2010–2019
Një Trashëgimi e Paçmueshme e Shpresës
Prill 2014


Një Trashëgimi e Paçmueshme e Shpresës

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

Kur zgjidhni nëse do ta bëni apo mbani një besëlidhje me Perëndinë, ju zgjidhni nëse do t’iu lini një trashëgimi shprese atyre që mund të ndjekin shembullin tuaj.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, disa prej jush u ftuan në këtë mbledhje nga misionarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ata misionarë mund t’ju kenë ftuar tashmë të bëni zgjedhjen e bërjes së besëlidhjes me Perëndinë duke u pagëzuar.

Të tjerë prej jush po dëgjojnë, sepse pranuan ftesën e një prindi, një bashkëshorteje apo ndoshta të një fëmije, të bërë ndaj jush me shpresën se do të zgjidhni t’i vendosni besëlidhjet, që i keni bërë tashmë me Perëndinë, sërish në qendër të jetës suaj. Disa prej jush që po dëgjojnë, e kanë bërë tashmë zgjedhjen për t’u kthyer te Shpëtimtari dhe po ndiejnë sot gëzimin e mikpritjes së Tij.

Kushdo që jeni dhe kudo qofshi, ju mbani në duart tuaja lumturinë e më tepër njerëzve nga sa mund të përfytyroni tani. Çdo ditë dhe çdo orë, ju mund të zgjidhni të bëni ose të mbani një besëlidhje me Perëndinë.

Kudo që jeni në shtegun e trashëgimit të dhuratës së jetës së përjetshme, ju keni mundësinë për t’u treguar shumë njerëzve udhën për te një lumturi më e madhe. Kur zgjidhni nëse do ta bëni apo mbani një besëlidhje me Perëndinë, ju zgjidhni nëse do t’iu lini një trashëgimi shprese atyre që mund të ndjekin shembullin tuaj.

Ju dhe unë, jemi bekuar me premtimin e një trashëgimie të tillë. Për një pjesë të madhe të lumturisë sime në jetë, i detyrohem një burri që nuk e takova kurrë në jetën në vdekshmëri. Ai ishte një jetim që u bë një prej stërgjyshërve të mi. Ai më la një trashëgimi të paçmueshme shprese. Më lini t’ju tregoj pak për rolin që ai luajti në krijimin e asaj trashëgimie për mua.

Ai quhej Hainrih Ajring. Ai u lind në familje shumë të kamur. I ati, Eduardi, kishte një pronë të madhe në Koburg, në atë që sot është Gjermania. E ëma ishte Dukesha Sharlot Von Blomberg. Babai i saj ishte kujdestari i tokave të mbretit të Prusisë.

Hainrihu ishte djali i parë i Sharlotës dhe Eduardit. Sharlota vdiq në moshën 31-vjeçare, pas lindjes së fëmijës së saj të tretë. Eduardi vdiq pak kohë pas kësaj, pasi i kishte humbur të gjitha pronat dhe pasurinë në një investim të dështuar. Ishte vetëm 40 vjeç. Ai la tre fëmijë jetimë.

Hainrihu, stërgjyshi im, i humbi që të dy prindërit e tij dhe një trashëgimi të madhe tokësore. Ai mbeti pa asnjë kacidhe. Ai shënoi në historinë e tij se ndjeu që shpresa e tij më e mirë qëndronte tek të shkuarit në Amerikë. Edhe pse nuk kishte as familje as miq atje, ai kishte një ndjenjë shprese rreth të shkuarit në Amerikë. Në fillim, ai shkoi në qytetin e Nju-Jorkut. Më vonë ai u shpërngul në Seint-Luis në Misuri.

Në Seint-Luis, një prej bashkëpunëtorëve të tij, ishte shenjtor i ditëve të mëvonshme. Prej tij, ai mori një kopje të broshurës së shkruar nga Plaku Parli P. Prat. E lexoi atë dhe më pas studioi çdo fjalë që mund të siguronte rreth shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Ai u lut për ta ditur nëse kishte vërtet engjëj që iu shfaqën njerëzve, nëse kishte një profet të gjallë dhe nëse e kishte gjetur ai një fe të vërtetë e të dhënë nëpërmjet zbulesës.

Pas dy muajsh studimi e lutjeje të kujdesshme, Hainrihu pa një ëndërr në të cilën iu tha të pagëzohej. Një burrë, emrin dhe priftërinë e të cilit e ruaj si kujtim të shenjtë, Plaku Uilliam Braun, do ta kryente ordinancën. Hainrihu u pagëzua në një pellg me ujë shiu, më 11 mars të vitit 1855, në orën 7:30 të mëngjesit.

Unë besoj se Hainrih Ajringu e dinte atëherë se ajo që unë po ju mësoj sot, është e vërtetë. Ai e dinte se lumturia e jetës së përjetshme vjen nëpërmjet lidhjeve familjare që vazhdojnë përgjithmonë. Edhe pse e kishte gjetur jo prej shumë kohësh planin e Zotit për lumturinë, ai e dinte se shpresa e tij për gëzim të përjetshëm varej nga zgjedhjet e lira të të tjerëve për ta ndjekur shembullin e tij. Shpresa e tij për lumturi të përjetshme varej nga njerëz që ende nuk ishin lindur.

Si pjesë e trashëgimisë së familjes sonë për shpresën, ai la një histori për pasardhësit e tij.

Në atë histori, unë mund ta ndiej dashurinë e tij për ata prej nesh që do ta ndiqnin atë. Në fjalët e tij, unë e ndiej shpresën që pasardhësit e tij mund të zgjedhin ta ndjekin atë në shtegun e kthimit për te shtëpia jonë qiellore. Ai e dinte se nuk do të ishte për t’u bërë një zgjedhje e vetme dhe e madhe që të arrihej kjo, por shumë zgjedhje të vogla. Citoj nga kjo histori:

“Që nga koha që e dëgjova për herë të parë Plakun Endrjus të fliste … e kam ndjekur gjithnjë mbledhjen e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe rastet janë vërtet shumë të rralla, kur nuk kam arritur të shkoj në mbledhje, duke qenë në të njëjtën kohë detyra ime t’i ndjek këto mbledhje.

E përmend këtë në historinë time që fëmijët e mi të mund ta imitojnë shembullin tim e të mos e shpërfillin kurrë këtë … detyrë të rëndësishme për t’u mbledhur me shenjtorët.”1

Hainrihu e dinte se, në mbledhjet e sakramentit, ne mund ta përtërinim premtimin tonë për ta kujtuar gjithmonë Shpëtimtarin dhe për ta pasur gjithmonë Shpirtin e Tij me ne.

Ishte ai Shpirt që e përkrahu atë në misionin në të cilin u thirr, vetëm pak muaj pasi pranoi besëlidhjen e tij të pagëzimit. Ai la si trashëgimi shembullin e tij të të qëndruarit besnik në misionin e tij për gjashtë vjet në ato që atëherë quheshin Territoret Indiane. Për të marrë lirimin e tij nga misioni, ai eci dhe hipi në një karavan karrocash nga Oklahoma për në Solt-Lejk-Siti, në një largësi prej afërsisht 1.770 km.

Shpejt pas kësaj, u thirr nga profeti i Perëndisë për t’u shpërngulur në Jutën jugore. Nga aty, iu përgjigj një thirrjeje tjetër për të shërbyer një mision në vendlindjen e tij, në Gjermani. Më pas, ai pranoi ftesën e një Apostulli të Zotit Jezu Krisht për të ndihmuar në ndërtimin e kolonive të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në Meksikën veriore. Prej andej, u thirr në Meksiko-Siti si një misionar kohëplotë. Ai i kreu me nder ato thirrje. Ai dergjet i varrosur në një varrezë të vogël në Kolonia Huarez, në Çiuaua të Meksikës.

I radhit këto fakte, jo për të shpallur madhështi për të ose për atë që ai bëri, apo për pasardhësit e tij. I radhit ato fakte për ta nderuar atë për shembullin e besimit e të shpresës që ishte në zemrën e tij.

Ai i pranoi ato thirrje për shkak të besimit të tij se Krishti i ringjallur dhe Ati ynë Qiellor i ishin shfaqur Jozef Smithit në një korije pemësh në shtetin e Nju-Jorkut. Ai i pranoi ato, sepse kishte besim se çelësat e priftërisë në Kishën e Zotit ishin rivendosur me fuqinë për t’i vulosur familjet përgjithmonë, vetëm nëse ato do të kishin besim të mjaftueshëm për t’i mbajtur besëlidhjet e tyre.

Sikurse Hainrih Ajringu, paraardhësi im, ju mund të jeni i pari në familjen tuaj që hapni udhën drejt jetës së përjetshme, përgjatë shtegut të besëlidhjeve të shenjta, të bëra e të mbajtura me zell e besim. Çdo besëlidhje sjell me vete detyra dhe premtime. Për të gjithë ne, sikurse ishin për Hainrihun, ato detyra janë ndonjëherë të thjeshta, por shpesh janë të vështira. Por kujtoni, detyrat duhet të jenë të vështira ndonjëherë, sepse qëllimi i tyre është që të na lëvizin përgjatë shtegut për të jetuar përgjithmonë me Atin Qiellor dhe Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin, në familje.

Ju i mbani mend fjalët nga libri i Abrahamit:

“Dhe atje qëndroi një mes tyre, që ishte sikurse Perëndia, dhe ai u tha atyre që ishin me të: Ne do të zbresim, sepse ka hapësirë atje, dhe do të marrim prej këtyre materialeve ne do të bëjmë një tokë në të cilën këta të mund të banojnë;

Dhe ne do t’i provojmë me këtë, për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë;

Dhe ata që e ruajnë gjendjen e parë, atyre do t’u shtohet; dhe ata që nuk e ruajnë gjendjen e parë, nuk do të kenë lavdi në të njëjtën mbretëri me ata që e ruajnë gjendjen e tyre të parë; dhe ata që e ruajnë gjendjen e tyre të dytë, do të kenë lavdi të shtuar mbi kokat e tyre përherë e përgjithmonë.”2

Ruajtja e gjendjes sonë të dytë, varet nga bërja e besëlidhjeve prej nesh me Perëndinë dhe kryerja me besnikëri e detyrave që ato kërkojnë prej nesh. Duhet besim te Jezu Krishti si Shpëtimtari ynë për t’i mbajtur besëlidhjet e shenjta për tërë jetën.

Për shkak se Adami dhe Eva ranë, ne kemi tundim, sprova dhe vdekje si trashëgiminë tonë të përgjithshme. Megjithatë, Ati ynë i dashur Qiellor, na dha dhuratën e Birit të Tij të Dashur, Jezu Krishtit, si Shpëtimtarin tonë. Ajo dhuratë e madhe dhe bekimi i Shlyerjes së Jezu Krishtit sjell një trashëgimi të përgjithshme: premtimin e Ringjalljes dhe mundësinë për jetë të përjetshme për të gjithë ata që janë lindur.

Më i madhi i të gjitha bekimeve të Perëndisë, jeta e përjetshme, do të na vijë vetëm kur ne bëjmë besëlidhjet e ofruara në Kishën e vërtetë të Jezu Krishtit me anë të shërbëtorëve të Tij të autorizuar. Për shkak të Rënies, ne të gjithë kemi nevojë për efektet pastruese të pagëzimit dhe të vënies së duarve për të marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë. Këto ordinanca duhet të kryhen nga ata që zotërojnë autoritetin e duhur të priftërisë. Më pas, me ndihmën e Dritës së Krishtit dhe të Frymës së Shenjtë, ne mund t’i mbajmë të gjitha besëlidhjet që bëjmë me Perëndinë, veçanërisht ato të ofruara në tempujt e Tij. Vetëm në atë mënyrë dhe me atë ndihmë, mundet dikush ta shpallë trashëgiminë e vet, që i përket si fëmijë i Perëndisë, në një familje përgjithmonë.

Disave që po më dëgjojnë, kjo mund t’iu duket thuajse një ëndërr e pashpresë.

Ju keni parë prindër besnikë të pikëllohen prej fëmijëve që nuk i kanë pranuar besëlidhjet e tyre me Perëndinë ose që kanë zgjedhur t’i thyejnë ato. Por, ata prindër, mund të marrin zemër e shpresë nga përvoja të tjera prindërore.

Bijtë e Almës dhe të mbretit Mosia u kthyen nga rebelimi i ashpër kundër besëlidhjeve dhe urdhërimeve të Perëndisë. Alma i Riu e pa të birin, Koriantonin, të kthehej nga mëkati i rëndë në shërbimin besnik. Libri i Mormonit shënon edhe mrekullinë e lamanitëve që e lanë mënjanë traditën e të urryerit të drejtësisë për të bërë besëlidhjen që të vdisnin për të ruajtur paqen.

Një engjëll iu dërgua Alma të riut dhe bijve të Mosias. Engjëlli erdhi për shkak të besimit dhe lutjeve të etërve të tyre dhe të popullit të Perëndisë. Nga ata shembuj të fuqisë së Shlyerjes që vepron në zemrat njerëzore, ju mund të merrni kurajë e ngushëllim.

Zoti na e ka dhënë ne të gjithëve burimin e shpresës teksa mundohemi t’i ndihmojmë ata që i duam, që ta pranojnë trashëgiminë e tyre të përjetshme. Ai na ka bërë premtime teksa vazhdojmë të përpiqemi t’i mbledhim njerëzit tek Ai, edhe kur ata e kundërshtojnë ftesën e Tij për ta bërë këtë. Kundërshtimi i tyre e trishton Atë, por Ai nuk heq dorë, as ne nuk duhet ta bëjmë. Ai jep shembullin e përkryer për ne me dashurinë e Tij ngulmuese: “Dhe përsëri, sa herë do t’ju kisha mbledhur sikurse një klloçkë mbledh zogjtë e saj nën krahët e saj, po, O ju njerëz të shtëpisë së Izraelit që keni rënë; po, O ju njerëz të shtëpisë së Izraelit, ju që banoni në Jeruzalem, sikurse dhe ju që keni rënë; po, sa herë do t’ju kisha mbledhur sikurse një klloçkë mbledh zogjtë e saj, por ju nuk keni dashur”3.

Ne mund të mbështetemi tek ajo dëshirë e padështueshme e Shpëtimtarit për t’i kthyer të gjithë fëmijët shpirtërorë të Atit Qiellor në shtëpinë e tyre me Të. Çdo prind, gjysh dhe stërgjysh besnik e kanë të përbashkët atë dëshirë. Ati Qiellor dhe Shpëtimtari janë shembujt tanë të përkryer të asaj që ne mund dhe duhet të bëjmë. Ata nuk e imponojnë kurrë drejtësinë, sepse drejtësia duhet të zgjidhet. Ata e bëjnë drejtësinë të dallueshme për ne dhe na lënë të shohim se frytet e saj janë të këndshme.

Çdo njeri i lindur në botë e merr Dritën e Krishtit, e cila na ndihmon të shohim e të ndiejmë se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar. Perëndia ka dërguar shërbëtorë të vdekshëm, të cilët, me anë të Frymës së Shenjtë, na ndihmojnë ta njohim atë që Ai do të dëshironte të bënim dhe atë që Ai e ndalon. Perëndia e bën tërheqëse zgjedhjen e së drejtës duke na lënë t’i ndiejmë pasojat e zgjedhjeve tona. Nëse zgjedhim të drejtën, ne vërtet do të gjejmë lumturi – përfundimisht. Nëse zgjedhim të ligën, vjen pikëllim e brengosje – përfundimisht. Ato pasoja janë të sigurta. Prapëseprapë, ato shpesh vonohen për një qëllim. Nëse bekimet do të ishin të menjëhershme, zgjedhja e së drejtës nuk do të krijonte besim. Dhe duke qenë se, edhe pikëllimi ndonjëherë vonohet shumë, duhet besim që ta ndiejmë nevojën për të kërkuar falje për mëkatin herët, në vend që ta bëjmë pasi t’i ndiejmë pasojat e tij pikëlluese e të dhembshme.

Baba Lehi u pikëllua për zgjedhjet e bëra nga disa prej bijve të tij dhe familjet e tyre. Ai ishte një njeri i shkëlqyer dhe i mirë – një profet i Perëndisë. Ai u dëshmoi shpesh atyre për Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. Ai ishte një shembull bindjeje dhe shërbimi kur Zoti e thirri që t’i linte të gjitha zotërimet e tij tokësore për ta shpëtuar familjen e tij nga shkatërrimi. Pikërisht në fundin e jetës së tij, ai ende po u dëshmonte fëmijëve të tij. Ashtu si Shpëtimtari – dhe pavarësisht fuqisë së tij për t’i njohur zemrat e tyre dhe për ta parë të ardhmen, si atë të trishtuar edhe atë të mrekullueshme – Lehi vazhdoi të priste krahëhapur për ta çuar familjen e tij drejt shpëtimit.

Sot, miliona pasardhës të Baba Lehit po e përligjin shpresën e tij për ta.

Çfarë mund të bëjmë ju dhe unë për të mësuar nga shembulli i Lehit? Ne mund të mësojmë nga shembulli i tij duke i studiuar shkrimet e shenjta me lutje dhe me anë të vrojtimit.

Ju sugjeroj që të mendoni me këndvështrim afatshkurtër dhe afatgjatë teksa përpiqeni t’ia jepni trashëgiminë e shpresës familjes suaj. Në këndvështrimin afatshkurtër, do të ketë shqetësime dhe Satani do të ulërijë. Dhe ka gjëra për të cilat duhet pritur me durim, me besim, duke e ditur se Zoti vepron në kohën e Vet dhe në mënyrën e Vet.

Ka disa gjëra që mund t’i bëni që herët, kur ata që doni janë të vegjël. Kujtoni se lutja e përditshme familjare, studimi i shkrimeve të shenjta si familje dhe dhënia e dëshmisë sonë në mbledhjen e sakramentit janë më të lehta dhe më të efektshme kur fëmijët janë të vegjël. Fëmijët e vegjël shpesh, janë më të ndjeshëm ndaj Shpirtit nga sa e kuptojmë ne.

Kur të jenë më të rritur, ata do t’i mbajnë mend himnet që kënduan me ju. Madje, më tepër se të kujtojnë muzikën, ata do të mbajnë mend fjalët e shkrimeve të shenjta dhe të dëshmisë. Fryma e Shenjtë mund t’i sjellë të gjitha gjërat në kujtesën e tyre, por fjalët e shkrimeve të shenjta dhe të himneve do t’iu kujtohen më gjatë. Ato kujtime do të ushtrojnë një tërheqje që mund t’i kthejë ata kur enden larg për një kohë, ndoshta për vite, nga shtegu i kthimit për te jeta e përjetshme.

Do të na duhet këndvështrimi afatgjatë kur ata që i duam, e ndiejnë tërheqjen e botës dhe reja e dyshimit duket se e trondit besimin e tyre. Ne kemi besim, shpresë dhe dashuri hyjnore për të na udhërrëfyer ne dhe për t’i forcuar ata.

E kam parë atë si një këshilltar i dy profetëve të gjallë të Perëndisë. Ata janë individë me personalitete të pashembullta. Prapëseprapë, ata duket se kanë të përbashkët një optimizëm të përhershëm. Kur dikush vë alarmin për diçka në Kishë, përgjigjja e tyre më e shpeshtë është: “O, gjërat do të rregullohen”. Ata në përgjithësi dinë më shumë rreth problemit sesa njerëzit që ngrenë alarmin.

Ata e njohin gjithashtu mënyrën e Zotit dhe ndaj, ata kanë gjithnjë shpresë rreth mbretërisë së Tij. Ata e dinë se Ai është në krye të saj. Ai është i gjithëfuqishëm dhe Ai tregon kujdes. Nëse e lini Atë të jetë udhëheqësi i familjes suaj, gjërat do të rregullohen.

Disa prej pasardhësve të Hainrih Ajringut duket se janë endur në rrugë të gabuar. Por shumë prej stër-stërnipërve të tij shkojnë në tempujt e Perëndisë në 6:00 të mëngjesit për të kryer ordinanca për paraardhës që nuk i kanë takuar kurrë. Ata shkojnë për shkak të trashëgimisë së shpresës që la ai. Ai la një trashëgimi që po shpallet nga shumë prej pasardhësve të tij.

Pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë me besim, Zoti do ta përligjë shpresën tonë për bekime më të mëdha për familjet tona, nga sa mund të përfytyrojmë. Ai dëshiron më të mirën për ata dhe për ne, si fëmijët e Tij.

Ne jemi të gjithë fëmijë të një Perëndie të gjallë. Jezusi i Nazaretit është Biri i Tij i Dashur dhe Shpëtimtari ynë i ringjallur. Kjo është Kisha e Tij. Në të janë çelësat e priftërisë dhe prandaj familjet mund të jenë përgjithmonë. Kjo është trashëgimia jonë e paçmueshme e shpresës. Unë dëshmoj se kjo është e vërtetë, në emrin e Zotit Jezu Krisht, amen.