Eja, Më Ndiq 2024
1–7 Korrik: “Unë do t’Ju Bëj një Mjet”. Alma 17–22


“1–7 Korrik: ‘Unë do t’Ju Bëj një Mjet’. Alma 17–22”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)

“1–7 Korrik. Alma 17–22”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2023)

Pamja
Amoni duke biseduar me mbretin Lamoni

Ammon and King Lamoni [Amoni dhe Mbreti Lamoni], nga Scott M. Snow

1–7 Korrik: “Unë do t’Ju Bëj një Mjet”

Alma 17–22

Mendoni për të gjitha arsyet që mund të japin njerëzit për mospërhapjen e ungjillit: “Nuk di mjaftueshëm” ose “Nuk jam i sigurt nëse do të jenë të interesuar” ose ndoshta “Kam frikë se nuk do të më pranojnë”. Ndofta me raste mund ta keni parë veten duke menduar për gjëra të ngjashme. Nefitët kishin një arsye tjetër për mospërhapjen e ungjillit te lamanitët: ata përshkruheshin si “një popull [i] egër, [i] ngurtësuar dhe gjakatar; një popull që kënaqej me vrasjen e Nefitëve” (Alma 17:14; shihni edhe tek Alma 26:23–25). Por bijtë e Mosias kishin një arsye edhe më të fortë përse e ndienin se duhej ta përhapnin ungjillin te lamanitët: “Ata dëshironin që shpëtimi duhej t’i njoftohej çdo krijese, pasi nuk mund të duronin që ndonjë shpirt njeriu të mbaronte” (Mosia 28:3). Kjo dashuri që e frymëzoi Amonin dhe vëllezërit e tij, mund t’ju frymëzojë ju gjithashtu që ta përhapni ungjillin te familja, miqtë dhe të njohurit tuaj – edhe atyre që mund të duket se kanë pak gjasa për ta pranuar.

Ide për të Mësuarit në Shtpi dhe në Kishë

Alma 17:1–4

Veprat e thjeshta e të vazhdueshme të përkushtimit ndaj Krishtit më ndihmojnë ta marr fuqinë e Tij.

Çfarë mësoni nga Alma 17:1–4 rreth mënyrës se si ta mbani të fortë dëshminë tuaj për Jezu Krishtin dhe zotimin tuaj ndaj Jezu Krishtit? Çfarë gjërash bënë bijtë e Mosias dhe si i bekoi Zoti ata?

Ndërsa lexoni rreth përvojave të bijve të Mosias tek Alma 17–22, vini re se si ndikoi përgatitja e tyre shpirtërore në shërbimin e tyre mes lamanitëve (për shembull, shihni tek Alma 18:10–18, 34–36; 20:2–5; 22:12–16). Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni për ta ndjekur shembullin e tyre?

Alma 17:6–12; 19:16–36

Pamja
ikona e seminarit
Unë mund të jem një mjet në duart e Perëndisë.

Tregimet e kthimit në besim për të cilat lexojmë në shkrimet e shenjta, janë shpesh dramatike, por në thelb të tyre zakonisht gjejmë individë që patën guximin të flisnin dhe të tregonin për besimin e tyre te Jezu Krishti. Mendoni për këtë teksa lexoni për Abishin dhe bijtë e Mosias këtë javë.

Çfarë mendoni se do të thotë të jesh një mjet në duart e Perëndisë? Mund t’ju ndihmojë të mendoni për mjetet ose veglat që mund të përdorni në jetën tuaj të përditshme. Tek Alma 17:6–12, kërkoni atë që bënë bijtë e Mosias që të mund të ishin mjete në duart e Perëndisë. Si mund të bëheni një mjet më i efektshëm për t’i ndihmuar të tjerët të vijnë te Krishti?

Çfarë ju bën përshtypje rreth Abishit tek Alma 19:16–36? Çfarë mësoni nga ajo për ndihmën që të tjerët të ndërtojnë besim te Krishti? Për shembull, çfarë mendoni se do t’i ndihmonte njerëzit që doni, që të “beso[jnë] në fuqinë e Perëndisë”? (Alma 19:17.)

Mund ta krahasoni përvojën e Abishit edhe me parimet që dha mësim Plaku Diter F. Uhtdorf te “Puna Misionare: Shprehja e Asaj që Keni në Zemër” (Liahona, maj 2019, f. 15–18). Në ç’mënyrë qe Abishi shembull për ato “Pesë Sugjerime të Thjeshta” nga Plaku Uhtdorf? Përpiquni t’i shkruani disa gjëra që mund të thoni rreth Jezu Krishtit. Për shembull: “Për mua, Jezu Krishti …” ose “Shpëtimtari më ndihmon …”

Shihni edhe “Shkëlqen Fort Mëshir’ e Atit”, Himne, nr. 213; “Ftesa ndaj të Tjerëve që ‘Të Vijnë e të Shohin’”, “Ftesa ndaj të Tjerëve që ‘Të Vijnë e të Ndihmojnë’”, “Ejani dhe Kini Përkatësi” (materiale filmike), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Përdorni mësime me sende. Sa herë që njerëzit mund ta shohin ose prekin diçka që lidhet me atë që po mësojnë, ka gjasë që ta mbajnë mend më gjatë atë. Nëse po jepni mësim për vargun tek Alma 17:11, për shembull, merreni parasysh të shfaqni instrumente muzikore ose mjete për të shkruar që të ndihmoni të frymëzohet një diskutim rreth të qenit një mjet në duart e Perëndisë.

Alma 17–19

Kur tregojmë dashuri për të tjerët, mund t’i ndihmojmë ata ta pranojnë ungjillin e Jezu Krishtit.

Kërkoni vargje tek Alma 17–19 që tregojnë se si dashuria e Amonit për lamanitët i frymëzoi përpjekjet e tij për ta përhapur ungjillin e Jezu Krishtit. Çfarë të vërtetash të tjera mësoni rreth përhapjes së ungjillit nga shembulli i tij?

Shihni edhe “Amoni i Shërben dhe i Jep Mësim Mbretit Lamoni” (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit],

Pamja
Amoni duke shpëtuar delet e mbretit

Minerva Teichert (1888–1976), Ammon Saves the King’s Flocks [Amoni Shpëton Grigjat e Mbretit], 1949–1951, vaj në dru të presuar, 91 x 122 centimetra. Muzeu i Arteve i Universitetit “Brigam Jang”, 1969.

Alma 19:36

Zoti do të më ndihmojë të pendohem.

Pasi ritregoi për kthimin në besim të Lamonit dhe popullit të tij, Mormoni e përmblodhi rrëfimin me një vrojtim rreth Jezu Krishtit. Çfarë mësoni nga vargu tek Alma 19:36 rreth karakterit të Zotit? Çfarë mësoni tjetër rreth Tij nga rrëfimi tek Alma 19:16–36? Kur e keni ndier krahun e Zotit të shtrirë drejt jush?

Alma 20:23; 22:15–18

Ia vlen çdo sakrificë për ta njohur Perëndinë.

Krahasojeni atë nga e cila qe në gjendje të hiqte dorë Amoni për të shpëtuar jetën e vet (shihni tek Alma 20:23), me atë nga e cila ai më vonë qe i gatshëm të hiqte dorë për të marrë gëzimin e ungjillit dhe për ta njohur Perëndinë (shihni tek Alma 22:15, 18). Përsiatni për atë që jeni i/e gatshëm/me të sakrifikoni në mënyrë që ta njihni Perëndinë më plotësisht.

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Alma 17:2–3

Dëshmia ime për Jezu Krishtin rritet kur i lexoj shkrimet e shenjta, lutem dhe agjëroj.

  • Si mund t’i ndihmojnë shembujt e bijve të Mosias fëmijët tuaj që të ndërtojnë dëshmi për Jezu Krishtin? Mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj të gjejnë atë që bënë bijtë e Mosias për të krijuar forcën e tyre shpirtërore tek Alma 17:2–3. Më pas ata mund të bëjnë vizatime ose të gjejnë sende që i përfaqësojnë këto gjëra. Ndihmojini ata të planifikojnë atë që do të bëjnë për t’i forcuar dëshmitë e tyre për Shpëtimtarin.

Alma 17–19

Unë mund ta përhap ungjillin e Jezu Krishtit tek të tjerët.

  • Për të mësuar rreth të qenit një mjet në duart e Perëndisë, sikurse ishin bijtë e Mosias, ju dhe fëmijët tuaj mund të vështroni një mjet ose vegël dhe të bisedoni se për çfarë përdoret. Më pas mund të lexoni tek Alma 17:11 dhe të bisedoni rreth asaj që do të thotë të jemi mjetet e Atit Qiellor për t’i ndihmuar njerëzit të mësojnë rreth Jezu Krishtit.

  • Faqja e veprimtarisë së kësaj jave ka figura që përfaqësojnë të vërtetat që Amoni i mësoi mbretit Lamoni. Mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj t’i gjejnë këto të vërteta tek Alma 18:24–40. Fëmijët tuaj mund të hiqen sikur janë misionarë dhe të tregojnë atë që dinë për këto të vërteta.

  • Pasi të lexoni rreth Abishit me fëmijët tuaj (shihni tek Alma 19:16–20, 28–29), ata mund të hiqen sikur janë Abishi duke vrapuar në vend, duke trokitur nëpër dyer dhe duke treguar rreth asaj që ndodhi tek Alma 19:1–17. Si mund të jemi ne si Abishi dhe ta tregojmë atë që dimë rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij? Fëmijët tuaj mund të bëjnë vizatime të vetvetes duke e përhapur ungjillin te dikush ose të këndojnë së bashku një këngë rreth përhapjes së ungjillit, të tillë si “Thirrur t’i Shërbejm’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 94–95).

Alma 17:21–25; 20:8–27; 22:1–3

Unë mund t’i ndihmoj të tjerët të vijnë te Krishti duke treguar dashurinë time për ta.

  • Në fillim, edhe mbreti Lamoni, edhe babai i tij e patën zemrën të ngurtësuar kundrejt ungjillit. Më vonë, zemra e tyre u zbut dhe ata besuan te Jezu Krishti. Si ndodhi kjo? Ndihmojini fëmijët tuaj të zbulojnë përgjigje për këtë pyetje ndërsa i rishikoni me ta përvojat e Amonit. Ata mund t’i interpretojnë me role tregimet te “Kapitulli 23: Amoni: Një Shërbëtor i Madh” dhe te “Kapitulli 24: Amoni Takon Atin e Mbretit Lamoni” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 64–68, 69–70). Ose mbase fëmijëve tuaj mund t’iu pëlqejë të bëjnë vizatime të pjesëve të ndryshme të historisë dhe t’i përdorin vizatimet për të thënë tregimet. Çfarë bëri Amoni për të ndihmuar Lamonin dhe të atin e tij që ta hapnin zemrën për ungjillin e Jezu Krishtit (Shihni tek Alma 17:21–25; 20:8–27); 22:1–3.)

  • Mbase ju dhe fëmijët tuaj mund të mendoni për dikë që ka nevojë të dijë për Jezu Krishtin. Ndihmojini ata të mendojnë për mënyrat se si mund të jenë shembuj të mirë dhe të tregojnë dashuri për atë njeri, sikurse bëri Amoni për Lamonin dhe të atin.

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Pamja
ilustrim i Abishit

Një ilustrim i Abishit, nga Dilleen Marsh