2011
Premtime të Çmuara të Librit të Mormonit
Tetor 2011


Mesazhi i Presidencës së Parë

Premtime të Çmuara të Librit të Mormonit

Pamja
President Thomas S. Monson

Shumë vite më parë, qëndrova pranë shtratit të një ati të ri, që ishte duke dhënë shpirt. Bashkëshortja e tij e shqetësuar dhe dy fëmijët e tyre qëndronin pranë. Ai më mori dorën në dorën e tij dhe, me përgjërim, tha: “Peshkop, e di që po vdes. Më thuaj çfarë do të ndodhë me shpirtin tim, kur të vdes?”

U luta për udhëheqje qiellore dhe vura re në tavolinën pranë shtratit të tij, një kopje të kombinimit tresh. U zgjata për [të marrë] librin dhe shfletova faqet. Befas zbulova se, pa ndonjë përpjekje nga ana ime, kisha ndalur tek kapitulli i 40-të i Almës në Librin e Mormonit. I lexova atij këto fjalë:

“Vër re, mua m’u bë e ditur nga një engjëll që shpirtrat e të gjithë njerëzve, posa të largohen nga ky trup i vdekshëm, … çohen në shtëpi tek ai Perëndi që u dha atyre jetë.

Dhe … shpirtrat e atyre që janë të drejtë pranohen në një gjendje lumturie që quhet parajsë, një gjendje e pushimit, një gjendje e paqes, ku ata do të prehen nga të gjitha trazirat e tyre dhe nga të gjitha vuajtjet dhe brengat” (Alma 40:11–12).

Ndërsa vazhdova të lexoja mbi Ringjalljen, një ndriçim erdhi në fytyrën e të riut dhe një buzëqeshje hijeshoi buzët e tij. Ndërsa përfundova vizitën, i thashë mirupafshim kësaj familjeje të ëmbël.

I pashë herën tjetër gruan dhe fëmijët në funeral. Mendoj sërish për atë natë kur një burrë i ri u lut për të vërtetën dhe, nga Libri i Mormonit, dëgjoi përgjigjen për pyetjen e tij.

Nga Libri i Mormonit vijnë premtime të tjera të çmuara, përfshirë premtimet e paqes, lirisë dhe bekimet nëse ne “do t’i shërbej[m]ë vetëm Perëndisë së kësaj toke, që është Jezu Krishti” (Ethëri 2:12).

Nga faqet e tij vjen premtimi i “një gjendje[je] lumturie të pafund” për “[ata] që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë. Pasi vini re, ata janë të bekuar në të gjitha gjërat, qoftë tokësore ashtu edhe shpirtërore” (Mosia 2:41).

Nga faqet e tij vjen premtimi për “gëzim[ të] paimagjinueshëm” për ata që bëhen “mjet[e] në duart e Perëndisë” për shpëtimin e bijve dhe bijave të Tij të çmuara (Alma 28:8; 29:9).

Nga faqet e tij vjen premtimi se Izraeli i shpërndarë do të mblidhet – një punë në të cilën jemi përfshirë me anë të përpjekjeve tona të mëdha misionare në mbarë botën (shih 3 Nefi 16; 21–22).

Nga faqet e tij vjen premtimi që, kur i lutemi Atit në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, familjet tona do të bekohen (shih 3 Nefi 18:21).

Nga një studim i faqeve të tij, vjen përmbushja e premtimit profetik se “do të vijë në jetën tuaj dhe në shtëpitë tuaja një masë e shtuar e Shpirtit të Zotit, një vendim i forcuar për të ecur në bindje ndaj urdhërimeve të Tij dhe një dëshmi më e fortë për realitetin e gjallë të Birit të Perëndisë”1.

Dhe nga faqet e Librit të Mormonit vjen premtimi i Moronit se, nëpërmjet lutjes, qëllimit të vërtetë dhe besimit në Krisht, ne mund të dimë të vërtetën e këtyre premtimeve “nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë” (shih Moroni 10:4–5).

Bashkë me profetë të tjerë të ditëve të mëvonshme, unë dëshmoj për vërtetësinë e këtij “më të saktit prej cilitdo libër mbi tokë”2, madje Librit të Mormonit, një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit. Mesazhi i tij përshkon tokën dhe i sjell lexuesit tek një dijeni e së vërtetës. Është dëshmia ime se Libri i Mormonit ndryshon jetën. Secili prej nesh e lexoftë dhe e rilexoftë atë. Dhe ne ndafshim me gëzim dëshmitë tona për premtimet e tij të çmuara me të gjithë fëmijët e Perëndisë.

Shënime

  1. Gordon B. Hinckley, “A Testimony Vibrant and True”, Liahona, gusht 2005, f. 6.

  2. Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith (2007), f. 64.

Ilustrim me foto nga Christina Smith