2010–2019
Ku Është Thesari Juaj
Prill 2014


Ku Është Thesari Juaj

Pamja
Plaku Majkëll Xhon U. Teh

Nëse nuk jemi të kujdesshëm, ne do të fillojmë të rendim pas gjërave tokësore më shumë se pas atyre shpirtërore.

Pak pas konferencës së përgjithshme në tetor të vitit 2007, një nga vëllezërit e mi më tha se do të kalonin rreth shtatë vjet përpara se ta përjetoja sërish këtë përvojë të vështirë. U qetësova dhe i thashë se do t’i konsideroja ato “shtatë vite[t e mia të] bollëku[t]”. Pra, ja ku jam; shtatë viteve të mia të bollëkut u ka ardhur fundi.

Janarin e kaluar, unë dhe e dashura e zemrës sime, Greisi, morëm një detyrë për të vizituar anëtarët në Flipine, të cilët ishin shkretuar nga një tërmet i madh dhe një tajfun shumë i fuqishëm. Ne u gëzuam sepse detyra ishte përgjigje e lutjeve tona dhe një dëshmi e mëshirës dhe e mirësisë së një Ati të dashur në Qiell. Ajo i dha përmbushje dëshirës sonë të madhe për t’ua shprehur vetë atyre dashurinë dhe shqetësimin tonë.

Pjesa më e madhe e anëtarëve që takuam, po jetonin ende në streha të përkohshme si çadra, qendra komuniteti dhe shtëpi mbledhjesh të Kishës. Shtëpitë që vizituam, ose kishin çati të pjesshme ose nuk kishin fare çati. Njerëzit nuk kishin shumë zotërime që më parë dhe ajo pak që kishin, [tashmë] ishte zhdukur. Kishte baltë dhe gërmadha gjithandej. Megjithatë, ata ishin plot mirënjohje për atë pak ndihmë që morën dhe ishin të gëzuar e në humor të mirë, pavarësisht rrethanave të tyre shumë të vështira. Kur i pyetëm se si po i përballonin, gjithsecili u përgjigj me një fjali kumbuese, “Ne jemi mirë”. Duket qartë se besimi i tyre te Jezu Krishti u dha shpresë se në fund çdo gjë do të kishte zgjidhje. Shtëpi pas shtëpie, çadër pas çadre, unë dhe Motra Teh po merrnim mësim nga këta shenjtorë besnikë.

Në kohët e fatkeqësisë ose të tragjedisë, Zoti ka një mënyrë për të ndryshuar përqendrimin dhe përparësitë tona. Krejt papritur, të gjitha gjërat materiale për të cilat kemi punuar kaq shumë që t’i sigurojmë, nuk kanë rëndësi. Gjithçka që ka vërtet rëndësi, është familja jonë dhe marrëdhëniet tona me të tjerët. Një motër e mirë e shprehu në këtë mënyrë: “Pasi uji u tërhoq dhe ishte koha për të filluar pastrimin, pashë rreth shtëpisë sime dhe mendova, ‘Ua, paskam grumbulluar shumë mbeturina gjatë këtyre viteve’”.

Mendoj se kjo motër ka fituar një këndvështrim më të mirë dhe si rrjedhojë, do të jetë shumë e kujdesshme kur të vendosë se cilat janë gjërat e nevojshme dhe cilat janë ato pa të cilat në të vërtetë mund të jetojë.

Duke punuar me shumë anëtarë përgjatë viteve, ne kemi pasur kënaqësinë të vëzhgojmë një bollëk të forcës shpirtërore. Ne gjithashtu, kemi parë një bollëk dhe një mungesë të zotërimeve materiale midis këtyre anëtarëve besnikë.

Për shkak të nevojës, pjesa jonë më e madhe, janë përfshirë në fitimin e parave dhe sigurimin e disa të mirave të botës për të qenë në gjendje t’i mbajmë familjet tona. Kjo kërkon një pjesë të mirë të kohës dhe vëmendjes sonë. Nuk ka fund të asaj që bota ka për të dhënë, prandaj është vendimtare që ne të mësojmë ta pranojmë kur kemi mjaftueshëm. Nëse nuk jemi të kujdesshëm, ne do të fillojmë të rendim pas gjërave tokësore më shumë se pas atyre shpirtërore. Kërkimi ynë për shpirtëroren dhe të përjetshmen do të ketë një përparësi më të vogël, në vend që të jetë e kundërta. Është për të ardhur keq, por duket se ekziston një prirje për të marrë gjithmonë e më shumë dhe për të zotëruar atë që është më e fundit dhe më mondane.

Si mund të sigurohemi që të mos tërhiqemi në këtë shteg? Jakobi dha këtë këshillë: “Prandaj, mos shpenzoni para për atë që nuk ka vlerë, as punën tuaj për atë që nuk mund të japë kënaqësi. Më dëgjoni me zell dhe mbani mend fjalët që ju kam thënë; dhe ejani tek i Shenjti i Izraelit dhe merrni sa të mundni nga ajo që nuk mbaron, as që nuk mund të korruptohet dhe e lini shpirtin tuaj të kënaqet në bollëk.”1

Shpresoj që asnjë nga ne të mos shpenzojë para për atë që nuk ka vlerë, as punën tuaj për atë që nuk mund të japë kënaqësi.

Shpëtimtari u mësoi sa vijon si judenjve edhe nefitëve:

“Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja dhe ndryshku, dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin:

përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin:

Sepse ku është thesari juaj do të jetë edhe zemra juaj.”2

Në një rrethanë tjetër, Shpëtimtari dha këtë shëmbëlltyrë:

“Tokat e një pasaniku dhanë të korra të bollshme;

dhe ai arsyetonte me vete duke thënë: ‘Ç’të bëj, sepse nuk kam vend ku t’i shtie të korrat e mia?’

Dhe tha: ‘Këtë do të bëj: do të shemb hambarët e mia dhe do t’i bëj më të mëdhenj, ku do të shtie të gjitha të korrat dhe pasuritë e tjera,

dhe pastaj do t’i them shpirtit tim: Shpirt, ti ke pasuri të shumta të shtëna për shumë vjet; pusho, ha, pi dhe gëzo’.

Por Perëndia i tha: ‘O i pamend, po atë natë shpirtin tënd do të ta kërkojnë dhe ato që përgatite të kujt do të jenë?’

Kështu i ndodh atij që grumbullon thesare për vete dhe nuk është i pasur ndaj Perëndisë.”3

Presidenti Diter F. Uhtdorf dha këshillën vijuese, jo shumë kohë më parë:

“Ati ynë Qiellor e sheh potencialin tonë të vërtetë. Ai di rreth nesh gjëra që as vetë nuk i dimë. Ai na nxit gjatë jetës sonë që të plotësojmë qëllimin e krijimit tonë, që të bëjmë një jetë të drejtë dhe të rikthehemi në praninë e Tij.

Përse, atëherë, u kushtojmë kaq shumë nga koha dhe energjia jonë gjërave që janë kaq të përkohshme, kaq të paqëndrueshme dhe kaq sipërfaqësore? A kundërshtojmë të shohim marrëzinë te ndjekja e të parëndësishmes dhe të përkohshmes?”4

Ne të gjithë e dimë se lista jonë e thesareve tokësore përbëhet nga krenaria, pasuria, gjërat materiale, pushteti dhe nderimet e njerëzve. Ato nuk meritojnë më shumë kohë e vëmendje, prandaj, në vend të kësaj, unë do të përqendrohem te gjërat që do të përbëjnë thesaret tona në qiell.

Cilat janë disa thesare në qiell që mund të mbledhim për veten tonë? Për ta filluar, do të ishte mirë që ne të fitojmë vetitë si të Krishtit, të besimit, shpresës, përulësisë dhe dashurisë hyjnore. Ne jemi këshilluar në mënyrë të përsëritur që ta “zhvesh[im] njeriun e natyrshëm dhe … [të bëhemi] si një fëmijë”5. Këshilla e Shpëtimtarit është që ne të përpiqemi të jemi të përkryer si Ai dhe Ati ynë Qiellor.6

Së dyti, ne duhet të japim më shumë kohë cilësore dhe përpjekje në forcimin e marrëdhënieve familjare. Mbi të gjitha, “familja shugurohet nga Perëndia. Ajo është njësia më e rëndësishme në kohë dhe në përjetësi”7.

Së treti, shërbimi ndaj të tjerëve është shenjë dalluese e një ndjekësi të vërtetë të Krishtit. Ai tha: “Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua”8.

Së katërti, të kuptuarit e doktrinës së Krishtit dhe forcimi i dëshmive tona është një punë që do të sjellë gëzim e kënaqësi të vërtetë. Ne duhet t’i studiojmë vazhdimisht fjalët e Krishtit, siç gjenden në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve të gjallë. “Pasi, vini re, fjalët e Krishtit do t’ju tregojnë të gjitha gjërat që ju duhet të bëni.”9

Më lejoni ta mbyll me historinë e një të veje 73-vjeçare, të cilën e takuam gjatë udhëtimit tonë në Filipine:

Kur tërmeti goditi ishullin Bohol, shtëpia që ajo dhe bashkëshorti i saj i ndjerë kishin punuar kaq shumë për ta ndërtuar, u shemb përtokë, duke vrarë vajzën dhe nipin e saj. Tashmë e vetmuar, ajo duhej të punojë për të mbajtur vetveten. Ajo ka filluar të lajë rroba (të cilën e bën me dorë) dhe duhet të shkojë lart e poshtë një kodre të madhe, disa herë në ditë, për të mbushur ujë. Kur ne e vizituam, ajo po jetonte ende në një çadër.

Këto janë fjalët e saj: “Eldër [Plak], e pranoj çdo gjë që Zoti më ka kërkuar të kaloj. Nuk kam hatërmbetje. E ruaj si thesar rekomandimin tim të tempullit dhe e mbaj nën jastëk. Ju lutem, dijeni se paguaj një të dhjetë të plotë nga të ardhurat e mia të pakta nga larja e rrobave. Çfarëdo që të ndodhë, unë gjithmonë do ta paguaj të dhjetën.”

Unë ju dëshmoj se përparësitë, prirjet, parapëlqimet, dëshirat, orekset e pasionet tona do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në gjendjen tonë të ardhshme. Le t’i kujtojmë gjithmonë fjalët e Shpëtimtarit: “Sepse ku është thesari juaj do të jetë edhe zemra juaj”. Qoftë zemra jonë në vendin e duhur, është lutja ime, në emrin e Jezu Krishtit, amen.