Mësime të Presidentëve
Kapitulli 14


“Kapitulli 14: Atë që Zoti e Thërret, Atë Zoti e Kualifikon”, Mësime të Presidentëve të Kishës: Tomas S. Monson (2020)

“Kapitulli 14”, Mësime: Tomas S. Monson

Kapitulli 14

Atë që Zoti e Thërret, Atë Zoti e Kualifikon

“Nëse jemi në punën e Zotit, na jepet e drejta të kemi ndihmën e Zotit.”

Nga Jeta e Tomas S. Monsonit

Presidenti Tomas S. Monson foli shpesh për parimin: “Atë që Zoti e thërret, atë Zoti e kualifikon”. Ai theksoi se kur thirremi të bëjmë punën e Zotit dhe kur kontribuojmë me përpjekjet tona më të mira, Zoti do t’i shtojë aftësitë tona për të na ndihmuar ta arrijmë atë. Duke shpjeguar njërën nga mënyrat se si ai e kërkonte ndihmën e Zotit për t’ia shtuar aftësinë vetjake, Presidenti Monson tha:

“Gjatë viteve, zyrat ku kam punuar kanë qenë të zbukuruara me piktura të këndshme të skenave paqësore dhe baritore. Megjithatë, është një pikturë që është gjithnjë e varur në murin të cilin e kam përballë kur ulem në karrigen e punës. Ajo është një kujtuese e vazhdueshme e Atij të cilit i shërbej, sepse është piktura e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Kur ballafaqohem me një problem të ndërlikuar ose një vendim të vështirë, gjithmonë e vrojtoj atë pikturë të Mësuesit dhe në heshtje e pyes veten: ‘Çfarë do të donte Ai që të bëja?’ Nuk mbetet më asnjë dyshim, as pavendosmëria nuk mbizotëron më. Rruga ku duhet të shkoj, është e qartë dhe shtegu që kam përpara, më thërret.”1

Gjatë gjithë jetës së tij, Presidenti Monson dha shembullin e një shërbëtori të gatshëm i cili kërkoi ndihmën e Zotit që të kualifikohej për të bërë punën e Zotit.

Pamja
Jezu Krishti

“Kur ballafaqohem me një problem të ndërlikuar ose një vendim të vështirë, gjithmonë e vrojtoj atë pikturë të Mësuesit dhe në heshtje e pyes veten: ‘Çfarë do të donte Ai që të bëja?’”

Mësime të Tomas S. Monsonit

1

Me ndihmën e Zotit, mund të arrijmë mrekulli kur jemi në shërbimin e Tij.

Ne jetojmë në një botë të ndërlikuar, me rryma mosmarrëveshjesh që gjenden kudo. Skemat politike shkatërrojnë qëndrueshmërinë e kombeve, tiranët ndeshen për pushtet dhe pjesë të shoqërisë duken përgjithmonë të shtypura, të lëna pa ndonjë mundësi dhe me një ndjenjë dështimi.

Ne … mund të sjellim një ndryshim. Kur kualifikohemi për ndihmën e Zotit, mund t’i forcojmë djemtë [dhe vajzat]. Mund t’i përmirësojmë burrat [dhe gratë]. Mund të arrijmë mrekulli kur jemi në shërbimin e Tij të shenjtë. Mundësitë tona janë të pakufishme.

Ndonëse detyra duket e madhe, ne forcohemi nga kjo e vërtetë: “Forca më e madhërishme në botë sot është fuqia e Perëndisë teksa vepron nëpërmjet njeriut”. Nëse jemi në punën e Zotit, na jepet e drejta të kemi ndihmën e Zotit. Ajo ndihmë hyjnore, sidoqoftë, varet nga denjësia jonë. Që të lundrojmë të sigurt nëpër detet e vdekshmërisë, që të kryejmë një mision për shpëtimin e njerëzimit, na nevojitet udhërrëfimi i Lundërtarit të Përjetshëm – madje Jehovës së madh. Ne kërkojmë ndihmë, lutemi drejt qiellit, për të marrë ndihmë qiellore.2

Mos u lutni për detyra në përputhje me aftësitë tuaja, por lutuni për aftësi që të përmbushni detyrat tuaja. Atëherë kryerja e detyrave tuaja nuk do të jetë mrekullia, por ju do të jeni vetë mrekullia.3

Mrekullitë gjenden gjithandej kur … lartësohen thirrjet. Kur besimi zëvendëson dyshimin, kur shërbimi vetëmohues zhduk përpjekjen egoiste, fuqia e Perëndisë i përmbush qëllimet e Tij.4

Atë që Zoti e thërret, atë Zoti e kualifikon. … Kur kërkojmë me besim, pa ngurruar për asgjë për të përmbushur detyrat që na janë caktuar, kur kërkojmë frymëzimin e të Plotfuqishmit në kryerjen e përgjegjësive tona, ndodhin mrekulli.5

2

Kur tregojmë dashamirësi, kjo na ndihmon të kualifikohemi për të bërë punën e Zotit.

Kur isha dhjak, më pëlqente shumë bejsbolli. Në fakt, ende më pëlqen. … Shokët e mi dhe unë luanim bejsboll në një rrugicë prapa shtëpive ku jetonim. Fusha ku luanim, qe e ngushtë, por ishte e mirë, nëse e goditje topin drejt e në zonën e qendrës. Megjithatë, po ta goditje topin në të djathtë të qendrës, të priste gjëma. Atje jetonte Znj. Shinas, e cila, nga dritarja e vet e kuzhinës, na vëzhgonte tek luanim dhe sapo topi të binte në verandën e saj, qeni i saj i madh na e merrte topin dhe ia çonte asaj ndërsa ajo hapte derën. Znj. Shinas kthehej brenda në shtëpi dhe atë top ia shtonte topave të shumtë që kishte konfiskuar më parë. Ajo ishte armikja jonë e përbetuar, prishësja e qejfit tonë, madje fatkeqësia e ekzistencës sonë. Asnjëri prej nesh nuk kishte një fjalë të mirë për të thënë për Znj. Shinas, por kishim plot fjalë të këqija për të. Asnjëri prej nesh nuk i fliste dhe ajo nuk na fliste kurrë. Atë e pengonte një këmbë që mezi e përkulte, e cila ia vështirësonte ecjen dhe duhet t’i ketë shkaktuar dhembje të madhe. Ajo dhe bashkëshorti i saj nuk kishin fëmijë, bënin jetë të veçuar dhe rrallëherë dilnin nga shtëpia.

Kjo luftë e fshehtë vazhdoi për ca kohë, mbase dy vjet dhe më pas një ngrohtësi e frymëzuar e shkriu akullin e dimrit dhe solli një pranverë ndjenjash të mira në këtë situatë pa rrugëdalje.

Një mbrëmje, ndërsa kryeja detyrën time të përditshme të ujitjes së barit të oborrit tonë të përparmë, duke mbajtur grykën e zorrës me dorë siç ishte stili i asaj kohe, vura re se bari në oborrin e Znj. Shinas ishte i thatë dhe po fillonte të merrte ngjyrë kafe. Sinqerisht nuk e di … ç’më zuri, por ndenja edhe ca minuta më tepër dhe, me zorrën tonë, ujita barin e oborrit të saj. Vazhdova ta bëja këtë gjatë gjithë verës dhe kur erdhi vjeshta, ia pastrova me ujin e zorrës gjethet e oborrit sikurse bëra për oborrin tonë dhe i grumbullova gjethet në pirgje në cepin e rrugës që të mblidheshin. Gjatë gjithë verës nuk e kisha parë Znj. Shinas. Ne djemtë kishim hequr dorë prej kohësh nga loja me top në rrugicë. Na kishin mbaruar topat e bejsbollit dhe nuk kishim para të blinim të tjerë.

Një mbrëmje herët, dera e Znj. Shinas u hap dhe ajo ma bëri me shenjë që ta kapërceja gardhin e vogël dhe të futesha në verandën e saj të përparme. Kështu bëra. Ndërsa i afrohesha, ajo më ftoi në dhomën e ndenjjes, ku më kërkoi të ulesha në një kolltuk të rehatshëm. Më qerasi me biskota dhe qumësht. Më pas ajo shkoi në kuzhinë dhe u kthye me një kuti të madhe të mbushur me topa bejsbolli, që përfaqësonte disa stinë të përpjekjeve të saj për konfiskim. Ma zgjati kutinë e mbushur me topa. Thesarin, sidoqoftë nuk e gjeta te dhurata, por te fjalët e saj. Pashë për herë të parë një buzëqeshje në fytyrën e Znj. Shinas dhe ajo tha: “Tomi, dua që t’i marrësh këto topa bejsbolli dhe dua të të falënderoj që je sjellë mirë me mua”. I shpreha mirënjohjen time dhe dola nga shtëpia e saj një djalë më i mirë nga sa isha kur hyra. Ne nuk ishim më armiq. Tani ishim miq.6

3

Ndonëse mund të ndihemi të papërshtatshëm, Zoti do të na kualifikojë për punën që Ai do të donte të bënim.

Mora thirrjen kur isha i ri që të shërbeja si peshkop i një lagjeje të madhe në Solt-Lejk-Siti. Shkalla e thirrjes sime qe tronditëse dhe përgjegjësia tmerruese. Papërshtatshmëria ime më përuli. Por Ati im Qiellor nuk më la të endesha në errësirë dhe në heshtje, i paudhëzuar ose i pafrymëzuar. Në mënyrën e Tij, Ai zbuloi mësime që do të donte t’i mësoja.

Një mbrëmje, në orë të vonë, më ra telefoni. Dëgjova një zë të thoshte: “Peshkopi Monson, po ju marr nga spitali. Ketlin Mek‑Ki, një anëtare e bashkësisë suaj, sapo ka ndërruar jetë. Dokumentet tona tregojnë se ajo nuk kishte asnjë familjar, por emri juaj renditet si personi që duhej njoftuar kur ajo të vdiste. A mund të vini menjëherë në spital?”

Pasi mbërrita atje, m’u dha një zarf i vulosur i cili përmbante çelësin e një hyrjeje të thjeshtë në të cilën kishte jetuar Ketlin Mek‑Ki. Një vejushë pa fëmijë shtatëdhjetë e tre vjeçe, ajo kishte gëzuar pak nga lukset e jetës dhe zor se zotëronte aq gjëra sa t’i mjaftonin për të jetuar. Në muzgun e jetës, ajo ishte bërë anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ngaqë ishte një person i heshtur dhe i rezervuar, ajo zbuloi pak gjëra për jetën e saj.

Po atë natë hyra në shtëpinë e saj të pastër në katin e bodrumit, ndeza dritën dhe në çast zbulova një letër të shkruar me aq përpikëri nga dora e Ketlin Mek-Kisë. Ajo qe vendosur nga ana e shkrimit mbi një tryezë të vogël dhe aty shkruhej:

“Peshkopi Monson,

Mendoj se nuk do të kthehem më nga spitali. Në sirtarin e dollapit është një policë e vogël sigurimi që do të mbulojë shpenzimet e varrimit. Orenditë mund t’u jepen fqinjëve të mi.

Në kuzhinë janë tri kanarinat e mia të çmuara. Dy prej tyre janë të bukura, me ngjyrë të verdhë në të artë dhe me njolla të përsosura. Në kafazet e tyre kam vënë emrat e miqve të cilëve duhet t’u jepen. Në kafazin e tretë është ‘Billi’. Ai është i parapëlqyeri im. Billi është pak i shpupurishur dhe nuancën e tij të verdhë e prish ngjyra gri që ka në krahë. A do t’i bëheni strehë atij ti dhe familja jote? Ai nuk është më i bukuri, por kënga e tij është më e mira.”

Në ditët që vijuan, mësova shumë më tepër për Ketlin Mek‑Kinë. Ajo ishte miqësuar me shumë fqinj në nevojë. I kishte dhënë zemër dhe ngushëllim thuajse çdo ditë një sakati që jetonte në rrugë. Njëmend, ajo e kishte ndriçuar jetën e çdokujt që kishte prekur. Kethlin Mek‑Ki i ngjante shumë “Billit”, kanarinës së saj të vyer të verdhë me ngjyrë gri në krahë. Ajo nuk qe bekuar me bukuri, nuk i qe dhuruar vetësiguri, nuk qe nderuar me pasardhës. Përsëri kënga e saj i ndihmoi të tjerët t’i mbanin më me gatishmëri barrët e tyre dhe t’i kryenin më me aftësi detyrat e tyre. …

Pamja
kanarinë e verdhë me gri

“Shëlbuesi zgjodhi njerëz të papërsosur për të dhënë mësim udhën drejt përsosjes. Ai bëri ashtu [kur ishte në tokë]. Ai bën ashtu tani – madje kanarina me gri në krahët e tyre.”

Bota është e mbushur me kanarina të verdha me gri në krahët e tyre. Për të ardhur keq është që vetëm fare pak prej tyre kanë mësuar të këndojnë. Ndoshta notat më të pastra të shembullit të duhur nuk kanë tingëlluar në veshët e tyre ose nuk kanë gjetur vend në zemrat e tyre.

Disa janë të rinj që nuk e dinë se cilët janë, çfarë mund të jenë ose madje duan të jenë. Ata janë të frikësuar, por nuk e dinë nga se. Janë të zemëruar, por nuk e dinë me kë. Ata refuzohen nga të tjerët dhe nuk e dinë pse. Gjithçka duan ata është të jenë dikush.

Të tjerë janë kërrusur nga mosha, të ngarkuar me shqetësime, apo të mbushur me dyshim – që jetojnë jetë shumë më poshtë nivelit të aftësive të tyre. …

Për të jetuar shkëlqyeshëm, ne duhet të zhvillojmë aftësinë që ta përballojmë telashin me kurajë, zhgënjimin me gaz dhe triumfin me përulësi. Ju pyesni: “Si mundet t’i arrijmë këto synime?” Unë përgjigjem: “Duke fituar një këndvështrim të saktë për atë çfarë jemi vërtet!” Ne jemi bij dhe bija të një Perëndie të gjallë, sipas shëmbëlltyrës së të cilit jemi krijuar. Mendoni për atë të vërtetë: “Krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë”. Ne nuk mund ta kemi me sinqeritet këtë bindje pa përjetuar një ndjesi tërësisht të përtërirë force dhe fuqie, madje forcën për të jetuar urdhërimet e Perëndisë dhe fuqinë për t’u bërë ballë tundimeve të Satanit. …

Shëlbuesi zgjodhi njerëz të papërsosur për ta dhënë mësim udhën drejt përsosjes. Ai bëri ashtu [kur ishte në tokë]. Ai bën ashtu tani – madje kanarina me gri në krahët e tyre.

Ai ju thërret ju dhe mua që t’i shërbejmë atij këtu poshtë dhe na jep detyra që do të donte t’i përmbushnim. Përkushtimi ynë duhet të jetë tërësor.7

4

Kur jemi në punën e Zotit, Ai do të na kualifikojë që të na ndihmojë t’i përmbushim qëllimet e Tij.

Zoti dhe Shpëtimtari ynë tha: “Eja e më ndiq” [Lluka 18:22]. Kur e pranojmë ftesën e Tij dhe ecim në gjurmët e Tij, Ai do t’i drejtojë shtigjet tona.

Në prill të vitit 2000, e ndjeva një drejtim të tillë. Kisha marrë një telefonatë nga Roza Salas Xhifordi, të cilën nuk e njihja. Ajo më shpjegoi se prindërit e saj kishin ardhur për vizitë nga Kosta‑Rika për pak muaj dhe pikërisht një javë përpara telefonatës së saj, i ati, Bernardo Agusto Salas, qe diagnostikuar me kancer në mëlçi. Ajo më tregoi se mjekët i kishin thënë familjes se babai i saj do të jetonte vetëm disa ditë më shumë. Dëshira e madhe e babait të saj, shpjegoi ajo, ishte të takohej me mua para se të vdiste. Më la adresën dhe më pyeti a mund të shkoja në shtëpinë e saj në Solt-Lejk-Siti, për të vizituar babanë e saj.

Për shkak të mbledhjeve dhe detyrimeve, ishte paksa vonë kur u largova nga zyra. Në vend që të shkoja drejt e në shtëpi, ndjeva mbresën se duhet të ngisja makinën drejt jugut dhe ta vizitoja vëllanë Salas po atë mbrëmje. Me adresën në dorë, u orvata të gjeja vendndodhjen e banesës. Nga trafiku i dendur dhe drita e zbehtë, e kalova vendndodhjen ku duhej të kishte qenë rruga për te shtëpia. Nuk mund të shihja asgjë. Sidoqoftë, unë nuk dorëzohem lehtë. I rashë rreth e qark bllokut të ndërtesave dhe u ktheva. Ende asgjë. E provova edhe njëherë dhe nuk kishte asnjë shenjë të rrugës. Fillova të ndieja se do të isha i justifikuar po të kthehesha për në shtëpi. Kisha bërë shumë përpjekje, por kisha qenë i pasuksesshëm në gjetjen e adresës. Në vend të kësaj, bëra një lutje të heshtur për ndihmë. Më erdhi frymëzimi që duhet t’i afrohesha zonës nga drejtimi i kundërt. Bëra një copë rrugë dhe e ktheva makinën që të isha tashmë në anën tjetër të rrugës. Nga ky drejtim, trafiku qe shumë më i lehtësuar. Ndërsa iu afrova vendndodhjes edhe njëherë, munda të shihja, përmes dritës së zbehtë, një shenjë rrugore të anuar që qëndronte buzë rrugës – dhe një shteg gati të padukshëm, të mbuluar nga barëra të këqija që të çonte drejt një pallati të vogël dhe te një banesë e vetme, e vockël pak më larg rrugës kryesore. Ndërsa eca me makinë drejt ndërtesave, një vogëlushe me një fustan të bardhë më përshëndeti me dorë dhe e dija se e kisha gjetur familjen.

Më shoqëruan për te shtëpia dhe më pas te dhoma ku qe vendosur vëllai Salas. Rreth shtratit qenë tri bijat dhe një dhëndër, si dhe motra Salas. …

Me disa nxitje, vëllai Salas i hapi sytë dhe një buzëqeshje e venitur ia hijeshoi buzët teksa ia kapa dorën. Thashë fjalët: “Kam ardhur të të shoh”. Sytë e tij dhe të mitë u mbushën me lot.

Pyeta a do të dëshironin një bekim dhe përgjigjja e njëzëshme nga pjesëtarët e familjes qe pohuese. Duke qenë se dhëndri nuk e kishte priftërinë, e vazhdova vetëm dhënien e bekimit të priftërisë. Fjalët duket se më rrodhën lirisht nën drejtimin e Shpirtit të Zotit. I përfshiva fjalët e Shpëtimtarit që gjenden te Doktrina e Besëlidhje, seksioni 84, vargu 88: “Unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart.” Pas bekimit, u thashë disa fjalë ngushëllimi pjesëtarëve të pikëlluar të familjes. Fola me kujdes që ata ta kuptonin anglishten time. Dhe më pas, me aftësinë time të kufizuar në gjuhën spanjolle, iu bëra të ditur se i doja dhe se Ati Qiellor do t’i bekonte. …

Pas një lamtumire të dhembshur, më shoqëruan deri te makina. Ndërsa po ngitja makinën për t’u kthyer në shtëpi, reflektova për shpirtin e veçantë që kishim ndier. Unë gjithashtu, përjetova si shumë herë të tjera më parë, një ndjesi mirënjohjeje që Ati im Qiellor i qe përgjigjur lutjes së një personi tjetër nëpërmjet meje. … Qofshim gjithnjë në punën e Zotit, që të mund të kemi përherë të drejtën për të marrë ndihmën e Zotit!8

Nuk ka asnjë ndjenjë që t’ia kalojë ndjenjës që na kaplon kur e dallojmë se kemi qenë në punën e Zotit dhe Ai na ka lejuar të ndihmojmë të përmbushen qëllimet e Tij.9

5

Ndërsa lutemi, përgatitemi dhe shërbejmë, Zoti do të na ndihmojë t’i lartësojmë thirrjet tona.

Bota ka nevojë për ndihmën tonë. A po bëjmë gjithçka që duhet? A i mbajmë mend fjalët e Presidentit Xhon Tejlor: “Nëse nuk i lartësoni thirrjet tuaja, Perëndia do t’ju mbajë përgjegjës për ata të cilët ju mund t’i kishit shpëtuar, nëse do të kishit bërë detyrën tuaj”. Ka këmbë që ne mund t’i bëjmë të qëndrueshme, duar që mund t’i shtrëngojmë, mendje që mund t’i nxi[t]im, zemra që mund t’i frymëzojmë dhe shpirtra që mund t’i shpëtojmë. Bekimet e përjetësisë ju presin ju. I juaji është privilegji për të mos qenë spektatorë, por pjesëmarrës. … Le t’ia vëmë veshin kujtuesit frymëzues që gjendet te letra e Jakobit: “Bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten” [Jakob [Bibël] 1:22].10

Pamja
klasë e Fillores

“Ka këmbë që ne mund t’i bëjmë të qëndrueshme, duar që mund t’i shtrëngojmë, mendje që mund t’i nxi[t]im, zemra që mund t’i frymëzojmë dhe shpirtra që mund t’i shpëtojmë.”

Çfarë do të thotë të lartësosh një thirrje? Do të thotë ta ngresh në dinjitet dhe rëndësi, ta bësh të nderueshme dhe të lavdërueshme … , ta rri[t]ësh dhe ta forcosh, të lejosh përmes saj dritën e qiellit të shkëlqejë. … Dhe si e lartëson dikush një thirrje? Thjesht duke kryer shërbimin që i përket asaj.11

[Ati ynë] nuk ju thirri … të ndërtoni vetëm, pa udhërrëfim, duke i mirëbesuar fatit. Përkundrazi, Ai i njeh zotësitë tuaja, Ai e kupton përkushtimin tuaj dhe Ai do t’i kthejë papërshtatshmëritë tuaja të supozuara në pika të forta të dallueshme. … Mos bini pre e tundimit që i zuri në grackë Lamanin dhe Lemuelin. Kur ata morën atë ngarkim të hatashëm për të marrë fletët e Labanit, anali tregon se ata murmuritën, duke thënë se ajo që ishin urdhëruar të bënin, ishte diçka e vështirë. Dhe ata e humbën mundësinë e tyre dhe shpërblimin e tyre. Përkundrazi, le të jetë qëndrimi juaj ai i vëllait të tyre, Nefit: “Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar” (1 Nefi 3:5–7).12

Nëse ka ndonjë që ndien se është tepër i dobët për ta ndryshuar kursin e së përpjetës apo tatëpjetës që ka marrë jeta e tij, ose nëse ka nga ata që nuk arrijnë të vendosin të veprojnë më mirë për shkak të asaj frike më të madhe nga të gjitha – frikës nga dështimi, nuk ekziston asnjë siguri më ngushëlluese sesa fjalët e Zotit: “Hiri im”, – tha Ai “është i mjaftueshëm për të gjithë njerëzit që përulen para meje; pasi në qoftë se ata përulen para meje dhe kanë besim tek unë, atëherë unë do të bëj që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta” [Ethëri 12:27].

Nëpërmjet lutjes së përulur, përgatitjes me zell dhe shërbimit me besnikëri, ne mund t’ia dalim mbanë në thirrjet tona të shenjta.13

Presidenti Harold B. Li po bisedonte me mua një ditë në lidhje me ata që ndihen të papërshtatshëm dhe shqetësohen kur marrin një detyrë në Kishë. Ai këshilloi: “Kujtoni se atë që Zoti e thërret, atë Zoti e kualifikon”. …

… Të gjithë ne, të bashkuar në një, mund të kualifikohemi për ndikimin udhëheqës të Atit tonë Qiellor ndërsa orvatemi të bëjmë thirrjet tona përkatëse. Ne jemi të përfshirë në veprën e Zotit Jezu Krisht. Ne, sikurse ata të kohërave të lashta, i jemi përgjigjur thirrjes së Tij. Ne jemi duke bërë punën e Tij. … E kujtofshim përherë të vërtetën [që thotë Perëndia]: “Unë nderoj ata që më nderojnë” [shih te 1 Samuelit 2:30].14

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Presidenti Monson theksoi se “atë që Zoti e thërret, atë Zoti e kualifikon” (pjesa 1). Ç’kuptim ka kjo për ju? Çfarë përvojash ju kanë treguar se Zoti do t’ju ndihmojë kur keni nevojë ndërsa jeni në shërbimin e Tij?

  • Rishikojeni historinë e Znj. Shinas te pjesa 2. Kur jua ka bekuar jetën një mundësi e papritur shërbimi? Si ka ndikuar shërbimi ndaj të tjerëve te ndjenjat tuaja kundrejt tyre? Si e keni parë ta zbutë shërbimi zemrën e një personi?

  • Rishikojeni historinë e Ketlin Mek‑Kisë te pjesa 3. Çfarë na mëson kjo histori rreth shërbimit ndaj të tjerëve? Si jeni bekuar nga shërbimi ndaj të tjerëve edhe kur vetë barrët tuaja qenë të rënda?

  • Presidenti Monson shprehu mirënjohje që Ati Qiellor iu përgjigj lutjes së një personi tjetër nëpërmjet tij (shih te pjesa 4). Si mund të përgatitemi që Ati Qiellor të mund t’i përgjigjet lutjes së një personi tjetër nëpërmjet nesh?

  • Çfarë do të thotë të lartësosh një thirrje? (Shih te pjesa 5.) Kur jeni bekuar nga dikush që lartësoi një thirrje? Kur e keni ndier Atin Qiellor t’i lartësojë përpjekjet tuaja në një thirrje?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Gjoni 5:30; Veprat e Apostujve 10:19–35; Mosia 2:17; Doktrina e Besëlidhje 4:2–7; 24:7–12; 64:29, 33–34; 88:78–80

Ndihmë për Studimin

“Ndërsa studioni, kushtojini vëmendje të kujdesshme ideve që ju vijnë në mendje dhe ndjenjave që ju vijnë në zemër” (Predikoni Ungjillin Tim [2005], f. 18). Merreni parasysh mbajtjen e shënimeve për mbresat që merrni, edhe nëse duken sikur nuk kanë lidhje me fjalët që po lexoni. Ato mund të jenë pikërisht gjërat që Zoti dëshiron që të mësoni.

Shënime

  1. Windows”, Ensign, nëntor 1989, f. 69.

  2. Your Eternal Voyage”, Ensign, maj 2000, f. 46.

  3. Tre Qëllime Për T’ju Udhëhequr”, Liahona, nëntor 2007, f. 120.

  4. Our Sacred Priesthood Trust”, Liahona, maj 2006, f. 57, “Detyrat e Shenjta të Priftërisë që na Janë Besuar”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2006, f. 92.

  5. You Make a Difference”, Ensign, maj 1988, f. 43.

  6. Your Eternal Voyage”, f. 47–48.

  7. Kanarina me Ngjyrë Gri në Krahët e Tyre”, Liahona, qershor 2010, f. 4.

  8. The Priesthood—A Sacred Gift”, Liahona, maj 2007, f. 58–60, “Priftëria – Një Dhuratë e Shenjtë” Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 72–73.

  9. Called to Serve”, Ensign, nëntor 1991, f. 47.

  10. Të Gatshëm dhe të Denjë për të Shërbyer”, Liahona, maj 2012, f. 69.

  11. The Call of Duty”, Ensign, maj 1986, f. 38.

  12. Teachings of Thomas S. Monson, përmb. Lynne F. Cannegieter (2011), f. 54. Përdorur me lejen nga Deseret Book Company.

  13. Your Eternal Voyage”, f. 48.

  14. Who Honors God, God Honors”, Ensign, nëntor 1995, f. 50.