoti i Ringjallur ishte për këtë rezultat: ‘Ti nuk mund të më mbash këtu sepse Unë do të ngjitem tek Ati im’.”

(Bruce R. McConkie, The Mortal Messiah: From Bethlehem to Calvary [1981], 4:264)

Çfarë materialesh filmike janë në dispozicion për të më ndihmuar të përfytyroj tregimet për shfaqjet e Shpëtimtarit të ringjallur?

Nëse dëshiron, mund të shohësh materialet filmike vijuese (në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org): “Jesus Is Resurrected” [“Jezusi u Ringjall”] (4:05)

Christ Appears on the Road to Emmaus” [“Krishti Shfaqet Rrugës për në Emaus”] (3:32)

Blessed Are They That Have Not Seen, and Yet Have Believed” [ [“Lum Ata që Nuk Kanë Parë dhe Kanë Besuar”] (2:29)