Eja, Më Ndiq 2024
Përdorimi i Materialit Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën


“Përdorimi i Materialit Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)

“Përdorimi i Materialit Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024

Pamja
familje duke studiuar shkrimet e shenjta

Përdorimi i Materialit Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën

Për Kë Është Ky Burim?

Ky burim është për këdo që dëshiron të mësojë nga Libri i Mormonit, individualisht, si familje dhe në orët mësimore të Kishës. Nëse nuk i keni studiuar rregullisht shkrimet e shenjta në të shkuarën, ky burim mund t’ju ndihmojë të filloni. Nëse e keni tashmë një zakon të mirë të studimit të shkrimeve të shenjta, ky burim mund t’ju ndihmojë të keni përvoja më kuptimplota.

Individët dhe Familjet në Shtëpi

Vendi ideal për ta mësuar ungjillin është shtëpia. Mësuesit tuaj në kishë mund t’ju përkrahin dhe ju mund të merrni nxitje nga anëtarë të tjerë të lagjes. Por që të mbijetoni shpirtërisht, ju dhe familja juaj keni nevojë për ushqim të përditshëm nga “fjala e mirë e Perëndisë” (Moroni 6:4; shihni edhe Rasëll M. Nelson, “Fjalët e Hapjes”, Liahona, nëntor 2018, f. 6–8).

Përdoreni këtë burim në çfarëdo mënyre që është e dobishme për ju. Përvijimet nxjerrin në pah disa të vërteta të përjetshme që gjenden në Librin e Mormonit dhe sugjerojnë ide dhe veprimtari për t’ju ndihmuar t’i studioni shkrimet e shenjta individualisht, me familjen tuaj ose me miqtë. Teksa studioni, ndiqeni udhërrëfimin e Shpirtit për të gjetur të vërteta të përjetshme që janë kuptimplota për ju. Kërkoni mesazhe nga Perëndia për ju dhe ndiqini nxitjet që merrni.

Mësuesit dhe Nxënësit në Kishë

Nëse jepni një orë mësimore në Fillore, një orë mësimore në Shkollën e së Dielës për rininë ose të rriturit ose jepni mësim te një kuorum i Priftërisë Aarone apo klasë e Të Rejave, ju nxitim t’i përdorni përvijimet në këtë burim ndërsa përgatiteni të jepni mësim. Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën është programi mësimor për orën tuaj mësimore të së dielës. Idetë për të mësuarit në këtë burim janë hartuar për të mësuarit në shtëpi dhe në kishë. Ndërsa përgatiteni të jepni mësim, fillojeni duke pasur vetë përvojat tuaja me shkrimet e shenjta. Përgatitja juaj më e rëndësishme do të ndodhë ndërkohë që i shqyrtoni shkrimet e shenjta dhe kërkoni frymëzimin nga Fryma e Shenjtë. Kërkoni të vërteta të përjetshme që ju ndihmojnë të bëheni më shumë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Manuali “Eja, Më Ndiq” mund t’ju ndihmojë t’i përcaktoni disa prej këtyre të vërtetave dhe të kuptoni kontekstin e shkrimeve të shenjta.

Mbajeni në mendje që të mësuarit e ungjillit, në mënyrë ideale, është i përqendruar te shtëpia dhe i përkrahur nga Kisha. Me fjalë të tjera, përgjegjësia juaj kryesore është t’i përkrahni njerëzit të cilëve u jepni mësim, në përpjekjet e tyre për ta mësuar dhe jetuar ungjillin në shtëpi. Jepuni atyre mundësi t’i tregojnë përvojat, mendimet dhe pyetjet e tyre rreth fragmenteve të shkrimeve të shenjta. Ftojini ata t’i tregojnë të vërtetat e përjetshme që kanë gjetur. Kjo është më e rëndësishme sesa trajtimi i një sasie të caktuar të materialit.

Fillorja

Përgatitja juaj për të dhënë mësim në Fillore fillon ndërsa e studioni Librin e Mormonit vetë dhe me familjen tuaj. Ndërsa e bëni këtë, jini i/e hapur ndaj mbresave shpirtërore dhe pikëpamjeve nga Fryma e Shenjtë rreth fëmijëve në klasën tuaj të Fillores. Jini plot lutje dhe Shpirti mund t’ju frymëzojë me ide për t’i ndihmuar ata të mësojnë ungjillin e Jezu Krishtit.

Ndërkohë që përgatiteni për të dhënë mësim, ju mund të merrni frymëzim shtesë duke i hulumtuar idetë për mësimdhënie në këtë burim. Secili përvijim tek Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën ka një pjesë të titulluar “Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve”. Mendoni për këto ide si sugjerime për të ndezur frymëzimin tuaj. Ju i njihni fëmijët në klasën tuaj të Fillores dhe ju do të arrini t’i njihni edhe më mirë teksa ndërveproni me ta në klasë. Perëndia i njeh ata gjithashtu dhe Ai do t’ju frymëzojë me mënyrat më të mira për t’u dhënë mësim dhe për t’i bekuar ata.

Është e mundur që fëmijët në klasën tuaj t’i kenë bërë tashmë disa prej veprimtarive në Eja, Më Ndiq me familjet e tyre. S’ka problem. Përsëritja është gjë e mirë. Merreni parasysh t’i ftoni fëmijët t’i tregojnë njëri-tjetrit atë që mësuan në shtëpi, ndonëse duhet të planifikoni edhe mënyra që fëmijët të marrin pjesë edhe nëse nuk janë duke mësuar në shtëpi. Fëmijët i mësojnë të vërtetat e ungjillit në mënyrë më të efektshme kur këto të vërteta jepen mësim në mënyrë të përsëritur nëpërmjet një larmie veprimtarish. Nëse gjeni që një veprimtari e të mësuarit është e efektshme për fëmijët, merreni parasysh ta përsëritni atë, veçanërisht nëse po u jepni mësim fëmijëve më të vegjël. Ju gjithashtu mund të përsëritni një veprimtari nga një mësim i mëparshëm.

Në muajt që kanë pesë të diela, mësuesit/et e Fillores nxiten ta zëvendësojnë përvijimin e planifikuar tek Eja, Më Ndiq të dielën e pestë me njërën ose më shumë prej veprimtarive të të mësuarit te “Shtojca B: Për Filloren – Përgatitja e Fëmijëve për të Ecur Gjatë Gjithë Jetës në Shtegun e Besëlidhjeve të Perëndisë”.

Orët Mësimore në Shkollën e së Dielës për Rininë dhe të Rriturit

Një arsye kryesore pse mblidhemi në orët mësimore të Shkollës të së Dielës është që ta përkrahim dhe nxitim njëri-tjetrin ndërsa përpiqemi fort ta ndjekim Jezu Krishtin. Një mënyrë e thjeshtë për ta bërë këtë është të bëni një pyetje si: “Çfarë ju ka mësuar Fryma e Shenjtë këtë javë ndërsa e studiuat Librin e Mormonit me manualin Eja, Më Ndiq?” Përgjigjet për këtë pyetje mund të çojnë në diskutime kuptimplota që ndërtojnë besim te Jezu Krishti dhe tek ungjilli i Tij.

Më pas mund të ftoni diskutimin në bazë të sugjerimeve për studim te materiali Eja, Më Ndiq. Për shembull, një ide për studim mund të sugjerojë kërkimin tek Alma 36 dhe bërjen e një liste fjalësh që na mësojnë rreth rolit të Shpëtimtarit në pendim. Mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës t’i tregojnë dhe të bisedojnë rreth fjalëve që gjetën. Ose mund të kaloni ca kohë duke e bërë listën së bashku si klasë.

Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave

Kur kuorumet e Priftërisë Aarone dhe klasat e Të Rejave mblidhen të dielave, qëllimi i tyre është disi i ndryshëm nga një orë mësimore e Shkollës të së Dielës. Krahas ndihmës ndaj njëri-tjetrit për të mësuar ungjillin e Jezu Krishtit, këto grupe mblidhen gjithashtu për t’u këshilluar së bashku rreth përmbushjes së veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit (shihni te Manual i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 1.2). Ata e bëjnë këtë nën drejtimin e presidencave të klasave dhe kuorumeve.

Për këtë arsye, çdo mbledhje kuorumi ose klase duhet të fillojë me një anëtar/e të presidencës së kuorumit ose klasës që udhëheq një diskutim, për shembull, rreth përpjekjeve për ta jetuar ungjillin, për t’u dhënë shërbesë njerëzve nevojtarë, për ta përhapur ungjillin ose për të marrë pjesë në punën në tempull dhe për historinë familjare.

Pas kësaj kohe për këshillim së bashku, një mësues/e e udhëheq klasën ose kuorumin për ta mësuar ungjillin së bashku. Mund të caktohen për të dhënë mësim udhëheqës ose anëtarë në moshë madhore të klasës ose kuorumit. Presidenca e klasës ose e kuorumit, duke u këshilluar me udhëheqës në moshë madhore, i bën këto caktime.

Njerëzit e caktuar për të dhënë mësim, duhet të përgatiten duke përdorur sugjerimet për të mësuarit në përvijimin javor të materialit Eja, Më Ndiq. Në çdo përvijim, kjo ikonë vë në dukje një veprimtari që ka veçanërisht lidhje me rininë. Sidoqoftë, çdonjëra nga sugjerimet në përvijim mund të përdoret si një veprimtari e të mësuarit për rininë.

Për një rend dite të thjeshtë për mbledhjet e kuorumit dhe të klasës, shihni te shtojca D.