2010
Libri i Mormonit si një Udhërrëfyes Personal
shtator 2010


Mesazhi i Presidencës së Parë, Shtator 2010

Libri i Mormonit si një Udhërrëfyes Personal

Të gjithë ne, në çastet tona më shpirtërore, ndiejmë një dëshirë të kthehemi në shtëpi që të jetojmë me Perëndinë. Ai na dha dhuratën e Birit të Tij të Dashur si Shpëtimtari ynë që të na jepte shtegun dhe të na mësonte si ta ndiqnim atë. Ai na dha profetë që të na tregonin udhën. Profeti Jozef Smith u frymëzua të përkthente dokumentet e profetëve që përbëjnë Librin e Mormonit. Ai është udhërrëfyesi ynë i sigurt në rrugën drejt shtëpisë tek Perëndia.

Jozef Smithi tha për atë libër të çmuar: “Unë u thashë vëllezërve se Libri i Mormonit ishte më i sakti nga ndonjë libër mbi tokë dhe gurthemeli i besimit tonë, dhe se një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga ndonjë libër tjetër”1.

Porositë e Librit të Mormonit janë urdhërimet e Perëndisë që gjejmë në të. Disa janë urdhërime të drejtpërdrejta nga Shpëtimtari përmes profetëve të Tij mbi atë se çfarë duhet të bëjmë dhe çfarë duhet të bëhemi. Libri i Mormonit na jep shembullin e Shpëtimtarit për të rritur besimin tonë dhe vendosmërinë që t’i bindemi urdhrit të Tij për ta ndjekur. Libri është i mbushur me doktrinën e Krishtit që të na udhëheqë. Këtu është një shembull nga 2 Nefi:

“[Jezusi] u tha fëmijëve të njerëzve: Më ndiqni mua. Prandaj, vëllezërit e mi të dashur, a mund ta ndjekim ne Krishtin, në qoftë se nuk jemi të gatshëm t’u bindemi urdhërimeve të Atit?

Dhe Ati tha: Pendohuni ju, pendohuni ju dhe pagëzohuni në emrin e Birit tim të Dashur” (2 Nefi 31:10–11).

Libri e bën të qartë se ne duhet të marrim Frymën e Shenjtë si një pagëzim të zjarrit që të na ndihmojë të qëndrojmë në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar. Neve na mësohet se duhet të lutemi gjithmonë në emrin e Krishtit, të mos lodhemi dhe, nëse e bëjmë atë, kemi këtë premtim: “Kështu që, ju duhet të shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit. Prandaj, në qoftë se ju do të shkoni përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duroni deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme” (2 Nefi 31:20).

Libri i Mormonit e bën të qartë në predikimin e mrekullueshëm të Mbretit Beniamin se çfarë do të thotë të kesh një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit. Kur natyrat tona ndryshojnë me anë të fuqisë së Shlyerjes dhe nëpërmjet bindjes sonë besnike ndaj urdhërimeve, ne do të mbushemi me dashurinë e Perëndisë (shih Mosia 4:1–12).

Libri i Mormonit na jep gjithashtu besim në vetvete se ne mund të dëliremi aq shumë në këtë jetë sa të mos kemi më dëshirë për të bërë keq (shih Mosia 5:2). Kjo shpresë na jep kurajë dhe qetësim ndërsa Satani përpiqet të na tundojë dhe shkurajojë në udhën tonë.

Çdo herë që lexoj, qoftë disa rreshta në Librin e Mormonit, ndiej të forcohet dëshmia ime se libri është i vërtetë, se Jezusi është Krishti, se ne mund ta ndjekim Atë për në shtëpi dhe se ne mund të marrim me vete për në shtëpi ata që i duam. Ai ka qenë për mua libri i librave. Ai është fjala e Perëndisë.

Unë lutem që ne dhe të gjithë ata që i duam, të pijmë thellësisht dhe çdo ditë nga ai. Unë dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit se ai është një udhërrëfyes i vërtetë.

Shënim

  1. Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith (2007), f. 64.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

“Kur i përdorim shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme si burimi i të gjithë mësimdhënies sonë, ne ftojmë Shpirtin që të japë dëshmi. Kjo sjell në mësimdhënien tonë ‘fuqinë e Perëndisë për të bindur njerëzit’ (DeB 11:21)” (Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia, s’Ka Thirrje më të Madhe] [1999], f. 51). Merrni parasysh të lexoni pjesë të spikatura nga mesazhi i Presidentit Ajring, përfshirë deklaratën e Jozef Smithit për Librin e Mormonit. Ftoni pjesëtarë të familjes të tregojnë se si të jetuarit sipas mësimeve që gjenden në Librin e Mormonit i ndihmon ata t’i afrohen Perëndisë.

“Kur nxënësit diskutojnë parime nga shkrimet e shenjta, ata zhvillojnë aftësi që u duhen për studimin e tyre personal të shkrimit të shenjtë” (Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia, s’Ka Thirrje më të Madhe], f. 54). Merrni parasysh të lexoni shkrimet e shenjta që referohen në këtë mesazh dhe të kërkoni e diskutoni parimet që mësojnë ato.