2010–2019
Kini Besim te Zoti dhe Mos u Anoni
Prill 2017


Kini Besim te Zoti dhe Mos u Anoni

Ne mund ta përqendrojmë jetën tonë te Shpëtimtari duke arritur që ta njohim Atë, dhe Ai do t’i drejtojë shtigjet tona.

Ndërsa po udhëtoja në Azi, një motër e dashur m’u qas. Më mbështolli në krahët e saj dhe më pyeti: “A beson vërtet se ky ungjill është i vërtetë?” Motër e dashur, unë e di se ai është i vërtetë. Unë kam besim te Zoti.

Te Fjalët e Urta 3:5–6, lexojmë këtë këshillë:

“Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd;

pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua”.

Ky shkrim i shenjtë vjen me dy këshilla, një paralajmërim dhe një premtim të lavdishëm. Dy këshillat: “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër” dhe “pranoje në të gjitha rrugët e tua”. Paralajmërimi: “Mos u mbështet në gjykimin tënd”. Dhe premtimi i lavdishëm: “Ai do të drejtojë shtigjet e tua”.

Le të diskutojmë fillimisht për paralajmërimin. Imazhi pamor na ofron shumë për të përsiatur. Paralajmërimi vjen me fjalët “mos u mbështet” – “mos u mbështet në gjykimin tënd”. Në anglisht fjala mbështet ka kuptimin e animit fizikisht ose lëvizjes në njërën anë. Kur ne anohemi fizikisht në njërën anë ose në anën tjetër, ne largohemi nga qendra, nuk jemi në baraspeshë dhe përkulemi. Kur mbështetemi shpirtërisht në gjykimin tonë, ne anohemi larg nga Shpëtimtari ynë. Nëse anojmë, nuk jemi në qendër; nuk jemi në baraspeshë; nuk jemi të përqendruar te Krishti.

Motra, mbani mend, në jetën para lindjes, ne qëndruam me Shpëtimtarin. Ne kishim besim tek Ai. Ne i dhamë zë mbështetjes, entuziazmit dhe gëzimit tonë për planin e lumturisë të parashtruar nga Ati ynë Qiellor. Ne nuk u anuam. Ne luftuam duke përdorur dëshmitë tona dhe “u rreshtuam me forcat e Perëndisë, dhe ato forca qenë fitimtare”1. Kjo betejë midis të mirës dhe të keqes është zhvendosur në tokë. Edhe një herë ne kemi përgjegjësinë e shenjtë për të qëndruar si dëshmitare dhe për ta vënë besimin tonë te Zoti.

Secila prej nesh duhet të pyes: Si të vazhdoj e përqendruar dhe të mos mbështetem në gjykimin tim? Si ta dalloj dhe ta ndjek zërin e Shpëtimtarit kur zërat e botës janë kaq imponues? Si ta kultivoj besimin te Shpëtimtari?

Më lejoni të sugjeroj tri mënyra për ta rritur njohurinë tonë për Shpëtimtarin dhe besimin tek Ai. Ju do të zbuloni se këto parime nuk janë të reja, por janë themelore. Ato këndohen në çdo Fillore, gjejnë jehonë në mësimet e Të Rejave dhe janë përgjigjet për shumë pyetje të Shoqatës së Ndihmës. Ato janë parime për t’u përqendruar – dhe jo për t’u anuar.

Së pari, ne mund të arrijmë ta njohim Zotin dhe të kemi besim tek Ai ndërsa “ushqeh[emi] me bollëk me fjalët e Krishtit; pasi, vini re, fjalët e Krishtit do t’ju tregojnë të gjitha gjërat që ju duhet të bëni”2.

Disa muaj më parë, kishim studimin e shkrimeve të shenjta si familje. Nipi im dyvjeçar ishte ulur në prehrin tim ndërsa lexonim. Po e shijoja faktin e të qenit gjyshe, duke u kënaqur me vizitën e familjes së djalit.

Me përfundimin e studimit të shkrimeve të shenjta, e mbylla librin tim. Nipi im e dinte se shpejt do të ishte koha për të fjetur. Ai ngriti sytë e tij të etur blu dhe tha një të vërtetë të përjetshme: “Më shumë shkrime të shenjta, Nëna”.

Pamja
Nipi i Motrës Kordën

Djali im, një prind i mirë dhe i qëndrueshëm, më paralajmëroi: “Mama, mos iu dorëzo atij. Ai thjesht po përpiqet të shpëtojë nga vajtja në shtrat.”

Por kur nipi im kërkon më shumë shkrime të shenjta, ne lexojmë më shumë shkrime të shenjta! Më shumë shkrime të shenjta e ndriçojnë mendjen tonë, e ushqejnë shpirtin tonë, u japin përgjigje pyetjeve tona, e rritin besimin tonë te Zoti dhe na ndihmojnë ta përqendrojmë jetën tonë tek Ai. “Kujtoni t’i kërkoni ato me zell, që ju të mund të përfitoni prej tyre.”3

Së dyti, ne mund të arrijmë ta njohim Zotin dhe të kemi besim tek Ai nëpërmjet lutjes. Çfarë bekimi është të jesh në gjendje t’i lutesh Perëndisë tonë! “Lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj.”4

Kam një kujtim të ëmbël të një lutjeje që e ruaj si thesar. Në një nga pushimet e verës nga kolegji, pranova një punë në Teksas. M’u desh të udhëtoja me makinën time të vjetër qindra kilometra nga Ajdaho për në Teksas, një makinë që me dashuri e quaja Vern. I vura plaçkat mbi Vernin dhe isha gati për aventurën e re.

Rrugës për te dera, i dhashë një përqafim nënës sime të dashur dhe ajo tha: “Le të bëjmë një lutje përpara se të largohesh”.

U gjunjëzuam dhe nëna ime filloi të lutej. Ajo iu lut Atit Qiellor për sigurinë time. Ajo u lut për makinën time pa ajër të kondicionuar, duke kërkuar që ajo të funksiononte siç më nevojitej. Ajo kërkoi që engjëjt të ishin me mua gjatë gjithë verës. Ajo u lut, u lut dhe u lut.

Paqja që erdhi nga ajo lutje, më dha kurajën për të pasur besim te Zoti dhe për të mos u mbështetur në gjykimin tim. Zoti e drejtoi shtegun tim në vendimet e shumta që mora atë verë.

Nëse e bëjmë zakon qasjen tek Ati Qiellor nëpërmjet lutjes, ne do të arrijmë ta njohim Shpëtimtarin. Ne do të arrijmë t’i besojmë Atij. Dëshirat tona do të bëhen më shumë si dëshirat e Tij. Ne do të jemi në gjendje për të siguruar për veten tonë dhe për të tjerët bekimet që Ati Qiellor është i gatshëm t’i japë, nëse thjesht do të kërkojmë me besim.5

Së treti, ne mund të arrijmë ta njohim Zotin dhe të kemi besim tek Ai ndërsa u shërbejmë të tjerëve. Po e tregoj historinë në vijim me leje të Emi Rajtit, e cila arriti ta kuptonte parimin e shërbimit edhe në mes të një sëmundjeje të llahtarshme dhe kërcënuese për jetën. Emi shkroi:

“Më 29 tetor 2015, zbulova se kisha kancer. Shkalla e mbijetesës nga kanceri që kisha, ishte 17%. Mundësitë e shërimit nuk ishin të mira. E dija se duhet të përpiqesha të luftoja për jetën time. Isha e vendosur të jepja gjithçka kisha jo vetëm për veten time por, më e rëndësishmja, për familjen time. Në dhjetor nisa kimioterapinë. Kisha njohuri për shumë nga efektet anësore të ilaçeve që e luftojnë kancerin, por nuk e dija se ishte e mundur që dikush të ishte aq i sëmurë dhe prapë të qe gjallë.

Në një pikë, e shpalla kimioterapinë si një shkelje të të drejtave të njeriut. I thashë tim shoqi që mori fund. Hoqa dorë! Nuk do të kthehesha sërish në spital. Me urtësinë e tij, i dashuri im më dëgjoi me durim dhe pastaj u përgjigj: ‘Epo, atëherë duhet të gjejmë dikë që t’i shërbejmë’.”

Çfarë? A e harroi ai faktin që gruaja e vet kishte kancer dhe nuk mund t’i duronte më të përzierat ose as një çast tjetër nga dhembja torturuese?

Emi vazhdon të shpjegojë: “Simptomat e mia gradualisht u përkeqësuan deri në pikën që përgjithësisht kisha një ose dy ditë në muaj që isha mirë, [kur] mund të funksionoja disi si një qenie e gjallë që merr frymë. Ishte në ato ditë kur familja jonë do të gjente mënyra për të shërbyer.”

Në një nga ato ditë, familja e Emit shpërndau paketa qetësuese kimioterapie për pacientët e tjerë, kuti të mbushura me artikuj për t’ua ngritur humorin dhe për të ndihmuar në lehtësimin e simptomave. Kur Emin nuk e zinte gjumi, ajo do të mendonte për mënyra se si ta ndriçonte ditën e dikujt tjetër. Disa mënyra ishin të dukshme, por shumë të tjera ishin thjesht shënime të shkurtra ose mesazhe nxitëse dhe dashurie nga celulari. Në ato net kur dhembja e saj ishte shumë e madhe për ta zënë gjumi, ajo do të shtrihej në shtrat me iPad-in e saj dhe do të kërkonte ordinancat që duhej të përfundonin në emër të paraardhësve të saj të vdekur. Në mënyrë çudibërëse dhembja do të qetësohej dhe ajo qe në gjendje ta duronte.

“Shërbimi”, dëshmon Emi, “më shpëtoi jetën. Forcën për të vazhduar përfundimisht përpara e gjeta te lumturia që zbulova teksa përpiqesha të lehtësoja vuajtjen e njerëzve përreth meje. I prisja me gëzim të madh dhe padurim projektet tona të shërbimit. Ende sot kjo [histori] duket si një paradoks i çuditshëm. Ju do të mendonit se dikush që ishte pa flokë, e tejngopur [nga mjekimet] dhe që po luftonte për jetën e [saj], ishte e justifikuar po të mendonte se ‘pikërisht tani gjithçka ka të bëjë me mua’. Megjithatë, kur mendova për veten, situatën time, vuajtjen dhe dhembjen time, bota u bë shumë e errët dhe dëshpëruese. Kur e ktheva përqendrimin tim tek të tjerët, kishte dritë, shpresë, forcë, kurajë dhe gëzim. E di se kjo është e mundur për shkak të fuqisë mbështetëse, shëruese dhe aftësuese të Shlyerjes së Jezu Krishtit.”

Emi arriti të kishte besim te Zoti ndërsa arriti ta njihte Atë. Nëse do të ishte mbështetur qoftë pak fare në gjykimin e vet, ajo mund të mos e kishte pranuar idenë që të shërbente. Shërbimi e aftësoi atë që t’u bënte ballë dhembjes dhe mundimeve të saj dhe ta jetonte këtë shkrim të shenjtë: “Kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj”6.

Jezu Krishti e ka mposhtur botën. Dhe për shkak të Tij, për shkak të Shlyerjes së Tij të pafundme, të gjithë ne kemi arsye të madhe për të pasur besim, duke e ditur se përfundimisht gjithçka do të jetë mirë.

Motra, secila nga ne mund të ketë besim te Zoti dhe të mos anohet. Ne mund ta përqendrojmë jetën tonë te Shpëtimtari duke arritur që ta njohim Atë, dhe Ai do t’i drejtojë shtigjet tona.

Ne jemi në tokë për të treguar të njëjtin besim tek Ai që na lejoi të qëndrojmë me Jezu Krishtin kur shpalli: “Ja ku jam, dërgomë mua”7.

Pamja
Krishti dhe Krijimi

Motrat e mia të dashura, Presidenti Tomas S. Monson dëshmoi se “bekimet e premtuara [për ne] janë të pamatshme. Megjithëse retë e stuhishme mund të mblidhen, megjithëse shirat mund të derdhen mbi ne, dija jonë për ungjillin dhe dashuria jonë për Atin Qiellor dhe për Shpëtimtarin tonë do të na ngushëllojnë e mbështesin … kur ecim drejtësisht. … Nuk do të ketë asgjë në këtë botë që të na mundë.”8

I shtoj dëshminë time dëshmisë së profetit tonë të dashur. Nëse kemi besim tek Ati ynë Qiellor dhe te Shpëtimtari ynë dhe nuk mbështetemi në gjykimin tonë, Ata do t’i drejtojnë shtigjet tona dhe do ta zgjatin krahun e mëshirës ndaj nesh. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënim: Më 1 prill 2017, Motra Kordën u lirua nga thirrja si Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Fillores dhe u thirr si Këshilltare e Parë.