2010–2019
Mbrojtja nga Pornografia – një Shtëpi e Përqendruar te Krishti
Prill 2014


Mbrojtja nga Pornografia – një Shtëpi e Përqendruar te Krishti

Pamja
Linda S. Rivs

Filtri më i mirë në botë … është filtri i brendshëm vetjak që vjen nga një dëshmi e thellë dhe e qëndrueshme.

Të dashur vëllezër e motra, sot, unë jam e bekuar që kam 13 nipërit dhe mbesat e mia më të rritur në sallë. Kjo më ka bërë që të pyes “Çfarë dua që nipërit dhe mbesat e mia të dinë?” Këtë mëngjes do të doja t’i flisja hapur familjes sime dhe tuajës.

Ne si udhëheqës, jemi gjithnjë e më shumë të shqetësuar rreth shkatërrimit që pornografia po shkakton në jetën e anëtarëve të Kishës dhe të familjeve të tyre. Satani po sulmon me furi të paparë.

Një arsye pse ne jemi këtu në tokë është që të mësojmë t’i kontrollojmë pasionet dhe ndjenjat e trupave tanë tokësorë. Këto ndjenja të dhëna nga Perëndia na ndihmojnë që të dëshirojmë të martohemi e të kemi fëmijë. Marrëdhënia intime e martesës midis një burri dhe një gruaje që sjell fëmijë në vdekshmëri ka për synim që të jetë edhe një përvojë e bukur, e dashur që lidh së bashku dy zemra të përkushtuara, bashkon si shpirtin edhe trupin, dhe sjell një plotësi gëzimi e lumturie ndërsa mësojmë ta vendosim njëri-tjetrin të parin. Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim se në martesë, “bashkëshorti/ja … bëhet kryesori/ja në jetën e bashkëshortit ose bashkëshortes, dhe… [asnjë] interes tjetër [apo] individ [ose] gjë tjetër nuk do të marrë ndonjëherë përparësi ndaj shokut/shoqes së jetës. …

… Martesa nënkupton përkushtim të plotë dhe besnikëri të plotë.”1

Shumë vite më parë, një nga fëmijët tanë ishte mjaft e brengosur. Hyra në dhomën e saj, ku ajo hapi zemrën dhe më shpjegoi se kishte qenë te shtëpia e një shoqeje dhe rastësisht kishte parë imazhe e veprime befasuese e shqetësuese në televizor midis një burri dhe një gruaje pa rroba. Ajo filloi të qante me ngashërim dhe shprehu se sa keq ndihej për atë që kishte parë dhe dëshironte që të mund ta hiqte nga mendja. Unë isha kaq mirënjohëse që ajo më besoi, duke më dhënë një mundësi që t’ia qetësoja zemrën e pafajshme e të lënduar dhe ta ndihmoja të dinte se si të merrte lehtësim nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit tonë. Më kujtohen ndjenjat e shenjta që pata ndërsa u gjunjëzuam së bashku si nënë e bijë dhe kërkuam ndihmën e Atit tonë Qiellor.

Shumë fëmijë, të rinj dhe të rritur ekspozohen pa dashje ndaj pornografisë, por një numër në rritje si i burrave dhe i grave po zgjedhin ta shohin atë dhe tërhiqen vazhdimisht, derisa u bëhet varësi. Këta persona mund ta dëshirojnë me gjithë zemrën e tyre që të dalin nga ky kurth, por shpesh nuk mund ta mposhtin atë vetë. Sa mirënjohës jemi kur këta njerëz të dashur zgjedhin të na besojnë neve si prindër ose një udhëheqësi të Kishës. Do të ishte gjë e mençur të mos reagonim me tronditje, zemërim ose mospranim, e cila mund t’i bëjë ata të heshtin sërish.

Ne si prindër dhe udhëheqës duhet të këshillohemi me fëmijët e të rinjtë tanë rregullisht, duke i dëgjuar me dashuri dhe mirëkuptim. Ata duhet t’i dinë rreziqet e pornografisë dhe mënyrën se si e pushton ajo jetën, duke shkaktuar humbjen e Shpirtit, ndjenja të shtrembëruara, gënjeshtra, humbjen e vetëkontrollit dhe harxhim pothuaj të plotë të kohës, mendimit dhe energjisë.

Pornografia është më e ulët, më e ligë dhe më e dukshme se kurrë më parë. Ndërsa këshillohemi me fëmijët tanë, së bashku ne mund të krijojmë një plan familjar me standarde dhe kufij, duke qenë aktivë për t’i mbrojtur shtëpitë tona me filtra në pajisjet elektronike. Prindër, a jemi ne të vetëdijshëm se pajisjet celulare me kapacitet interneti, jo kompjuterat, janë shkaktari më i madh?2

Të rinj dhe të rritur, nëse bini në kurthin e Satanit, të pornografisë, mbani mend sa i mëshirshëm është Shpëtimtari ynë i dashur. A e kuptoni se sa fort ju do dhe ju ka për zemër Zoti, madje edhe tani? Shpëtimtari ynë ka fuqinë për t’ju pastruar e shëruar. Ai mund t’ju heqë dhembjen e trishtimin që ndieni dhe mund t’ju bëjë sërish të pastër nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Tij.

Ne si udhëheqës jemi gjithashtu shumë të shqetësuar për bashkëshortët dhe familjet e atyre që vuajnë nga varësia e pornografisë. Plaku Riçard G. Skot ka kërkuar: “Nëse ju vetë jeni të lirë nga një mëkat i rëndë, mos vuani në mënyrë të panevojshme pasojat e mëkateve të tjetrit. … Ju mund të ndieni dhembshuri. … Prapëseprapë, ju nuk duhet të merrni mbi vete ndjenjën e përgjegjësisë për ato veprime.”3 Dijeni se nuk jeni vetëm. Ka ndihmë. Janë të disponueshme mbledhjet e shërimit nga varësia për bashkëshortët, përfshirë mbledhjet me telefon, të cilat u mundësojnë bashkëshortëve të telefonojnë në një mbledhje dhe të marrin pjesë nga vetë shtëpitë e tyre.

Vëllezër e motra, si i mbrojmë fëmijët dhe të rinjtë tanë? Filtrat janë mjete të dobishme, por filtri më i mirë në botë, i vetmi që përfundimisht do të funksionojë, është filtri i brendshëm vetjak që vjen nga një dëshmi e thellë dhe e qëndrueshme për dashurinë e Atit tonë Qiellor dhe sakrificën shlyese të Shpëtimtarit tonë për secilin prej nesh.

Si i udhëheqim fëmijët tanë për t’u kthyer thellë në besim dhe për të pasur qasje ndaj Shlyerjes së Shpëtimtarit? Më pëlqen shumë deklarata e profetit Nefi në lidhje me atë që bëri populli i tij për t’i forcuar të rinjtë e kohës së tij: “Ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, [dhe] ne profetizojmë mbi Krishtin … që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre”4.

Si e bëjmë këtë në shtëpitë tona? Disa prej jush më kanë dëgjuar të flas se sa të turbulluar u ndiem unë dhe bashkëshorti im, Meli, si prindër të katër fëmijëve të vegjël. Ndërsa përballeshim me sfidat e të qenit prind dhe përmbushjen e kërkesave të jetës, ne ishim të dëshpëruar për ndihmë. Ne u lutëm dhe u përgjëruam për të ditur se çfarë të bënim. Përgjigjja që erdhi, ishte e qartë: “Nuk ka problem nëse shtëpia është rrëmujë e fëmijët janë ende me pizhamat e tyre dhe disa përgjegjësi lihen pa bërë. Gjërat e vetme që me të vërtetë kanë nevojë të përmbushen në shtëpi janë studimi i shkrimeve të shenjta e lutja e përditshme dhe mbrëmja familjare e përjavshme.”

Ne po përpiqeshim t’i bënim këto gjëra, por ato nuk kishin gjithmonë përparësi dhe, në mes të kaosit, ndonjëherë liheshin pas dore. Ne ndryshuam përqendrimin tonë dhe u përpoqëm të mos shqetësoheshim për gjërat më pak të rëndësishme. Përqendrimi ynë u bë të flisnim, gëzoheshim, predikonim dhe dëshmonim për Krishtin duke u përpjekur të luteshim çdo ditë e t’i studionim shkrimet e shenjta dhe të kishim mbrëmje familjare të përjavshme.

Kohët e fundit një mikeshë më paralajmëroi: “Kur ti u kërkon motrave t’i lexojnë më shumë shkrimet e shenjta dhe të luten më shumë, kjo i streson ato. Ato tashmë ndiejnë sikur kanë shumë [punë] për të bërë.”

Vëllezër e motra, duke qenë se e di nga përvojat e mia vetjake dhe ato me bashkëshortin tim, unë duhet të dëshmoj për bekimet e studimit të përditshëm të shkrimeve të shenjta e të lutjes dhe të mbrëmjes familjare të përjavshme. Këto janë pikërisht zakone që ndihmojnë në largimin e stresit, në dhënien e drejtimit në jetën tonë dhe shtimin e mbrojtjes për shtëpitë tona. Pastaj, nëse pornografia ose sfida të tjera i godasin familjet tona, ne mund t’i lutemi Zotit për ndihmë dhe të presim udhëheqje të madhe prej Shpirtit, duke e ditur se kemi bërë atë që Ati ynë na ka kërkuar të bëjmë.

Vëllezër e motra, nëse këto gjëra nuk janë zakon në shtëpitë tona, të gjithë ne mund të fillojmë tani. Nëse fëmijët tanë janë të rritur dhe nuk pranojnë të na bashkohen, ne mund të fillojmë nga vetja jonë. Ndërsa e bëjmë [këtë], ndikimi i Shpirtit do të fillojë t’i mbushë shtëpitë dhe jetën tonë dhe, me kalimin e kohës, fëmijët mund të reagojnë.

Mbani mend se Apostujt e gjallë kanë premtuar gjithashtu se, ndërsa i kërkojmë paraardhësit tanë dhe i përgatitim emrat e vetë familjes sonë për në tempull, ne do të mbrohemi tani dhe gjatë gjithë jetës sonë, ndërsa e mbajmë veten tonë të denjë për një rekomandim tempulli.5 Çfarë premtimesh!

Të rinj, merrni përgjegjësi për vetë mirëqenien tuaj shpirtërore. Fikeni celularin tuaj nëse është e nevojshme, këndoni një këngë Filloreje, lutuni për ndihmë, mendoni për një shkrim të shenjtë, largohuni nga një film, përfytyrojeni Shpëtimtarin, merreni denjësisht sakramentin, studioni broshurën Për Forcën e Rinisë, jini një shembull për miqtë tuaj, besojini një prindi, shkoni të takoni peshkopin tuaj, kërkoni ndihmë dhe kërkoni këshillim profesional nëse është e nevojshme.

Çfarë dua që nipërit dhe mbesat e mia të dinë? Dua që ata dhe ju të dini se unë e di që Shpëtimtari jeton dhe na do. Ai e ka paguar çmimin për mëkatet tona por ne duhet të gjunjëzohemi përpara Atit tonë në Qiell, me përulësi të thellë, duke rrëfyer mëkatet tona dhe duke iu përgjëruar Atij për falje. Ne duhet të duam t’i ndryshojmë zemrat e dëshirat tona dhe të jemi mjaft të përulur për të kërkuar ndihmën dhe faljen e atyre që mund të kemi lënduar ose braktisur.

E di se Jozef Smithi e pa Perëndinë, Atin tonë Qiellor dhe Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. Dëshmoj se ne kemi një profet të gjallë mbi tokë, Presidentin Tomas S. Monson. Dëshmoj gjithashtu se ne nuk do të udhëhiqemi kurrë në rrugë të gabuar nëse i vëmë veshin këshillës së profetit të Perëndisë. Dëshmoj për fuqinë e besëlidhjeve tona dhe të bekimeve të tempullit.

Unë e di se Libri i Mormonit është i vërtetë! Unë nuk mund ta shpjegoj fuqinë e këtij libri të mrekullueshëm. Unë vetëm e di se, i shoqëruar me lutjen, Libri i Mormonit mbart fuqinë për t’i mbrojtur familjet, për t’i forcuar marrëdhëniet dhe për të dhënë besim vetjak përpara Zotit. Unë dëshmoj për këto gjëra, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball (2006), f. 199–200.

  2. Shih Clay Olsen, “What Teens Wish Parents Knew” (fjalim dhënë në Konferencën e Koalicionit të Jutës Kundër Pornografisë, 22 mars, 2014); utahcoalition.org.

  3. Richard G. Scott, “To Be Free of Heavy Burdens”, Liahona, nëntor 2002, f. 88.

  4. 2 Nefi 25:26.

  5. Shih Dejvid A. Bednar, “Zemrat e Fëmijëve do të Kthehen”, Liahona, nëntor 2011, f. 24–27; Riçard G. Skot, “Gëzimi i Shëlbimit të të Vdekurve”, Liahona, nëntor 2012, f. 93–95; Nil L. Andersen, “Find Our Cousins!” (fjalim dhënë në RootsTech 2014 Family History Conference, 8 shkurt, 2014); lds.org/prophets-and-apostles/unto-all-the-world/find-our-cousins.