Eja, Më Ndiq 2024
22–28 Korrik: “Mbillni Këtë Fjalë në Zemrat Tuaja”. Alma 32–35


“22–28 Korrik: ‘Mbillni Këtë Fjalë në Zemrat Tuaja’. Alma 32–35”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)

“22–28 Korrik. Alma 32–35”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2023)

Pamja
farë në dorën e një fëmije

22–28 Korrik: “Mbillni Këtë Fjalë në Zemrat Tuaja”

Alma 32–35

Për zoramitët, lutja përbëhej nga qëndrimi në këmbë atje ku dikush mund të shihej nga të gjithë njerëzit dhe përsëritja e fjalëve boshe, të vetëkënaqësisë. Zoramitëve u mungonte besimi te Jezu Krishti, madje e mohonin ekzistencën e Tij dhe i përndiqnin të varfrit (shihni tek Alma 31:9–25). Në dallim, Alma dhe Amuleku dhanë mësim se lutja ka të bëjë më shumë me atë që ndodh brenda zemrave tona sesa në një platformë publike. Dhe nëse nuk tregon dhembshuri ndaj njerëzve nevojtarë, lutja jonë është “e kotë dhe nuk … vlen për asgjë” (Alma 34:28). Më e rëndësishmja, ne lutemi sepse kemi besim te Jezu Krishti, i cili ofron shëlbim nëpërmjet “flijim[it të Tij të] pafundëm dhe [të] përjetshëm” (Alma 34:10). Një besim i tillë, shpjegoi Alma, fillon me përulësi dhe një “dëshir[ë që] të besoni” (Alma 32:27). Me kalimin e kohës, me ushqim të vazhdueshëm, fjala e Perëndisë zë rrënjë në zemrën tonë derisa bëhet “një pemë që do të rritet, deri në jetën e përjetshme” (Alma 32:41).

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

Alma 32:17–43

Unë ushtroj besim te Jezu Krishti duke e mbjellë dhe duke e ushqyer fjalën e Tij në zemrën time.

Ndërsa i lexoni vargjet tek Alma 32:17–43, vini re fjalët dhe frazat që ju ndihmojnë të kuptoni se si të ushtroni besim te Jezu Krishti. Çfarë mësoni rreth asaj që është besimi dhe asaj që nuk është ai?

Një mënyrë tjetër për ta studiuar kapitullin tek Alma 32 është të vizatoni figura që përfaqësojnë faza të ndryshme të rritjes së një fare. Më pas emërtojeni secilën figurë me fjalë nga Alma 32:28–43, të cilat ju ndihmojnë të kuptoni se si ta mbillni dhe ushqeni fjalën e Perëndisë në zemrën tuaj.

Shihni edhe Rasëll M. Nelson, “Krishti u Ringjall; Besimi tek Ai do të Zhvendosë Malet”, Liahona, maj 2021, f. 101–104.

Alma 32:26–43

Unë mund ta di vetë.

Zoramitëve që nuk ishin ende të sigurt për dëshminë e Almës për Krishtin, Alma u sugjeroi “një provë” (shihni tek Alma 32:27). Për provat ose eksperimentet duhet dëshirë, kureshtje, veprim dhe të paktën pakëz besim dhe ato mund të çojnë në zbulime të mrekullueshme! Mendoni për provat ose eksperimentet që keni parë ose ku keni marrë pjesë. Sipas vargjeve tek Alma 32:26–36, çfarë lloj prove ose eksperimenti mund të çojë në besim te Jezu Krishti?

Si e keni bërë “provën” me fjalën e Perëndisë dhe si keni arritur ta dini se “fjala është e mirë”? (Alma 32:28.)

Alma 33:2–11; 34:17–29

Unë mund ta adhuroj Perëndinë në lutje, në çdo kohë dhe në çdo vend.

Këshilla e Almës dhe e Amulekut rreth adhurimit dhe lutjes kishte si qëllim që të korrigjonte keqkuptime të veçanta që i patën zoramitët. Merreni parasysh t’i renditni ato (shihni tek Alma 31:13–23). Në krah të asaj liste, mund të bëni një listë të të vërtetave për lutjen tek Alma 33:2–11 dhe 34:17–29. Si do të ndikojnë gjërat që mësoni nga këto vargje, te mënyra se si luteni dhe adhuroni?

Mund të gjeni edhe pikëpamje nga një himn rreth lutjes, të tillë si “Or’ e Lutjes” (Himne, nr. 80).

Alma 34:9–16

Pamja
seminary icon
Unë kam nevojë për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij.

Vini re se sa herë i përdori Amuleku fjalët i/e/të pafund/pafundëm/me dhe i përjetshëm për të përshkruar flijimin shlyes të Shpëtimtarit tek Alma 34:9–14. Përse është e rëndësishme ta dimë se Shlyerja e Shpëtimtarit është e pafundme dhe e përjetshme? Kërkoni fjalë dhe fraza në këto vargje që e përshkruajnë gjithashtu Shlyerjen e Shpëtimtarit: Hebrenjve 10:10; 2 Nefi 9:21; Mosia 3:13.

Edhe kur e dimë se fuqia e Jezusit për të shpëtuar është e pafundme dhe e përjetshme, ne mund të dyshojmë ndonjëherë për faktin a gjen ajo zbatim për ne ose për dikë që ka mëkatuar kundër nesh. Plaku Dejvid A. Bednar foli dikur për disa njerëz që “duket sikur kanë besim te Shpëtimtari, por nuk e besojnë se bekimet e premtuara prej Tij janë në dispozicion për ta” (“Po Të Më Kishit Njohur”, Liahona, nëntor 2016, f. 105). Çfarë mund të na pengojë që ta marrim plotësisht fuqinë e Shpëtimtarit? Përsiatni se si mund ta dimë se Shlyerja e Jezu Krishtit është e pafundme dhe e përjetshme.

Për të përsiatur sa nevojë keni për Shlyerjen e Shpëtimtarit, mund t’ju ndihmojë të mendoni për diçka që ju nevojitet çdo ditë. Pyeteni veten: “Si do të ishte jeta ime pa këtë?” Më pas, ndërsa studioni vargjet tek Alma 34:9–16, përsiatni se si do të ishte jeta juaj pa Jezu Krishtin. Mund të gjeni pikëpamje të tjera te 2 Nefi 9:7–9. Si do t’i përmblidhnit vargjet tek Alma 34:9–10 me një fjali?

Shihni edhe Majkëll Xhon U. Teh, “Shpëtimtari Ynë Vetjak”, Liahona, maj 2021, f. 99–101; “Reclaimed” [“Rifitimi”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Alma 34:30–41

“Tani është koha dhe dita e shpëtimit tuaj.”

Imagjinoni sikur dëshironi të merrni pjesë në një maratonë ose një interpretim muzikor. Çfarë do të ndodhte po të prisnin deri në ditën e ngjarjes për t’u përgatitur? Si lidhet ky shembull me paralajmërimet e Amulekut tek Alma 34:32–35? Cili është rreziku i vonesës së përpjekjeve tona për t’u penduar dhe ndryshuar?

Vargu 31 ka gjithashtu një mesazh për njerëzit që mund të shqetësohen se tashmë janë vonuar së tepërmi dhe është tepër vonë për t’u penduar. Çfarë do të thoni se është ai mesazh?

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Alma 32:1–16

Zoti mund të më mësojë teksa zgjedh të jem i/e përulur.

  • Alma dhe Amuleku patën sukses në mësimdhënien ndaj zoramitëve që ishin të përulur. Çfarë do të thotë të jesh i/e përulur? Ndihmojini fëmijët tuaj të gjejnë një përkufizim të fjalës përul ose përulësi tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Çfarë të dhënash të tjera për kuptimin e këtyre fjalëve mund të gjejmë tek Alma 32:13–16? Ftojini fëmijët tuaj të përfundojnë një fjali si “Po tregohem i/e përulur kur ”.

Alma 32:28–43

Dëshmia ime për Jezu Krishtin rritet kur e ushqej atë.

  • Farat, pemët dhe frutat janë sende të njohura që mund t’i ndihmojnë fëmijët të kuptojnë parime abstrakte si besimi dhe dëshmia. Lërini fëmijët tuaj të mbajnë në duar një farë kur lexoni vargun tek Alma 32:28. Më pas mund t’u kërkoni atyre t’ju ndihmojnë të mendoni për mënyra në të cilat rritja e një dëshmie për Jezu Krishtin është si mbjellja dhe ushqyerja e një fare (shihni te “Kapitulli 29: Alma Jep Mësim rreth Besimit dhe Fjalës së Perëndisë”, Tregime të Librit të Mormonit, f. 81). Ndoshta mund ta mbillni farën tuaj dhe të bisedoni rreth asaj që nevojitet për ta ndihmuar një farë ose një dëshmi të rritet.

  • Figura e një peme e shoqëron këtë përvijim; mund ta përdorni atë për të ilustruar fjalët e Almës tek Alma 32:28–43. Ose mund të bëni një shëtitje për të gjetur bimë në faza të ndryshme të rritjes dhe të lexoni vargjet nga Alma 32 që e krahasojnë një bimë në rritje me dëshminë tonë. Ose ndoshta fëmijët tuaj mund të vizatojnë një pemë në tabelë dhe të shtojnë një gjethe ose një frutë çdo herë që mendojnë për diçka që mund të bëjnë për ta ndihmuar dëshminë e tyre për Jezu Krishtin të rritet.

  • Mund t’i lini fëmijët tuaj të përpiqen ta futin një farë (që përfaqëson fjalën e Perëndisë) në gur (që përfaqëson një zemër kryelartë) dhe në tokë të butë (që përfaqëson një zemër të përulur). Lexoni së bashku tek Alma 32:27–28. Bisedoni se çfarë do të thotë të “bëni vend” (vargu 27) për fjalën e Perëndisë në zemrën tuaj.

Vizatoni figura. Disa njerëz mësojnë më mirë kur bëjnë një vizatim të asaj që po mësojnë. Fëmijëve tuaj mund t’iu pëlqejë të vizatojnë një farë që po bëhet një pemë ndërsa studiojnë kapitullin tek Alma 32.

Alma 33:2–11; 34:17–27

Unë mund t’i lutem Atit Qiellor në çdo kohë, rreth çdo gjëje.

  • Ndihmojini fëmijët tuaj të gjejnë fraza që përshkruajnë vende ku mund të lutemi (tek Alma 33:4–11) dhe gjërat për të cilat mund të lutemi (tek Alma 34:17–27). Mbase mund të bëjnë vizatime të vetvetes duke u lutur në këto vende. Tregojini njëri-tjetrit përvoja të tjera kur Ati Qiellor i dëgjoi lutjet tuaja. Mund të këndoni edhe një këngë për lutjen, të tillë si “Lutja e një Fëmije” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 6–7).

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Pamja
fruta në një pemë

“Për shkak të zellit tuaj dhe të besimit tuaj dhe të durimit tuaj me fjalën, duke e ushqyer atë, … vini re, ca nga ca, ju do të vilni frutin e saj që është shumë i çmueshëm” (Alma 32:42).