2009
Gjetja e Forcës përmes Bindjes
Tetor 2009


Mesazhi i Presidencisë së Parë

Gjetja e Forcës përmes Bindjes

Pamja
President Thomas S. Monson

Në botën tonë sot, theksi vihet tek rinia. Gjithkush dëshiron të duket i ri, të ndihet i ri dhe të jetë i ri. Vërtet, shuma të stërmëdha parash shpenzohen çdo vit për produkte që njerëzit shpresojnë se do t’u rikthejnë pamjen rinore. Fare mirë mund të pyesim veten: “A është i ri kërkimi për rini për kohën tonë, për brezin tonë?” Na duhet thjesht të shfletojmë faqet e historisë për të gjetur përgjigjen tonë.

Shekuj më parë, në kohën e shkëlqyer të zbulimeve, ekspedita u pajisën dhe anije, me ekuipazhe aventuroze e me besim tek vetja, u nisën për në dete të paeksploruara në kërkim të një burimi të rinisë, në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës. Legjenda e asaj kohe premtonte se diku në “toka të largëta” ishte një burim magjik që kishte ujin më të pastër dhe gjithçka që duhej të bënte njeriu, për të rifituar gjallërinë e rinisë dhe për ta përjetësuar këtë energji, ishte të pinte thellë prej ujit që rridhte prej këtij burimi.

Pons de León, që lundroi me Kolombin, bëri udhëtime të mëpasshme eksplorimi, duke kërkuar në Bahamas dhe zona të tjera të Karaibeve, me besim të plotë tek legjenda se ky eliksir rinie mund të gjendej. Përpjekjet e tij, ashtu si ato të shumë të tjerëve, nuk sollën një zbulim të tillë, pasi në planin hyjnor të Perëndisë sonë, ne hyjmë në ekzistencën në vdekshmëri që ta shijojmë rininë vetëm një herë.

Burimi i së Vërtetës

Ndonëse nuk ka një burim rinie, që mund ta kërkojmë mençurisht, ka një burim tjetër që përmban ujë më të çmuar, madje ujërat e jetës së përjetshme. Ky është burimi i së vërtetës.

Poeti kapi kuptimin e vërtetë të kërkimit për të vërtetën kur shkroi këto vargje të pavdekshme:

Po, e vërteta çfar’ ësht’? M’i shtrenjti lav’drim

për të njer’zit dhe per’ndit’ synojn’.

Kërkoje n’det’n e thell’ ku ajo shkrepëtin,

ose ngjitu lart’ në qiell ku ajo ndrin;

ësht’ qëllimi për t’fismen dëshir’. …

Pra, e vërteta çfar’ ësht’? Fundi dhe fillimi,

se kufijt’ e kohës kalon.

Qiejt të çahen, burimet të shpërthejn’,

e vërteta këto që të gjitha do i duroj’,

përjet’, e njëjtë gjithmon’.1

Në një zbulesë dhënë përmes Profetit Jozef Smith në Kirtland, Ohajo, në majin e 1833-it, Zoti shpalli:

“Dhe e vërteta është dituri për gjërat siç janë dhe siç ishin, dhe siç do të jenë; …

Shpirti i së vërtetës është nga Perëndia. … Ai [Jezusi] mori një plotësi të së vërtetës … ;

Dhe askush nuk e merr plotësinë, në qoftë se ai nuk i zbaton urdhërimet e tij.

Ai që i mban urdhërimet e tij, merr të vërtetë e dritë, derisa të përlëvdohet në të vërtetë dhe i di të gjitha gjërat.”2

Nuk ka nevojë për ju apo për mua, në këtë periudhë të ndriçuar, kur plotësia e ungjillit është rivendosur, të lundrojmë detra të paeksploruar apo të udhëtojmë në rrugë të panjohura, në kërkim të burimit të së vërtetës. Pasi një Atë i dashur Qiellor na e ka shënuar rrugën dhe na ka siguruar një hartë të pagabueshme – bindjen!

Fjala e zbuluar e Tij përshkruan gjallërisht bekimet që sjell bindja dhe pikëllimin e dëshpërimin e pashmangshëm që shoqërojnë udhëtuesin që shkon nëpër shtigjet e ndaluara të mëkatit dhe gabimit. Një brezi të zhytur në traditën e flijimeve të kafshëve, Samueli u shpalli me guxim: “Bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve.”3

Profetët, të lashtë e modernë, e kanë njohur forcën që vjen përmes bindjes. Mendoni për Nefin: “Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar.”4 Apo përshkrimin e mrekullueshëm të Mormonit për forcën që zotëronin bijtë e Mosias:

“Ata ishin përforcuar në njohurinë e së vërtetës; pasi ata ishin njerëz me kuptim të saktë dhe kishin kërkuar me zell shkrimet e shenjta, që ata të mund të dinin fjalën e Perëndisë.

Por kjo nuk është e gjitha; ata ishin dhënë pas lutjeve të shumta dhe agjërimit; prandaj ata kishin shpirtin e profecisë dhe shpirtin e zbulesës dhe kur i mësuan të tjerët, ata i mësuan me fuqinë dhe autoritetin e Perëndisë.”5

Mbani Urdhërimet

Presidenti Dejvid O. Mek-Kei (1873–1970), në një prej mesazheve të tij të hapjes drejtuar anëtarësisë së Kishës në një konferencë të përgjithshme, na dha drejtim për kohën tonë shumë thjesht dhe përsëri shumë fuqishëm: “Mbani urdhërimet e Perëndisë.”6

E tillë qe barra e mesazhit të Shpëtimtarit tonë kur shpalli: “Sepse të gjithë ata që dëshirojnë të kenë bekim nga dora ime, duhet t’i binden ligjit që u caktua për atë bekim dhe kushteve të tij, siç u ngritën që përpara krijimit të botës.”7

Vetë veprimet e Mësuesit i japin besueshmëri fjalëve të Tij. Ai tregoi dashuri të sinqertë për Perëndinë duke jetuar jetë të përsosur, duke nderuar misionin e shenjtë që qe i Tiji. Kurrë nuk qe Ai arrogant. Kurrë nuk qe Ai i fryrë me krenari. Kurrë nuk qe Ai i pabesë. Gjithmonë qe Ai i përulur. Gjithmonë qe Ai i sinqertë. Gjithmonë qe Ai i vërtetë.

Edhe pse Atë e tundoi ai mjeshtër i mashtrimit, madje djalli; edhe pse fizikisht qe i dobësuar nga agjërimi për 40 ditë e 40 netë dhe “në fund e mori uria”; përsëri kur i ligu i bëri Jezusit propozimet më joshëse e tunduese, Ai na dha një shembull hyjnor të bindjes duke mos pranuar të shmangej nga ajo që e dinte se ishte e drejtë.8

Kur Ai u përball me agoninë e Gjetsemanit, kur Ai duroi dhembje të tillë që djersa iu bë sikur të ishte pika të mëdha gjaku që binin në tokë, Ai u bë shembull i Birit të bindur duke thënë: “O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti.”9

Pjetrit, në Galile, Jezusi i tha: “Ndiqmë!” Filipit i erdhi i njëjti udhëzim: “Ndiqmë!” Dhe tagrambledhësit, Levit, i cili ishte ulur tek vendi i pritjes së klientëve, i erdhi thirrja që i bënte shenjë: “Ndiqmë!” Edhe atij që i erdhi pas duke rendur, njëri që kishte zotërime të mëdha, i erdhën fjalët “Ndiqmë!”10 Edhe ju e mua, po ai zë, po i njëjti Jezus, na thotë: “Ndiqmë!” A jemi të gatshëm t’i bindemi?

Bindja është një shenjë dalluese e profetëve, por duhet të kuptohet se ky burim force është i disponueshëm për ne sot.

Një Shembull Modern

Njëri që e kishte mësuar mirë mësimin e bindjes, që e kishte gjetur burimin e së vërtetës, ishte një burrë i mirë e i sinqertë me mjete dhe rrethana të përulura. Ai ishte bashkuar me Kishën në Evropë dhe, duke kursyer e sakrifikuar me zell, kishte emigruar në Amerikën e Veriut – tek një tokë e re, një gjuhë e huaj, zakone të ndryshme, por tek e njëjta Kishë nën udhëheqjen e të njëjtit Zot, të cilin ai e besonte dhe i bindej. Ai u bë presidenti i degës së një grupi të vogël shenjtorësh që përpiqeshin në një qytet disi jomiqësor. Ai ndoqi programin e Kishës, ndonëse anëtarët ishin pak dhe detyrat shumë. Ai dha shembull për anëtarësinë e degës së tij, që ishte vërtet si i Krishtit, dhe ata u përgjigjën me një dashuri që rrallë shihet.

Ai siguronte jetesën me duart e tij si dyqanxhi. Të ardhurat e tij ishin të kufizuara, por ai pagoi gjithmonë një të dhjetë të plotë dhe dhuroi më shumë. Ai nisi një fond misionarësh në degën e tij të vogël dhe për muaj në një kohë, ai qe i vetmi kontribues. Kur kishte misionarë në qytetin e tij, ai i ushqeu dhe ata nuk u larguan kurrë nga shtëpia e tij pa ndonjë dhurim konkret për punën e mirëqenien e tyre. Anëtarë të Kishës prej vendesh të largëta, që kaluan nëpër qytetin e tij dhe vizituan degën e tij, patën gjithmonë mikpritjen e ngrohtësinë e shpirtit të tij dhe shkuan në udhë të tyre me dijen se kishin takuar një burrë të jashtëzakonshëm, një prej shërbëtorëve të bindur të Zotit.

Ata që kryesuan mbi të morën respektin e tij të thellë dhe kujdesin e tij tepër të posaçëm. Për të ata qenë të dërguar të Zotit; ai i shërbeu rehatisë së tyre fizike dhe qe veçanërisht i kujdesur në lutjet e tij – që qenë të shpeshta – për mirëqenien e tyre. Një ditë Shabati disa udhëheqës që vizitonin degën e tij, morën pjesë me të në jo më pak se një duzinë lutjesh në mbledhje të ndryshme dhe vizita tek anëtarët. Udhëheqësit u larguan prej tij në përfundim të ditës me një ndjesi gazmendi dhe lartësimi shpirtëror, që i mbajti të gëzuar nëpër një udhëtim katër orësh me makinë në motin dimëror dhe që tani, pas shumë vitesh, ngroh shpirtin dhe gjallëron zemrën kur kujtohet ajo ditë.

Burra të arsimuar, burra me përvojë kërkuan këtë burrë të përulur, të paarsimuar të Perëndisë dhe e quajtën veten me fat nëse mund të kalonin një orë me të. Pamja e tij qe e zakonshme; anglishtja e tij qe e çalë dhe disi e vështirë për ta kuptuar; shtëpia e tij qe e thjeshtë. Ai nuk kishte makinë apo televizor. Ai nuk shkroi libra, dhe nuk bëri predikime të lustruara, dhe nuk bëri asnjë prej gjërave të cilave u kushton vëmendje bota zakonisht. Përsëri besniku rrahu shtegun deri tek dera e tij. Pse? Sepse ata dëshironin të pinin tek burimi i tij i së vërtetës. Ata nuk vlerësuan kaq shumë atë që tha, ashtu si e tha, as thelbin e predikimeve që predikoi, por forcën e jetës që bëri.

Të dije se një burrë i varfër, me konsekuencë dhe gëzim i dha Zotit të paktën dyfishin e së dhjetës, të jepte një ide më të qartë për kuptimin e vërtetë të së dhjetës. Ta shihje atë t’i shërbente të uriturit dhe të merrte brenda të huajin, të bënte ta dije se ai veproi ashtu si do të vepronte për Mësuesin. Të luteshe me të dhe të ndaje prej besimit të tij për ndërmjetësinë hyjnore, ishte të provoje një mjet të ri komunikimi.

Fare mirë mund të thuhej se ai mbajti urdhërimin e parë e të madhin dhe të dytin të ngjashëm me këtë,11 se bren-dësia e tij ishte plot dashuri hyjnore ndaj gjithë njerëzve, se virtyti i stoliste mendimet e tij pa pushim dhe, si pasojë, vetbesimi i tij ishte forcuar në prani të Perëndisë.12

Ky burrë kishte ndriçimin e mirësisë dhe shkëlqimin e drejtësisë. Forca e tij erdhi prej bindjes.

Forca, të cilën e kërkojmë me zell sot, që të mund t’u bëjmë ballë sfidave të një bote të ndërlikuar dhe në ndryshim, mund të jetë e jona kur, me guxim dhe kurajë të vendosur, ne ngrihemi dhe deklarojmë me Jozueun: “Sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit.”13

Majtas: fotografi nga Matthew Reier; Imazh i Krishtit, nga Heinrich Hofmann, me leje dashamirëse nga C. Harrison Conroy Co.; djathtas: ilustrim nga Jerry Thompson

Detaj nga Krishti Thërret Pjetrin dhe Andrean, nga James Taylor Haywood, me leje dashamirëse nga Muzeu i Historisë së Kishës