2010
Përgatituni për Bekimet e Tempullit
2010


Përgatituni për Bekimet e Tempullit

Çdo tempull është simbol i besimit tonë tek Perëndia dhe një tregues i besimit tonë tek jeta pas vdekjes. Tempulli është objekti i çdo aktiviteti, çdo mësimi, çdo hapi përparues në Kishë.

Ndërsa tempuj përgatiten për njerëzit, njerëzit duhet të përgatiten për tempullin

Të gdhendura në çdo tempull janë fjalët “shenjtëri Zotit”1. Ajo deklaratë i përcakton të dy, si tempullin edhe qëllimet e tij, si të shenjta. Ata që hyjnë në tempull gjithashtu duhet të mbajnë tiparin e shenjtërisë.2 Ndërsa tempuj përgatiten për njerëzit, njerëzit duhet të përgatiten për tempullin.

Tempulli ndryshon nga shtëpitë e tjera të adhurimit. Ndryshe nga godinat kishtare, tempulli është i mbyllur në shabat që njerëzit të mund të shkojnë në kishë dhe të jenë me familjet e tyre në atë ditë të shenjtëruar. Tempujt janë të hapur për punë të shenjtë në ditët e tjera të javës. Tempulli është shtëpia e Zotit në kuptimin e plotë të fjalës, i mbajtur për ordinanca me domethënie të përjetshme. Ato ordinanca përfshijnë pagëzime, martesa, marrje indaumenti dhe vulosje.

Çdo tempull është simbol i besimit tonë tek Perëndia dhe një tregues i besimit tonë tek jeta pas vdekjes. Tempulli është objekti i çdo aktiviteti, çdo mësimi, çdo hapi përparues në Kishë. Të gjitha përpjekjet tona për shpalljen e ungjillit, përsosjen e shenjtorëve dhe shëlbimin e të vdekurve drejtojnë tek tempulli i shenjtë. Ordinancat e tempullit janë absolutisht vendimtare. Ne nuk mund të kthehemi tek lavdia e Perëndisë pa to.

Çdo ordinancë tempulli është një akt premtimi solemn

Në tempull ne marrim një indaument, që është, e thënë saktësisht, një dhuratë. Ne duhet të kuptojmë domethënien shpirtërore të tij dhe rëndësinë e mbajtjes së besëlidhjeve e detyrimeve të shenjta që bëjmë kur marrim këtë dhuratë. Secila “ordinancë tempulli nuk është thjesht një ritual për t’u kryer, është një akt premtimi solemn”3.

Indaumenti i tempullit u dha me anë të zbulesës. Kështu, kuptohet më mirë me anë të zbulesës, të kërkuar fuqishëm me një zemër të kulluar. Presidenti Brigam Jang shpjegoi që “indaumenti juaj është, të merrni të gjitha ato ordinanca në shtëpinë e Zotit, që janë të nevojshme për ju, pasi të jeni ndarë nga kjo jetë, që ju mundësojnë të ktheheni në praninë e Atit, duke kaluar engjëjt që qëndrojnë si roje … dhe të merrni ekzaltimin tuaj të përjetshëm”4.

Bindja ndaj besëlidhjeve të shenjta të bëra në tempuj, na kualifikon për jetë të përjetshme

Në çdo tempull, ushtrohet autoriteti vulosës i priftërisë. Presidenti Gordon B. Hinkli shpjegoi se “asnjë mbret, asnjë president i një kombi, asnjë zyrtar i çfarëdo organizate në botë, pjesë e së cilës jemi, nuk ka ndonjë autoritet mbi çështjet përtej varrit. Gjithkush është i padobishëm përpara shtrirjes së vdekjes, por prifti i lartë i përulur, i mirë, i drejtë që ka marrë autoritetin vulosës, mund të lidhë në qiell atë që është lidhur mbi tokë.”5

Ashtu si priftëria është e përjetshme – pa fillim ose mbarim – po ashtu është autoriteti i asaj priftërie.6 Si rrjedhim, ordinancat dhe besëlidhjet e priftërisë gjithashtu kapërcejnë kohën. Zbulesa e parë dhënë Profetit Jozef Smith nga engjëlli Moroni iu referua këtij autoriteti të priftërisë.7 Në udhëzime të mëvonshme drejtuar Profetit në lidhje me tempullin, Zoti tha:

“Kjo shtëpi duhet të ndërtohet për emrin tim, që unë të mund t’ia zbuloj ordinancat e mia popullit tim në të;

sepse unë e mendoj të përshtatshme t’ia zbuloj kishës sime gjërat që janë mbajtur të fshehura përpara themelimit të botës, gjëra të cilat lidhen me periudhën e plotësisë së kohëve”8.

Ne po jetojmë në atë periudhë ungjillore. Tempujt, ordinancat, besëlidhjet, indaumentet dhe vulosjet u rivendosën, saktësisht si u profetizua. Ordinancat e tempullit sigurojnë pajtim me Zotin dhe i vulosin familjet së bashku për gjithmonë. Bindja ndaj besëlidhjeve të shenjta të bëra në tempuj, na kualifikon për jetë të përjetshme – dhurata më e madhe e Perëndisë për njeriun.9

Gjithkush që është i gatshëm të përgatitet mirë, mund të hyjë në tempull

Meqë tempulli është i shenjtë, Zoti kërkon që atë ta mbrojmë nga përdhosja. Gjithkush mund të hyjë, që është i gatshëm të përgatitet mirë për atë privilegj. Koncepti i përgatitjes ekziston në fusha të tjera aktiviteti. Më kujtohet se kur isha vetëm një djalë i vogël, u thashë prindërve se dëshiroja të shkoja në universitet. Ata thanë se mundesha, por vetëm nëse punoja fort në shkollimin paraprak dhe plotësoja të gjitha kërkesat për pranim në universitet. Ngjashëm, ne duhet të kualifikohemi për pranimin në tempull. Ne përgatitemi fizikisht, intelektualisht dhe shpirtërisht. Pranueshmëria përcaktohet individualisht për secilin person që kërkon një rekomandim.

Ata që mbajnë çelësat e autoritetit të priftërisë dhe përgjegjësinë na ndihmojnë të përgatitemi duke zhvilluar intervista për rekomandim tempulli. Këta udhëheqës kujdesen për ne dhe na ndihmojnë të përcaktojmë nëse jemi gati për të frekuentuar tempullin. Ata gjithashtu e duan Zotin dhe sigurojnë “që asgjë e papastër nuk do të lejohet të hyjë në shtëpinë [e Tij]”10. Kështu që, këto intervista drejtohen në një shpirt përgjegjshmërie.

Si përgatiteni për një rekomandim tempulli? Ju mund të këshilloheni me peshkopatën tuaj, si edhe me prindërit tuaj, familjen, presidencën e kunjit, mësuesin ose këshilltarin e kuorumit. Kërkesat janë të thjeshta. E thënë shkurt, një individi i kërkohet të mbajë urdhërimet e Atij e të cilit është shtëpia. Ai ka vendosur standardet. Ne hyjmë në tempuj si mysafirë të Tij.

Zoti do të ishte i kënaqur nëse çdo anëtar i rritur do të ishte i denjë – dhe do të mbante – një rekomandim tempulli aktual. “Intervistat … për rekomandime tempulli, me [pjesëtarë të peshkopatës suaj] dhe pjesëtarë të presidencës së kunjit tuaj janë përvoja të çmueshme. Dhe, në një mënyrë, ato mund të konsiderohen ‘prova’ kuptimplote për atë bashkëbisedim të madh kur ju do të qëndroni përpara Gjykatësit të Madh.”11

Përgatituni fizikisht për të shkuar në tempull

Tani, me një rekomandim tempulli në dorë, ju jeni gati për përgatitje të mëtejshme. Ju përgatiteni fizikisht duke u veshur siç duhet për të shkuar në tempull. Ai nuk është një vend për veshje të rastit. Profetët e ditëve të mëvonshme kanë theksuar vetërespektin për trupat tanë fizikë. Ai respekt duhet të zbatohet veçanërisht nga ata që do të hynin në një tempull të shenjtë.12

Në tempull, të gjithë vishen me rroba të bardha të pastra. “Dëlirësia simbolike e ngjyrës së bardhë njëlloj na kujton se Perëndia duhet të ketë një popull të kulluar.”13 Mosha, kombësia, gjuha – madje pozicioni në Kishë – kanë rëndësi dytësore. Unë kam qenë i pranishëm në shumë sesione indaumenti kur ka marrë pjesë Presidenti i Kishës. Çdo njeriu në dhomë i akordohej i njëjti respekt i lartë që i shprehej Presidentit. Të gjithë ulen krah për krah dhe konsiderohen të barabartë në sytë e Zotit. Nëpërmjet një demokracie veshjeje, pjesëmarrja në tempull na kujton se “Perëndia nuk tregohet i anshëm”14.

Nuset e dhëndurët hyjnë në tempull që të martohen për kohën dhe gjithë përjetësinë. Në tempull, nuset veshin fustane që janë të bardha, me mëngë të gjata, të thjeshta në model e cohë dhe pa zbukurime të ndërlikuara. Burrat nuk veshin smoking ose veshje formale. Presidenti Bojd K. Paker, tani President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shkroi: “Është e kënaqshme për Zotin kur ne lajmë trupat tanë dhe veshim veshje të pastra, sado jo të kushtueshme mund të jenë veshjet. Ne duhet të vishemi në mënyrë të tillë që të mund të marrim pjesë rehat në një mbledhje sakramenti ose takim që është me vend dhe dinjitet.”15

Duke folur për veshjen e tempullit, nënat dhe gjyshet mund të ushtrojnë një ndikim të madh për mirë mes fëmijëve dhe nipërve e mbesave të tyre. Si ta lejojnë aftësitë dhe rrethanat e tyre, ato mund të sigurojnë motivim të prekshëm për familjen e tyre. Dhurimi nga një nënë i një shamie të qëndisur me dorë ose i një artikulli tjetër për veshjen e tempullit, mund të jetë një stimul i fuqishëm që një fëmijë apo nip a mbesë e dashur e vlerëson.

Veshja e tempullit simbolizon angazhim të vazhdueshëm

Mbajtja e veshjes së tempullit mbart domethënie të madhe simbolike dhe përfaqëson një angazhim të vazhdueshëm. Pikërisht si Shpëtimtari na dha një shembull të aftësisë të Tij për të duruar deri në fund, mbajtja e veshjes së tempullit është një mënyrë se si ne tregojmë besim të qëndrueshëm tek Ai dhe besëlidhjet e tij të përjetshme me ne.

Presidenca e Parë përgatiti një letër drejtuar Kishës mbi këtë temë. Ata shkruan:

“Praktika të vërejtura shpesh mes anëtarëve të Kishës sugjerojnë se disa anëtarë nuk e kuptojnë plotësisht besëlidhjen që bëjnë në tempull për ta mbajtur veshjen e tempullit në përputhje me shpirtin e indaumentit të shenjtë.

Anëtarët e Kishës që janë veshur me veshjen në tempull, kanë bërë një besëlidhje që ta veshin atë gjatë gjithë jetës së tyre. Kjo është interpretuar të ketë kuptimin se ajo mbahet si veshje e brendshme si ditën edhe natën. … Premtimi i mbrojtjes dhe bekimeve kushtëzohet nga denjësia dhe besnikëria në mbajtjen e besëlidhjes.

Parimi themelor duhet të jetë që të mbahet veshja e tempullit dhe të mos gjenden raste për ta hequr atë. Kështu, anëtarët nuk duhet ta heqin të gjithë ose pjesë të veshjes së tempullit për të punuar në oborr apo për t’u endur nëpër shtëpi me rroba banje ose veshje të pahijshme. As nuk duhet të hiqet për të marrë pjesë në aktivitete zbavitjeje që në mënyrë të arsyeshme mund të kryhen me veshjet e tempullit të veshura siç duhet poshtë veshjes së rregullt. Kur veshja duhet të hiqet, si për shembull për notim, duhet të vishet sa më shpejt të jetë e mundur.

Parimet e thjeshtësisë dhe të mbajtjes së trupit të mbuluar siç duhet nënkuptohen në besëlidhje dhe duhet t’ju ndihmojnë të vendosni për llojin e të gjitha veshjeve që mbani. Anëtarët e Kishës që kanë marrë indaumentin, e mbajnë veshjen e tempullit si një kujtues të besëlidhjeve të shenjta që kanë bërë me Zotin dhe gjithashtu si një mbrojtje kundër tundimit dhe të ligës. Mënyra si vishet është një shprehje e jashtme e një zotimi të brendshëm për të ndjekur Shpëtimtarin.”16

Përgatituni mendërisht dhe shpirtërisht për të shkuar në tempull

Përveç përgatitjes fizike, ne duhet të përgatitemi mendërisht dhe shpirtërisht. Meqë ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit janë të shenjta, ne jemi nën detyrim absolut që të mos diskutojmë jashtë tempullit atë që ndodh në tempull. Çështje të shenjta meritojnë vëmendje të shenjtë.

Në këtë shtëpi mësimi, ne marrim mësim në mënyrën e Zotit. Rrugët e Tij nuk janë rrugët tona.17 Nuk duhet të çuditemi nëse teknikat e mësimdhënies ndryshojnë nga ato të përdorura në praktikat arsimore, më të njohura për ne. Ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit kanë qenë një pjesë përbërëse e ungjillit që nga kohët e Adamit dhe Evës. Në lashtësi, simbolet përdoreshin për të dhënë mësim të vërteta të thella dhe kjo mënyrë udhëzimi përdoret në tempull sot.

Është e nevojshme, si rrjedhim, që ne të meditojmë mbi simbolet e paraqitura në tempull dhe të kuptojmë realitetet e fuqishme që përfaqëson çdo simbol.18 “Ordinancat e tempullit janë kaq të mbushura me kuptim simbolik, sa të japin një kundrim dhe mësim prodhimtar për të gjithë jetën.”19 Mësimet e tempullit janë shkëlqyeshëm të thjeshta dhe thjeshtësisht të shkëlqyeshme. Ato kuptohen nga ata që kanë pasur pak mundësi për arsimim, përsëri mund të ngacmojnë intelektin e të arsimuarve së tepërmi.

Unë rekomandoj që anëtarët, të cilët shkojnë në tempull për herë të parë, të lexojnë zërat tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta që janë të lidhura me tempullin, të tilla si “Besëlidhje”, “Sakrificë”, “Tempull” dhe “Vajos”. Dikush mund të dëshirojë gjithashtu të lexojë Eksodin, kapitujt 26–29 dhe Levitikun, kapitulli 8. Dhiata e Vjetër, ashtu si dhe librat e Moisiut dhe Abrahamit tek Perla me Vlerë të Madhe, nënvizon lashtësinë e punës në tempull dhe natyrën e qëndrueshme të ordinancave të saj.

Mbajtja e një besëlidhjeje me Perëndinë është si mbrojtëse ashtu dhe mundësuese

Janë dy koncepte që veçanërisht duhet t’i mbajmë në mendje kur përgatitemi për tempullin. I pari është besëlidhja. Ne duhet të kujtojmë se një besëlidhje është një premtim. Një besëlidhje e bërë me Perëndinë nuk duhet të konsiderohet si kufizuese, por si mbrojtëse. Besëlidhjet me Të na mbrojnë nga rreziku.

Ky koncept nuk është i ri. Nëse furnizimi ynë me ujë ka cilësi të dyshimtë, për shembull, ne e filtrojmë ujin. Ngjashëm, besëlidhjet hyjnore na mbrojnë nga dëmtimi. Kur vendosim t’i mohojmë vetes gjithë paperëndishmërinë20, nuk humbasim asgjë me vlerë dhe fitojmë lavdi të njohur vetëm nga ata që marrin jetë të përjetshme. Mbajtja e besëlidhjes së tempullit nuk është detyruese por mundësuese. Ajo na ngre përtej kufijve të vetë këndvështrimit dhe fuqisë sonë. Ngjan me ndryshimin mes ecjes me mundim mes një fushe me baltë dhe fluturimit nëpër qiej me një avion reaktiv supersonik. Mbajtja e një besëlidhjeje me Perëndinë është si mbrojtëse ashtu dhe mundësuese.

Koncepti i dytë që duhet theksuar në përgatitjen tonë mendore, është Shlyerja. Shlyerja e Jezu Krishtit është veprimi qendror i të gjithë historisë njerëzore. Ajo është thelbi i planit të shpëtimit. Pa Shlyerjen e pafundme, gjithë njerëzimi do të humbte pandreqshëm. Ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit mësojnë për fuqinë shëlbuese të Shlyerjes.

Jeta e përjetshme na mundësohet nëpërmjet bindjes tonë ndaj besëlidhjeve të bëra në tempull.

Shërbimi në tempull na sjell bekime në këtë jetë si edhe në përjetësi. Plaku Nil A. Maksuell, nga Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, tha se “puna në tempull nuk është një arratisje nga bota por një përforcim i nevojës sonë për ta përmirësuar botën, ndërkohë që përgatitemi për një botë tjetër dhe shumë më të mirë. Kështu, qenia në shtëpinë e Zotit mund të na ndihmojë të jemi të ndryshëm nga bota që të sjellim më shumë ndryshim në botë.”21

Nëse jemi të vërtetë e besnikë në këtë jetë, mund të marrim jetë të përjetshme. Pavdekësia është të jetojmë për gjithmonë. Jeta e përjetshme do të thotë më shumë sesa thjesht të jemi të pavdekshëm. Jeta e përjetshme është të marrim ekzaltim në qiellin më të lartë dhe të jetojmë në njësinë familjare. Perëndia deklaroi se caktimi i misionit të Tij të madh – “vepra ime dhe lavdia ime” – është “të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”22. Dhurata e Tij e pavdekësisë është e pakushtëzuar – një dhuratë falas e shpëtimit për të gjithë njerëzimin. Mundësia e jetës së përjetshme – madje ekzaltimi – mundësohet për ne nëpërmjet bindjes tonë ndaj besëlidhjeve të bëra dhe ordinancave të marra në tempujt e shenjtë të Perëndisë.

Bekimet e tempullit bëhen më kuptimplotet kur të dashurit tanë i merr vdekja nga rrethet tona familjare. Të dimë se periudha jonë e ndarjes është thjesht e përkohshme na jep paqe që ia tejkalon zgjuarsisë së zakonshme23. Presidenti Jozef Filding Smith shkroi: “Nëpërmjet fuqisë së kësaj priftërie që dhuroi Elija, bashkëshorti e bashkëshortja mund të vulosen, ose të martohen për përjetësinë; fëmijët mund të vulosen tek prindërit e tyre për përjetësinë; kështu familja bëhet e përjetshme dhe vdekja nuk i ndan pjesëtarët”24. Të bekuar me vulosje të përjetshme, ne mund ta përballojmë vdekjen si një përbërës të domosdoshëm të planit të madh të lumturisë të Perëndisë.25

Këndvështrimi i përjetshëm që marrim në tempull na jep forcë të durojmë sprovat e jetës

Një këndvështrim i përjetshëm na ndihmon të mbajmë besnikëri të plotë ndaj besëlidhjeve që bëjmë. Presidenti Paker theksoi se “ordinancat e besëlidhjet bëhen letrat tona kredenciale për t’u pranuar në praninë [e Perëndisë]. T’i marrim ato denjësisht është synim i gjithë jetës; t’i mbajmë ato pas kësaj është sfida e vdekshmërisë.”26

Ordinancat e tempullit lidhen jo vetëm me lavdinë tonë të përjetshme, por dhe me atë të paraardhësve tanë të vdekur. “Sepse shpëtimi i tyre është i nevojshëm dhe thelbësor për shpëtimin tonë, … ata pa ne nuk mund të bëhen të përsosur – as ne nuk mundemi, pa të vdekurit tanë, të bëhemi të përsosur.”27 Shërbimi në emër të tyre siguron një mundësi për adhurimin tonë të vazhdueshëm në tempull, i dhënë bujarisht si një punë mëkëmbëse modeluar sipas asaj të Zotit kur Ai kreu Shlyerjen për të bekuar të gjithë ata që do të jetojnë ndonjëherë.

Një ditë ne sigurisht do ta takojmë Krijuesin tonë dhe do të qëndrojmë para Tij tek shufra e gjykimit. Shkrimi i shenjtë na mëson se “ruajtësi i portës është i Shenjti i Izraelit; dhe ai nuk punëson shërbëtorë aty; dhe nuk ka udhë tjetër përveç nëpërmjet portës; pasi ai nuk mund të mashtrohet, pasi Zoti Perëndi është emri i tij”28. Vetë Zoti do të përcaktojë nëse ne kemi qenë të vërtetë ndaj besëlidhjeve që bëmë me Të në tempull dhe kështu t’i meritojmë bekimet e lavdishme që Ai u ka premtuar atyre që mbajnë besëlidhjet.

Ky këndvështrim na jep forcë të durojmë sprovat e jetës. Presidenti Paker pohoi: “Qëllimi final i gjithçkaje që japim mësim është t’i bashkojmë prindërit dhe fëmijët në besimin te Zoti Jezu Krisht, që ata të jenë të lumtur në shtëpi, të vulosur në një martesë të përjetshme, të lidhur me brezat e tyre dhe të kenë sigurinë e ekzaltimit në praninë e Atit tonë Qiellor”29.

Çdo tempull qëndron si simbol i anëtarësisë sonë në Kishë, si një shenjë e besimit tonë në jetën pas vdekjes dhe si një hap drejt lavdisë së përjetshme për ne dhe familjen tonë. Unë lutem që çdo anëtar i Kishës do të përgatitet për bekimet e mrekullueshme të tempullit.

Tempulli i Hjustonit në Teksas. Përkushtuar më 26 gusht 2000.

Tempulli i Johanesburgut në Afrikën e Jugut. Përkushtuar më 24 gusht 1985.

Tempulli i Helsinkit në Finlandë. Përkushtuar më 22 tetor 2006.

Tempulli i Resifes në Brazil. Përkushtuar më 15 dhjetor 2000.