Eja, Më Ndiq 2024
23–29 Shtator: “Ngrihuni dhe Ejani tek Unë”. 3 Nefi 8–11


“23–29 Shtator: ‘Ngrihuni dhe Ejani tek Unë’. 3 Nefi 8–11”, Eja Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)

“23–29 Shtator. 3 Nefi 8–11”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2023)

Pamja
Jezusi u shfaqet nefitëve

I Am the Light of the World [Unë Jam Drita e Botës], nga James Fullmer

23–29 Shtator: “Ngrihuni dhe Ejani tek Unë”

3 Nefi 8–11

“Vini re, unë jam Jezu Krishti, për të cilin profetët dëshmuan se do të vinte në botë” (3 Nefi 11:10). Me këto fjalë Shpëtimtari i ringjallur e paraqiti Veten e Tij, duke përmbushur profecitë e bëra në mbi 600 vjet të Librit të Mormonit. “Ajo shfaqje dhe ai deklarim”, – shkroi Plaku Xhefri R. Holland, – “përbëjnë pikën qendrore, çastin më të madhërishëm, në të gjithë historinë e Librit të Mormonit. Ishin manifestimi dhe vendimi që i ishte njoftuar dhe e kishte frymëzuar çdo profet nefit. … Kushdo kishte folur për Të, kishte kënduar për Të, kishte ëndërruar për Të dhe ishte lutur për shfaqjen e Tij – por në të vërtetë ja tek ishte. Dita e ditëve! Perëndia, i cili e kthen çdo natë të errët në dritë mëngjesi, kishte ardhur” (Christ and the New Covenant [1997], f. 250–251).

Shihni edhe “Jezu Krishti Shfaqet në Kontinentin e Lashtë Amerikan” (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë

3 Nefi 8–11

Jezu Krishti është Drita e Botës.

Mund të vini re se temat që lidhen me errësirën dhe dritën, përsëriten gjatë gjithë kapitujve te 3 Nefi 8–11. Çfarë mësoni nga këta kapituj rreth errësirës dhe dritës shpirtërore? (Shihni për shembull te 3 Nefi 8:19–23; 9:18; 10:9–13.) Çfarë sjell errësira në jetën tuaj? Çfarë sjell drita? Si mendoni, përse Shpëtimtari e paraqiti Veten e Tij si “drita dhe jeta e botës”? (3 Nefi 9:18; 11:11.)

Ngjarjet e përshkruara te 3 Nefi 9–11 janë ndër ngjarjet më të shenjta në Librin e Mormonit. Lexojini ato me ngadalë dhe përsiatini me kujdes. Këtu janë disa pyetje për t’ju ndihmuar. Merreni parasysh t’i shënoni mbresat që ju vijnë.

  • Si do të isha ndier po të kisha qenë mes këtyre njerëzve?

  • Çfarë më lë mbresa rreth Shpëtimtarit në këta kapituj?

  • Nga e di se Jezu Krishti është Shpëtimtari im?

  • Në ç’mënyrë ka qenë Ai një dritë në jetën time?

Shihni edhe te Sheron Iubank, “Krishti: Drita që Shkëlqen në Errësirë”, Liahona, maj 2019, f. 73–76.

Shënojini mbresat. Kur t’i shkruani mbresat shpirtërore që merrni, keni më tepër gjasë që të merrni më shumë mbresa.

3 Nefi 9–10

Jezu Krishti pret me padurim që të falë.

Plaku Nil L. Andersen vërejti: “Unë dëshmoj që Shpëtimtari është në gjendje dhe pret me padurim t’i falë mëkatet tona” (“Pendohuni … Që të Mund t’ju Shëroj”, Liahona, nëntor 2009, f. 40). Kërkoni te 3 Nefi 9–10 për prova të padurimit të Krishtit për të falur. Çfarë gjeni te 3 Nefi 9:13–22 dhe 10:1–6 që ju ndihmon ta ndieni dashurinë dhe mëshirën e Tij? Kur e keni ndier Atë duke ju “mbledhur” dhe “ushqyer”? (Shihni te 3 Nefi 10:4.)

3 Nefi 9:19–22

Zoti kërkon “një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar”.

Përpara ardhjes së Shpëtimtarit, flijimet e kafshëve qenë një simbol i flijimit të Jezu Krishtit (shihni te Moisiu 5:5–8). Çfarë urdhërimi të ri dha Shpëtimtari te 3 Nefi 9:20–22? Si na drejton ai [urdhërim] për tek Ai dhe te flijimi i Tij?

Çfarë do të thotë për ju të ofrosh si sakrificë një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar? Si mendoni, përse Shpëtimtari e do këtë sakrificë nga ju?

3 Nefi 11:1–8

Pamja
seminary icon
Unë mund të mësoj ta dëgjoj dhe kuptoj zërin e Perëndisë.

Nga e kuptoni se Perëndia po ju flet? Ndoshta përvoja e njerëzve te 3 Nefi 11:1–8 mund t’ju ndihmojë të kuptoni disa parime për të dëgjuarit dhe të kuptuarit e zërit të Perëndisë. Ju mund t’i shënoni karakteristikat e zërit të Perëndisë, të cilin e dëgjuan njerëzit, dhe çfarë bënë ata që ta kuptonin më mirë atë.

Mund t’ju ndihmojë edhe të eksploroni në shkrime të tjera të shenjta që përshkruajnë zërin e Perëndisë ose ndikimin e Shpirtit të Tij. Ja tek janë disa. Mbase, pasi t’i lexoni këto, mund të shkruani disa orientime për dallimin e zbulesës: 1 Mbretërve 19:11–12; Galatasve 5:22–23; Alma 32:27–28, 35; Helamani 10:2–4; Ethëri 4:11–12; Doktrina e Besëlidhje 9:7–9; 11:11–14.

Mund të keni dobi edhe nga të dëgjuarit prej profetëve, apostujve të sotëm dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës që kanë përvojë me të dëgjuarit dhe ndjekjen e zërit të Perëndisë. Disa prej tyre i tregojnë përvojat e veta në koleksionin e materialeve filmike “Dëgjojeni Atë!” në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Merreni parasysh të shihni një ose më shumë.

Si do ta zbatoni atë që mësuat, për të dëgjuar dhe dalluar më qartë zërin e Perëndisë?

Shihni edhe te Rasëll M. Nelson, “Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 88–92; “This Is My Beloved Son” [“Ky Ësht’ Biri Im i Dashur”], Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 76; Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Personal Revelation” [“Zbulesa Vetjake”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Pamja
Jezusi duke u treguar nefitëve gjurmët në duart e Tij

One by One [Një nga Një], nga Walter Rane

3 Nefi 11:8–17

Jezu Krishti më fton të fitoj një dëshmi vetjake për Të.

Rreth 2 500 njerëz u mblodhën te tempulli në [tokën] Begati kur u shfaq Jezu Krishti (shihni te 3 Nefi 17:25). Pavarësisht nga ky numër i madh, Shpëtimtari e ftoi secilin prej tyre “një nga një”, që të prekte gjurmët e gozhdëve në duart dhe këmbët e Tij (3 Nefi 11:14–15). Teksa lexoni, imagjinoni se si do të kishte qenë po të ishit atje. Në çfarë mënyrash po ju fton Shpëtimtari të “ngrih[e]ni dhe [të vini] tek” Ai? (3 Nefi 11:14.)

Për më shumë ide, shihni botimet e këtij muaji të revistave Liahona dhe Për Forcën e Rinisë.

Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve

Për shkak se kjo e diel është e diela e pestë e muajit, mësuesit/et e Fillores nxiten të përdorin veprimtaritë e të mësuarit te “Shtojca B: Përgatitja e Fëmijëve për të Ecur Gjatë Gjithë Jetës në Shtegun e Besëlidhjeve të Perëndisë”.

3 Nefi 8–9

Kur jam në errësirë, Jezu Krishti mund të jetë drita ime.

  • Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të krijojnë lidhje me përvojat e përshkruara te 3 Nefi 8–9, ju mund të ritregoni ose të dëgjoni një regjistrim të pjesëve të këtyre kapitujve në një dhomë të errët. Diskutoni se si mund të ketë qenë qëndrimi në errësirë për tri ditë. Më pas mund të flisni rreth arsyes pse Jezu Krishti e quajti Veten Drita e Botës (shihni te 3 Nefi 9:18). Çfarë i ftoi Jezusi njerëzit të bënin dhe çfarë na ftoi ne të bëjmë, në mënyrë që Ai të mund të jetë drita jonë? (Shihni te 3 Nefi 9:20–22.)

3 Nefi 10:4–6

Jezusi e mbron popullin e Tij si një klloçkë mbron zogjtë e saj.

  • Përshkrimi figurativ i një klloçke që po mbledh zogjtë e saj, mund të jetë një mjet i fuqishëm mësimdhënieje për t’i ndihmuar fëmijët ta kuptojnë karakterin dhe misionin e Shpëtimtarit. Ju mund të lexoni te 3 Nefi 10:4–6 ndërkohë që familja juaj vështron një figurë të një klloçke dhe të zogjve. Përse një klloçkë nevojitet t’i mbledhë zogjtë e saj? Përse Shpëtimtari dëshiron që të na mbledhë pranë Tij? Si të vijmë tek Ai për siguri?

3 Nefi 11:1–15

Jezu Krishti më fton që të vij tek Ai.

  • Si do t’i ndihmoni fëmijët tuaj ta ndiejnë Shpirtin teksa lexoni te 3 Nefi 11:1–15 së bashku? Mbase mund t’u kërkoni atyre t’ju tregojnë kur të gjejnë diçka në këto vargje që i ndihmon ta ndiejnë dashurinë e Perëndisë. Mund të bëni të njëjtën gjë me figurat në këtë përvijim ose me materialin filmik “Jezu Krishti Shfaqet në Tempull” (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit]. Tregojuni fëmijëve tuaj se si ndiheni kur i lexoni dhe i përsiatni këto ngjarje. Lejojini të shprehin edhe ndjenjat e tyre.

3 Nefi 11:1–8

Perëndia më flet me një zë të butë e të vogël.

  • Ndoshta mund t’i lexoni disa prej këtyre vargjeve me një “zë [të] vogël”, të butë (3 Nefi 11:3). Ose mund të vendosni një regjistrim të një kënge si “This Is My Beloved Son” [“Ky Ësht’ Biri Im i Dashur”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 76) butësisht saqë është e vështirë të dëgjohet. Çfarë iu desh njerëzve të bënin që ta kuptonin zërin nga qielli? (Shihni vargjet 5–7.) Çfarë mësojmë nga përvoja e tyre?

3 Nefi 11:21–26

Jezu Krishti dëshiron që unë të pagëzohem.

  • Ndërsa lexoni vargjet te 3 Nefi 11:21–26, mund t’i ftoni fëmijët tuaj të ngrihen në këmbë sa herë që e dëgjojnë fjalën pagëzoj ose një variant të saj. Çfarë dha mësim Jezusi rreth pagëzimit? Nëse fëmijët tuaj kanë parë një pagëzim më parë, kërkojuni ta përshkruajnë atë që panë. Përse Jezusi dëshiron që ne të pagëzohemi?

Për më shumë ide, shihni botimin e këtij muaji të revistës Miku.

Pamja
Jezusi u shfaqet nefitëve

One Shepherd [Një Bari], nga Howard Lyon.