2021
Gjetja e Forcës për të Falur
Qershor 2021


“Gjetja e Forcës për të Falur”, Për Forcën e Rinisë, qershor 2021, f. 10–11.

Eja, Më Ndiq

Gjetja e Forcës për të Falur

Zoti na ka urdhëruar që t’i falim të tjerët. Ai do të na ndihmojë që t’i zbatojmë urdhërimet e Tij, përfshirë këtë urdhërim.

Doktrina e Besëlidhje 64:10

Pamja
grua duke parë dikë që i zgjat dorën asaj

Ilustrimi nga James Madsen

A duken disa urdhërime më të vështira për t’u zbatuar se disa të tjera?

Ja një urdhërim që i tremb shumë njerëz: “Unë, Zoti, do të fal kë do të fal, por nga ju kërkohet t’i falni të gjithë njerëzit” (Doktrina e Besëlidhje 64:10).

Pa prit. Ne duhet t’i falim të gjithë ata që na kanë bërë padrejtësi? A është kjo e mundur vallë?!

Është një gjë të falni dikë që ju tha diçka të pasjellshme ose që mori simiten e fundit në tryezën e darkës. Por si i bëhet për plagët e thella? Ato fyerje të rënda që mund të prishin ose madje ta ndryshojnë rrjedhën e jetës sonë?

Ndonjëherë aftësia për të falur dikë që na ka lënduar tmerrësisht, mund të na duket përtej mundësive tona.

Ja një lajm i mirë: Me ndihmën e Jezu Krishtit, ne kurrë nuk mbetemi të kufizuar vetëm tek ajo që mund të bëjmë vetë.

Ndihma për të Cilën Ajo Kishte Nevojë

Një e krishtere e devotshme nga Holanda me emrin Kori ten Bum, e zbuloi drejtpërdrejt fuqinë që erdhi kur i kërkoi Perëndisë ta ndihmonte që të falte dikë.

Atë dhe motrën e saj, Betsin, i kishin burgosur në kampe përqendrimi gjatë Luftës II Botërore. Kori dhe të tjerë duruan keqtrajtime të tmerrshme nga rojat nazistë të burgut. Motra e saj Betsi madje vdiq si pasojë e atij keqtrajtimi. Kori mbijetoi.

Pas luftës, Kori zbuloi fuqinë shëruese për të falur të tjerët. Ajo shpesh e jepte mesazhin e saj në mjedise publike. Prapëseprapë, një ditë fjalët e saj u vunë në provën përfundimtare.

Pas një fjalimi publik, Korit iu afrua njëri nga rojat më mizorë të burgut nga kampet.

Ai i tha Korit se ishte bërë i krishterë që pas luftës dhe ishte penduar për gjërat e tmerrshme që kishte bërë kur kishte qenë rojë burgu.

Ai zgjati dorën dhe tha: “A do të më falësh?”

Pavarësisht gjithçkaje që ajo kishte mësuar dhe kishte treguar rreth faljes së të tjerëve, Kori nuk mund ta pranonte dorën e këtij njeriu në veçanti dhe ta falte atë – jo vetë, gjithsesi.

Ajo më vonë shkroi: “Madje ndërsa mendimet zemërake, hakmarrëse zienin përbrenda meje, e shihja mëkatin në to. … Zot Jezus, u luta, më fal dhe më ndihmo ta fal atë.

U orvata të qesh [dhe] u përpoqa shumë ta ngrija dorën. Nuk mundesha. Nuk ndjeva asgjë, as shkëndijën më të zbehtë të ngrohtësisë apo dashurisë. Dhe kështu përsëri pëshpërita një lutje të heshtur. Jezus, nuk mund ta fal atë. Më jep faljen Tënde.

Ndërsa shtrëngova dorën e tij, ndodhi gjëja më e pabesueshme. Një rrymë nga shpatulla ime, përgjatë krahut dhe përmes dorës sime, u duk të kalonte nga unë tek ai, ndërsa në zemrën time gufoi një dashuri për këtë të huaj e cila pothuaj më pushtoi.

Dhe kështu zbulova që nuk varet nga falja jonë, aq më pak nga mirësia jonë, shërimi i botës, por nga e Tija. Kur na thotë që t’i duam armiqtë tanë, Ai, bashkë me urdhrin, jep vetë dashurinë.”1

Perëndia është atje për t’ju ndihmuar që t’i zbatoni urdhërimet e Tij, përfshirë urdhërimin për të falur – madje edhe kur është e vështirë. Ai mund t’ju ndihmojë ju ashtu siç ndihmoi Kori ten Bumin.

Shërimi që Meritoni

Jeta është e ndërlikuar. Është një lëmsh i vërtetë dhe është absolutisht plot me njerëz të cilëve u është dhënë liria e zgjedhjes nga Perëndia.

Gjatë atyre rasteve kur dikush bën një zgjedhje që ju shkakton dhembje të madhe – ose edhe kur e bën atë aksidentalisht – ju mund të merrni fuqi shëruese ndërsa luteni për ndihmë dhe mundoheni fort ta falni.

Falja e të tjerëve i sjell shërim shpirtit tuaj. Me ndihmën e Perëndisë, ndërsa e falni dikë që ka bërë padrejtësi ndaj jush, ju hiqni një barrë të tmerrshme nga shpatullat tuaja që mund t’ju pengojë të bëni diçka. Madje edhe kur shtegu drejt shërimit të vërtetë duket i vështirë, me Perëndinë, ju nuk do të ecni kurrë të vetëm në të.