2015
Çfarë më Mungon Tjetër?
Nëntor 2015


Çfarë më Mungon Tjetër?

Nëse jemi të përulur dhe të mësueshëm, Fryma e Shenjtë do të na nxitë për t’u përmirësuar dhe do të na drejtojë për në shtëpi, por ne duhet t’i kërkojmë Zotit për drejtime përgjatë udhës.

Kur isha i ri në moshë madhore, fillova të hetoja për Kishën. Në fillim, ungjilli më tërhoqi nga shembujt e miqve të mi shenjtorë të ditëve të mëvonshme, por përfundimisht më tërhoqi doktrina e pashoqe. Kur mësova se burra besnikë dhe gra besnike mund të vazhdonin të përparonin dhe në fund të bëheshin si prindërit tanë qiellorë, sinqerisht u mahnita. E pëlqeva së tepërmi konceptin; m’u duk i vërtetë.

Pak pas pagëzimit tim, po studioja Predikimin në Mal dhe dallova se Jezusi dha mësim po këtë të vërtetë në Bibël rreth përparimit të përjetshëm. Ai tha: “Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej”1.

Kam qenë një anëtar i Kishës tani për më shumë se 40 vjet dhe kurdoherë që e lexoj këtë varg të shkrimit të shenjtë, më kujtohet qëllimi ynë këtu në tokë. Ne erdhëm për të mësuar dhe për t’u përmirësuar, derisa gradualisht të bëhemi të shenjtëruar ose të përsosur në Krisht.

Udhëtimi i dishepullimit nuk është një udhëtim i lehtë. Ai është quajtur “kursi i përmirësimit të vazhdueshëm”2. Ndërsa udhëtojmë nëpër atë shteg të ngushtë dhe të ngushtuar, Shpirti vazhdimisht na sfidon për të qenë më të mirë dhe për t’u ngjitur më lart. Fryma e Shenjtë është një shok ideal për udhëtim. Nëse jemi të përulur dhe të mësueshëm, Ai do të na marrë për dore dhe do të na drejtojë për në shtëpi.

Megjithatë, ne duhet t’i kërkojmë Zotit për drejtime përgjatë udhës. Ne duhet të bëjmë disa pyetje të vështira si: “Çfarë duhet të ndryshoj?” “Si mund të përmirësohem?” “Cilat dobësi duhet t’i forcoj?”

Le të marrim parasysh tregimin në Dhiatën e Re për sunduesin e ri pasanik. Ai ishte një i ri i drejtë i cili tanimë po i mbante të Dhjetë Urdhërimet, por dëshironte të bëhej më i mirë. Synimi i tij ishte jeta e përjetshme.

Kur takoi Shpëtimtarin, ai e pyeti: “Çfarë më mungon tjetër?”3

Jezusi iu përgjigj sakaq, duke i dhënë këshillë që ishte synuar posaçërisht për të riun pasanik. “Jezusi i tha: ‘Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko, shit ç’të kesh, jepua të varfërve dhe … eja dhe më ndiq mua’.”4

I riu u shtang; ai nuk e kishte marrë kurrë parasysh një sakrificë të tillë. Ai ishte mjaftueshëm i përulur sa ta pyeste Zotin, por jo dhe aq besnik sa ta ndiqte këshillën hyjnore që iu dha. Ne duhet të jemi të gatshëm të veprojmë kur e marrim një përgjigje.

Presidenti Harold B. Li na mësoi: “Çdonjëri prej nesh, nëse do ta arrinte përsosurinë, duhet një herë t’i bëjë vetes këtë pyetje: ‘Çfarë më mungon tjetër?’”5

Njoha një nënë besnike e cila e përuli veten dhe pyeti: “Çfarë po më pengon që të përparoj?” Në rastin e saj, përgjigjja nga Shpirti i erdhi menjëherë: “Mjaft u ankove”. Kjo përgjigje e befasoi atë; ajo nuk e kishte menduar veten kurrë si qaramane. Megjithatë, mesazhi nga Fryma e Shenjtë ishte tepër i qartë. Në ditët që pasuan, ajo u bë e ndërgjegjshme për zakonin e saj si qaramane. Mirënjohëse për nxitjen për t’u përmirësuar, ajo vendosi të numëronte bekimet e saj në vend të sfidave vetjake. Brenda disa ditëve, ajo ndjeu miratimin e ngrohtë të Shpirtit.

Një i ri i përulur, i cili dukej se nuk mund të gjente vajzën e duhur, shkoi te Zoti për ndihmë: “Çfarë po më pengon që të jem burri i duhur?” pyeti ai. Kjo përgjigje i erdhi në mendje e zemër: “Pastro fjalorin”. Në atë çast, ai e kuptoi se disa shprehje pa takt ishin bërë pjesë e fjalorit të tij dhe ai u zotua për të ndryshuar.

Një motër beqare me guxim bëri pyetjen: “Çfarë duhet të ndryshoj” dhe Shpirti i pëshpëriti asaj: “Mos i ndërprit njerëzit kur janë duke folur”. Fryma e Shenjtë vërtet jep këshillë sipas rastit. Ai është një shok plotësisht i ndershëm dhe do të na tregojë gjëra që askush tjetër nuk i di apo nuk ka guximin që t’i thotë.

Një misionar i kthyer e gjeti veten të mbingarkuar me një program tepër të ngjeshur. Ai po përpiqej të gjente kohë për punën, studimet, familjen dhe thirrjen në Kishë. Ai i kërkoi Zotit këshillë: “Si mund të ndihem në paqe me gjithçka që kam nevojë të bëj?” Përgjigjja nuk ishte ajo që ai priste; ai mori mbresë se duhej ta respektonte me më shumë kujdes ditën e Shabatit dhe ta mbante atë të shenjtë. Ai vendosi t’ia përkushtonte të dielën shërbimit ndaj Perëndisë – t’i linte mënjanë kurset e shkollës në atë ditë dhe në vend të tyre të studionte ungjillin. Kjo përshtatje e vogël solli paqen dhe drejtpeshimin që ai po kërkonte.

Vite më parë, lexova në një revistë të Kishës historinë e një vajze e cila po jetonte larg shtëpisë dhe shkonte në kolegj. Ajo ishte mbrapa me orët e saj mësimore, jeta e saj shoqërore nuk ishte ajo që shpresonte, dhe në përgjithësi nuk ishte e lumtur. Më në fund, një ditë ra në gjunjë dhe thirri me zë: “Çfarë mund të bëj për ta përmirësuar jetën time?” Fryma e Shenjtë i pëshpëriti: “Çohu dhe pastro dhomën”. Kjo nxitje i erdhi plotësisht si një befasi, por ajo ishte vetëm fillimi që i nevojitej. Pasi gjeti kohë për t’i sistemuar dhe vendosur gjërat në rregull, ajo ndjeu Shpirtin t’i mbushte dhomën dhe t’i lartësonte zemrën.

Fryma e Shenjtë nuk na thotë që ta përmirësojmë çdo gjë njëherësh. Nëse do ta bënte, ne do të shkurajoheshim dhe dorëzoheshim. Shpirti punon me ne sipas vetë ritmit tonë, hap pas hapi ose siç dha mësim Zoti: “Rresht pas rreshti, parim pas parimi, … dhe të bekuar janë ata që dëgjojnë parimet e mia … pasi atij që merr, unë do t’i jap më shumë”6. Për shembull, nëse Fryma e Shenjtë ju ka nxitur të thoni “faleminderit” më shpesh dhe ju i përgjigjeni asaj nxitjeje, atëherë Ai mund të ndiejë se është koha që ju të ecni përpara drejt diçkaje më sfiduese – si të mësoni të thoni: “Më fal; ishte faji im”.

Pamja
Familje duke marrë sakramentin

Koha e përsosur për të bërë pyetjen: “Çfarë më mungon tjetër?” është koha kur marrim sakramentin. Apostulli Pal dha mësim se kjo është koha për secilin prej nesh që të shqyrtojmë veten tonë.7 Në këtë atmosferë nderimi, ndërsa mendimet tona kthehen drejt qiellit, Zoti me butësi mund të na thotë se me çfarë duhet të punojmë më pas.

Sikurse ju, kam marrë shumë mesazhe nga Shpirti përgjatë viteve që më tregojnë se si mund të përmirësohem. Lejomëni të ndaj disa shembuj vetjakë të mesazheve që i pranova plotësisht. Këto nxitje kanë përfshirë:

  • Mos e ngri zërin.

  • Organizoje veten; krijo një listë ditore të gjërave për t’u bërë.

  • Kujdesu më mirë për trupin tënd duke ngrënë më shumë fruta dhe perime.

  • Rrite pjesëmarrjen tënde në tempull.

  • Gjej kohë për të përsiatur përpara se të lutesh.

  • Kërkoji bashkëshortes tënde këshillë.

  • Dhe ji i duruar kur nget makinën; mos e kalo kufirin e shpejtësisë. (Jam duke punuar ende me këtë të fundit.)

Sakrifica shlyese e Shpëtimtarit është ajo që e bën të mundur përsosjen ose shenjtërimin. Ne kurrë nuk mund ta bënim atë vullnetarisht, por hiri i Perëndisë është i mjaftueshëm për të na ndihmuar. Siç vërejti njëherë Plaku Dejvid A. Bednar: “Shumë prej nesh e kuptojnë qartësisht se Shlyerja është për mëkatarët. Megjithatë, nuk jam aq i sigurt se ne e dimë dhe kuptojmë se Shlyerja është edhe për shenjtorët – për burrat dhe gratë e mira që janë të bindur, të denjë e të ndërgjegjshëm dhe që po përpiqen për t’u bërë më të mirë.”8

Pamja
Grua duke u lutur

Do të doja të sugjeroja që secili prej nesh të marrë pjesë në një ushtrim shpirtëror së shpejti, ndoshta edhe sonte ndërsa thoni lutjet tuaja. Me përulësi i bëni Zotit pyetjen në vijim: “Çfarë po më pengon të përparoj?” Me fjalë të tjera: “Çfarë më mungon tjetër?” Më pas prisni në qetësi për një përgjigje. Nëse jeni të sinqertë, përgjigjja shpejt do të bëhet e qartë. Do të ketë zbulesë të synuar veç për ju.

Ndoshta Shpirti do t’ju tregojë se ju duhet ta falni dikë. Ose mund të merrni një mesazh që të jeni më përzgjedhës për filmat që shihni ose muzikën që dëgjoni. Mund të ndiheni i nxitur për të qenë më të ndershëm në marrëdhëniet tuaja të punës ose më bujar në ofertat tuaja të agjërimit. Mundësitë janë të pafundme.

Shpirti mund të na i tregojë dobësitë tona, por Ai është në gjendje që të na tregojë edhe pikat tona të forta. Ndonjëherë ne duhet të pyesim se çfarë po bëjmë mirë në mënyrë që Zoti të mund të na ngrejë dhe inkurajojë. Kur lexojmë bekimet tona patriarkale, neve na kujtohet se Ati ynë Qiellor e njeh potencialin tonë hyjnor. Ai gëzohet çdo herë që ne bëjmë një hap përpara. Për Të, drejtimi ynë është gjithmonë më i rëndësishëm sesa ritmi ynë.

Jini këmbëngulës, vëllezër dhe motra, por mos u shkurajoni asnjëherë. Neve do të na duhet të shkojmë përtej varrit përpara se të arrijmë mirëfilli përsosurinë, por këtu në vdekshmëri ne mund të hedhim themelin. “Është detyra jonë të jemi më të mirë sot sesa ishim dje dhe më të mirë nesër sesa jemi sot.”9

Nëse rritja shpirtërore nuk është përparësi në jetën tonë, nëse nuk jemi në kursin e përmirësimit të vazhdueshëm, neve do të na mungojnë përvojat e rëndësishme që Perëndia dëshiron të na japë.

Vite më parë lexova këto fjalë të Presidentit Spenser W. Kimball që patën një ndikim të gjatë tek unë. Ai tha: “Kam mësuar se atje ku ka një zemër plot lutje, uri për drejtësi, braktisje të mëkateve dhe bindje ndaj urdhërimeve të Perëndisë, Zoti derdh gjithnjë e më shumë dritë, derisa më në fund ka fuqi për ta përshkuar velin qiellor. … Një person me një drejtësi të tillë ka premtimin e paçmueshëm se një ditë ai do ta shohë fytyrën e Zotit dhe do ta dijë se është Ai.”10

Është lutja ime që kjo përvojë e fundit të mund të jetë e jona një ditë, ndërsa e lejojmë Frymën e Shenjtë të na drejtojë për në shtëpi. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Mateu 5:48.

  2. Neal A. Maxwell, “Testifying of the Great and Glorious Atonement”, Liahona, prill 2002, f. 9.

  3. Mateu 19:20.

  4. Mateu 19:21.

  5. Teachings of Presidents of the Church: Harold B. Lee (2000), f. 197.

  6. 2 Nefi 28:30.

  7. Shih 1 Korintasve 11:28.

  8. Dejvid A. Bednar, “Shlyerja dhe Udhëtimi i Vdekshmërisë”, Liahona, prill 2012, f. 14.

  9. Joseph Fielding Smith, Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. (1954–1956), 2:18.

  10. Spencer W. Kimball, “Give the Lord Your Loyalty”, Tambuli, shkurt 1981, f. 47.