2016
Ati Ynë, Këshilltari Ynë
qershor 2016


Mesazhi i Presidencës së Parë, Qershor 2016

Ati Ynë, Këshilltari Ynë

A keni hapur ndonjëherë një kuti pjesësh, keni nxjerrë udhëzimet e montimit dhe keni menduar: “Kjo nuk ka kuptim fare”?

Ndonjëherë, pavarësisht nga qëllimet tona më të mira dhe vetëbesimi i brendshëm, ne nxjerrim një pjesë dhe pyetim: “Për çfarë është kjo?” ose “Si përshtatet kjo [me pjesët e tjera]?”

Acarimi ynë rritet teksa e vështrojmë kutinë dhe vëmë re një pohim që na e hedh poshtë mendimin që thotë: “Duhet montim – moshat 8 vjeç e lart”. Ngaqë ne ende nuk ia kemi idenë, kjo nuk e ngre vetëbesimin tonë apo vetëvlerësimin tonë.

Ndonjëherë kemi një përvojë të ngjashme me ungjillin. Teksa i vështrojmë disa pjesë të tij, mund të kruajmë kokën dhe të vrasim mendjen se për çfarë janë ato pjesë. Ose teksa e këqyrim imtësisht një pjesë tjetër, mund ta kuptojmë se, edhe pasi jemi përpjekur fort për ta kuptuar plotësisht, ne thjesht nuk mund ta zbulojmë arsyen pse u përfshi ajo pjesë.

Ati Ynë Qiellor është Këshilltari Ynë

Fatmirësisht, Ati ynë Qiellor na ka dhënë udhëzime të mrekullueshme për të krijuar strukturën e jetës sonë dhe për t’i bashkuar të gjitha pjesët e më të mirës sonë. Ato udhëzime funksionojnë pavarësisht nga mosha apo rrethanat tona. Ai na ka dhënë ungjillin dhe Kishën e Jezu Krishtit. Ai na ka dhënë planin e shëlbimit, planin e shpëtimit, madje planin e lumturisë. Ai nuk na ka lënë vetëm me të gjitha pasiguritë apo sfidat e jetës, duke thënë: “Ja ku e ke. Paç fat! Gjeje vetë!”

Sikur vetëm të ishim të duruar dhe të vështronim me një zemër të përulur dhe një mendje të hapur, do të zbulonim se Perëndia na ka dhënë shumë mjete për t’i kuptuar më mirë udhëzimet e Tij gjithëpërfshirëse për lumturinë tonë në jetë:

  • Ai na ka dhënë dhuratën e paçmueshme të Frymës së Shenjtë, që ka potencialin për të qenë Mësuesi ynë vetjak e qiellor ndërsa i studiojmë fjalët e Perëndisë dhe orvatemi t’i vënë mendimet dhe veprimet tona në të njëjtën linjë me fjalët e Tij.

  • Ai na ka dhënë të drejtë komunikimi me Të 24 orë në 7 ditët e javës nëpërmjet lutjeve me besim dhe përgjërimeve me qëllim të vërtetë.

  • Na ka dhënë apostuj dhe profetë bashkëkohorë, të cilët e nxjerrin në pah fjalën e Perëndisë në kohën tonë dhe kanë autoritetin për të lidhur apo vulosur në tokë dhe në qiell.

  • Ai ka rivendosur Kishën e Tij – një organizim besimtarësh që punojnë së bashku për ta ndihmuar njëri-tjetrin teksa e zgjidhin shpëtimin e tyre me frikë, dridhje dhe gëzim të pashembullt.1

  • Ai na ka dhënë shkrimet e shenjta – fjalën e Tij të shkruar për ne.

  • Na ka dhënë një mori mjetesh nga teknologjia bashkëkohore që të na ndihmojnë në udhën tonë drejt dishepullimit. Shumë nga këto instrumente të mrekullueshme mund të gjenden te LDS.org.

Pse na ka dhënë Ati ynë Qiellor kaq shumë ndihmë? Ngaqë Ai na do. Dhe ngaqë, sikur Ai e tha Vetë: “Kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”2.

Me fjalë të tjera, Ati Qiellor është Perëndia ynë dhe Perëndia është një këshilltar për ne.

Ati ynë në Qiell i di nevojat e fëmijëve të Tij më mirë se çdokush tjetër. Është puna dhe lavdia e Tij të na ndihmojë në çdo hap, duke na dhënë burime të mrekullueshme materiale e shpirtërore që të na ndihmojnë në shtegun tonë për t’u kthyer tek Ai.

Çdo Atë Është një Këshilltar

Në disa pjesë të botës, etërit nderohen nga familjet dhe shoqëria në muajin qershor. Është përherë diçka e mirë t’i nderojmë e respektojmë prindërit tanë. Etërit bëjnë shumë gjëra të mira për familjet e tyre dhe kanë shumë tipare të admirueshme. Dy nga rolet më të rëndësishme që kanë etërit në jetën e fëmijëve të tyre, janë ato të të qenit një shembull i mirë dhe një këshilltar. Etërit bëjnë më tepër sesa t’u thonë fëmijëve të tyre se çfarë është e drejtë apo e gabuar; ata bëjnë shumë më tepër sesa t’iu japin një manual dhe të presin që ata ta zbulojnë jetën vetë.

Etërit i këshillojnë fëmijët e tyre të çmuar dhe ua tregojnë me anë të shembullit të tyre të mirë mënyrën se si jetohet një jetë me nder. Etërit nuk i lënë fëmijët vetëm, por nguten në ndihmë të tyre, duke i ndihmuar të ngrihen në këmbë sa herë që pengohen. Dhe nganjëherë, kur u duket e urtë, etërit i lejojnë fëmijët e tyre të mundohen, duke e kuptuar se kjo mund të jetë mënyra më e mirë që ata të mësojnë.

Ne Jemi të Gjithë Këshilltarë

Ndërkohë që etërit tokësorë e bëjnë këtë për vetë fëmijët e tyre, shpirti i këshillimit është diçka që ne duhet t’ua ofrojmë të gjithë fëmijëve të Perëndisë, pavarësisht nga mosha, vendndodhja apo rrethana. Mbajeni mend, fëmijët e Perëndisë janë vëllezërit e motrat tona; ne jemi të gjithë nga e njëjta familje e përjetshme.

Në këtë kuptim, le të jemi të gjithë këshilltarë – të etur për t’u afruar e për ta ndihmuar njëri-tjetrin që të bëhemi vetja jonë më e mirë. Për shkak se jemi fëmijët e Perëndisë, ne e kemi njëmend potencialin për t’u bërë si Ai. Dashuria për Perëndinë dhe bashkëqeniet tona, mbajtja e urdhërimeve të Perëndisë dhe ndjekja e shembullit të Krishtit janë shtegu i drejtë, i ngushtë dhe i hareshëm i kthimit në praninë e prindërve tanë qiellorë.

Nëse Perëndia i universit interesohet kaq shumë për ne sa është një këshilltar për ne, ndoshta edhe ne mund t’u afrohemi bashkëqenieve tona, pavarësisht nga ngjyra, raca, rrethanat shoqëroro-ekonomike, gjuha apo feja e tyre. Le të bëhemi këshilltarë të frymëzuar dhe t’ua bekojmë jetën të tjerëve – jo vetëm fëmijëve tanë, por edhe të gjithë fëmijëve të Perëndisë anembanë botës.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Mund të dëshironi të filloni duke u kërkuar atyre, të cilëve u jepni mësim, që të mendojnë rreth një çasti kur Ati Qiellor i këshilloi ata. Pastaj mund t’u kërkoni atyre të mendojnë rreth ngjashmërive midis atij çasti dhe një çasti kur u ndien të këshilluar nga ati i tyre tokësor. Ftojini ata t’i hedhin në letër ngjashmëritë te mënyra se si u këshilluan. Mund t’i sfidoni ata që të përpiqen ta imitojnë atë gjë që hodhën në letër, në një përpjekje për të qenë një shembull më i mirë për të tjerët.