2010–2019
Dëshmia
Prill 2014


Dëshmia

Pamja
Plaku Bojd K. Paker

Dëshiroj t’ju tregoj ato të vërteta që janë më me vlerë për t’u ditur.

Kohët e luftës ose të pasigurisë kanë një mënyrë për ta mprehur përqendrimin tonë te gjërat që kanë vërtet rëndësi.

Lufta II Botërore ishte një kohë me trazirë të madhe shpirtërore për mua. Isha larguar nga shtëpia ime në Brigam-Siti të Jutës, vetëm me hijen e një dëshmie dhe ndjeva nevojën për diçka më shumë. E gjithë matura jonë ishte thuajse rrugës për në zonën e luftës për punë javësh. Ndërkohë që isha vendosur në ishullin e Ie Shimës, pikërisht në veri të Okinavës në Japoni, u mundova me dyshim e pasiguri. Dëshiroja një dëshmi vetjake për ungjillin. Dëshiroja të dija!

Gjatë një nate pa gjumë, u largova nga tenda ime dhe hyra në një bunker që ishte formuar nga rreshtimi i fuçive 190-litërshe të lëndëve djegëse të mbushura me rërë e të vendosura njëra mbi tjetrën për të krijuar një vend të rrethuar. Nuk kishte çati dhe kështu u futa brenda këmbadoras, pashë drejt qiellit të mbushur me yje dhe u gjunjëzova për t’u lutur.

Thuajse në gjysmë të fjalëve të lutjes ajo ndodhi. Nuk do të mundesha t’jua përshkruaja se çfarë ndodhi edhe sikur të isha i vendosur ta bëja këtë. Është përtej fuqisë sime për t’u shprehur, por është po aq e qartë sot, sa ishte atë natë mbi 65 vite më parë. E dija se ishte një shfaqje shumë vetjake, shumë individuale. Më në fund unë e dija vetë. E dija me siguri, sepse ajo më ishte dhënë. Pas njëfarë kohe, dola këmbadoras nga ai bunker dhe eca, ose fluturova nga lumturia e u ktheva në shtrat. E kalova pjesën e mbetur të natës me një ndjenjë gëzimi e nderimi.

Duke mos menduar kurrsesi se isha një njeri i veçantë, mendova se, nëse një gjë e tillë më erdhi mua, atëherë ajo mund t’i vinte kujtdo. Ende e besoj atë. Në vitet që kanë pasuar, kam arritur ta kuptoj se një përvojë e tillë është njëherësh një dritë për t’u ndjekur e një barrë për t’u mbajtur.

Dua t’jua tregoj ato të vërteta që janë më me vlerë për t’u ditur, gjërat që i kam mësuar dhe përjetuar në afro 90 vjet jetë dhe mbi 50 vjet si Autoritet i Përgjithshëm. Pjesa më e madhe e asaj që kam arritur të di, i përket kategorisë së gjërave që nuk mund të jepen mësim, por mund të mësohen.

Si shumica e gjërave me vlerë të madhe, dija që është me vlerë të përjetshme, vjen vetëm nëpërmjet lutjes dhe përsiatjes vetjake. Këto, së bashku me agjërimin dhe studimin e shkrimeve të shenjta, do të ftojnë mbresa e zbulesa dhe pëshpëritjet e Shpirtit të Shenjtë. Kjo na siguron udhëzim nga lart teksa mësojmë parim pas parimi.

Zbulesat premtojnë se “çfarëdo parimi inteligjence që fitojmë në këtë jetë, do të ngrihet me ne në ringjallje” dhe se “dij[a] dhe inteligjenc[a] [fitohen] … nëpërmjet zellit dhe bindjes” (DeB 130:18–19).

Një e vërtetë e përjetshme që kam arritur të di, është se Perëndia jeton. Ai është Ati ynë. Ne jemi fëmijët e Tij. “Ne besojmë në Perëndinë, Atin e Përjetshëm, dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe në Frymën e Shenjtë” (Nenet e Besimit 1:1).

Nga të gjithë titujt e tjerë që mund të kishte përdorur, Ai zgjodhi të quhej “Atë”. Shpëtimtari urdhëroi: “Ju, pra, lutuni kështu: ‘Ati ynë që je në qiej’” (3 Nefi 13:9; shih edhe Mateu 6:9). Përdorimi i emrit “Atë” prej Tij është një mësim për të gjithë teksa arrijmë të kuptojmë se çfarë ka më tepër rëndësi në këtë jetë.

Prindërimi është një privilegj i shenjtë dhe, në varësi të besnikërisë, mund të jetë një bekim i përjetshëm. Qëllimi përfundimtar i gjithë aktivizimit në Kishë është që një burrë e bashkëshortja e tij dhe fëmijët e tyre të mund të jenë të lumtur në shtëpi.

Ata që nuk martohen ose ata që nuk mund të kenë fëmijë, nuk janë të përjashtuar nga bekimet e përjetshme që ata kërkojnë, por të cilat, për momentin, mbeten përtej mundësive të tyre. Ne nuk e dimë gjithnjë se si ose kur do të shfaqen bekimet, por premtimi i përparimit të përjetshëm nuk do t’i mohohet asnjë individi besnik që i bën dhe i mban besëlidhjet e shenjta.

Dëshirat tuaja të zjarrta e të fshehta dhe përgjërimet me lot do ta prekin zemrën edhe të Atit edhe të Birit. Do t’ju jepet një siguri vetjake prej Tyre se jeta juaj do të jetë e plotë dhe se asnjë bekim që është thelbësor, nuk do të humbasë për ju.

Si një shërbëtor i Zotit, duke vepruar në detyrën ku jam shuguruar, u bëj një premtim atyre që janë në rrethana të tilla, se nuk do të ketë asgjë thelbësore për shpëtimin dhe ekzaltimin tuaj që nuk do të prehet mbi ju kur të vijë koha. Krahët që tani janë bosh, do të mbushen dhe zemrat që tani lëngojnë nga ëndrrat dhe dëshirat e zjarrta e të thyera, do të shërohen.

Një e vërtetë tjetër që kam arritur të di, është se Fryma e Shenjtë është i vërtetë. Ai është anëtari i tretë i Kreut-Perëndi. Misioni i Tij është të dëshmojë për të vërtetën dhe drejtësinë. Ai e shpalos Veten në shumë mënyra, përfshirë ndjenjat e paqes dhe sigurimit. Ai mund të sjellë edhe ngushëllim, udhërrëfim dhe korrigjim kur nevojitet. Shoqërimi i Frymës së Shenjtë mbahet gjatë gjithë jetës sonë me anë të të jetuarit të drejtë.

Dhurata e Frymës së Shenjtë jepet nëpërmjet një ordinance të ungjillit. Një burrë me autoritet vendos duart e tij mbi kokën e një anëtari të ri të Kishës dhe thotë fjalë të tilla si këto: “Merre Frymën e Shenjtë”.

Vetëm kjo ordinancë nuk na ndryshon në një mënyrë të dallueshme por, nëse i dëgjojmë dhe i ndjekim shtysat, ne do të marrim bekimin e Frymës së Shenjtë. Çdo bir apo bijë e Atit tonë Qiellor mund të arrijë ta dijë vërtetësinë e premtimit të Moronit: “Nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave” (Moroni 10:5; theksimi i shtuar).

Një e vërtetë hyjnore që kam fituar në jetën time, është dëshmia ime për Zotin Jezu Krisht.

Në krye dhe në mbështetje të gjithçkaje që bëjmë, me spirancë të hedhur nëpër zbulesa, është emri i Zotit, që është autoriteti me anë të të cilit ne veprojmë në Kishë. Çdo lutje e dhënë, madje edhe nga fëmijët e vegjël, mbyllet me emrin e Jezu Krishtit. Çdo bekim, çdo ordinancë, çdo shugurim, çdo veprim zyrtar bëhet në emrin e Jezu Krishtit. Kjo është Kisha e Tij dhe ka emrin e Tij – Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (shih DeB 115:4).

Ka një ndodhi të madhërishme në Librin e Mormonit ku nefitët “po i luteshin Atit në emrin e [Zotit]”. Zoti u shfaq dhe pyeti:

“Çfarë doni që t’ju jap?

Dhe ata i thanë atij: Zot, ne do të donim që ti të na tregosh emrin me të cilin ta quajmë këtë kishë; pasi ka debate mes njerëzve në lidhje me këtë çështje.

Dhe Zoti u tha atyre: Në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them juve, përse njerëzit duhet të mërmëritin dhe të bëjnë debat për këtë gjë?

A nuk i kanë lexuar shkrimet e shenjta të cilat thonë që ju duhet të merrni mbi vete emrin e Krishtit, që është emri im? Pasi, me këtë emër, ju do të thirreni në ditën e fundit;

Dhe kushdo që merr mbi vete emrin tim dhe duron deri në fund, po ai do të shpëtohet në ditën e fundit. …

Prandaj, çdo gjë që do të bëni, do ta bëni në emrin tim; prandaj ju do ta quani kishën në emrin tim; dhe do t’i thërrisni Atit në emrin tim, që ta bekojë kishën për hirin tim” (3 Nefi 27:2–7).

Është në emrin e Tij, Jezu Krishtit, “sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Veprat e Apostujve 4:12).

Në Kishë ne e dimë se cili është Ai: Jezu Krishti, Biri i Perëndisë. Ai është i Vetëmlinduri i Atit. Ai është Ai që u vra dhe Ai që jetoi përsëri. Ai është Avokati ynë me Atin. “Mbani mend, mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj” (Helamani 5:12). Ai është spiranca që na mban e na mbron ne dhe familjet tona gjatë stuhive të jetës.

Çdo të diel nëpër botë ku mblidhen bashkësitë e çdo kombësie apo gjuhe, sakramenti bekohet me të njëjtat fjalë. Ne marrim mbi vete emrin e Krishtit dhe e kujtojmë gjithmonë Atë. Kjo na ngulitet.

Profeti Nefi shpalli: “Ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin dhe shkruajmë sipas profecive tona, që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre” (2 Nefi 25:26).

Secili prej nesh duhet të arrijë të ketë dëshminë e vet vetjake për Zotin Jezu Krisht. Ne më pas e ndajmë atë dëshmi me familjen tonë dhe të tjerë.

Në të gjithë këtë, le të mbajmë mend se ekziston një kundërshtar i cili kërkon vetë që ta përçajë punën e Zotit. Ne duhet të zgjedhim se kë do të ndjekim. Mbrojtja jonë është aq e thjeshtë sa marrja e vendimit vetjak që ta ndjekim Shpëtimtarin, duke u siguruar që të qëndrojmë me besnikëri në anën e Tij.

Në Dhiatën e Re, Gjoni shënoi se ishin disa njerëz që nuk qenë në gjendje t’i zotoheshin Shpëtimtarit dhe mësimeve të Tij dhe “që nga ai moment shumë nga dishepujt e vet u tërhoqën dhe nuk shkuan më me të.

Atëherë Jezusi u tha të dymbëdhjetëve: ‘A doni edhe ju të largoheni?’

Dhe Simon Pjetri iu përgjigj: ‘Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.

Ne kemi besuar dhe kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë’” (Gjoni 6:66–69).

Pjetri kishte fituar atë që mund të mësohet nga çdo ndjekës i Shpëtimtarit. Që të jemi të përkushtuar me besnikëri ndaj Jezu Krishtit, ne e pranojmë Atë si Shëlbuesin tonë dhe bëjmë gjithçka që është brenda fuqive tona për t’i jetuar mësimet e Tij.

Pas gjithë viteve që kam jetuar dhe dhënë mësim e shërbyer, pas miliona kilometrash që kam udhëtuar rreth botës, me gjithçka që kam përjetuar, ka një të vërtetë të madhërishme që dua të shpreh. Ajo është dëshmia ime për Shpëtimtarin Jezu Krisht.

Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni shënuan sa vijon pas një përvoje të shenjtë:

“Dhe tani, pas shumë dëshmive që janë dhënë për të, kjo është dëshmia, e fundit e të gjithave, që ne japim për të: Se ai jeton!

Sepse ne e pamë atë” (DeB 76:22–23).

Fjalët e tyre janë fjalët e mia.

Unë e besoj dhe unë jam i sigurt se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë. Ai është i Vetëmlinduri i Atit dhe “se nëpërmjet tij dhe prej tij, dhe përmes tij, botët janë e u krijuan dhe banorët e tyre janë bij e bija të lindura të Perëndisë” (DeB 76:24).

Jap dëshminë time se Shpëtimtari jeton. Unë e njoh Zotin. Unë jam dëshmitari i Tij. Unë e njoh sakrificën e madhërishme dhe dashurinë e Tij të përjetshme për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor. E jap dëshminë time të veçantë me të gjithë përulësinë, por me siguri të plotë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.