2011
Një Zjarr që Digjet brenda Meje
Tetor 2011


Një Zjarr që Digjet brenda Meje

Dita që ai mësoi të lexonte është gjithashtu dita kur Eduardo fitoi një dëshmi për Librin e Mormonit dhe fuqinë e tij.

“Gjyshi im e kishte zakon të thoshte: ‘Nëse duam të bëhemi dikush, ne duhet të mësojmë të lexojmë’”, thotë Eduardo Kontrerasi. “Gjyshi im kishte të drejtë.”

Për Eduardon, gjithsesi, rruga drejt leximit ishte një rrugë e gjatë. Si një nga pesë fëmijët e edukuar nga nëna e tij e ve në qytetin e Kordovas, në Argjentinë, ai e la shkollën kur qe tetë vjeç dhe shkoi të punonte për të ndihmuar në mbajtjen e familjes së tij.

“Ne ishim shumë të varfër”, kujton ai. Për të ndihmuar që llogaria t’iu dilte, Eduardo lustronte këpucë, bënte tulla, mblidhte patate, shiste gazeta dhe merrte punë të rastit derisa, si i ri, ai gjeti punë kohëplotë në administratën e qytetit.

Me kalimin e viteve Eduardo u martua dhe krijoi familjen e vet. Në kohën kur shumica e pesë fëmijëve të tij filluan ta lënë shtëpinë, ai ende nuk mund të lexonte dhe kishte pak shpresë se si do të mësonte ndonjëherë. Ajo ndryshoi një ditë kur ai përzuri disa djem vendas që po ngacmonin dy misionarë shenjtorë të ditëve të mëvonshme përpara shtëpisë së tij. Ai i ftoi brenda misionarët dhe pa kaluar shumë ai dhe bashkëshortja e tij, Maria, po merrnin mësimet.

“Unë kalova një periudhë të vështirë për të kuptuar ndonjë gjë nga ato që thoshin ata, sepse ata flisnin pak spanjisht”, kujton Eduardo, “por ata më treguan një libërth që pati piktura të Shpëtimtarit dhe të Profetit Jozef Smith në Korijen e Shenjtë. Unë mendova se pikturat që ata na tregonin dhe gjërat që na mësonin, qenë të bukura.”

Shpejt ata misionarë u zëvendësuan nga të tjerë, përfshirë një folës vendas të spanjishtes. Eduardo dhe Maria, që patën humbur një bijë të vogël nga vdekja disa vite më parë, qenë prekur nga filmi i Kishës Familjet Janë Përgjithmonë. Ata, bashkë me djalin e tyre më të vogël, Osvaldon, shpejt u pagëzuan.

Me pagëzimin e Eduardos në 1987-ën, lindi një dëshirë për ta forcuar dëshminë e tij duke lexuar Librin e Mormonit. “Si mund të mësoj të lexoj?” e pyeti bashkëshorten e tij. Maria i tha të shohë germat, t’i vendosë së bashku në mendjen e tij, të përpiqet t’i shqiptojë fjalët dhe pastaj të përpiqet të lexojë me zë të lartë. Me praktikë, e siguroi ajo, do të mësonte më në fund të lexonte.

Eduardo, atëherë 45 vjeç, i dinte tingujt e shumë germave, por ai nuk pati provuar të lexonte që nga koha që e la shkollën afro katër dekada përpara.

Unë Ndjeva një Zjarr

Me lutje në zemrën e tij, Eduardo u ul një ditë të nxehtë vere në një vend me hije në kopshtin prapa shtëpisë së tij. “Atje”, thotë ai, “unë vendosa ta bëj përpjekjen.”

Maria thotë se ajo kurrë nuk do ta kishte imagjinuar atë që ndodhi më pas. Ndërsa po punonte në kuzhinë, ajo dëgjonte rastësisht ndërsa Eduardo përpiqej të shqiptonte germat dhe fjalët. “Befas e dëgjova të flasë shpejt”, thotë ajo. “Unë mbajta vesh dhe kuptova se ai po lexonte – rrjedhshëm. Pati kaluar më pak se një gjysmë ore dhe ai po lexonte!”

Eduardo qe aq i zhytur në përpjekjen e vet, saqë nuk pati kuptuar se po lexonte. Por ndërsa lexonte, ai kujton: “Unë ndjeva një zjarr brenda meje”. I trembur dhe i befasuar, Eduardo i thirri bashkëshortes së tij: “Mami, çfarë po ndodh me mua?”

“Është Shpirti i Zotit”, u përgjigj Maria. “Ti po lexon rrjedhshëm!”

Duke kujtuar përjetimin, Maria thotë: “Ishte diçka që ne nuk mundemi kurrë ta mohojmë”.

Eduardo shton: “Dita që unë mësova të lexoj, është gjithashtu dita kur fitova një dëshmi për Librin e Mormonit dhe fuqinë e tij”.

Që atëherë, Eduardo filloi të ngrihej në orën 4:00 në mëngjes për të lexuar Librin e Mormonit përpara se të shkonte në punë. Ai pastaj lexoi Doktrinën e Besëlidhjen, pasuar nga Bibla. Ka tani një bibliotekë në shtëpinë e Kontrerasve, ku pak libra gjendeshin përpara 1987-ës.

Ndërsa njohuria e Eduardos dhe e Marias për ungjillin rritej, kështu ndodhte edhe me dëshminë e tyre. Kur biri i tyre Osvaldo vdiq pas një aksidenti rrugor në 2001-shin, dëshmitë e tyre – bashkë me përjetime të fuqishme shpirtërore gjatë lutjes në Tempullin e Buenos Ajresit në Argjentinë, ku ata dhe Osvaldoja qenë vulosur – i ndihmuan ta përballonin humbjen e tyre.

“Ndoshta disa prindër do të qenë çmendur”, thotë Eduardo, “por ne ndjemë një qetësi që thoshte, ‘biri juaj është mirë’. Sigurisht ne qamë. Ai qe një bir i mirë dhe ne na merr malli për të. Por ne jemi vulosur në tempull dhe ne e dimë ku është ai.”

Drita e Shkrim-Këndimit

Në saje të përkujdesit nga një anëtar i lagjes së tij, Eduardo mësoi gjithashtu të shkruante. “Përpara”, thotë ai, “unë nuk mund as të hidhja firmën time.”

Me dritën e shkrim-këndimit, Eduardo arriti të kuptonte vërtetësinë e fjalëve të gjyshit të tij.

“Ne jemi këtu në tokë që të mund të përparojmë pak më shumë çdo ditë”, thotë ai. Duke mësuar të lexojë e shkruajë, shton ai, ai po u tregon fëmijëve dhe nipërve e mbesave të tij se nuk është kurrë tepër vonë për të mësuar, për t’u përmirësuar dhe për t’u bërë siç Perëndia na do të bëhemi. “Ngaqë mund të lexoj, unë mësoj çdo ditë diçka të re”, thotë ai.

Sot Vëllai Kontreras mund të lexojë gjithçka që do të lexojë, përfshirë gazetat që ai dikur i shiste si fëmijë analfabet. Shkrimet e shenjta mbeten librat e tij të parapëlqyer, veçanërisht Libri i Mormonit. Ai e ka lexuar atë nga fillimi në fund tetë herë.

“Për mua Libri i Mormonit qe dera”, thotë ai, ende mirënjohës për mënyrën se si shkrim-këndimi dhe ungjilli e ndryshuan jetën e tij. “Libri i Mormonit qe gjithçka për mua. Ai është gjithçka për mua. Unë ndiej Shpirtin sa herë që e hap për ta lexuar.”

Për Eduardo Kontrerasin, fotografuar sipër me bashkëshorten e tij, Maria, Libri i Mormonit qe dera për te shkrim-këndimi. “Unë ndiej Shpirtin sa herë që e hap për ta lexuar”, thotë ai.

Fotografi nga Michael R. Morris