2011
Një Punë e Shenjtë
Tetor 2011


Një Punë e Shenjtë

Ai qe pranues ndaj çdo gjëje që ne i mësonim. Kështu përse nuk do ta merrte ai Librin e Mormonit kur unë ia dorëzova atij?

Një mbrëmje shoku im misionar dhe unë trokitëm në derën e një të riu që qe një student ndërkombëtar që studionte në një nga universitetet e shumta të Londrës. Ai na ftoi brenda dhe ne shpjeguam që ishim misionarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai dukej i etur të mësonte më shumë rreth Rivendosjes së ungjillit, kështu, ne dëshmuam për Profetin Jozef Smith dhe i treguam atij rreth një libri të shenjtë nga Ati ynë Qiellor të quajtur Libri i Mormonit. Ne theksuam se ai ishte i shenjtë, sepse ai dëshmon për Jezu Krishtin.

Ne shpjeguam se ai mund të dinte vetë për vërtetësinë e tij dhe i ofruam t’i jepnim një kopje. Kur po i jepja Librin e Mormonit, ai u ngrit nga karrigia e tij dhe e la dhomën pa thënë asnjë fjalë. Unë e mbajta Librin e Mormonit në dorën time për një çast dhe shoku im dhe unë pamë njeri-tjetrin në një qetësi të sikletshme, duke pyetur veten çfarë të bënim. Unë e vura librin mbi tavolinë.

Ne mundëm të shihnim mikun tonë të ri në kuzhinë duke larë duart dhe duke i fshirë me një peshqir të larë. Ai u kthye në dhomë dhe mori Librin e Mormonit nga tavolina dhe thjesht tha: “Njerëzit e mi gjithmonë i lajnë duart përpara se të prekin diçka të shenjtë”. Sytë e mi u përlotën kur vështroja këtë të ri të hapte Librin e Mormonit për herë të parë dhe t’i hapte faqet e tij të shenjta me duart e tij të pastra.

Alma na mësoi se shkrimet e shenjta janë të shenjta dhe janë ruajtur që të sjellin shpirtra në shpëtim. Ai i tha djalit të tij Helamanit: “Dhe tani mbaj mend biri im se Perëndia të ka besuar ty me këto gjëra që janë të shenjta, që ai i ka mbajtur të shenjta dhe gjithashtu që ai do t’i mbajë dhe do t’i ruajë për një qëllim të urtë në të, që të mund t’u tregojë brezave të ardhshëm fuqinë e tij” (Alma 37:14).

Unë isha dërguar në mision për të dhënë mësim ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit, përsëri unë isha që po merrja mësim nga ky i ri me duart e tij të pastra. Në shumë kultura – përfshirë timen – nuk është e nevojshme t’i lash duart përpara se të lexosh shkrimet e shenjta, por gjesti i tij i thjeshtë i respektit ishte një kujtesë nderuese dhe e fuqishme e shenjtërisë së Librit të Mormonit.

Foto ilustrim nga Simon Jones