2010
Për Rininë: Për ta Bërë Tempullin Pjesë të Jetës Suaj
2010


Për ta Bërë Tempullin Pjesë të Jetës Suaj

Për Rininë

Edhe pse po përgatiteni të merrni ordinancat tuaja të tempullit në të ardhmen, tempulli mund të ketë një ndikim të thellë në jetën tuaj pikërisht tani.

Tempulli është vendi më i shenjtë në tokë – një vend ku toka e qielli takohen dhe ku ne ndihemi pranë Atit tonë Qiellor dhe Jezu Krishtit. Edhe pse po përgatiteni të merrni ordinancat tuaja të tempullit në të ardhmen, tempulli mund të ketë një ndikim të thellë në jetën tuaj pikërisht tani. Këtu janë disa gjëra që mund të bëni për ta bërë tempullin pjesë të jetës suaj që kur jeni të rinj.

Merrni Pjesë në Pagëzime për të Vdekurit

Të rinj e të reja të denjë në moshën 12 vjeç e lart mund të vizitojnë tempullin e të pagëzohen për paraardhësit e tyre që kanë vdekur pa u pagëzuar. Presidenti Tomas S. Monson foli për gëzimin që sjell ky shërbim:

“Një ditë, ndërsa po hyja në tempull, pashë një grup të rejash që, herët atë mëngjes, kishin marrë pjesë në pagëzime për ata që kishin kaluar përtej. Flokët e tyre qenë të lagur. Buzëqeshjet e tyre qenë rrezatuese. Zemrat e tyre ishin mbushur me gëzim. Një vajzë u kthye me drejtim nga tempulli dhe shprehu ndjenjat e saj. ‘Kjo ka qenë dita më e lumtur e jetës sime’, tha ajo.”1

Trembëdhjetëvjeçarja Xhesika Han nga Dafne e Alabamës, u pagëzua për disa nga paraardhësit e saj në Tempullin e Atlantës në Xhorxhia. Ndonëse u deshën pesë orë për të udhëtuar deri në tempull, ajo thotë se përvoja qe e mrekullueshme. “Mundësia për të veshur rroba të bardha të pastra e për t’u pagëzuar për paraardhësit e mi, më dha një ndjenjë të shkëlqyer”, tha ajo. “Ndiej sikur tani i njoh ata.”

Shkoni në tempull sa më shpesh që të mundeni. Atje mund të provoni gëzimin e ndihmës për të tjerët që të marrin bekimet e pagëzimit.

Mbështesni Punën e Tempullit

Ka shumë mënyra për ta mbështetur punën e tempullit, edhe nëse vetë ju nuk mund të shkoni shpesh në tempull. Ju mund të mësoni për paraardhësit tuaj dhe të kujdeseni që ordinancat e tempullit të kryhen për ta. Ju mund të ofroni të kujdeseni për fëmijë të vegjël, kështu që prindërit e tyre të mund të marrin pjesë në tempull. Meqë shërbimi në tempull përqendrohet kaq shumë tek familjet, ju mund të punoni për të forcuar vetë familjen tuaj. Dhe ju mund të ndani me të tjerët dëshminë tuaj se tempulli është vërtet shtëpia e Zotit.

Jetoni të Denjë për të Hyrë në Tempull

Meqë tempulli është një vend kaq i shenjtë, Zoti ka vendosur standarde të larta për ne, sipas të cilave të jetojmë, përpara se të mund të hyjmë brenda. Presidenti Diter F. Uhtdorf shpjegoi se “standardet e vendosura nga Zoti në pyetjet për rekomandim tempulli janë shumë të ngjashme me standardet që gjenden tek broshura Për Forcën e Rinisë. Në kohë qetësie por gjithashtu në kohën e tundimit më të madh, këto standarde dhe udhëheqja e Frymës së Shenjtë do t’ju ndihmojnë të bëni zgjedhjet e drejta. … Mënyra si i zbatoni këto standarde do të thotë shumë se cili jeni ju dhe çfarë kërkoni të bëheni.”2

Jetoni standardet e Zotit dhe do të jeni të denjë për të hyrë në tempull. Pasja e dëshirës për të hyrë në tempull në të ardhmen mund t’ju ndihmojë t’i largoheni tundimit sot. “Kjo ju jep një arsye për të qëndruar të denjë”, thotë Marlon Ruiz, 16 vjeç, nga Sanraiz në Florida. “Për sa kohë ta keni atë synim, ju gjithmonë mendoni se çfarë bëni sepse nuk mund të shkoni në tempull kur nuk jeni i denjë.”

Planifikoni për një Martesë në Tempull

“Unë shoh tempullin dhe mendoj për t’u martuar atje një ditë”, tha Anika Raitmajer, 16 vjeçe, nga Oslo në Norvegji. “Unë e di se premtimet që bën në tempull janë premtime me Zotin. Gjërat që mëson atje thjesht nuk do të ndryshojnë apo zhduken.”

Mbani një figurë tempulli diku ku do ta shihni shpesh dhe prisni me padurim ditën kur mund të merrni vetë ordinancat tuaja të tempullit.

Kur qe 14 vjeçe, Xhodi Hezëlbekër nga Amerikan Fork e Jutas, vizitoi Tempullin e Maunt-Timpanogos në Juta gjatë shtëpisë së hapur. “Kur po ecja mes dhomës së nuses, ndalova për një çast dhe vështrova ngultas në pasqyrë”, kujtoi ajo. “Ndërsa vështroja, mund të shihja veten në të ardhmen, duke veshur një fustan të bukur martese e me një buzëqeshje të madhe. E dija se ky qe vendi ku do të martohesha, në tempull, pranë Atit tim në Qiell.”

Shënime

  1. Thomas S. Monson, “Your Celestial Journey”, Liahona, korrik 1999, f. 115.

  2. Diter F. Uhtdorf, Liahona, maj 2006, f. 44.