2010–2019
Këngë të Kënduara e të Pakënduara
Prill 2017


Këngë të Kënduara e të Pakënduara

Unë i lutem secilit prej nesh të qëndrojë përherë dhe besnikërisht në kor.

“Rrezëllim ka sot në shpirtin tim”, shkroi Eliza E. Hjuiti, “më madh’shtor, më shum’ ndrin nga ç’shkëlqen në çdo qiell tok’sor, se Jezusi ësht’ drit’.”1 Me shkëlqim në çdo notë, është praktikisht e pamundur që ai himn i mrekullueshëm, i vjetër, i krishterë të këndohet pa buzëqeshur. Por sot dëshiroj ta nxjerr nga konteksti vetëm një varg prej tij, që mund të na ndihmojë në ditët kur na duket e vështirë që të këndojmë ose të buzëqeshim dhe “plot paqe dhe g’zim … çastet” nuk duket se “jan’”. Nëse për njëfarë kohe ju nuk jeni në gjendje të këndoni sipas melodive të gëzueshme që i dëgjoni të këndohen nga të tjerët, ju kërkoj të mbaheni pa u lëkundur te vargu në këtë himn që siguron sërish se “Jezusi mundet të dëgjoj’, këngët që dot s’këndo[ni]”2.

Mes realiteteve që i ndeshim si fëmijë të Perëndisë duke jetuar në një botë të rënë, është ai që disa ditë janë të vështira, ditët kur besimi dhe qëndresa jonë vihen në provë. Këto sfida mund të vijnë nga një mungesë brenda nesh, një mungesë tek të tjerët ose një mungesë në jetë, por cilatdo qofshin arsyet, na duket se ato mund të na i grabitin këngët që duam kaq shumë t’i këndojmë, dhe mund të na e errësojnë premtimin e “pranver[ës] … në shpirt”3 që Eliza Hjuiti e kremton në njërin prej vargjeve të saj.

Pra, çfarë të bëjmë në kohë të tilla? Para së gjithash, ne pranojmë me entuziazëm këshillën e Apostullit Pal dhe “shpresojmë për atë që s’e shohim [dhe] e presim me durim”4. Në ato çaste kur melodia e gëzimit luhatet poshtë fuqisë sonë të shprehjes, mund të na duhet të qëndrojmë të heshtur për njëfarë kohe dhe thjesht të dëgjojmë të tjerët, duke marrë forcë nga madhështia e muzikës përreth nesh. Shumicës prej nesh që nuk ka “vesh muzikor”, i është rritur vetëbesimi dhe të kënduarit tonë është përmirësuar dallueshëm kur e kemi vendosur veten tonë pranë dikujt me një zë më të fortë e më të sigurt. Sigurisht, ndodh që, kur këndojmë himnet e përjetësisë, ne duhet t’i qëndrojmë sa më pranë që të jetë e mundur nga ana njerëzore, Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit të botës – i cili ka tonin e përsosur të të kënduarit. Atëherë ne marrim kurajë nga aftësia e Tij për ta dëgjuar heshtjen tonë dhe marrim shpresë nga ndërhyrja e Tij melodike, mesianike në emrin tonë. Me të vërtetë ndodh që “kur pran’ ësht’ Zoti”, “pëllumb’ i paqes m’cicërin [dhe] shfaqen lule t’hirit”5.

Në ato ditë kur ndiheni pak të çakorduar, diçka më pak nga ajo që mendojmë se e shohim ose e dëgjojmë tek të tjerët, unë do t’ju kërkoja, veçanërisht të rinjve të Kishës, që të kujtojnë se është me anë të paracaktimit hyjnor që jo të gjithë zërat në korin e Perëndisë janë të njëjtë. Kërkohet larmi – soprano, mexosoprano, tenorë dhe baritonë – për ta bërë muzikën të pasur. Duke huazuar një rresht të cituar në letërkëmbimin e hareshëm të dy grave të mrekullueshme shenjtore të ditëve të mëvonshme: “Gjithë të gjallët e Perëndisë kanë vend në kor”6. Kur e nënçmojmë veçantinë tonë ose përpiqemi të përputhemi me stereotipa të rremë – stereotipa të nxitur nga një kulturë e pangopur konsumizmi dhe të idealizuar përtej çdo kuptimi të mundshëm nga media shoqërore – ne e humbasim pasurinë e tonit dhe të timbrit që Perëndia pati si qëllim kur Ai krijoi një botë me shumëllojshmëri.

Tani, kjo nuk do të thotë se çdonjëri në këtë kor hyjnor thjesht mund të fillojë të këndojë me gaz oratorion e tij ose të saj vetjake! Shumëllojshmëria nuk është zhangëllimë dhe koret vërtet kërkojnë disiplinë – për qëllimin tonë sot, Plaku Hejls, më lejoni të them dishepullim – por, pasi i kemi pranuar tekstet e këngëve të zbuluara në mënyrë hyjnore dhe orkestrimin harmonik të kompozuar përpara se të ishte bota, atëherë Ati ynë Qiellor gëzohet kur na bën të këndojmë me vetë zërin tonë, jo të dikujt tjetër. Besoni te vetja dhe besoni tek Ai. Mos e ulni vlerën tuaj ose përçmoni ndihmesën tuaj. Mbi të gjitha, mos e braktisni rolin tuaj në kor. Përse? Sepse jeni të pashoqë; ju jeni të pazëvendësueshëm. Humbja, qoftë edhe e një zëri, ia ul vlerën çdo këngëtari tjetër në këtë korin tonë të madhërishëm në vdekshmëri, duke përfshirë humbjen e atyre që ndiejnë se janë në përgjithësi të papranuar nga shoqëria ose nga Kisha.

Por madje ndërkohë që ju nxit ju të gjithëve për të pasur besim lidhur me këngët që mund të jenë të vështira për t’u kënduar, unë e pranoj me gatishmëri se për arsye të ndryshme unë e kam të vështirë me lloje të tjera këngësh që duhet të këndohen – por që nuk këndohen ende.

Kur shoh pabarazinë marramendëse ekonomike në botë, ndihem fajtor që të këndoj me zonjën Hjuit për “bekimet që [më] jep [Perëndia tani dhe] për gëzimet lart n’qiell”7. Ai refren nuk mund të këndohet tërësisht dhe besnikërisht derisa të jemi kujdesur në mënyrë nderuese për të varfrit. Mungesa e mundësive ekonomike është një mallkim që vazhdon të mallkojë, vit pas viti dhe brez pas brezi. Ajo i shkatërron trupat, i gjymton shpirtrat, i dëmton familjet dhe i shkatërron ëndrrat. Nëse do të mund të bënim më shumë për ta lehtësuar varfërinë, sikurse Jezusi në mënyrë të përsëritur na ka urdhëruar të bëjmë, ndoshta disa prej njerëzve më pak fatlumë në botë mund të këndojnë nën zë pak prej notave të himnit “Rrezëllim Ka Sot në Shpirtin Tim”, ndoshta për herë të parë në jetën e tyre.

Mua gjithashtu më duket e vështirë që të këndoj tekste këngësh të rrezëllueshme e të hareshme, kur kaq shumë njerëz përreth nesh vuajnë nga sëmundje mendore dhe emocionale apo nga kufizime të tjera ligështuese shëndetësore. Për fat të keq, këto barrë nganjëherë vazhdojnë të përsëriten pavarësisht nga përpjekjet e guximshme të shumë llojeve të njerëzve përkujdesës, përfshirë pjesëtarët e familjes. Lutem që ne nuk do t’i lejojmë këta fëmijë të Perëndisë të vuajnë në heshtje dhe që do të na dhurohet aftësia e Tij për t’i dëgjuar këngët që ata nuk mund t’i këndojnë tani.

Dhe një ditë shpresoj që një refren madhështor mbarëbotëror do t’i harmonizojë anembanë të gjitha linjat racore dhe etnike, duke shpallur që armët, shpifjet dhe fjalët e ashpra nuk janë mënyra se si ta trajtojmë mosmarrëveshjen njerëzore. Shpalljet e qiellit na thërrasin se udha e vetme se si mund të zgjidhen në mënyrë të kënaqshme çështjet e ndërlikuara të shoqërisë, është duke e dashur Perëndinë dhe duke i zbatuar urdhërimet e Tij, duke hapur kështu portën për atë udhë afatgjatë, shpëtuese për ta dashur njëri-tjetrin si të afërm. Profeti Ethëri dha mësim se duhet të “shpresoj[më] … për një botë më të mirë”. Duke e lexuar atë mendim një mijë vjet më vonë, Moroni i lodhur nga lufta e dhuna shpalli se “udh[a] më [e] shkëlqyer” drejt asaj bote, do të jetë gjithmonë ungjilli i Jezu Krishtit.8

Sa mirënjohës jemi që mes këtyre llojeve të sfidave, vjen, herë pas here, një lloj tjetër kënge që na duket vetja të paaftë për ta kënduar, por për një arsye të ndryshme. Kjo është kur ndjenjat janë kaq të thella dhe vetjake, madje kaq të shenjta, saqë ato ose nuk mund të shprehen, ose nuk duhet të shprehen – sikurse dashuria e Kordelias për atin e saj, për të cilën ajo tha: “Me dashuri … [që] as gjuha s’është e zonja ta tregojë. … Ju dua ca më shumë nga sa thashë.”9 Ngaqë na vijnë si diçka e shenjtë, këto ndjenja janë thjesht të pashqiptueshme – shpirtërisht të parrëfyeshme – sikurse lutja e Jezusit e ofruar për fëmijët nefitë. Ata që ishin dëshmitarë të asaj ngjarjeje, shënuan:

“Syri nuk ka parë kurrë, as veshi nuk ka dëgjuar … gjëra kaq të mëdha dhe të mrekullueshme si pamë dhe dëgjuam Jezusin t’i fliste Atit; 

asnjë gjuhë nuk mund të flasë, as nuk mund të shkruhet nga ndonjë njeri, as zemrat e njerëzve nuk mund të kuptojnë gjëra kaq të mëdha dhe të mrekullueshme, si ne pamë dhe dëgjuam Jezusin të fliste10.

Këto lloje çastesh të shtrenjta mbeten të pashqiptuara pasi shprehja, edhe nëse do të ishte e mundur, mund të dukej si përdhosje.

Vëllezër e motra, ne jetojmë në një botë të vdekshme, me shumë këngë që nuk mund t’i këndojmë ose nuk i këndojmë dot ende. Por unë i përgjërohem secilit prej nesh që të qëndrojë përherë dhe besnikërisht në kor, duke e shijuar përgjithmonë atë himn, më të çmuarin nga të gjithë – “këngën e dashurisë shëlbuese”11. Për fat të mirë, vendet për këtë numër të veçantë janë të pakufizuara. Ka vend për ata që flasin gjuhë të ndryshme, kremtojnë kultura të shumëllojshme dhe jetojnë në një mori vendndodhjesh. Ka vend për të pamartuarit, për të martuarit, për familjet e mëdha dhe për familjet pa fëmijë. Ka vend për ata që dikur kishin pyetje lidhur me besimin e tyre dhe vend për ata që ende kanë pyetje. Ka vend për ata me tërheqje të ndryshme seksuale. Shkurtimisht, ka vend për çdo njeri që e do Perëndinë dhe i nderon urdhërimet e Tij si shufrën e pacenueshme matëse për sjelljen vetjake, pasi, nëse dashuria e Perëndisë është melodia e këngës sonë të përbashkuar, sigurisht që kërkimi ynë i përbashkët për t’iu bindur Atij është harmonia e domosdoshme brenda saj. Me urdhërimet hyjnore të dashurisë e besimit, pendimit e dhembshurisë, ndershmërisë e faljes, ka vend në këtë kor për të gjithë ata që dëshirojnë të jenë atje.12 “Ejani siç jeni”, i thotë një Atë i dashur secilit prej nesh, por Ai shton: “Mos planifikoni të mbeteni siç jeni”. Ne buzëqeshim dhe sjellim ndërmend që Perëndia është i vendosur për të na bërë më shumë nga ç’menduam se mund të ishim.

Në këtë oratorio madhështore që është plani i Tij për ekzaltimin tonë, e ndjekshim me përulësi shkopin e Tij dirigjues dhe punofshim vazhdimisht me këngët që nuk mund t’i këndojmë, derisa të mund t’i ofrojmë ato “këng[ë] për Mbretin [tonë]”13. Atëherë, një ditë, siç thotë himni ynë shumë i dashur:

“Me ushtrit’ e qiellit me gaz do t’këndojmë,

Hosana, hosana Per’ndis’ dhe Qengjit! …

… Kur Jezusi t’zbresë me karroc’n e zjarrt’!”14

Unë dëshmoj se ajo kohë do të vijë, se Perëndia, Ati ynë i Përjetshëm, do ta dërgojë sërish në tokë Birin e Tij të Vetëmlindur, këtë herë që të sundojë e mbretërojë si Mbreti i mbretërve përgjithmonë. Unë dëshmoj se kjo është Kisha e Tij e rivendosur dhe është mjeti për t’ia sjellë gjithë njerëzimit mësimet dhe ordinancat shpëtuese të ungjillit të Tij. Kur mesazhi i Tij të ketë “përshkuar çdo kontinent [dhe] të ketë vizituar çdo rajon”15, Jezusi me të vërtetë do të “buz’qesh[ë]”16. Do të ketë mjaft rrezëllim të përjetshëm për shpirtin atë ditë. Që të vijë kjo orë e premtuar, unë lutem plot mall, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. “Rrezëllim Ka Sot në Shpirtin Tim”, Himne, nr. 142.

  2. Himne, nr. 142.

  3. Himne, nr. 142.

  4. Romakëve 8:25.

  5. Himne, nr. 142.

  6. Bill Staines, “All God’s Critters Got a Place in the Choir”, në Laurel Thatcher Ulrich and Emma Lou Thayne, All God’s Critters Got a Place in the Choir (1995), f. 4.

  7. Himne, nr. 142.

  8. Shih Ethëri 12:4, 11.

  9. Uilliam Shekspir, Mbreti Lir, akti 1, skena 1, vargjet 79–80, 93–94; shqipëroi nga origjinali: Skënder Luarasi, botimi Onufri, 2011.

  10. 3 Nefi 17:16–17; theksimi i shtuar.

  11. Alma 5:26; shih edhe Alma 26:13.

  12. Shih 2 Nefi 26:33.

  13. Himne, nr. 142.

  14. “Shpirti i Per’ndis’”, Himne, nr. 2.

  15. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 147.

  16. Himne, nr. 142.