Për Forcën e Rinisë
Për Forcën e Rinisë: Mesazhi i Shpëtimtarit për Ju
Mars 2024


“Për Forcën e Rinisë: Mesazhi i Shpëtimtarit për Ju”, Për Forcën e Rinisë, mars 2024.

Një Udhëzues drejt Forcës së Tij

Për Forcën e Rinisë: Mesazhi i Shpëtimtarit për Ju

Ky udhëzues ju ndihmon t’i lidhni zgjedhjet tuaja me Jezu Krishtin dhe doktrinën e Tij.

Pamja
Jezu Krishti

I Stand at the Door and Knock [Qëndroj te Dera dhe Trokas], nga J. Kirk Richards

Përfytyroni sikur po jetoni në Galilenë e lashtë, para 2 000 vjetësh. Ti dhe shokët e shoqet e tua jeni ftuar në një takim shpirtëror për rininë në sinagogën vendore, ku është ftuar një folës i veçantë: Jezusi nga Nazareti. Dhe në një pikë të caktuar në mesazhin e Tij, Jezusi e fton rininë e pranishme që t’i bëjë Atij pyetje.

Çfarë lloj pyetjesh mendoni se mund të dëgjoni?

Hamendësoj se disa pyetje do të pasqyronin kulturën dhe rrethanat e asaj kohe. Por vërtet besoj se shumë prej tyre do të tingëllonin shumë si pyetjet që kemi ne sot.

Për shembull, te Dhiata e Re, njerëzit i bënë Shpëtimtarit pyetje si këto:

  • Çfarë nevojitet të bëj për të fituar jetë të përjetshme?1

  • A më pranojnë? A kam përkatësi?2

  • Nëse vëllai im bën mëkat kundër meje, sa herë duhet ta fal atë?3

  • Çfarë do t’i ndodhë kësaj bote në të ardhmen? A do të jem i parrezikuar?4

  • A mund ta shërosh Ti njeriun tim të dashur?5

  • Ç’është e vërteta?6

  • Si e di nëse po shkoj në udhën e drejtë?7

A nuk e pyesim veten për të njëjtën gjë herë pas here? Përgjatë shekujve, pyetjet nuk kanë ndryshuar shumë. Dhe as nuk ka ndryshuar dhembshuria e Shpëtimtarit ndaj atyre që i bëjnë ato pyetje. Ai e di se sa shqetësuese dhe pështjelluese mund të jetë jeta. Ai e di se sa e lehtë është ta humbasim udhën tonë. Ai e di se ne shqetësohemi nganjëherë rreth së ardhmes. Dhe Ai na thotë juve dhe mua, ashtu sikurse u tha pasuesve të Tij shumë kohë më parë:

  • “Zemra juaj mos u trondittë”8.

  • “Unë jam udha [dhe] e vërteta.”9

  • “Më ndiq mua.”10

Kur keni zgjedhje të rëndësishme për të bërë, Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur janë zgjedhja më e mirë. Kur keni pyetje, Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur janë përgjigjja më e mirë.

Kjo është arsyeja përse më pëlqen shumë materiali Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve. Na drejton te Jezu Krishti, në mënyrë që ne të mund të marrim forcën e Tij. E mbaj përherë një kopje në xhep. Teksa takohem me njerëz anembanë botës, të cilët duan të dinë përse ne, si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit, bëjmë ato gjëra që bëjmë, unë u shpërndaj këtë udhëzues.

Udhëzuesi Për Forcën e Rinisë jep mësim të vërteta të përjetshme rreth Shpëtimtarit dhe Udhës së Tij. Ai ju fton të bëni zgjedhje nisur nga ato të vërteta. Dhe tregon për bekimet e premtuara që Ai ua shtrin atyre që e ndjekin Atë. Ju lutem lexojeni, përsiateni dhe shpërndajeni këtë udhëzues!

Ftojeni Atë Brenda

Jezu Krishti dëshiron të jetë pjesë e jetës suaj, një prani e vazhdueshme, e përditshme, në kohë të mira dhe të këqija. Ai nuk po qëndron thjesht në fund të shtegut, duke pritur që ju ta arrini Atë. Ai do të ecë me ju në çdo hap të udhës. Ai është Udha!

Por Ai nuk do t’jua detyrojë udhën e Tij në jetën tuaj. Ju e ftoni Atë brenda, nëpërmjet zgjedhjeve tuaja. Kjo është arsyeja përse një udhëzues për bërjen e zgjedhjeve, si udhëzuesi Për Forcën e Rinisë, është kaq i çmuar. Sa herë që bëni një zgjedhje të drejtë, bazuar në të vërtetat e përjetshme të Shpëtimtarit, ju tregoni se e dëshironi Atë në jetën tuaj. Ato zgjedhje shkyçin portat e qiellit dhe forca e Tij vjen duke u derdhur në jetën tuaj.11

Krijoni një Lidhje të Fortë

Ju mund të mbani mend se Shpëtimtari i krahasoi ata që i dëgjojnë dhe i bëjnë ato që Ai tha, me njeriun e zgjuar që e “ndërt[oi] shtëpinë e tij mbi shkëmb”. Ai shpjegoi:

“Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb”12.

Një shtëpi nuk mbijeton në një stuhi ngaqë shtëpia është e fortë. Gjithashtu nuk mbijeton thjesht ngaqë shkëmbi është i fortë. Shtëpia i mbijeton stuhisë ngaqë i është e ngjitur në mënyrë të palëkundur atij shkëmbi të fortë. Është forca e lidhjes me shkëmbin që ka rëndësi.

Në mënyrë të ngjashme, ndërsa ndërtojmë jetën tonë, është e rëndësishme të bëjmë zgjedhje të mira. Dhe është e rëndësishme të kuptojmë të vërtetën e përjetshme të Shpëtimtarit. Por forca që do të na nevojitet t’u bëjmë ballë stuhive të jetës, vjen kur ne i lidhim zgjedhjet tona me Jezu Krishtin dhe doktrinën e Tij. Kjo është ajo që udhëzuesi Për Forcën e Rinisë na ndihmon të bëjmë.

Për shembull, miqtë tuaj mund ta dinë se ju përpiqeni të mos përdorni gjuhë fyese ose lënduese. Ata mund t’ju shohin se e ndihmoni atë fëmijë në shkollë, të cilin shumica e njerëzve thjesht e injorojnë ose madje e bullizojnë. Por a e dinë ata që ju i bëni këto zgjedhje ngaqë Jezu Krishti dha mësim se “të gjithë njerëzit janë vëllezërit tuaj dhe motrat tuaja – përfshirë … njerëz[it] që janë të ndryshëm nga ju”13?

Miqtë tuaj mund ta dinë se ju shkoni në kishë çdo të diel. Ata mund ta vënë re kur e mbyllni një këngë të caktuar ose nuk e pranoni një ftesë për të parë një film të caktuar. Por a e dinë se i bëni këto zgjedhje ngaqë keni “një marrëdhënie të gëzueshme besëlidhjeje me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin” dhe se, si pjesë e atij zotimi për ta ndjekur Shpëtimtarin, jeni mirënjohës “që të keni Shpirtin e Shenjtë si shoqëruesin tuaj të vazhdueshëm”14?

Njerëzit mund ta dinë që nuk pini alkool apo duhan ose nuk përdorni droga të tjera të dëmshme. Por a e dinë që i bëni këto zgjedhje ngaqë Jezu Krishti dha mësim se “trupi juaj është i shenjtë”, “një dhuratë e mahnitshme nga Ati juaj Qiellor”, e bërë sipas shëmbëlltyrës së Tij?15

Miqtë tuaj mund ta dinë që nuk do të kopjoni ose gënjeni dhe që e merrni seriozisht arsimimin. Por a e dinë se kjo është ngaqë Jezu Krishti dha mësim se “e vërteta do t’ju bëjë të lirë”16?

Më e rëndësishmja, a e dinë miqtë tuaj që ju i bëni këto zgjedhje nganjëherë jo të mirëpritura nga njerëzit që të qëndroni të vërtetë ndaj standardeve të Krishtit, ngaqë e dini që “Jezu Krishti është forca juaj”17?

Ai Është Forca Juaj

Unë ju jap dëshminë time të sigurt se Jezu Krishti është Udha drejt një të ardhmeje të ndritur dhe të lavdishme, drejt të ardhmes suaj. Dhe Ai është gjithashtu Udha drejt një të tashmeje të ndritur dhe të lavdishme. Ecni në udhën e Tij dhe Ai do të ecë me ju. Ju mund ta bëni këtë!

Miqtë e mi të dashur, të rinj në moshë, Jezu Krishti është forca juaj. Vazhdoni të ecni me Të dhe Ai do t’ju ndihmojë të fluturoni “me krahë si [të] shqiponja[ve]”18 drejt gëzimit të përjetshëm që Ai ka përgatitur për ju.