Eja, Më Ndiq 2024
16–22 Shtator: “Ngrije Kokën dhe Mos e Humb Kurajën”. 3 Nefi 1–7


“16–22 Shtator: ‘Ngrije Kokën dhe Mos e Humb Kurajën’. 3 Nefi 1–7”, Eja Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)

“16–22 Shtator. 3 Nefi 1–7”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2023)

Pamja
Nefitët dëshmojnë ditën pa natë

One Day, One Night, and One Day [Një Ditë, Një Natë dhe Një Ditë], nga Jorge Cocco

16–22 Shtator: “Ngrije Kokën dhe Mos e Humb Kurajën”

3 Nefi 1–7

Në njëfarë mënyre, qe një kohë emocionuese të ishe besimtar i Jezu Krishtit. Profecitë po përmbusheshin, shenja dhe mrekulli të mëdha mes njerëzve tregonin se Shpëtimtari do të lindte së shpejti. Nga ana tjetër, ajo ishte edhe një kohë ankthi për besimtarët ngaqë, pavarësisht nga të gjitha mrekullitë, mosbesuesit këmbëngulnin se “kishte kaluar koha” që Shpëtimtari të lindte (3 Nefi 1:5). Këta njerëz shkaktuan “një potere të madhe në tërë vendin” (3 Nefi 1:7) dhe madje caktuan një datë për t’i vrarë të gjithë besimtarët nëse shenja e profetizuar nga Samuel Lamaniti, një natë pa errësirë, nuk do të shfaqej.

Në këto rrethana të vështira, profeti Nefi “iu lut me gjithë fuqi Perëndisë së tij, në emër të popullit të tij” (3 Nefi 1:11). Përgjigjja e Zotit është frymëzuese për këdo që përballet me përndjekje ose dyshim dhe ka nevojë të dijë se drita do ta mposhtë errësirën: “Ngrije kokën dhe mos e humb kurajën; … unë do të përmbush çdo gjë që kam bërë të thuhet nga goja e profetëve të mi të shenjtë” (3 Nefi 1:13).

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

3 Nefi 1–7

Për t’u bërë i/e kthyer në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit duhet durim dhe përpjekje.

3 Nefi 1–7 përshkruan njerëz që u kthyen në besim te Zoti dhe të tjerë që nuk u kthyen. Cili ishte ndryshimi mes këtyre grupeve? Një tabelë si ajo që vijon, mund t’ju ndihmojë për t’i organizuar mendimet tuaja:

Gjëra që e dobësojnë kthimin në besim

Gjëra që e forcojnë kthimin në besim

3 Nefi 1:5–11

Mosbesimi te fjalët e profetit dhe përqeshja e njerëzve të drejtë

Pasja e besimit te fjalët e profetit dhe lutja për ndihmë

3 Nefi 1:29–30

3 Nefi 2:1–3

3 Nefi 3:12–16

3 Nefi 4:8–10, 30–33

3 Nefi 6:13–18

3 Nefi 7:15–22

Bëni pyetje personale ndërsa studioni. Për shembull, ndërkohë që e përfundoni këtë tabelë, mund të bëni pyetje si: “Cili është mësimi për mua këtu?” Kjo do të sjellë frymëzim nga Fryma e Shenjtë.

3 Nefi 1:1–23

Pamja
seminary icon
Për shkak të Jezu Krishtit, unë nuk “e humb kurajën”.

Ati juaj Qiellor e di se jeta juaj do të përfshijë çaste që janë të vështira, madje frikësuese. Por Ai dëshiron gjithashtu që ju të përjetoni gëzim. Lexoni te 3 Nefi 1:1–23 që të mësoni rreth arsyeve që kishin nefitët besnikë për t’u frikësuar. Çfarë arsyeje u dha Zoti atyre për të mos e “humb[ur] kurajën”?

Shpëtimtari e ka përdorur frazën “mos e humb kurajën” ose “merrni zemër” në disa raste për shembull te Mateu 14:24–27; Gjoni 16:33; Doktrina e Besëlidhje 61:36; 78:17–19. Çfarë ju bën përshtypje nga këto ftesa? Mund t’i lexoni vargjet shoqëruese për të kuptuar rrethanat në të cilat i tha Shpëtimtari këto fjalë. Në secilin rast, çfarë arsyesh dha Ai për t’i ndihmuar njerëzit të përballeshin me gjërat që i frikësonin? Si e ka bërë Ai këtë për ju?

Merreni parasysh të studioni fjalimin e Presidentit Rasëll M. Nelson “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore” (Liahona, nëntor 2016, f. 81–84). Çfarë ju mëson Presidenti Nelson rreth gjetjes së gëzimit në çfarëdo situate? Vini re se sa herë e përdor Presidenti Nelson fjalën përqendrim. Ndoshta mund ta krahasoni përqendrimin e fokusit të një aparati ose thjerrave të tjera me përqendrimin te Jezu Krishti. Si do të përqendroheni më shumë tek Ai?

Shihni edhe zërat “Grief” [“Pikëllim”], “Hope” [“Shpresë”], “Mental Health” [“Shëndeti Mendor”] ose tema të tjera te pjesa “Life Help” [“Ndihmë për Jetën”] e programit Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

3 Nefi 1:4–21; 5:1–3

Zoti do t’i përmbushë të gjitha fjalët e Tij në kohën e Vet.

Lexoni te 3 Nefi 1:4–7 dhe mendoni se si mund të ishit ndier po të ishit njëri nga besimtarët. Çfarë bënë ata për ta mbajtur të fortë besimin e tyre? (Shihni te 3 Nefi 1:4–21 dhe 5:1–3.) Si u përmbushën fjalët e Samuelit? (Shihni te 3 Nefi 1:19–21.) Si i ka përmbushur Zoti fjalët e Tij në jetën tuaj?

3 Nefi 1:4–15; 5:12–26; 6:10–15; 7:15–26

Unë jam një dishepull/e i/e Jezu Krishtit.

Mormoni shpalli: “Vini re, unë jam një dishepull i Jezu Krishtit” (3 Nefi 5:13). Çfarë do të thotë kjo frazë për ju? Merreni parasysh të kërkoni te 3 Nefi 1:4–15; 5:12–26; 6:10–15 dhe 7:15–26, duke parë për cilësitë, bindjet dhe veprimet e dishepujve të Krishtit.

Shihni edhe “Përpiqem t’Jem si Jezusi”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 40–41.

3 Nefi 2:11–12; 3:1–26

Kur ushtroj besim te Jezu Krishti, nuk ka pse të kem frikë.

Përvoja e nefitëve me bandat e hajdutëve mund të përmbajë mësime që mund t’ju ndihmojnë për rreziqet shpirtërore me të cilat përballeni. Kërkojini këto mësime te 3 Nefi 2:11–12 dhe 3:1–26. Për shembull, mund t’i kërkoni fjalët e Gidianhit te 3 Nefi 3:2–10 dhe t’i krahasoni ato me mënyrat se si Satani mund të përpiqet t’ju mashtrojë. Çfarë mësoni nga shembulli i Lakoneusit?

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistës Liahona dhe revistës Për Forcën e Rinisë.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

3 Nefi 1:4–15, 19–21

Një yll i ri u shfaq kur lindi Jezu Krishti.

3 Nefi 1:4–21

Fjalët e profetëve përmbushen përherë.

  • Ndërsa ju dhe fëmijët tuaj lexoni te 3 Nefi 1:4–10, ftojini që të flasin mbi atë se si mund të ishit ndier po të ishit njëri nga besimtarët që jetonte në atë kohë. Më pas, ndërsa lexojnë pjesën tjetër të ndodhisë te vargjet 11–15, ata mund të sugjerojnë mënyra se si ta plotësojnë këtë fjali: “Mësimi nga ky tregim për mua është …”.

  • Ndoshta fëmijët tuaj mund t’ju ndihmojnë të mendoni për raste të tjera kur Perëndia i përmbushi premtimet e Tij të dhëna nëpërmjet profetit të Tij. Atyre mund t’u pëlqejë të gjejnë figura për këto tregime te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit (shihni për shembull nr. 7–8 dhe 81). Lërini të tregojnë atë që dinë rreth këtyre tregimeve, përfshirë mënyrën se si u përmbushën premtimet e Perëndisë. Lexoni së bashku te 3 Nefi 1:20 dhe jepni vetë dëshminë tuaj për këto të vërteta.

3 Nefi 2:11–12; 3:13–14, 24–26

Ne jemi më të fortë kur mblidhemi së bashku.

  • Ndihmojini fëmijët tuaj të zbulojnë arsyen përse nefitët mblidheshin së bashku dhe bekimet që u erdhën atyre, te 3 Nefi 2:11–12 dhe 3:13–14, 24–26. Përse është e rëndësishme që ne të mblidhemi sot në familjet tona dhe në kishë?

  • A dini ndonjë mësim me sende që na mëson rreth forcës së bashkimit? Ndoshta fëmijët tuaj mund të përpiqen të thyejnë një shkop dhe pastaj një tufë shkopinjsh ose të grisin një fletë letre dhe pastaj një grumbull letrash. Ku ngjasojmë ne me shkopinjtë ose letrat?

3 Nefi 5:12–26; 6:14; 7:15–26

Unë jam një dishepull/e i/e Jezu Krishtit.

  • Pasi të lexoni së bashku te 3 Nefi 5:13, ftojini fëmijët të përsëritin frazën “Unë jam një dishepull/e i/e Jezu Krishtit”. Për të mësuar se çfarë do të thotë të jesh dishepull/e i/e Jezu Krishtit, lexojini së bashku disa nga këta shembuj: lamanitët e kthyer në besim (shihni te 3 Nefi 6:14), Mormoni (shihni te 3 Nefi 5:12–26) dhe Nefi (shihni te 3 Nefi 7:15–26). Mund të gjeni ide edhe në një këngë si “Përpiqem t’Jem si Jezusi” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 40–41).

  • Në një fletë letre, ndihmojini fëmijët tuaj të bëjnë gjurmën e dorës së tyre dhe ta presin atë. Shkruani: “Unë jam një dishepull/e i/e Jezu Krishtit” në njërën anë dhe ftojini që në anën tjetër të vizatojnë diçka që mund të bëjnë për të qenë një dishepull/e.

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Pamja
Nefitët dëshmojnë ditën pa natë

A Day, a Night, and a Day [Një Ditë, një Natë dhe një Ditë], nga Walter Rane.