2021
Plaku S. Mark Palmer
maj 2021


Plaku S. Mark Palmer

Presidenca e Të Shtatëdhjetëve

Plaku S. Mark Palmer do të jetë përgjithmonë mirënjohës për gëzimin dhe shpresën që gjenden në shërbimin në tempull dhe ordinancat e tempullit. Një thirrje për të shërbyer çdo javë me bashkëshorten e tij, Zhaklinën, në Tempullin e Dallasit në Teksas, gjatë njërës nga kohët më të ngarkuara të jetës së tyre, e ndihmoi Plakun Palmer që të ricaktonte përparësitë e tij. Shërbimi në tempull i mësoi atij sakrificën, planifikimin dhe baraspeshimin, si dhe e ndihmoi të mbante mend besëlidhjet e tij dhe të bëhej një bashkëshort dhe baba më i mirë. Shërbimi në tempull e kujtonte për natyrën e përjetshme të familjes dhe për një bashkim të gëzueshëm në të ardhmen me njerëzit e dashur që kishin vdekur, përfshirë një motër e cila ndërroi jetë në moshën njëvjeçare.

Shërbimi në tempull gjithashtu e ndihmoi Plakun Palmer të përgatitej shpirtërisht për thirrjet e ardhshme të priftërisë, përfshirë atë si anëtar i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve. Plaku Palmer, i mbështetur më 3 prill 2021, do ta fillojë përgjegjësinë e tij të re më 1 gusht 2021.

Stenli Mark Palmeri iu lindi Keneth dhe Xhill Palmerit më 11 shkurt 1956, në Te‑Puk, Bej‑of‑Plenti, Zelanda e Re. Familja e tij u bashkua me Kishën kur ai ishte fëmijë.

Pasi shërbeu në një mision kohëplotë në Misionin e Uellingtonit në Zelandën e Re, ai mori një diplomë universitare për tregti në Universitetin e Oklandit në vitin 1979 dhe një diplomë pasuniversitare për administrim biznesi në Universitetin “Brigam Jang” në vitin 1982. Ndërkohë që jetonte në Provo të Jutës në SHBA, ai u takua me një misionare të kthyer, të quajtur Zhaklin Ud. Ata u martuan në vitin 1981 në Tempullin e Solt‑Lejkut. Çifti Palmer ka 6 fëmijë dhe 16 nipër e mbesa.

Plaku Palmer është president i SMP Ventures, një kompani për zhvillimin e pasurive të patundshme që ai e themeloi në Ostin, Teksas, SHBA. Ai ka shërbyer si peshkop, president kunji, president i Misionit të Spokejnit në Uashington (2009–2012), president i përkohshëm i Misionit të Sidnit Jugor në Australi (2014) dhe si I Shtatëdhjetë Zonal.

Ai u mbështet si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë më 3 prill 2016 dhe kohët e fundit shërbeu si president i Zonës së Afrikës Jugore.