2010–2019
Mirësia, Dashuria Hyjnore dhe Dashuria
Prill 2017


Mirësia, Dashuria Hyjnore dhe Dashuria

Le ta shqyrtojmë jetën tonë dhe të vendosim ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit duke qenë të mirë, të dashur dhe me dashuri hyjnore.

Vëllezërit e mi të dashur, jam i nderuar nga privilegji për t’ju drejtuar në këtë mbledhje mbarëbotërore mbajtësish besnikë të priftërisë së Perëndisë. Këtë mbrëmje unë i referohem një teme për të cilën kam folur edhe më parë.

Profeti Mormoni përvijoi një nga karakteristikat kyçe të Shpëtimtarit e cila duhet imituar nga dishepujt e Tij. Tha ai:

“Dhe në qoftë se një njeri është i bindur dhe i përulur në zemër dhe pohon me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë se Jezusi është Krishti, ai duhet të ketë dashuri hyjnore; pasi në qoftë se nuk ka dashuri hyjnore, ai s’është asgjë; prandaj është e nevojshme që të ketë dashuri hyjnore.

Dhe dashuria hyjnore është e duruar dhe është e mirë dhe nuk ka smirë, dhe nuk krekoset, nuk kërkon të mirën e vet, nuk nxitet lehtë në zemërim. …

Prandaj, vëllezër të mi të dashur, në qoftë se nuk keni dashuri hyjnore, ju sʼjeni asgjë, pasi dashuria hyjnore nuk dështon kurrë. Prandaj, kapuni pas dashurisë hyjnore që është më e madhja e të gjithave, pasi të gjitha gjërat duhet të dështojnë –

Por, dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit dhe nuk ka mbarim; dhe kushdo që gjendet i zotëruar prej saj në ditën e fundit, do të jetë mirë me të” 1 .

Vëllezër, ne nuk e nderojmë priftërinë e Perëndisë nëse nuk jemi të mirë me të tjerët.

Miku im i dashur dhe bashkëpunëtori im Plaku Jozef B. Uirthlin ishte me të vërtetë një burrë i dashur. Tha ai:

“Mirësia është thelbi i jetës çelestiale. Mirësia është mënyra se si një njeri që ngjason me Krishtin i trajton të tjerët. Mirësia duhet të jetë thelbi i të gjitha fjalëve dhe veprimeve tona në punë, në shkollë, në Kishë dhe veçanërisht në shtëpitë tona.

“Jezusi, Shpëtimtari ynë, ishte mishërimi i shpirtmirësisë dhe dhembshurisë.” 2

Shkrimet e shenjta na mësojnë se ushtrimi me drejtësi i priftërisë, varet nga të jetuarit e parimeve të mirësisë, dashurisë hyjnore dhe dashurisë nga ana jonë. Te Doktrina e Besëlidhje ne lexojmë:

“Asnjë fuqi apo ndikim nuk mund ose nuk duhet të mbahet me anë të priftërisë, veçse nëpërmjet bindjes, … nëpërmjet mirësjelljes e zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur;

Nëpërmjet mirësisë dhe diturisë së pastër, të cilat do ta zgjerojnë shumë shpirtin, pa hipokrizi dhe pa mashtrim” 3 .

Vëllezër, le ta shqyrtojmë jetën tonë dhe të vendosim ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit duke qenë të mirë, të dashur dhe me dashuri hyjnore. Ndërsa e bëjmë këtë, ne do të jemi në një pozicion më të mirë për t’i thirrur fuqitë e qiellit për veten tonë, për familjet tona dhe për bashkudhëtarët tanë në këtë rrugëtim ndonjëherë të vështirë drejt shtëpisë tonë qiellore. Unë lutem për këtë në emrin e Jezu Krishtit Zotit, amen.