2019
Dishepujt e Vërtetë të Shpëtimtarit
Nëntor 2019


Dishepujt e Vërtetë të Shpëtimtarit

Ne mund të ndiejmë gëzim afatgjatë kur Shpëtimtari ynë dhe ungjilli i Tij bëhen struktura brenda së cilës e ndërtojmë jetën tonë.

Disi i fshehur në librin e Hagait në Dhiatën e Vjetër është një përshkrim i një grupi njerëzish të cilët mund ta kishin përdorur këshillën e Plakut Holland. Ata kishin gabuar ngaqë nuk e kishin vendosur Krishtin në qendër të jetës së tyre dhe të shërbimit të tyre. Hagai vizaton disa shëmbëlltyra përshkruese që nxitin mendime, kur i qorton këta njerëz që po qëndronin në shtëpitë e tyre të rehatshme në vend që të ndërtonin tempullin e Zotit:

“‘A është vallë për ju koha për të banuar në shtëpitë tuaja të mbuluara mirë, ndërsa ky tempull është ende i rrënuar?’

Prandaj Zoti i ushtrive thotë tani: ‘Mendohuni mirë për sjelljen tuaj!

Ju keni mbjellë shumë, por keni korrur pak; ju hani por jo aq sa të ngopeni; ju pini, por jo aq sa të shuani etjen tuaj; ju visheni, por askush nuk rrin ngrohtë; ai që fiton një mëditje, e fiton për ta shtënë në një qese të shpuar.ʼ

Kështu thotë Zoti i ushtrive: ‘Mendohuni mirë për sjelljen tuaj!ʼ”1

A nuk ju pëlqejnë ato përshkrime mbi faktin se sa e kotë është t’u jepet përparësi gjërave që nuk kanë pasoja të përjetshme, më shumë sesa gjërave të Perëndisë?

Në një mbledhje sakramenti të kohëve të fundit ku isha i pranishëm, një misionar i kthyer nga misioni citoi një baba që e përmblodhi këtë ide në mënyrë të përsosur kur u tha fëmijëve të vet: “Ajo që na nevojitet këtu është më pak nga interneti dhe më shumë nga profeti!”

Kur jetova në Afrikën Perëndimore për pesë vjet, pashë shumë shembuj njerëzish që i dhanë përparësi ungjillit në mënyrë të natyrshme dhe pa u turpëruar. Një shembull i tillë është emri i një biznesi që rregullon rrota dhe timonë makinash në Ganë. Pronari e ka quajtur “Përputhja me Vullnetin Tënd”.

Ne mund të ndiejmë gëzim jetëgjatë2 kur Shpëtimtari ynë dhe ungjilli i Tij bëhen struktura brenda së cilës e ndërtojmë jetën tonë. Gjithsesi, është kaq e lehtë që ajo strukturë të përbëhet, përkundrazi, nga gjërat e botës, ku ungjilli qëndron si një diçka shtesë kur kemi dëshirë, ose si një frekuentim i thjeshtë i kishës për dy orë të dielave. Kur ky është rasti, ai është i barasvlershëm me vendosjen e të ardhurave tona në “një qese të shpuar”.

Hagai po na thotë të jemi të zotuar, të jemi, sikurse themi në Australi, “fair dinkum” [lexohet “fer dinkëm” dhe do të thotë ‘të vërtetë’] rreth të jetuarit të ungjillit. Njerëzit janë fair dinkum kur ata janë ajo që thonë se janë.

Mësova pak rreth të qenit fair dinkum dhe të qenit i zotuar duke luajtur regbi. Mësova se kur luaja sa më mirë që mundesha, kur jepja gjithçka, gëzimi im për lojën ishte më i madhi.

Pamja
Plaku Vinson me ekipin e tij të regbit

Viti im i parapëlqyer i regbisë ishte viti pas shkollës së mesme. Skuadra ku bëja pjesë, ishte si e talentuar ashtu edhe e zotuar. Ishim skuadra kampione atë vit. Sidoqoftë, një ditë ne duhej të luanim ndaj një skuadre të renditur nga fundi dhe pas lojës të gjithë kishim takime me vajza që do t’i çonim te mbrëmja e vallëzimit e madhe dhe vjetore e kolegjit. Mendova se ngaqë kjo do të ishte një lojë e lehtë, duhej të përpiqesha ta ruaja veten nga ndonjë dëmtim që të isha në gjendje të kënaqesha plotësisht në mbrëmjen e vallëzimit. Në atë lojë, nuk ishim aq të zotuar në përplasjet me skuadrën tjetër sa mund të kishim qenë, dhe humbëm. Për t’i bërë gjërat më keq, e mbarova ndeshjen me një buzë të ënjtur e të fryrë që nuk e përmirësoi pamjen time për takimin që mezi e prisja. Ndoshta më nevojitej të mësoja diçka.

Një përvojë shumë e ndryshme ndodhi në një lojë të mëvonshme në të cilën isha tërësisht i zotuar. Në një rast unë vrapova me qëllim të vërtetë ndaj një lojtari kundërshtar; menjëherë ndjeva ca dhembje në fytyrë. Ngaqë më kishte mësuar babai im që nuk duhej kurrë ta lejoja kundërshtarin që të dinte se isha dëmtuar, vazhdova të luaja deri në fund të ndeshjes. Atë natë, teksa përpiqesha të haja, zbulova se nuk mund të kafshoja. Të nesërmen, shkova në spital ku një radiografi vërtetoi se kisha thyer nofullën. Ma mbyllën gojën me tela për gjashtë javët e ardhshme.

U nxorën mësime nga kjo shëmbëlltyrë e buzës së ënjtur dhe e nofullës së thyer. Pavarësisht nga kujtimet e mia për dëshirat e paplotësuara për ushqime të forta gjatë gjashtë javëve kur mund të gëlltitja vetëm lëngje, nuk ndiej asnjë keqardhje për nofullën e thyer, sepse ajo erdhi si rezultat i dhënies së gjithçkaje timen. Por ndiej keqardhje për buzën e ënjtur, sepse ajo ishte simboli që nuk bëra sa duhej.

Dhënia e gjithçkaje nuk do të thotë që vazhdimisht do të përjetojmë bekime ose që gjithmonë do të kemi sukses. Por ama do të thotë që do të kemi gëzim. Gëzimi nuk është kënaqësi kalimtare apo madje lumturi e përkohshme. Gëzimi është afatgjatë dhe bazohet mbi përpjekjet tona që të pranohemi nga Zoti.3

Shembull i një pranimi të tillë është historia e Oliver Granxherit. Sikurse tha Presidenti Bojd K. Paker: “Kur shenjtorët i përzunë nga Kirtlandi, … Oliverin e lanë prapa për të shitur pronat e tyre me çfarëdo çmimi që të mundte. Nuk kishte shumë shanse se ai do t’ia dilte mbanë. Dhe, vërtet, ai nuk ia doli mbanë!”4 Ai ishte autorizuar nga Presidenca e Parë që të kryente një detyrë që ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Por Zoti e përgëzoi për përpjekjet e tij në dukje të pasuksesshme me këto fjalë:

“Unë e kujtoj shërbëtorin tim Oliver Granger; vini re, në të vërtetë unë i them atij se emri i tij do të mbahet në kujtesë të shenjtë nga brezi në brez, përherë e përgjithmonë, thotë Zoti.

Si rrjedhim, ai duhet të përpiqet me dëshirë për shëlbimin e Presidencisë së Parë të Kishës sime, … dhe kur të bjerë, ai do të ngrihet përsëri, sepse sakrifica e tij do të jetë më e shenjtë sesa suksesi i tij, thotë Zoti.”5

Kjo mund të jetë e vërtetë për të gjithë ne – nuk janë sukseset tona, por përkundrazi sakrifica jonë dhe përpjekjet tona që kanë rëndësi për Zotin.

Një tjetër shembull i dishepulles së vërtetë të Jezu Krishtit është një mike e shtrenjtë e jona në Bregun e Fildishtë në Afrikën Perëndimore. Kjo motër e mrekullueshme dhe besnike vuajti keqtrajtim të tmerrshëm emocional si edhe ca fizik nga bashkëshorti i saj për një periudhë të gjatë kohe dhe përfundimisht ata u shkurorëzuan. Ajo nuk u lëkund kurrë në besimin dhe mirësinë e saj por, për shkak të mizorisë së tij ndaj saj, ajo ishte e lënduar thellë për një kohë të gjatë. Me fjalët e veta ajo përshkruan se çfarë ndodhi:

“Edhe pse thashë që e fala, unë gjithmonë flija me një plagë; i kaloja ditët e mia me atë plagë. Ishte si një djegie në zemrën time. Shumë herë iu luta Zotit të ma largonte, por më dhembte aq shumë sa besoja fuqishëm se do ta kaloja tërë pjesën e mbetur të jetës sime me atë dhembje. Pata më shumë dhembje kur e humba nënën time në moshë të re; pata më shumë dhembje kur e humba babanë tim dhe madje birin tim. Dukej se ajo po zgjerohej dhe po e mbulonte zemrën time, duke më dhënë përshtypjen se madje do të vdisja nga çasti në çast.

Disa herë të tjera e pyetja veten se çfarë do të kishte bërë Shpëtimtari në situatën time dhe në njëfarë mënyre thoshja: ‘Kjo është vërtet e tepërt, Zot’.

Më pas, një mëngjes e kërkova në zemrën time dhembjen që vinte nga e gjithë kjo gjë dhe shkova më thellë, duke e kërkuar atë brenda shpirtit tim. Nuk gjendej askund. Me të shpejtë mendja ime i shqyrtoi të gjitha arsyet që [kisha] për t’u ndier e lënduar, por nuk e ndjeva dhembjen. Prita gjithë ditën që të shihja a do ta ndieja dhembjen në zemër; por nuk e ndjeva. Atëherë rashë në gjunjë dhe e falënderova Perëndinë që e bëri flijimin shlyes të Zotit të funksiononte për mua.”6

Kjo motër është tani e vulosur lumturisht me një burrë të mrekullueshëm e besnik, i cili e do shumë.

Pra, cila duhet të jetë sjellja jonë nëse jemi dishepuj të vërtetë të Krishtit? Dhe cila është vlera e ungjillit për ne kur “mendoh[emi] mirë për sjelljen t[onë]”, siç sugjeroi Hagai?

Më pëlqen shumë shembulli i sjelljes së duhur që tregoi babai i mbretit Lamoni. Ju kujtohet zemërimi i tij fillestar kur e gjeti birin e tij që shoqërohej nga Amoni, një nefit – një popull të cilin lamanitët e urrenin. Ai e nxori shpatën që të ndeshej me Amonin dhe shpejt e gjeti shpatën e Amonit te fyti i vet. “Tani mbreti, duke pasur frikë se mund të humbte jetën e tij, tha: Në qoftë se do të më falësh mua, unë do të të jap ty çdo gjë që do të kërkosh, madje gjysmën e mbretërisë.”7

Vini re ofertën e tij – gjysmën e mbretërisë së tij për jetën e vet.

Më vonë, pasi e kuptoi ungjillin, ai bëri një ofertë tjetër. “Çfarë duhet të bëj që të mund të kem këtë jetë të përjetshme, për të cilën fole? Po, çfarë duhet të bëj që të mund të lind nga Perëndia, duke shkulur këtë shpirt të keq nga gjoksi im dhe të marr Shpirtin e tij, që të jem plot gëzim, që të mos përjashtohem në ditën e fundit? Vër re, tha ai, unë do të heq dorë nga çdo gjë që kam, po, unë do ta braktis mbretërinë time, që të mund të marr këtë gëzim të madh.”8

Këtë herë, ai ishte i përgatitur për të hequr dorë nga e gjithë mbretëria e tij, sepse ungjilli kishte më shumë vlerë se gjithçka që ai kishte! Ai ishte fair dinkum rreth ungjillit.

Pra, pyetja për secilin prej nesh është a jemi edhe ne fair dinkum rreth ungjillit? Pasi të jesh me gjysmë zemre nuk është të jesh fair dinkum! Dhe Perëndia nuk njihet për lavdërime të shumta ndaj njerëzve të vaktë.9

Nuk ka asnjë thesar, as ndonjë veprimtari të kohës së lirë, as ndonjë status, as ndonjë media shoqërore, as ndonjë lojë kompjuterike, as ndonjë sport, as ndonjë shoqërim me një njeri të famshëm, as ndonjë gjë në tokë që është më e çmuar sesa jeta e përjetshme. Prandaj këshilla e Zotit ndaj çdo njeriu është: “Mendohuni mirë për sjelljen tuaj”.

Ndjenjat e mia shprehen më mirë me fjalët e Nefit: “Unë ngazëllehem në qartësi, unë ngazëllehem në të vërtetën, unë ngazëllehem në Jezusin tim, pasi ai e ka shëlbuar shpirtin tim nga ferri”10.

A jemi ndjekës të vërtetë të Atij që dha gjithçka të Tijën për ne? Atij që është Shëlbuesi ynë dhe Avokati ynë me Atin? Atij që ishte, Vetë, tërësisht i zotuar në flijimin e Tij shlyes dhe është kështu edhe tani në dashurinë e Tij, në mëshirën e Tij dhe në dëshirën e Tij që ne të kemi gëzim të përjetshëm? Iu lutem të gjithë atyre që i dëgjojnë dhe i lexojnë këto fjalë: “Ju lutem, ju lutem, mos e lini pas dore zotimin tuaj të plotë duke menduar se do të ktheheni tek ai zotim në njëfarë kohe të ardhshme që nuk ekziston. Bëhuni fair dinkum tani dhe ndiejeni gëzimin!” Në emrin e Jezu Krishtit, amen.