2007
Ç’kemi! Unë jam Klara Kristensen. Jetoj në Kiuatin, Ontario, Kanada
Prill 2007


Të Zësh Miq

Ç’kemi! Unë jam Klara Kristensen. Jetoj në Kiuatin, Ontario, Kanada

Nga oborri i pasëm i shtëpisë, Klara Kristensen, 11 vjeç, kënaqet duke parë një pamje aq të mrekullueshme sa për një faqe kalendari. Shtëpia e saj ndodhet buzë një kodre, nga e cila mund të shohësh Liqenin e Pyjeve, një hapësirë e gjerë me ujë të kthjellët që në jug arrin deri në Shtetet e Bashkuara dhe në perëndim deri në Manitoba. Gjatë kohës së verës dielli krijon rrezëllima mbi ujë. Gjatë dimrit, liqeni shkëlqen nga akulli i mbuluar me borë.

Liqeni dhe pyjet përqark janë një pamje ëndërruese për një njeri aktiv dhe që e do natyrën, siç është Klara. Ajo noton, vozit, peshkon, bën ekskursione dhe ngre çadra gjatë verës. Gjatë dimrit ajo kënaqet duke rrëshkitur me patina, duke lëvizur me saja me motor, duke bërë ski në natyrë dhe nëpër kodra e duke rrëshkitur nga kodra të rrëpira me blloqe tapetesh. Temperaturat e dimrit zbresin deri në -40˚C natën dhe bora shkon nga 1–2 metra e lartë. E megjithatë, vjeshta dhe dimri janë stinët e preferuara të Klarës.

Kjo vajzë e regjur me natyrën ka edhe interesa të tjera në shtëpi gjithashtu. Ajo ka kënaqësi kur lexon, punon me shtiza dhe kur i bie flautit apo pianos. I ka vënë qëllim vetes të mësojë t’i bjeri të gjitha himneve dhe këngëve të Fillores. Klara është zemërbutë dhe kënaqet kur ushqen si njerëzit ashtu edhe kafshët. Shpeshherë kujdeset për kushërinjtë e saj dhe kur fëmijët e vërtetë nuk i ka nën përkujdesje, luan rolin e nënës për koleksionin e saj me kukulla. Macet janë një tjetër dashuri e madhe për të. Lilo, Heroi dhe Shpresa e adhurojnë dhe shpesh flenë me të në krevat. Arka e Noes është historia e saj e preferuar nga shkrimet e shenjta për shkak të të gjitha kafshëve. Kur Klara të rritet, dëshiron të punojë ose me fëmijë ose me mace.

Çfarëdo që të bëjë, e bën mirë, pasi ajo këmbëngul në një detyrë derisa të bëhet siç duhet. Kjo cilësi e ka çuar drejt disa sfidave të vështira. Klarës i është përcaktuar diagnoza e apraksisë fëminore të të folurit (mosaftësi për të folur). Kjo do të thotë se, edhe pse e dinte çfarë duhet të thoshte, sinjalet ngatërroheshin disi midis trurit dhe gojës së saj dhe si rrjedhojë, ajo nuk mund të fliste qartë. Klara ka kaluar orë të tëra duke mësuar se si të lëvizë nofullën, buzët dhe gjuhën e saj për t’i nxjerrë tingujt siç duhet dhe për t’i bashkuar ata tinguj në fjalë. Ka qenë një punë shumë e vështirë, por me ndihmën e prindërve të saj, ajo është ushtruar vazhdimisht dhe vazhdon akoma. Tani flet mirë, edhe pse disa fjalë kërkojnë ende shumë përpjekje.

Vitin e kaluar fëmijëve në klasën e katërt, ku ndodhet edhe Klara, iu caktua të bënin fjalime katër deri në pesë minuta. Klara zgjodhi të mbante një fjalim mbi Holokaustin, të cilin e paraqiti sikur ishte një vajzë në një kamp përqendrimi. Kur bëri provën e parë të fjalimit të saj, iu deshën tetë minuta e 40 sekonda për ta thënë, për shkak se shumë fjalë i thoshte me vështirësi. U praktikua disa herë. Fjalimi dalëngadalë u bë më i shkurtër pasi mësoi t’i thoshte fjalët rrjedhshëm. Më në fund ajo e bëri fjalimin për katër minuta e 40 sekonda dhe shokët e saj e zgjodhën t’i përfaqësonte para gjithë shkollës. Pasi dha fjalimin, të gjithë nxënësit e shkollës shpërthyen në duartrokitje entuziaste. Shumë prej tyre e kishin njohur Klarën që nga klasa e parë dhe përparimi i saj dukej një mrekulli. E ëma e Klarës kujton: “Drejtori po qante. Mësuesja e klasës së dytë të Klarës po qante. Mësuesja e saj e klasës së katërt u mbush me gëzim. Ishte një fitore e madhe—një prej çasteve më të paharrueshme të jetës sime!”

Çfarë mësoi Klara nga kjo përvojë? “Vazhdoni të përpiqeni!” i këshillon ajo kudo fëmijët. “Kurrë mos u dorëzoni!”

Sigurisht, edhe lutja ishte një pjesë thelbësore e triumfit të Klarës. Ajo ka shumë besim tek Ati Qiellor dhe tek Jezu Krishti. Fillorja, mbrëmjet familjare, studimi i shkrimeve të shenjta dhe mësimet e prindërve të saj e kanë ndihmuar. Edhe motrat e saj kanë sjellë ndryshim gjithashtu, nëpërmjet shembullit të tyre të mirë dhe materialeve që i lexonin. Kur Karli, 18 vjeç, dhe Xhozi, 15 vjeç, mbushën 12, filluan të vendosnin postera të revistës New Era në pasqyrat e tyre. Klara ka mësuar përmendësh edhe shkrimet që janë nga mjeshtëria e shkrimeve të shenjta si dhe ka mësuar gjashtë B-të e Presidentit Hinkli me motrat e saj.

Babai i saj është presidenti i degës dhe e ëma është presidentja e Vajzave të Reja, kështu që Klara qëndron e përfshirë në aktivitetet e degës. Dega në Kenora është e vogël gjatë vjeshtës, dimrit dhe pranverës. Në fakt, Klara zakonisht është anëtarja e vetme në klasën e saj të Fillores, në të cilën jep mësim gjyshja e saj, presidentja e Fillores. Por gjatë kohës së verës, kur mijëra turistë vërshojnë për të shijuar Liqenin e Pyjeve, dega mbushet me vizitorë çdo të dielë. Klara gjen ngrohtësi me të gjithë miqtë e rinj e të mrekullueshëm që zë. Familja qëndron pranë Kishës gjatë gjithë vitit duke marrë pjesë në aktivitetet e kunjit në Uinipeg, Manitoba, rreth dy orë e gjysëm me makinë drejt perëndimit. Kur kthehen në shtëpi gjatë mbrëmjeve, shohin dritat e agimit polar që vallëzojnë në qiell.

Klara i qëndron pranë edhe familjes së saj të madhe. Në prag Krishlindjesh kushërinjtë, xhaxhallarët dhe hallat flenë të gjithë tek shtëpia e gjyshes. Ata hanë, këndojnë, varin çorape, montojnë skenën e lindjes së Krishtit, dëgjojnë historinë e Krishtlindjes dhe gjunjëzohen së bashku në lutje. Mëngjesi i Krishtlindjes sjell çokollatë të nxehtë, kuleçë me krem në formë kryqi sipër dhe dhurata. Natën e Krishtlindjes, familjet mblidhen sërish tek shtëpia e Klarës për darkë. Ditën pas Krishtlindjes bëhet një darkë e madhe me ushqime të ndryshme në shtëpinë e secilës familje.

Klara është rritur e frymëzuar me bukurinë e natyrës, ngrohtësinë e dashurisë familjare dhe dritën e ungjillit të Jezu Krishtit. Të gjitha këto ndikime pasqyrohen qartë në fytyrën dhe shpirtin e saj. Edhe në ditët më të ftohta të dimrit ajo sjell ngrohtësi në jetën e atyre që e njohin më shumë. Siç thotë edhe mamaja e saj: “Falë Zotit që kemi Klarën”.